back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Të menduarit, rezulton gjëja më e vështirë, për sa utopike kjo mund të tingëllojë – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Të menduarit, rezulton gjëja më e vështirë,

për sa utopike kjo mund të tingëllojë

nga Ervina Toptani

Gjithçka e madhe, e dukshme sot është në fakt më e vogël sesa gjurmët e së shkuarës. Ky shkrim që po sjell këtu është përfundimi i një studimi që unë së bashku me kolegë të tjerë duhet të përgatisnim për një temë disi filozofike në lidhje me “besimin në vetvete”. Për ta zhvilluar më tej këtë studim sigurisht duheshin bërë sondazhe dhe unë duke përfituar prej miqve të shumtë si shqiptarë ashtu dhe të huaj, preferova të sjell si pjesë të këtij studimi edhe ndryshimin e kulturave e traditës së të intervistuarve të mi.
Studimi rezultoi të ishte më i vështirë sesa e kisha menduar fillimisht. Si pjesë e sondazhit nuk mjaftonte vetëm që njerëzit t’i përgjigjeshin disa pyetjeve, por duhet të mendoheshin e të jepnin përgjigje vetëm sipas mendimit të tyre personal, pa ndjekur modele, pa iu referuar mendimit të dikujt tjetër. Edhe kur bëhej fjalë për eksperiencën e tyre personale, duhej që kjo eksperiencë të mos kishte qenë e mbështetur apo e kopjuar me modifikime të rastit nga të tjerë njerëz, pra mendimi si sintezë e kapërcimit të modeleve që na rrethojnë. Pyetja ishte: përse keni zgjedhur të jetoni në këtë mënyrë? Sigurisht nuk është një pyetje e zakonshme dhe menjëherë shfaqej habia në sytë e njerëzve kur dëgjonin pyetjen. Madje kishte nga ata që u fyen nga pyetja sepse menduan se unë e dija përgjigjen dhe po i vija në lojë duke i bërë të dukeshin të papërgatitur apo të cekët në mendimin e tyre, ndërkohë që unë isha vetë një prej atyre që sikurse të tjerët, do të merrja pjesë në sondazh. Shpesh njerëzit bëhen më dyshues ndaj të vërtetës së thjeshtë sesa ndaj gënjeshtrës së përpunuar.
Ajo që vijoi përreth një javë ishte mbresëlënëse. Jo pak njerëz mbetën pa mundur të thonë dot asgjë tek dëgjonin pyetje të tilla. Gjithçka që nisnin të formulonin ishte e bazuar tek modeli, tek ajo çfarë familja, shkolla, shoqëria, ambienti etj., iu kishte imponuar apo iu ishte injektuar çdo ditë nga pak pa e kuptuar as ata vetë. Kur fillonin të artikulonin një mendim e ndërprisnin vetë duke e kuptuar që po i referoheshin modelit. Kjo gjë i vuri jo pak në vështirësi. Shumica e ndjenë veten si të zënë në kurth. Papritur po u kërkohej një mendim që të ishte vetëm produkt i mendjes së tyre. Ata stepeshin sepse në vetvete ky ushtrim i thjeshtë mendor, bërja e një pyetje të tillë që gjithkush duhet t’ia drejtojë vetes herë pas here, shpesh rezulton në nxjerrjen e të vërtetës që askush nuk dëshiron ta dijë, papërgatitjes dhe pamundësisë tonë intelektuale për të dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të tilla që kanë të bëjnë parimisht dhe kryesisht me veten, çfarë realisht është produkt vetëm i mendjes tonë.
Kuptova me këtë rast se shumica e njerëzve janë në të vërtetë njerëz të tjerë, mendimet e tyre janë opinione të dikujt tjetër, madje dhe vetë jeta e tyre ndonjëherë është imitim, pasionet që tregojnë janë citime të huazuara.
Mendimi logjik mund të na ndihmojë të jemi më të sigurt tek vetja, më pak të varur nga opinionet e të tjerëve përsa na përket ne si individë. Në thelb, shërbimi që mendimi na bën për të qenë të lirë.
