Nëpër gjurmë të “etheve të arit” amerikan – ose Alaska 120 vite të shkuara – nga Avis Gjyshja

0
22
Avis Gjyshja në Tagish Lake - Skagway 2017
Avis Gjyshja në Tagish Lake – Skagway 2017

Nëpër gjurmë të “etheve të arit” amerikan

Ose Alaska, 120 vite të shkuara

nga Avis Gjyshja

Shënime udhëtimi – foto – dhe histori

Harta e Alaskës. Diku poshtë djathtas: Skagway!
Harta e Alaskës. Diku poshtë djathtas: Skagway!

Skagway…

Asgjë historike apo gjeografike s’e lidh këtë vend të largët me Shqipërinë. E megjithatë është një shembull i madh se si mund të bëhet Shqipëria!
Nuk duhet pritur se mos investojnë kompanitë e mëdha industriale apo të tjera (krahas problemeve ligjore, duke parë dhe detin e diplomave fallso apo mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, këto lloj ëndrrash me investitorë, duken dhe më të pamundura tani për tani). Por ky shembull është një mënyrë ndër shumë të tjera.
Kemi një histori e shumë histori më të vogla, kemi det e kemi male. Duhet të shtosh dhe ca mendje të zgjuara dhe them që patjetër bëhet. Pavarësisht të gjithave, për ata që kanë durim të lexojnë shënimet e mia, do të tregoj historinë e këtij vendi ashtu sië e ndjeva unë.
.
Skagway - Pamja e portit
Skagway – Pamja e portit
***
Skagway si asnjë qytet tjetër në Alaskë shquhet për lidhjet e tij me periudhen e etheve të arit. Si qytet (apo qytezë?! – sepse ka vetem diçka mbi njëmijë banorë në verë e më pak se 100 në dimër) ai vetadministrohet (First Class Borough Power), një formë qeverisje lokale e praktikuar në Shtetet e Bashkuara.
Qyteti në fjalë ndodhet në fundin e skajshëm të fjordit Lynn, i cili është dhe fjordi më verior i brigjeve të jugut të Alaskës.
Emri i tij lidhet me një legjende të indigjenëve native të tribuse Tlingit që flet për një grua që e ktheu vehten në shkëmb e që here pas here për arsye që unë nuk i di, ngre erëra të forta e dallgë të mëdha në këtë fjord të ngushtë, shumë të thellë e me bukuri marramendëse. Në të folmen e indigjeneve emri i saj shqiptohet “shgagei” e që amerikanët e përshtatën si “Skeguei” (Skagway).
.
Faqja lindore e grykës shkëmbore në Skagway. Legjenda e gruas kthyer në shkëmb (nuk është lokalizuar se ku indigjenët besonin se ishte) njerëzit e biznesit gdhendnin emrat e tyre në këtë faqe për më shumë fat. Më të vjetrat datojnë më 1897.
Faqja lindore e grykës shkëmbore në Skagway. Legjenda e gruas kthyer në shkëmb (nuk është lokalizuar se ku indigjenët besonin se ishte) njerëzit e biznesit gdhendnin emrat e tyre në këtë faqe për më shumë fat. Më të vjetrat datojnë më 1897.
Zbulimi i arit në Klondike (më në veri se Skagway), më 1896, ndryshoi gjithçka për këtë vend që para këtij zbulimi kishte vetëm një shtëpi druri që bashkë me truallin e qytetit të sotëm dhe një bankinë të vockël i përkiste William Moore, eksplorues i British Kolumbia-s dhe Alaskës, dhe njëherësh kapiten anijesh me avull.
Skagway është e vetmja portë hyrëse për në Yukon ku ishte zbuluar ari. Gazetat e kohës lajmëronin botën për njerëz që mblidhnin ar nëpër përrenj dhe lumenj…
Me 29 Korrik 1897, erdhi në Skagway e para anije me avull që quhej “Queen” dhe shkarkoi ngarkesën e parë me kërkuesit e arit. Mbas kësaj me një mesatare prej rreth 1000 për javë vinin pa pushim kërkues të tjerë ari, shumica të papërgatitur e të pa eksperiencë për të përballuar ferrin e klimës, rrugën për të arritur deri ne Klondike dhe mbijetesën deri në kufijtë e të paimagjinueshmes. Skagway u bë kështu shumë shpejt qyteti më i populluar i Alaskës.

