back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Të ndërtojmë një Republikë “për Shtetin” Refleksion nga Klodi Stralla

Gazeta

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Të ndërtojmë një Republikë “për Shtetin”

Refleksion nga Klodi Stralla

70 vjet më parë, në 11 janar 1946, “çlirimtarët”, që vuanin nga mendësia e “Vitit Zero”, themeluan Republikën Popullore të Shqipërisë, sipas modelit stalinist të Demokracive Popullore. Për ta, ajo ishte Republika e vërtetë e Shtetit Shqiptar, që buronte nga populli, ndonëse Ahmet Zogu kishte themeluar një të tillë 20 vite më parë. “Republika e Parë”, ndonese shumë jetëshkurtër (1925-1928), ishte një Republike e Presidentit (A. Zogut), në funksion të shtetndërtimit të Shqipërisë, e posadalë nga një perandori lindore dhe një luftë botërore shkatrrimtare. Përkundrazi “Republika e Dyte” (ajo e 1946-ës) ishte një Republikë e Partise Komuniste që implementoi në shtet një ideologji totalitare dhe mbushi gjithë funksionet shtetërore me militantë partiakë, sipas modelit “Komandant – Komisar” të kohës të luftës. Por duhet thënë se, për fasadë, Kushtetuta e 1946, lejonte pronën private, ushtrimin e fesë dhe Partia pretendonte se Shteti drejtohej nga “Fronti Demokratik” (një aleancë pluraliste e progresive e trashëguar që nga koha e Luftës).

Guri Madhi - Shpallja e Republikes 1946
Guri Madhi – Shpallja e Republikes 1946

“Republika e Tretë” ishte ajo e pas vitit 1976, kur me miratimin e Kushtetutës të Re, Shqipëria u emërtua “Republikë Popullore Socialiste”, një republikë “sui generis” në llojin e vet, ku nuk njihej prona private, ku Shqipëria ishte i vetmi shtet ateist në botë, ku marrja e kredive nga jashtë ndalohej me Kushtetutë, ku i gjithë populli ishte ushtar, e shumë “risi” të tjera që brezit të sotëm i duken absurditete. Ajo zgjati 15 vjet, kur Kuvendi pluralist i vitit 1991, e abrogoi atë dhe e shpalli Shqipërinë Republikë sipas modeleve të demokracive perëndimore.
Kjo ishte “Republika e Katërt”, një republikë ku Presidenti i vendit (Sali Berisha), kishte edhe de jure kompetenca të gjera, jo vetëm në fushën e drejtësisë, mbrojtjes, shërbimit diplomatik, por edhe në pushtetin ekzekutiv (qeverinë), ndonse nuk ishte një Republikë e mirëfilltë presidenciale.
“Republika e Pestë” u themelua pas miratimit të Kushtetutës të re (1998) dhe reflektonte “fitoret” e arritura në “revolucionin demokratik” të 1997-ës, kundra regjimit autoritarist të Berishës. Kjo është republika në të cilën jetojmë sot, që unë do ta cilësoja si “Republika e Kryetarëve të Partive”. Në këtë republikën e sotme, të kërkosh të bëhesh deputet, gjyqtar, prokuror, të zësh një vend pune në administratën shtetërore (përfshi edhe pastrueset), duhet pa tjetër t’i drejtohesh për “ndihmë” partisë, e cila në këmbim të saj të kërkon që votën tënde dhe të rrethit tënd familjar ta hedhësh për të dhe një pjesë të të ardhurave që do të përfitosh nga vendi i punës që të dha partia (korrupsioni) t’ia “dhurosh” asaj gjatë fushatave elektorale të rradhës. Në këtë lloj Republikë çdo marrëdhënie e individit me shtetin kalon nëpërmjet “lyerjes të rrotës të qerrës” dhe shërbimet publike (funksionet bazë të shtetit), si rendi, shërbimi përmbarimor, pjesërisht doganat, deri edhe kolaudimi i automjeteve janë privatizuar, ndërsa pasuritë kombëtare janë dhënë me konçesione tek të huajt në kushte diskriminuese për shtetin dhe interesin kombëtar. Një shpërfytyrim të tillë Shteti shqiptar nuk e kish njohur asnjëherë.

Republika e Popullit Ushtar
Republika e Popullit Ushtar

Sot po flitet më të madhe për Reformën në Drejtësi, duke e paraqitur atë si shkopin magjik që do të na i rregulloje të gjithë të këqiat që kjo klasë politike i ka shkaktuar këtij populli me vetëdije, për ta sunduar dhe grabitur.
Mendoj se ka ardhur koha që, sa të merremi me arrnime të Kushtetutës ekzistuese, do të jetë më mirë të bëhet një Kushtetutë e re, me një frymë të re, ku të predominojë Shteti mbi Partinë dhe kryetarin e saj. Ndërkombëtarët nëse ia duan të mirën këtij vendi dhe i njohin realisht problemet tona, duhet të na ofrojnë jo modelet e tyre që përdorin sot, por ato që kanë pasur ata, vite më parë, kur shtetet e tyre kanë kaluar situata të ngjashme me ato që po kalojmë në sot. Na duhet një “Republikë e Gjashtë”, një Republikë “Për Shtetin”, që t’i japë fund gangrenës më të madhe që ka sot shoqëria jonë: lojës së paskrupull të partive politike me institucionet e shtetit dhe interesat e vendit.
Një Asamble Kushtetuse si ajo e 70 viteve më parë, e ndërtuar mbi bazën e përfaqësimit krahinor dhe korporativ (grupeve të interesit), do t’i hapte rrugën miratimit të Kushtetutës të Re. Një President i zgjedhur drejtpërdrejt në popull, me kompetencat e një Republikë Presidenciale, i balancuar nga një Parlament me dy dhoma (deputetë + senat), dhe një drejtësi të emëruar dhe kontrolluar nga Presidenti.
Por dyshoj se ndërkombëtarët kanë një interes të tillë për Shqipërinë, sepse në politike nuk flitet për dëshira, por për interesa. Reforma në drejtësi ka më shumë gjasa të jetë lojë për pushtet e krerëve të partive (Rama, Meta, Basha, Berisha), spostim vëmendje nga problemet reale që shqetësojnë vendin (shkalla e lartë e papunësisë dhe varfëria) dhe show i rradhës për drejtësinë e shumëpritur për shqiptarët. Ndërsa për ndërkombëtarët kjo është hipokrizia e tyre e rradhës.
Tiranë, 15 janar 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.