back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Taras G. Shevçenko dhe pak nga Poezia e tij – Përkthime nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Monumenti i Taras Shevchenkos ne Kharkiv
Monumenti i Taras Shevchenkos ne Kharkiv

Taras G. Shevçenko dhe pak nga Poezia e tij

(1814-1861)

Përkthime nga Agim Xh. Dëshnica

Poeti dhe piktori i madh akademik ukrahinas Taras Shevçenko një pjesë të jetës e kaloi si ushtar i thjeshtë në repartet e ushtarake ruse, në stepa e shkretëtira, i fyer dhe i munduar nga oficerët e kapterët rusë. Me urdhër nga lart iu hoqën gradat oficerit dhe u ndalua të shkruante e të pikturonte. Por në fshehtësi ai krijoi poezi nga më të dhimbëshmet përmallimi për atdheun e dashur, Ukrainën.
Shënim: Taras Shevçenko në disa krijime poetike, nuk rimon, por ritmi është pranishëm në çdo poezi.

Mendimet e mia

Mendime, mendimet e mia,
Mjerë, me ju!
Ç’u shtruat nëpër letër
Me radhë të zymtë ashtu?
Pse era s’u shpërndau,
Si pluhur në hapësirë?
Pse, mjerimi s’u shtroi të flinit
Si fëmij të mirë?
Mos u lindëm nga mjerimi?
E lotët i derdhëm çurk… Si s’u mbytëm?
Si s’vërshuam si det e nuk gërryem fushat?
Njerëzit s’pyetën se ç’më dhimbte në gji,
E përse mallkoj fatin tim të mbrapsht,
Përse mundohem… “S’prish punë, ec!”
As me të qeshur nuk më thanë.

Lulet e mia, fëmijtë e mi,
Pse ju kam ledhatuar
e pse ju kam mbrojtur?
A qan një zemër në botë,
Ashtu siç kam qarë unë me ju?
A mund të gjendet një vashë
Zemra e saj e sytë e zi,
Të qajnë me ju mendime?
A lypet më tepër?
Vetëm një lot të binte….
Mendime, mendimet e mia.
Mjerë, me ju.

Taras Shevchenko - vepër e Bogdan Dide
Taras Shevchenko – vepër e Bogdan Dide

Lart në mal kujtoj Ukrainën

Kur vjen e diela, ia mbaj pas shkëmbinjsh
Në fusha, si kusar në fshehtësirë,
Përmes shkuresh zallit të Uralit*
E dal te stepë e gjerë dhe shfreh i lirë…

Zemra e tronditur, përpëlitet
Si peshku mbi ujë e sëmurë.
Qesh në heshtje e fluturon
Si pëllumb ashtu si dikur.

Në liri në hapësirën e huaj
Përtërihem, gjaku më gufon,
Ngjitem e ngjitem
Malit lart vrapoj,
Të shoh, tej në mjegull Ukrainën,
Tmerr kur e kujtoj!

Stepat këtu – të kuqe e gjembore,
Të kaltra e qiellore atje.
Livadhe të endur me blerim,
Lugina në muzg në perëndim.
Këtu – gëmusha, driza, rërë e shkretë,
Një kodër-varr,
Për të shkuarën flet.

Ndoshta prej fillimit të jetës
Frymë njeriu s’ka pasur askund
E kjo shkreti fshihej nga bota.
Gjithsesi mbërritëm këtu
E ngritëm fortesa – qyteza kudo,
Pra edhe varre do të ketë
E punët do të ecin më shpejt!

O vendi i dashur, fati im,
Kur do të kthehem në Ukrainë?
O Zot, medet, do të kalbem,
Larg te kjo greminë!

Fortesa Orska 1847
*Pranë lumi Ural në stepat përtej Kaspikut, ndodhej Fortesa Orska, ku poeti e piktori i madh ukrainas Taras Shevçenko ishte internuar për një kohë të gjatë, si ushtar i thjeshtë, me urdhërin e Carit, i ndaluar rreptësisht të shkruante apo të pikturonte.

Pa liri

Mos nëm, mos i jep askujt
Atë që fati i jep plakut.
I dëbuar larg e në vetmi
Vitet ikin kot e pa liri.

Tej në stepa do të vete
Të harroj çdo trishtim më vete.
Por oh! ç’prapësi e sa mëzitje!
Kapterët, të ndalin në çdo shetitje.

Taras Shevchenko (1814-1861) - vepër e Ivan Kramskoi
Taras Shevchenko (1814-1861) – vepër e Ivan Kramskoi

Mirë mbetsh, o Kos Aral!

U hapën velat…
Tartana me sandallin
Si rrëshqitën nëpër ujëra,
Mes kallamesh në Sir Dar,
Lundrojnë tashmë në kaltërsi.

Mirë mbetsh, o Kos Aral i mjerë,
Dy vjet trishtimin tim të thellë,
Sadopak, munde ta lehtësoje!
Faleminderit, krenohu, pra,
Se njerëzit, pasi të gjetën,
Se ç’duhej bërë për ty, e dinin!

Mirë mbetsh, o mik!
Jo, atë vend
As e lëvdoj, as e mallkoj!
E ndoshta brenga,
Do t’më trazojë sërish.
Ajo që njoha te ajo tokë!
Veç tashti prej saj jam larg.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.