back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 15 Prill, 2024

Teatri Kombëtar dhe kujtesa e një kombi – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Teatri Kombëtar - Tiranë
Teatri Kombëtar – Tiranë

Teatri Kombëtar dhe kujtesa e një kombi –

nga Gëzim Zilja

Asnjë shqiptar nuk mund ta merrte me mend se çdo t’i punonin Tiranës, pas rënies së diktaturës. Qeveritë demokratike, iu qepën kryeqytetit si ujqit presë, duke ndërtuar vend e pavend. Ishte një kohë e artë për ndërtuesit dhe qeveritarët kur pallatet shiteshin që në “gropë”. Ujqër e qenër, korba, sorra e skifterë pa asnjë lloj plani e studimi, nuk lanë në këmbë lulishteje, kopshte fëmijësh, oborre shkollash, fusha futbolli, (çdo lagje në Tiranë kishte të paktën një të tillë), vila e ndërtesa të mrekulleshme pa shkatërruar që në themel, për të ndërtuar pallate e kulla. Të gjitha lagjet e Tiranës me ato shtëpitë e ulëta, ndërtuar me merak, gjithë ajër, dritë e kopshtije, me rrugicat e ngushta me kalldrëme ku rridhte gjithë historia e këtij qyteti, u zhdukën si me magji, duke u shndërruar në xhungla pallatesh. Të paktën ashtu si “Pazari i Ri” mund të lihej një lagje e paprekur, që të kuptohej se ndërtimi i qytetit nuk ka filluar tridhjetë vjet më parë me liderët qesharakë e të babëzitur të tranzicionit. Por turravrapi nuk kishte të ndalur: Në hapësirat boshe të periferisë u ndërtuan komplekset e “Don Boskos”, “Kodrës së Diellit”, (Kodrës prapa diellit, – thotë një miku im) “Freskut” etj. Tre shëmtira të babëzizë dhe korrupsionit qeveritar, ku as me busull nuk orientohesh dot. E zhdukën “Kinema Republikën” me premtime se është një projekt me arkitekt francez, që ashtu dhe kështu dhe sërish kinemaja do të jetë. Shkoni e shihni dhe do të kuptoni se sa të pafytyrë dhe maskarenj janë ata që e shembën “Kinema Republikën” për të prodhuar një ndërtesë pa ngjyrë, që nuk ngjan me asgjë.
Pas “Republikës” rradhën e pati “Kinema 17 Nëntori”, një histori e tërë dhe kjo. Mbi gërmadhat e saj u ndërtua një godinë shumëkatëshe pocaqi, që të merr frymën me atë tunelin e shëmtuar tejetej. Po kinema “17 Nëntor” nuk ka më dhe bashkë me të as një copëz historie të kryeqytetit dhe kryeqytetasve.
Pastaj rradhën e pati “Kinema Partizani”, një ndërtesë e bukur plot hir, nga të parat kinema të ngritura në Shqipëri. Tashmë aty ka një pirg pallatesh, skërkash e rrugicash. Po nëse në netët e verës ke rrëkëllyer ca gota birrë mund të shurrosësh gjithë qejf nëpër labirinthet dhe qoshet pa fund. U prish një sipërfaqe e gjelbër, u hoq një copë mushkrie në qendër të qytetit dhe ja ku na u shpif “Qendra Toptani” si një kontejner gjigand i hedhur me nxitim nga ndonjë transoqeanik i ndryshkur. Pjesa historike e pedonales me ish ndërtesën e Parlamentit të parë shqiptar dhe Sarajet e Toptanasve, tashmë kanë kaluar në “minorancë”. (Mos ndoshta lënia pas dore e pedonales fsheh ndonjë qëllim tjetër djallëzor të qeverisë?!).
Iku dhe këndi i fëmijëve te “Shtatë Xhuxhat”. Fëmijët mund të gjejnë një kënd tjetër në “filifistun” por banorët gjynahqarë të pallateve mbrapa, ta shikojnë diellin e perëndisë edhe ca muaj sepse përbindëshi që po lind me bekimin e qeverisë do të jetë zot i diellit aty rrotull.
Ka plot shembuj të tillë, por do të ndalem te shkatërrimi i Stadiumit “Qemal Stafa”, ku vërtet lidhej historia e një qyteti dhe e një kombi me sportin aq të dashur të futbollit. Tashmë ai ka marrë formë dhe shquhet kulla e gjatë në cep, në formën e një penisi gjigand, që i rri sipër stadiumit, ku do të rehatohen sportdashësit dhe do të luhet futboll. Ama ai kompleks i mrekullueshëm unik me Godinën Qëndrore Universitare dhe Akademinë e Arteve të Bukura tashmë është sfumuar plotësisht. Sigurisht që edhe histori të futbollit shqiptar në kuptimin e një ndërtese mëmë, nuk ka më. Historia ka filluar tani me ndërtimin e stadiumit të ri! Vallë a nuk mund të ndërtohej diku në fushat e shumta të periferisë së Tiranës një stadium i ri me shtatë dhe tetë kulla anash e në mes (nga një për çdo qeveritar të shquar), por pa prishur të parin? Duan të ndërtojnë një Tiranë të re, ku mos të ketë më asnjë gjurmë të artit e kulturës së vjetër, një qytet pa identitet e histori, por që sjell euro për një tufë hajdutësh, që i ka kapur deliri i madhështisë?!
