back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 10 Tetor, 2024

Të shkruash… do të thotë të jetosh e të rijetosh! Lola Shehi – Çela

Gazeta

Lola Shehi - Cela 2015
Lola Shehi – Cela 2015

Të shkruash… do të thotë të jetosh e të rijetosh!

nga Lola Shehi – Çela

Pas pushimit nga puna, të cilën e kisha nisur fiks nëntëmbëdhjetë ditë para se të mbushja 22 vjeç dhe mbas një problemi të rëndë shëndetsor të tim shoqi, u ndjeva sikur m’u hoq e drejta për të jetuar, edhe pse sfidat me jetën në ato momente ishin gjithnjë e më të mëdha përpara meje.
 Nuk më kishin shkëputur vetëm nga puna të cilën e dashuroja, në kuptimin e plotë të fjalës, por më kishin ndarë nga përkushtimi po edhe nga miqtë e kolegët me të cilët kisha punuar, dhe ndare mjaft probleme për plot një çerek shekulli.
Menjëherë i dhashë kurajo vetes dhe aplikova në internet në disa vende pune afër profesionin tim, në atë të financieres… po diku nuk u përshtatej mosha ime; diku tjetër nuk u përshtatesha unë orareve, mbasi tani kisha dhe një të sëmurë në shtëpi që kërkonte përkujdesje dhe shoqërim të përditshëm në seancat e gjata të rrezeve, orar pa orar; diku ishte paga ajo që nuk ishte e kënaqshme, mbasi isha krahu i vetëm i punës në familje…
Kështu, fillova me mjaft ngut një punë diku afër shtëpisë, e cila deri diku u përshtatej orareve dhe rrethanave të mia.
 Mbas 25 vitesh, u ndjeva fillestare në një punë që nuk e njihja, as e mendoja… por gjej rastin këtu të falenderoj atë kompani me emër, dhe me ata njerëz aq të mrekullueshëm që m’u ndodhën në ditë të vështirë. Ata që punonin aty, më të shumtët s’ishin as sa gjysma e moshës time… U futa mes tyre dhe jo vetëm u përshtata po u ndjeva mjaft mirë. I falenderoj pafund për tolerancën në orare, pasi nëse seancat e rrezeve në spital ishin paradreke, më pranonin të punoja mbasditeve deri vonë në mbrëmje, dhe e kundërta.
Gjatë kësaj periudhe, në netët e gjata të dimrit, kur vetë më duhej ta mjekoja tim shoq, dhe të prisja me korrektësi oraret e ilaçeve, e të mos më merrte gjumi, pa e kuptuar as vetë kisha filluar të shkruaja… Po… të shkruaja poezi… të shkruaja pafund poezi… pa e pasur as vetë në mendje se sa mund të ishte numri i krijimeve të mia.

Lola Shehi e Mirush Osmani - prill 2015
Lola Shehi e Mirush Osmani – prill 2015

Në rrjetin facebook, kisha një faqe të hapur prej kohësh, por që e frekuentoja rrallë… Futesha aty vetëm kur doja të komunikoja me time bijë, të martuar në Itali.
Kjo mbyllje në shtëpi, më shtyu të konsumoja ca kohë më shumë edhe në fb. Nisa të lexoja shkrime nga njerëz të njohur e të panjohur, të lexoja poezi të shkrimtarëve të afirmuar po edhe atyre të rinj. Shihja që nëpërmjet komenteve ishte e mundur të komunikoje me shumë njerëz, ai komunikim që mua tashmë më mungonte prej kohësh përditë e më shumë.
Me droje të parrëfyer, një ditë vendosa të publikoj edhe unë një nga krijimet e mia, (pasi frikesha ti quaja poezi…) dhe shkova në punë.
Kur u ktheva gjeta shumë pëlqime dhe mjaft komente. Ndjeva diçka që ma solli buzëqeshjen dhe më dha besim, aq sa rituali i paraqitjes së krijimeve të mia filloi të bëhej gjithnji e më i shpeshtë…
Kur dikush më pyeste se: “kujt libri i përkiste poezia e publikuar…” – buzëqeshja me vete dhe thosha: “Pse këta, seriozisht e kanë?!”
Gjithsesi vazhdova të shkruaj, po fillova edhe të komunikoj, edhe të flas me lexuesit e poezive të mia, rinisa të komunikoj me mikeshat e mia të vjetra, që më shprehnin habi, për kët gjë të re, pasi ato më kishin njohur si specialiste të shifrave, të llogarive, të bilanceve… dhe jo të vargjeve…!!
Me pak fjalë poezitë kishin nisur të më shtoheshin, komunikimi me miqtë e vjetër e të rinj po më shtohej, nuk kisha ndjerë kurrë më parë një inkurajim aq të madh për botimin e një libri… Po e shihja që koha më fluturonte pa u ndjerë… dhe mbas atyre trishtimeve të mëdha, m’u duk sikur u riktheva në jetë…