.

Kalimi i White Pass. Në atë qafë kalon hekurudha.
Kalimi i White Pass. Në atë qafë kalon hekurudha.
Kërkuesit e Arit në rrugë drejt zonës armbajtëse.
Kërkuesit e Arit në rrugë drejt zonës armbajtëse.
Një raport policie i asaj kohe e përshkruante jetën në Skagway si “pak më të mirë se ferri nën tokë!”. Dhunë, duele, rrahje, prostituta, kumar dhe pije alkoolike. Ligji i më të fortit dhe “Toka është e zënë” pavarsisht në kishte një pronar tjetër a jo. Qyteti u zhyt nën terrorin e një rrjeti të organizuar kriminelësh me në krye të famshmin Jefferson Randolph i njohur në gjithë Amerikën e asaj kohe si: “Soapy” Smith II.
Midis të tjerash më ka mbetur në mendje fakti që ata kishin ndërtuar dhe një zyrë telegrafi fallso ku kishin vënë disa pajisje që nuk punonin e nuk kishin lidhje me asnjë mjet apo zyrë telegrafi tjetër në botë dhe mashtronin kërkuesit e përmalluar për të afërmit e tyre, me pagesa 5 dollarëshe të asaj kohe (rreth 140 dollarë sot) për mesazhe, gjoja sikur ata i transmetonin mesazhet në vende të tjera të botës, tek familjet e kërkuesve të arit.
Ky kriminel u vra në duel me 1898 dhe sot gjendet në varrezat e Klondike Gold Rush në Skagway ose siç quheshin ndryshe në perëndimin e Amerikës së asaj kohe, Boot Hill, emër që nënkupton varret e atyre që vdisnin me çizme veshur, në duele ose luftime të rastit aq të zakoneshme në atë kohë. (Boot – ne anglisht kupton çizme dhe Hill – kodër, kodërz/ kupto varr).

.

Boot Hill, Skagway. Varreza e të vdekurve në duele të asaj kohe
Boot Hill, Skagway. Varreza e të vdekurve në duele të asaj kohe
Në 1896, një grup investitorësh kishin menduar dhe më 1898 filluan ndërtimin e një hekurudhe malore të ngushte (914 mm gjerësi midis dy shinave) që lidhte Skagway me Whitehorse (një tjetër vend në Yukon midis Skagway dhe vendit ku kërkohej për ar), projekt i cili u realizua për dy vjet..
Por dy vjet mbasi kishte filluar, u bë e qartë që kërkimi i arit në Yukon nuk ishte më një histori tërheqëse. Ari në siperfaqe ishte zhdukur e duhej të gërmoje shumë për të gjetur diçka.
Një vend tjetër me në veri të Alaskës me emrin Nome, ia ngriti veshët e gjithë botës. Sapo erdhi informacioni i parë, brenda ditës qyteti Dawson i ndërtuar buzë lumit Yukon nga kërkuesit e arit, u braktis e u kthye në fantazëm! Tre burra të lindur në vendet skandinave kishin gjetur flori në një përrua me emrin Anvil në Nome të Alaskës! Kaq u desh që edhe Skagway të rrudhej në përmasa të pabesueshme brenda disa ditëve…

.

