back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Tre Poezi të hershme – nga Jozef Radi – si protestë e sotme ndaj Kryeparlamentarit të Ri – 2017

Gazeta

Muret e Muzgut 1993
Muret e Muzgut 1993

Tre Poezi të hershme – nga Jozef Radi

si protestë e sotme ndaj Kryeparlamentarit të Ri – 2017

Unë Jozef Radi – protestoj publikisht ndaj emërimit e Gramoz Ruçit, në krye të Parlamentit shqiptar
Protestoj në mënyrën time, me këto poezi të shkruara herët (1991), kohë kur në Shqipëri nuk kishte ende demokraci, kohë kur Kryeparlamentari i Sotëm ishte Ministër i Brendëshëm i Diktaturës, kohë kur në Shkodër ndodhte Masakra e 2 Prillit, dhe 4 djem nënash vriteshin e qindra të tjerë plagoseshin. Kam protestuar atëherë, në mënyrën time me këto poezi të botuara te (Muret e Muzgut – 1993), protestoj edhe sot fuqishëm, sërish në mënyrën time, kundra emërimit të kësaj figure në Tempullin e Lartë të Ligjeve…
Pyetja që shtroj unë, Jozef Lazër Radi, ndaj Kryeparalamentarit shqiptar është kjo: A mundem unë të besoj se Gramoz Ruçi do të mbrojë me ligje: dinjitetin, vlerat, të drejtat, sakrificat dhe vuajtjet e mia dhe gjithë atyre që vuajtën nga diktatura dhe po vuajnë nga postdiktatura? A mundet ai të kontribuojë për paqen sociale, për barazinë midis qytetarëve, për drejtat ende sot të mohuara… njeriu, i cili jo shumë kohë më parë, ka qenë pikërisht ministër i Diktaturës dhe organeve më represive të saj!!
Unë nuk besoj kurrën e kurrës!!!
Prandaj protestoj fuqishëm ndaj emërimit të Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit Shqiptar!
10 shtator 2017

.

Jozef Radi 2012
Jozef Radi 2012

Qyteti i gjanave t’Mëdha…

N’Kafe të Madhe
e pijmë kafen të hidhët zeher,
gjithçka mbas saj ma e ambël bahet.
 
N’Kishë të Madhe,
dita e Ringjalljes së të Lumit,
thyen kambanat e nji çerek shekulli ankth.
 
N’Arrë të Madhe
sythët plasin me cicërima zogjsh,
dhe marsi ndjen frikë me dalë para prillit.
 
N’qytetin e Gjanave t’Mëdha,
përqafen Liqeni, Buna, Kiri,
edhe Drini (i Bardhi e i Ziu bashkë)
Po njerzia e Qytetit të Gjanave t’Mëdha
s’trembet pse Kupola e Madhe e Krimit ka urdhnue:
“Drini i Kuq, Qytetin ta përmbytë!”
1991
.
Shkodër… 2 prill 1991
Shkodër… 2 prill 1991

Prill’i përgjakun

I vyshkën rrugët t’hikunit,
edhe mbramjeve
n’ecejake të zbrazta
përplasemi ndër puthje
të mbetuna pezull
e heshtje t’acarta.
 
N’sythat e dritës s’re
rrin strukë Shpresa,
po prillit me duer t’përgjakta
i asht përlye vesa!
Qelqe andrrash grimcue n’sheshe
gëzhoja t’hjedhuna si oriz dasme
e lulet e paçeluna, u thanë!
 
O Zot!
Edhe gëzimin n’nji fitore
e firmosën me gjak,
prej puthjeve t’këputuna!
 
I vyshkën rrugtë e marsit të hikunit,
e prillin e drandofilleve
e përgjakën heronjtë e dhunës.
1991
.
Statuja në Muzeun Arkeologjik
Statuja në Muzeun Arkeologjik

Statujat pa kokë në Muzeun Kombëtar

Kaq rrënqethse
kokat tueja t’humbuna ndër shekuj,
sa përditë m’bren dyshimi
n’ekzistencën teme!
 
Përpëlitem zgjuet e n’andërr
me e bindë vedin se s’asht e vërtetë,
se kryet e kam e njasaj i bindem,
edhe n’se vuej, e them pa grimë droje,
vuej bash pasjen e saj mbi supe!
 
Po ju, o bukuri të lashta,
me pamje tronditëse,
o heroizma kryekputuna
pse rrekeni me na bindë,
se prej kohnash të hikuna
te kohnat që afrojnë
t’parat, janë kokat që psojnë…
 
N’shpirtin tem
nqethëse mungesa e kokave tueja.
Gjymtimi juej netëve më trazon!
E ndërsa vuej kokat tueja
t’humbuna ndër shekuj,
kqyri kokën teme,
që mbytë n’dyshime, e ka kohën teme!
1991
(Marrë nga libri “Muret e Muzgut” – Tiranë 1993, fq. 129, 133, 139)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.