Lola Shehi - "Rrugetoj mes dashurive"
Libri i pare i Lola Shehit – “Rrugetoj mes dashurive”

Pa kaluar shumë, një ditë gjeta në duar librin tim të parë… E emocionuar dhe e hutuar, njëlloj si dikur mbaja në duar fëmijën e parë, po i gëzohesha atij si lodre… Nuk po dija as ta doja e as ta përkëdhelja…
Pas botimit të librit, komunikimet m’u shtuan… Më shkruanin, më përgëzonin, më pyesnin, më telefononin se ku mund ta gjenin atë libër timin, që për çudinë e të gjithëve s’e çova në asnjë librari.
Libri u promovua në muajin gusht të vitit të shkuar, kohë që përkonte me periudhën e pushimeve të shumë prej lexuesve dhe miqve të mi që jetonin përtej kufijve… Pjesën më të madhe të kopjeve të tij ma tërhoqën këta lexues.
Sot, më kanë mbetur fare pak kopje… të cilat kam vendosur t’i ruaj për ndonjë mik që nuk ndodhet në Shqipëri…
Shkas për këtë shkrim u bë njëri nga miqtë që jeton në Francë, me të cilin u takuam para pak ditësh dhe ai më mori dy libra… një për vete dhe një për një miken tonë të përbashkët. Pimë bashkë edhe një kafe, dhe folëm gjatë sikur të kishim një jetë që njiheshim… Në fund, bëmë edhë një foto bashkë.
Sot mund të them se të shkruarit më ka mundësuar të takohem me shumë lexues… Me ka ndodhur që këto takime t’i kem përcjellë me pak fjalë, me ndonjë foto, apo poezi timen.

Lushnje - Gusht 2015 - Promovimi i Librit
Lushnje – Gusht 2015 – Promovimi i Librit

Këtë rrëfim mbi lindjen e poezisë tek unë, kisha kohë që përpëlitesha ta shkruaja, si duket, tashti e kishte “ardhur radha…”
Shumë prej atyre që takoj, më drejtojnë pak me habi pyetjen: “Si ka mundësi të botosh një libër me poezi në këtë moshë, dhe aq më tepër titulluar: “Rrugëtoj mes Dashurive”!
Po këtë pyetje më bëri edhe një gazetare gjatë një interviste radiofonike. Dhe përgjigja ime qe: “Shkrova, që të mos më mbyste vetmia… Të shkruash, për mua do të thotë të mendosh, të komunikosh, të ndryshosh…. të shkruash, për mua do të thotë ta jetosh e ta rijetosh dashurinë, dhe gjithë ndjesitë e jetës në krejt format e mundshme të realitetit dhe ëndrrave… atyre të realizuara, dhe atyre që nuk realizohen kurrë!
prill, 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Përsëri më paskeni kushtuar vëmendje. Ju falenderoj pa masë, nuk mundem kurrë t’ju falenderoj aq sa do të doja, shkrimet e tua më bëjnë të riemocionohem, me japin forcë të vazhdoj të shkruaj… Vërtet kam mjaft për të shkruar, pret të shohë dritën e botimit libri im i dytë i poezive, që nuk e di nëse do mundem ta realizoj!!! Por pret të shkruhet edhe poezia dhe proza e jetës sime! Në prozë, ose më mirë të them në rrëfime, jane hapat e mia të para që më mbështetjen e një miku dhe profesionisti si ju, shpresoj se do t’ia dal.
    Faleminderit përsëri miku im!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.