back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Plakat e Marsit” – një gojëdhëna e bukur e malit, pse moti tërbohet keq

Gazeta

Legjenda e Plakave të Marsit
Legjenda e Plakave të Marsit

“Plakat e Marsit” –

një gojëdhëna e bukur e malit pse moti tërbohet keq

Sipas rrëfimeve nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit mars lidhen me “mitin e plakave”.
Në disa krahina të vendit ky mit kujtohet në fillim të muajit, kur marsi i mori ditë borxh shkurtit ç’ka shpjegon edhe arsyen se përse shkurti është muaji më i shkurtër.
Ndërsa për krahina të tjera, ajo kujtohet në dy ditët e fundit të marsit.
“Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se: “bën ftohtë, ngaqë janë plakat”.
Sipas nji prej gojëdhënave shqiptare, plaka kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: “Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë, të dh…fsha dimrin!”.
Në këtë moment, marsi tha: “O shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua, ta ngrij plakën me gjithë çka!”
Menjëherë mbas kësaj, u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.
Mali Tomorr është vendi ku plaka u ngri me gjithë bagëtinë e saj, nga ditët që ia mori hua muaji mars shkurtit.
Madje gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur në formën e një Plake, ku sot e kësaj dite, aty buron ujë, e që thuhet se janë Lotët e Plakës.
Kështu lindi legjenda e të ashtuquajturave ”Plakat e Marsit”, e cila sot përdoret si një metafor për të ndarë stinën e dimrit me atë të pranverës, përkatësisht mes 14 marsit dhe 14 prillit, ku 14 prilli sipas legjendës shënon 1 marsin, ardhjen e stines së luleve.
Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse në gjithë Ballkanin apo dhe vende te tjera të botës.
Pavarësisht sa e vërtetë është, “Miti i Plakave” përdoret edhe sot dhe metereologët pranojnë se tre ditët përmbyllëse të marsit sipas kalendarit “alla turka” kanë sjellë mot të ftohtë dhe me reshje.
Ndërsa prilli si gjithmonë, vjen me mot të mirë.
.
Shtatë Plaka...
Shtatë Plaka…

Ja edhe 4 versione të kësaj legjende

Gjithsesi, gojëdhëna e ditëve të ftohta të marsit ka disa versione dhe më poshtë po paraqesim disa më kryesoret, në version të shkurtuar…
 
1.
Vjen marsi. Ngrohet koha. Një plakë merr bagëtinë për ta kullotur në mal.
E kënaqur nga koha e ngrohtë, plaka thotë: “Dimër o dimër, ma more të keqen, ta hodha dhe këtë vit!”
Dimri e dëgjoi dhe dërgon borë dhe tufan, dhe e ngrin plakën në majë të malit me gjithë bagëti.
 
2.
Plakat e marsit ishin shtatë.
Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë (ftilluar).
Duke bërë muhabet me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit Mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe ai (Marsi) i merrte të keqen.
Këngën e kënduan të gjitha plakat me rradhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.
Thonë se plakat janë ngurtësuar, dhe çdo vit në muajin mars bie shumë shi shtatë ditë me rradhë, dhe në male bie borë.
 
3.
Nga veriu thonë se mullizeza (lloj mëllënje) i çeli zogjtë që në mars. E lumtur nga koha e ngrohtë, ajo filloi ta shante marsin:
“Mullizeza zogjtë i çeli,/ na marsh të keqen Mars kaçeli..!”
Edhe në këtë muaji, Marsi e ngriu me gjithë zogj në fole.
Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave.
Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhanes.
Po ashtu edhe plakat edhe mullizeza ishin në të zeza. Plakat me roba të zeza ndërsa mullizeza me pupla të zeza.
 
4.
Kur plakat i thanë marsit, “Na marrsh të keqen”, Marsi u zemërua aq shumë sa tha “shkurt (o prill?) o im vëlla, më jep dy ditë hua, t’i thaj plakat me gjith ç’kanë…!”
 
Marrë nga
http://www.tetovasot.com/2018/03/plakat-e-marsit-gojedhena-e-bukur-e-malit…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.