back to top
34.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Mohimi i krimeve të regjimeve totalitare në Shqipëri, duhet të jetë vepër penale nga Dritan Dema

Gazeta

Dritan Dema
Dritan Dema

Mohimi i krimeve të regjimeve totalitare në Shqipëri,

duhet të jetë vepër penale

nga Dritan Dema

Kujtimi i krimeve të kryera nga regjimet totalitare në Shqipëri.
Kanë kaluar rreth 26 vjet nga ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, nga një regjim i egër diktatorial, në një sistem politik shumëpartiak. Por, a është shëruar apo çliruar akoma shoqëria shqiptare, nga traumat, torturat dhe tronditjet, e pësuara gjate viteve të pushtimit nazi-fashist ’39-’44 dhe më pas izolimit nga regjimi komunist ’44-’91?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, po e analizoj në vijim:
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në këto 26 vjet ka miratuar dy rezoluta:
E para, në Tetor 2006, Rezoluta: “Për dënimin e krimeve te kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” dhe e dyta, në Nëntor 2016,
Rezoluta: “Për dënimin e krimeve te komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçante për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe te drejtave dhe lirive themelore te njeriut”.
Këto rezoluta janë për t’u përshëndetur dhe tashmë Parlamenti Shqiptar duhet të vijojë me veprime konkrete, në realizim të plote të gjitha pikave, të këtyre rezolutave.
.
Disa nga të Pushkatuarit e Bombës
Disa nga të Pushkatuarit e Bombës n’Abasade Sovjetike
6.000 persona të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Në faqen zyrtare te Ministrise se Mirëqenies Sociale dhe Rinisë citohet: “Në periudhën 1944-1991, rreth 6.000 persona u ekzekutuan me ose pa urdhër të gjykatës dhe trupat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjeve të tyre për varrim. Ka edhe raporte të shumta se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqe të tjera. Megjithatë, trupat e tyre janë ende të humbur!”.
Në javën e parë të Nëntorit 2016, përpara ceremonisë së Lumturimit të 39 Klerikëve Katolikë, Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet rezolutës që përmenda me lart, do të deklaronte se: “Vlerëson me mirënjohje të thellë veprën, punën intelektuale dhe vlerat e jashtëzakonshme njerëzore të klerikëve shqiptarë gjatë regjimit komunist për ruajtjen e besimit fetar dhe të tolerancës fetare, në funksion të ndërtimit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut.
Vlerëson se klerikët që ishin viktimë e krimeve dhe persekutimeve të regjimit komunist, si dhe familjarët e tyre meritojnë rehabilitim, respekt dhe mirëkuptim për vuajtjen e tyre, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj sistemit më të egër diktatorial komunist në Evropën Lindore.”.
Por, në fund të muajit Nëntor 2016, gjatë një tubimi në Shkodër, qytetari Odise Porodina deklaronte: https://www.youtube.com/ëatch?v=Co7BNAaH2fE
“Nuk e di Ai (duke iu referuar Presidentit të Republikës) së ç’është Postriba, që një grusht kriminelësh erdhën dhe sulmuan Shkodrën, por morën përgjigjen e merituar… Duan tani që kriminelëve t’u bëjnë edhe buste… Merr dekoratën dhe ia venë atij kriminelit në qafë, atij Ballistit”.
Por faktet tregojnë, se banorët e Postribës, Bashkia Shkodër, ishin ndër të parët që u përballën me një terror shtetëror, pas organizimit të një kryengritje kundër pushtetit komunist, nga 6 organizatorë nga kjo zonë dhe më gjerë.
Sipas Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politike në Postribë: “37 persona janë pushkatuar pa gjyq, 67 persona u dënuan me burgim, 37 persona të tjerë janë internuar me forcë dhe janë djegur 19 shtëpi banimi”.
Vrasje, pushkatime pa gjyq, burgosje, internime dhe djegie të shtëpive: janë prova të një krimi shtetëror ndaj shumë personave të pafajshëm, me elemente që mund të konsiderohen: Krime Kundër Njerëzimit.
.
Pushkatime...
Pushkatime…
Trajtimi i këtyre çështjeve nga vendet ish komuniste, tashme anëtare të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian në Dhjetor 2010 ka përgatitur një raport për Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, me temën e sipërcituar. Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.
http://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52010DC0783
Në ketë raport, ndër të tjera, citohet: “Drejtësia për viktimat është e rëndësishme për tranzicion të suksesshëm nga totalitarizmi në demokraci!”.
“Gjykimet e autorëve, mekanizma të kërkimit të së vërtetës, hapjen e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimin dhe kompensimin e viktimave dhe kthimin e pronave të konfiskuara, janë ndër mjetet kryesore për arritjen e këtij objektivi”.
“Katër shtetet anëtare të BE-se kanë legjislacionin kombëtar për mohimin e krimeve të kryera nga regjimet totalitare, e cila përfshin në mënyrë eksplicite krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste:
Në Republikën Çeke, kodi penal përmban një vepër të veçantë për një person, i cili publikisht mohon, e vë në dyshim, miraton ose përpiqet për të justifikuar gjenocidin fashist apo komunist apo krime të tjera të nazistëve apo komunistëve kundër njerëzimit.
Në Poloni, mohimi publik dhe kundërfaktual për krime naziste, krimeve të komunizmit dhe krimeve të tjera kundër paqes dhe njerëzimit ose krimeve të luftës është një vepër penale.
Në Hungari, refuzimin publik, vënia në dyshim ose degradimin e faktit të genocidit dhe krime të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimet socialiste dhe komuniste kombëtare është një vepër penale.
Në Lituani, lejimi publikisht, mohimi apo venia në dyshim e krimeve ndërkombëtare dhe krimet e kryera nga BRSS (Bashkimi Sovjetik) apo Gjermania naziste kundër Republikës së Lituanisë apo banorëve të saj, është një vepër penale!”.
 