Një nga idetë më sugjestive të shkollës antike të mendimit është se: duhet të gjejmë mënyrën për të ndërtuar sigurinë në bindjen tonë e të mos e lemë veten të hutohemi prej opinioneve të të tjerëve.
Besoj se shumicës së njerëzve i ka ndodhur që të vihet përpara përgjegjësisë ndonjëherë e t’i duhet të luftojë me “tufën“ për të mbrojtur idenë e tij, e cila nuk pritet mirë nga shumica. Është një situatë e vështirë, e cila shpesh të sjell deri dhe përjashtimin si individ nga grupi shoqëror ku deri pak më parë ishe pjesë. Sigurisht që pjesa më e madhe e njerëzve në këtë rast, do të zgjidhnin të “rrinin urtë“ e të mos ndërmerrnin veprime të cilat do ta armiqësonin me shumicën, por kështu nuk do të ishin të sinqertë me veten e do të ndjeheshin keq përballë brerjes së ndërgjegjjes. Ata që i kërkojnë përgjegjësi të tilla nuk kanë bërë kompromise të tjera me ndërgjegjen e nuk kanë frikë të reflektojnë mbi të fshehtat që ajo mbart.
Kur njeriu vendos të luftojë kundër “tufës” ka raste që nën efektin e dëshpërimit, frikës, suazës së përgjithshme që krijon stresi e parehatia, ai fillon e dyshon me kohën edhe tek vetja e tij. Mendja shpesh bën lojra të rrezikshme. Përgjithësisht, një qytetar që jeton në një vend demokratik mendon se shumica ka të drejtë. Mund ta gjesh veten në krizë, duke menduar intensivisht sesi mund të zgjedhësh të kundërshtosh shumicën. Në një moment të caktuar mund të të lindë pyetja: po pse unë e mendoj në këtë mënyrë dhe këta të tjerët që janë në të njëjtën “varkë“ me mua mendojnë në një mënyrë tjetër?
Kudo favorizohet konformizmi, edhe pse ekzistojnë kaq shumë kultura të ndryshme, në fund të fundit grupi apo “tufa” (tingëllon e pakëndshme si fjalë por është ajo e duhura për t’iu referuar konceptit që ajo përfaqëson) të imponojnë konformizmin.
Janë një grup fare i vogël njerëzish që shpesh braktisen nga shumica e shihen me sy jo të mirë. Ka raste që armiqësia ndaj tyre bëhet pikërisht se sjellin zili për lirinë që zotërojnë dhe për mënyrën sesi e jetojnë këtë liri duke mos qenë pjesë e tufës. Këta njerëz në numra krejt të vegjël dëshirojnë të sfidojnë shumicën, por si individë të veçantë e jo në grup, që këta të fundit vetë të mendojnë të pamenduarat. Në fakt, nuk ka dije absolute që ta zotërojë dikush për t’u imponuar tek të tjerët.
Një kolegu im “u zuri pritë“ për disa ditë rresht kalimtarëve duke i pyetur: çfarë është drejtësia? Kjo tingëllonte e çuditshme, disi shqetësuese për disa duke u nisur nga rrethanat e panjohura që i bëhej kjo pyetje e pse jo dhe irrituese. Shumica nuk mundën të përgjigjeshin dhe e kishin shumë të vështirë të formulonin një mendim të përcaktuar me një kuptim konkret. Kërkonin të hapnin telefonin e të lexonin diçka duke u bazuar tek mendimi i ndonjë filozofi, apo të kishin një ndihmë nga ndonjë fjalor a enciklopedi sqaruese për termin në fjalë, pavarësisht se termi është shumë i qartë e ndoshta në dukje shumë i thjeshtë për t’u kuptuar e sqaruar. Pra, edhe tek gjërat fare të thjeshta ne kemi nevojë për t’u hedhur një sy modeleve të gatshme, për t’u kapur pas mendimit të atyre që i konsiderojmë më të ditur. Po çfarë dreqin i pengon këta njerëz të mendojnë me mendjen e tyre? Ky ishte përfundimi që kolegu im nxorri prej sondazhit të tij e të gjithë ne kolegët e grupit, qeshëm jo pak me konkluzionin. Megjithatë të gjithë kuptuam diçka të rëndësishme nga ky përfundim: njerëzit përgjithësisht kanë frikë të bëjnë pyetje të mëdha, sidomos ndaj vetes se kështu del në pah paaftësia, pamençuria jonë, paedukimi ynë i cili mund të jetë edhe i frikshëm në nivel krahasuar me pritshmëritë ndaj vetes e mendimit të lartë që kemi për të.
