back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je… Jorge Luis Borghes

Gazeta

Jorge Luis Borges (1899-1986)
Jorge Luis Borges (1899-1986)

Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je…

poezi nga Jorge Luis Borghes

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
as ndonji përgjigje s’kam për dyshimet, as ndërdyshjet tua
veç mundem me t’ndigjue, e gjithçka me ty me e nda …

Jo, s’mundem kurrqysh me e ndryshue
as t’shkuemen dhe as t’ardhmen tande
por n’se ta lyp nevoja, pranë vedit ke me m’pasë gjithnji!

Jo, s’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri,
e me të mbajtë sado pak mos me u rrzue!

Gëzimet tua, fitoret tua edhe triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti m’gëzon sa herë t’shof me flatra…

Vendimet e marra t’jetës tande s’i gjykoj
po me të mbështetë gjithkund e ndjej detyrë,
pse jo edhe me të nxitë e me të ndihmue n’se ti m’pranon!

Jo, s’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
ku ti gjithnji t’naltohesh…

S’mundem me e shmangë jo, vuejtjen tande,
kur ndoj ndëshkim zemrën ta landon,
po mundem m’u përlotë me ty e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e njatij shpirti t’thyem, e me rinisë nga e para.

S’mundem me t’thanë as kush je e as kush duhet të jeshë,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
e me mbetë përjetë Miku yt…

(Përktheu Jozef Radi, 2014)

Jorge Luis Borges (1899-1986)
Jorge Luis Borghes (1899-1986)

Unë të ofroj…

poezi nga Jorge Luis Borghes

Unë t’ofroj rrugë t’vështira, perëndime të dëshpërueme
edhe hanën e rrethinave t’mjerueshme,
t’ofroj hidhnimin e nji burri
që gjatë e ka kqyrë hanën trishtuese.
T’ofroj paraardhësit e mi, të vdekunit e mi,
fantazma që t’gjallët i kanë përjetsue me nder mbi mermer:
babën e babës tem, t’vramë në kufi me Buenos Aires,
ku dy plumba ia shkuen tejpërtej mushknitë e tij, dhe mjekroshi vdiq
i rrethuem ushtarësh veshë n’lkura lope;
Gjyshin e nanës seme – njizet e katër vjeç –
i printe revolucionit me treqind burra në Peru,
tashma veç fantazma kuajsh të zhdukun.

T’ofroj gjithfarë fantazish
me librat e mi, e çdo fuqi depërtuese n’jetën e njeriut.
T’ofroj besnikninë e nji burri
i cili veç besnik s’ka qenë kurrë.
T’ofroj nji lajthi t’vetvedit
që gjithsesi jam përpjekë me e ruejtë –
njat thelbin e zemrës që s’merret me fjalë,
as me andrra, e gandull prej kohe ka mbetë,
si prej gëzimeve, edhe prej fatkeqsive.

Unë t’ofroj kujtimin e nji
dranofilleje t’verdhë çil n’perëndim të diellit,
shumë kohë ma para se ti t’ishe lindë.
t’ofroj shpjegime mbi vetvedin,
shpjegime rreth vetes tande, e gjana t’veçanta e befta për ty.
Unë mundem me t’dhurue trishtimin tim,
errsinën teme, njat uri të pashterrë t’zemrës seme;
e kam me u rropatë me t’ba për vedi – me pasiguri,
me rreziqe edhe humbje.

(Përktheu Jozef Radi, 2015)

Antologji lirikash - 20 poete- perktheu Jozef Radi
Antologji lirikash – 20 poete- perktheu Jozef Radi

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. “S’mundem me t’vu cak qiellit kah vërtitesh
    Veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
    Që ti të naltohesh…”

    Me bukur s’ka si thuhet.
    Falenderoj Zotin që ka krijuar njerëz me ndjenja të tilla, që aq bukur dhe aq pastër i këndojnë dashurisë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.