Carcross! Në dimër transporti i vetëm është ai me slita të tërhequra nga qentë. Stallë qenësh
Carcross! Në dimër transporti i vetëm është ai me slita të tërhequra nga qentë. Stallë qenësh
***
Askush nuk është më gjallë nga ajo kohë. Por janë gjërat që shënojnë historinë. Janë ëndrrat njerëzore për një jetë më të mirë, janë librat e Xhek Londonit që më frymëzuan dhe mua, vendet të cilat unë i shkela e i pashë, janë varret, gjurmët e gërmimeve, objektet, rrugët e fantazmat e atyre që vdiqën në këtë përpjekje të pamatëshme njerëzore.
Dhe historia është si vera: “Sa më e vjetër aq më e mirë!”
White Pass, Klondike, Dawson, Lumi Yukon, Hekurudha Malore, Dead Horse Trail (Rruga e Kuajve të Vdekur), shumë objekte të lëna siç kanë qënë, të tjera të rindërtuara e aq shumë histori jetësh njerëzore të shndërruara në legjenda me kalimin e kohës.
.
Dead Horse Trail. Mijra kuaj (thonë mbi 90 000) ngordhën në këtë malore në stërmundim të transportit të pajisjeve të kërkuesve të arit.
Dead Horse Trail. Mijra kuaj (thonë mbi 90.000) ngordhën në këtë malore në stërmundim të transportit të pajisjeve të kërkuesve të arit.
Kjo është historia e këtij vendi!
Gjithë kohën që vizitoja Yukon, më bëhej sikur në pyjet e tij dëgjoja: “The Call of Wild” – (Kushtrimin e të Parëve) si një ulërimë e trishtuar dhe e zgjatur ujku a qeni…
Në shumë e shumë mënyra, kërkuesit e floririt në Yukon, përjetuan më të madhen eksperiencë të jetës së tyre.
Në vetëm dy vjet kohë, njerëzit mundën të shohin si në pasqyrë naivitetin e fëmijërisë, entuziazmin e rinisë, zhgënjimin e burrërisë dhe maturinë e pjekurisë. Në dy vjet ata jetuan eksperiencën e një jete të tërë…
Në rreth 12 deri 16 javë verë Skagway vizitohet nga rreth 900.000 turistë të cilët janë burimi pothuaj i vetem i të ardhurave të Skagway. Vini re numurat – në kohën e floririt vinin 1000 njerëz për javë kurse sot vijnë diçka mbi 56.000 njerëz në javë për ta prekur këtë histori pothuaj legjendë.

.

Nga na prure këndej Avis? - me ngacmonte Hilli, - Do humbim!
Nga na prure këndej Avis? – me ngacmonte Hilli, – Do humbim!
Çdo turist harxhon për një ditë diku midis 300 dhe 400 dollarë amerikanë. Që do të thotë një e ardhur prej 270 deri 360 milion dollarë për një qytezë me 1000 banorë. Sigurisht që këto para nuk ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë, por mesatarja e të ardhurave për banorët e thjeshtë është diku tek 15.000 dollarë amerikanë në muaj për aq kohë sa punojnë. Prandaj aty gjen punëtorë të ardhur nga shtete të tjera të USA, gjën çmimin e produkteve bujqësore e blegtorale 5 deri 8 herë më të larta se pjesa tjetër e USA dhe shtëpitë gati po aq të shtrenjta sa në Manhattan. Gjen një qytet që i respekton turistët sikur të jenë perëndi, një qytet fin, pa burg, pa krime e vetëm me një zyrë policie e cila përcjell gjithmonë tek eprorët mijra kilometra larg të njetin raport “Probleme s’ka!”
Duket sikur ende “ethet e arit” vazhdojnë. Disa gërmojnë akoma për flori (preka dhe unë një copëz ari sa një grimcë e vockël vese fluturuese) e të tjerë si puna ime vijnë dhe e bëjnë këtë vend të notojë në para. Dhe Skagway është përsëri një vend i shkëlqimit dhe i pasurisë. “The Call of the Wild” vazhdon me një menaxhim të shkëlqyer të historisë e të natyrës.

.

Pyeta: “Mos ishte në kujtim të "Call of the Wild" dhe më thanë po!
Pyeta: “Mos ishte në kujtim të “Call of the Wild” dhe më thanë po!
***
Pyetjes sime nëse banonte ndonjë shqiptar në Skagway apo Yukon, guida ime ju përgjigj se nuk kish dëgjuar kurrë për shqiptarë në atë vend. As në regjistrimin e vitit 2015 të popullsisë nuk ka ndonjë të dhënë për shqiptarë në këtë qytet. Por ka shqiptarë në Anchorage e ca vende të tjera të Alaskës. Nga informacionet që kam mundur të mbledh ata kryesisht punojnë si pronarë restorantesh të vogla, në ndërtim dhe si shoferë taksish. Mendohet se sot mund të jenë afër 1000 shqiptarë në Alaska.
I pari rast i dokumentuar i një shqiptari në Alaskë, i përket vitit 1992.
 
Goodbye Skagway
Goodbye Skagway

 

Related Images:

Artikulli paraprakOpera “Scanderbeg”, frymëzim barok nga Mr. Sabaudin Zhuta
Artikulli tjetërTre Poezi të hershme – nga Jozef Radi – si protestë e sotme ndaj Kryeparlamentarit të Ri – 2017
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.