Thelbi është i thjeshtë: të gjithë kemi të drejtë të mendojmë mbi dhe për jetën tonë dhe të gjithë kemi mundësi e aftësi për ta bërë këtë gjë. Ushtrime të tilla si ballafaqimi i drejtëpërdrejtë me të panjohurit ose të njohurit, mbi pyetje të mëdha, na fton të gjithë ne të lartësohemi drejt antikonformizmit inteligjent. Kjo gjë nuk ka lidhje me sigurinë për të sfiduar ideologjitë, besimet apo traditat dominuese. Kjo gjë ofron një mënyrë për të zhvilluar opinione e mendime tërësisht tonat, na ndihmon për të dalë nga tufa, nga masa e gjerë e për t`u rritur vertikalisht.
Duke zhvilluar mendimin zhvillojmë dhe logjikën. Edhe sikur bashkëbiseduesi ynë ta injorojë logjikën tonë kjo gjë nuk duhet të na bëjë të humbasim mendjen apo qetësinë. Shumica jonë mendojmë se nuk mund të bëhemi filozofë sepse nuk kemi studiuar filozofi, nuk kemi një diplomë të tillë universiteti, apo nuk kemi bërë mjaftueshëm shkollë e nuk kemi lexuar aq sa duhet. Por në fakt të menduarit nuk është dëshirë, por është detyrim. Të gjithë mund të mendojmë e jo vetëm mundemi, por kemi përgjegjësinë për të menduar. Siç thoshte Sokrati: “Nuk ia vlen të jetosh një jetë pa hetuar mbi të”.
Edhe pse jemi të gjithë të aftë në teori të mendojmë e të jetojmë sipas parimit të mendimit vertikal, rezulton se shumica e njerëzve në përgjithësi nuk e bëjnë këtë gjë. Unë nuk e pranoj dot idenë se çdo lloj opinioni është i denjë të dëgjohet e jo më të ndiqet, pikërisht njësoj siç nuk mund të mendoj se çdo lloj ene mund të përdoret për të mbajtur ujë.
Ajo që ka vërtet rëndësi është që një argument të jetë logjik dhe vetëm në bazë të logjikës së mendimit duhen marrë vendimet. Për shembull, thuhet se shumica e popullit shqiptar përkrahu vendosjen e diktaturës në Shqipëri. A ndodhi kjo gjë në bazë të mendimit dhe argumenteve logjikë të shumicës? Shpesh padrejtësitë më të mëdha të ndodhura në shoqëritë njerëzore janë marrë prej pakicës duke shfrytëzuar injorancën e thellë të shumicës, ndjenjën hakmarrëse kundrejt palës tjetër, momentit të papërshtatshëm të shumicës për të vendosur në bazë të rrethanave që nuk i lejonin për të menduar logjikisht, etj.
Rezulton se të menduarit progresiv, është procesi më i vështirë por askush prej nesh nuk e pranon hapur se shumicën e rasteve i referohemi modeleve dhe shembujve të gatshëm. Të trembur prej asaj që nuk njohim tentojmë që modele të tilla t`i bashkërendisim me pjesë të veçanta të eksperiencës personale dhe t’i përthithim si “gjë tonën” ndërkohë që bota do të ishte një vend shumë më i bukur e me ngjyra mjaft të gjalla nëse secili prej nesh do të përdorte mendimin e tij origjinal, do ta përpunonte atë e prej tij do të filtronte mendimin e kulluar.
.
Marre nga muri i fb. Ervina Toptanit, 6 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.