Ka disa aspekte që po punohet në këtë drejtim, te cilat janë:
*Edukimi dhe ndërgjegjësimi
*Projektet kërkimore
*Simbolet e totalitarizmit
*Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve
 
Në raport gjithashtu citohet: “Më 16 qershor 2009 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme miratoi konkluzionet duke deklaruar se, “Për të forcuar vetëdijen Evropiane të krimeve të kryera nga regjimet totalitare, kujtimi i të kaluarës të trazuar të Evropës duhet të ruhet, pasi pajtimi do të jetë i vështirë pa kujtimin!”.
.
Marie Tuci - Një nga 38 martirët e Kishës Katolike.
Martirët e Kishës Katolike.
Kuadri ligjor mbi mohimin e krimeve
6000 jetë njerëzore janë marrë, dhe më pas trupat janë zhdukur nga Institucionet e Shtetit Shqiptar, gjate viteve 1944-1991.
Këta mund të kishin qenë, apo edhe mund të jenë: gjyshërit, baballarët, vëllezërit, motrat, bijtë dhe bijat apo të afërmit e secilit prej nesh.
Në këtë kontekst, në linjë me shtetet e tjera Evropiane si: Çekia, Polonia, Hungaria dhe Lituania, një numër shoqatash dhe aktivistësh nga Britania e Madhe, në bashkëpunim me diasporën shqiptare në vendeve te ndryshme dhe grupe te tjera të interesit, iu kemi propozuar dhe kërkuar Parlamentarëve Shqiptare, ndryshimin e Kodit Penal, duke parashikuar si vepër penale të veçantë: “Miratimi, lejimi publikisht, mohimi apo vënia në dyshim ose përpjekja për të justifikuar krimet fashiste, naziste dhe komuniste, degradimi i faktit të genocidit dhe krime të tjera kundër njerëzimit nga regjimet totalitare, përbën vepër penale”
Kjo iniciative është mbështetur fuqimisht edhe nga drejtuesit e partive Politike Shqiptare në Britani, Z. Lavdrim Krashi – Përfaqësues Politik i Partisë Socialiste në Londër MB) dhe Z. Naim Hasani – Kryetar i Partisë Demokratike, në Londër, MB.
Duke e përfunduar, të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjësinë që kemi, ju bëjmë apel mbarë diasporës shqiptare dhe të gjitha grupeve të tjera te interesit në Shqipëri, t’i drejtohen me një shkresë elektronike Parlamentarëve Shqiptarë të Qarkut të tyre, duke ju kërkuar ndryshimin e sipërcituar në legjislacionin penal shqiptar.
Me këtë iniciative në synojmë të shërbejmë si një katalizator, për ndërtimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës, duke garantuar Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, mbrojtjen e dinjitet dhe të personalitetit njerëzor, pajtimin, harmoninë shoqërore, në shërbim të aspiratës tonë për identitet dhe bashkim kombëtar.
 