.
Kujtim Spahivogli (1932-1987)
Kujtim Spahivogli (1932-1987)
Për ta mbyllur pyes? Përse duhet të shkatërrohet godina e “Teatrit Kombëtar” e mbi të, të ndërtohet një i ri? S’ka para thotë qeveritarët dhe privati do bëj këtë, ne do t’i japim atë dhe të tjera llogje Kavaje?!
Po hiqni vetëm për një vit nga buxheti i shtetit shpenzimet për paisje zyrash, të parashikuara për prapanicat e buta të pushtetarëve dhe ja ku do të na dalin dhjetëra miliona Euro!
Përse gjithë këto nxitime nga kryebashkiaku i Tiranës, kur vetë deklaroi solemnisht para se të zgjidhej: Ju jap fjalën se në Tiranë, brenda unazës nuk do të ndërtohet më sepse Tiranës po i merret fryma. Përse gënjen tashmë me lloj-lloj sofizmash? Përse belbëzon me rrokje e zanore të zgjatura e pa kuptim, në vend që t’i qëndrojë premtimeve të bëra me të cilat mori votat? Çfarë ndryshoi për tre vjet, që tashmë i duhen kulla të tjera Tiranës!? Bie erë e keqe, erë qelbësire e korrupsion kjo punë.
Ndërtojeni një Teatër të Ri ku të doni dhe me kë të doni: me danezë, francezë, hollandezë, me privatë, me biznesmenë, me trafikantë e drogaxhinjë, me dreqin dhe të birin, por mos na prishni këtë të vjetrin! Nëse në futboll e kinema na latë pa histori, mos vallë doni të na lini pa histori të Teatrit Kombëtar dhe fasadën ta nxirrni në foto ose ta “rruani” si “rruajtët” atë të “Qemal Stafës”?
Për ta mbyllur po sjell një shembull, nga intervista e qyetarit të mirë dhe aktorit të madh Bujar Asqeriu. Ai ka patur fatin të luajë në Teatrin Glob, në Angli, që është ndërtuar para 500 vjetësh, ku janë luajtur për herë të parë pjesë të Shekspirit. Bashkë me trupën shqiptare dhe trupa të tjera nga e gjithë bota kishin mbetur pa frymë, dhe me përshtypje të jashtëzakonshme. Dhe jo sepse teatri ishte i bukur, por sepse aty panë Shekspirin të gjallë. Asnjë copë druri, ashkle apo teneqeje nuk ishte ndryshuar dhe komenti është i tepërt. Ne nuk kemi teatër 500 vjeçar, se ashtu i ka patur hallet populli shqiptar, por kemi aktorë e dramaturgë tash tetëdhjetë e njëqind vjet. Po aty ka filluar një histori e mrekullueshme me Mihal Popin, Naim Frashërin, Kujtim Spahivoglin, Kadri Roshin, Violeta Manushin, Sulejman Pitarkën, Drita Pelingun, Bujar Lakon, etj. etj. Nuk bëjnë ata për Ju? Po bëjnë për ne. Ndryshe do të na quajnë bijë kopilash e kopileshash, se nuk kemi identitet, se nuk kemi histori, nuk dimë nga vijmë e ku shkojmë, duke fshirë e mohuar gjithçka. Gjithë këto prapësira bëhen për fitime, në kurriz të një populli ende të pavetëdijshëm për kulturën, historinë dhe prejardhjen e vet, por jo më pak të shquar për virtyte se kombet e tjerë. Ndryshe do t’u kishin kapur për zhap-bythe e do ju kishin vërvitur tutje me neveri.
Nuk duhet lejuar të prishet teatri! Unë jam në krahun e aktorëve të Teatrit Kombëtar. Si fillim le të nxjerrin nja dy tavolina, me karrige dhe regjistra aty në anë të Pedonales. Të shikojmë sa qytetarë do ta firmosin peticionin për mosprishjen dhe rehabilitimin e Teatrit Kombëtar. Do të habitemi edhe vetë!

PS. Tre objekte kulti ortodoks, katolik, e mysliman (xhamia e madhe është në përfundim) ka në qendër të Tiranës. Teatri Kombëtar është i katërti, ku falemi edhe ne ateistët. Larg kthetrat tuaja prej grabitqarësh nga ky vend i shenjtë!

Botuar në Telegraf, 23.03. 2018
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.