*Anëtar i Bordit Drejtues të MEAF
Fondacionit te Shqiptareve Etnike në Midlands.
www.meaf.org.uk
Email: contact@meaf.org.uk
Marre nga http://www.thealbanian.co.uk/mohimi-krimeve-te-regjimeve-totalitare-ne-shqiperi-duhet-te-jete-veper-penale.html 25 shkurt 2017
 
 
 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. I nderuar z. Radi,
    Jam i privilegjuar që e keni ndarë këtë artikull me miqtë Tuaj, shumë prej të cilëve e kanë vuajtur drejtpërsëdrejti, terrorin dhe dhunën e viteve të regjimit të diktaturës.
    Shumica e qytetarëve të ndershëm shqiptarë janë të vetëdijshëm për Krimet Kundër Njerëzimit (vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet, kthimi në skllevër, internimet dhe dëbimet, si dhe çdo lloj torture ose dhune tjetër njerëzore) që janë ushtruar ndaj qytetarëve të pafajshëm, për motive politike, ideologjike, raciale, etnike e fetare, për pothuajse një gjysëm shekulli, dhe nuk e mohojnë as nuk mundohen ta justifikojnë dhe as ta zvogëlojnë këtë.
    Por, mbarë shoqëria shqiptare kemi një detyrim, për ta përmbushur, për brezin e sotëm dhe për brezat që do të vijnë në vazhdim.
    Për të gjthë ju të nderuar vëllezër dhe motra, që e keni marrë mundimin dhe keni investuar kohën Tuaj të vyeshme ta lexoni këtë shkrim, pëlqeni apo shpërndani me miqtë Tuaj, dua tua kujtoj mesazhin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu: Të Qëndrojmë Bashkë!

    Bëjeni këtë mesazh Tuajin!
    Kërkojuani Deputetëve të Qarkut Tuaj, pa i paragjykuar, pa pushim, me mesazhe në facebook, më email, me shkresa, kur t’i shihni drejtpërdrejt, nëse jeni jashtë Shqipërie, ngrijeni këtë çështje me deputetët e Zonës Tuaj, shkruani Anëtarit të Parlamentit Evropian, shkruani Komisionerit Hahn, Raporterit Knut Fleckenstein, Kongresmenëve, Senatorëve për ju që jetoni në USA dhe kujtdo tjetër që e vlerësoni se e ndihmon këtë kauze, deri në ditën që Parlamenti Shqiptar, ta miratojë, përfshirjen e këtij Neni, në Kodin Penal.
    Unë jam optimist, që nëse Ne do të ndjekim rrugën legjitime të së drejtës, do të arrijmë të bindim me sukses edhe 140 Deputetët, të cilët në përfaqesim të vullnetit tonë, kanë tagrin ta bëjnë realitet.
    Ju falenderoj përzëmërsisht dhe paçim bekimin e Zotit në realizimin e këtij misioni.
    Me respekt Dritan Dema

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.