back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Spaç 21-23 Maj 1973, 40 Vjetori i Flamurit pa yll…

Gazeta

Bedri Blloshmi (ne sfond poetet Vilson Blloshmi dhe Genc Leka)
Bedri Blloshmi (mbas poetet Vilson Blloshmi e Genc Leka)

Spaç 21-23 Maj 1973, 40 Vjetori i Ngritjes së Flamurit pa yll

Bedri Blloshmi 05.19.2013 (voal)

Miku im i paepur… Bedri Blloshmi – nga Jozef Radi

Autori i kërtij shkrimi, Bedri Blloshmi, është jo vetëm vëllai i poetit të jashtzakonshëm Vilson Blloshmi, të cilin diktatura e pushkatoi me nji egërsi të pashoqe, po nji nga përfaqsuesit më të denjë dhe më luftarakë të familjes së njohur Blloshmi, nji familje historike shqiptare që ka dhënë shumë për historinë e Shqipërisë… Figura si Haki Blloshmi, Hajdar Blloshmi, Selman Blloshmi, Azis Blloshmi, Sami Blloshmi, Sara Blloshmi, Vilson Blloshmi, Lumturi Blloshmi e deri te autori Bedri Blloshmi mbeten nji pasuri e pafund vlerash në historinë dhe kulturën shqiptare, janë disa gjenerata të këtij Fisi me emër, të mbivendosura fuqishëm mbi njëra tjetrën, duke mbetur dëshmi autentike të genit të racës shqiptare! Sot, po ndalem paksa te autori i shkrimit dhe vëllai i tij Vilsoni, që krahas të qeni vëllezër në jetë, u bënë edhe vëllezër të së njëjtës prangë dhe ndoshta vetëm fati e ndihmoi Bedriun, që të mos ishin edhe vëllezër bashkëvdekas të pafajshëm!
Vranë Vilsonin dhe Gencin, jo pse delikatesa e shpirtit të poetëve, u rrezikonte rrëzimin e pushtetin e përbindshëm të sovjetëve shqiptarë, po sepse vlera e vetme e poetit në komunizëm ishte shërbimi, nënshtrimi dhe dithirambet e krimeve… Ndaj fjala e famshme e Vilsonit në hetuesi se: “Më mirë i vdekur, se me ju!” mund t’i shërbejë si monument mbi monumentet, cilitdo skulptori, për kurajon e nji poeti si Vilson Blloshmi!!
Bedriu është nji nga miqtë e mi të vjetër, me të cilin shpesh kemi folur për të vëllanë, po shpesh kemi folur edhe për shpirtin e tij rebel që s’pajtohet me padrejtësitë, mashtrimet, pseudoheronjte dhe pseudodemokracinë…
Para pak kohësh u takuam dhe kaluam nji mbasdite bashkë… ishte i zemëruar, por krenar… siç është gjithnji ai, pse të gjithë denoncuesit dhe dënuesit e tij dhe dy poetëve të Bërzeshtës sot janë pjesë e pushtetit, ndërsa atij i duhej të rropatej për ta shtyrë përpara mbijetesën… Më dha librin e tij të fundit: “Rrëfime nga ferri komunist”, nji libër 600 faqesh, ku pjesa më e madhe ishin dokumente dhe fac-simile të marrë nga Arkivi dhe Ministria e Brendshme, ku jepet prekshëm gjithë persekucioni i familjes Blloshmi… diçka rrënqethese… në kufijtë e së pabesueshmes… diçka që shpesh as fantazia s’arrin ta prekë… Duhej zhbirë nji familje nga më tradicionalet si Blloshmët… që të ndjeheshin të qetë sadistët e pushtetit të kuq! Dhe Bedriu me nji punë të rrallë, të palodhur, me nji kokfortësi proverbiale, ka bërë që ky libër i çmuar, më shumë se artistikisht të flasë përmes gjuhës së dokumenteve, dosjeve, fakteve, pa asnji retush… ashtu ftohtë, ashpër, rrënqethshëm… po thellësisht të vërteta…
Nji libër që për guximin dhe kokfortësinë e të vërtetave, s’mjaftojnë superlativat vlersuese… E përshëndes mikun tim, Bedri Blloshmin, për kët shkrim të sotëm, duke e uruar për gjithçka ka bërë dhe bën për nji kauzë, që asnjiherë s’do të jetë e humbur!!!
20 maj 2013

Spaç 21-23 Maj 1973, 40 Vjetori i Ngritjes së Flamurit pa yll
Bedri Blloshmi 05.19.2013 (voal)

Për herë të parë në historinë e komunizmit barbar në Spaç të Rrëshenit, u ngrit një flamur pa yllin e komunizmit! Mbas pushtimit të Shqipërisë nga terroristët komunistë, të stërvitur nga Popoviçët e Mugoshët në 1944, këta barbarë ua filluan krimeve mbarë, duke ngritur burgje dhe kampe gjithkund në Shqipëri.
Mbasi e rrethuan me tela dhe gjëmba 28.000 km2 e mbetura të Shqipërisë së copëtuar prej vitit 1913, ata hapën gjithkund burgje dhe kampe përqëndrimi. Një nga këto kampe shfarosëse ishte dhe burgu i Spaçit!
Arrestoheshin në masë familjet nacionaliste, mbasi i varnin, i pushkatonin dhe i burgosnin, ata që mbeteshin gjallë, u grabitesh pasuria dhe pjesa e mbetur e çdo familjeje syrgjynosej kampeve te internimit…
Më 21 Maj 1973, në Spaç të Mirditës, kur dhuna fizike dhe psikollogjike ndaj të burgosurve politikë kishte kapërcyer çdo kufi… ndodhi ajo që pritej! Të gjithë të burgosurit e turnit të parë vendosën të mos dalin në punë, në mbrojtje të Pal Zefit, i cili mbasi kish mbushur nji muaj në izolim (birucë) dhe policia s’po e nxirrte të bashkohej me të burgosurit e tjerë.
Të gjithë të burgosurit ishin të një mëndjeje, ndjeheshin tejet të revoltuar dhe gati për t’u përplasur me diktaturën komuniste. Biseduan, vendosën dhe at ditë ngritën flamurin me zhgabën dykrenare pa yllin komunist “qëndisur” nga dora e të burgosurit Mersin Vlashi!
Kampi famkeq i Spaçit, qe rrethuar me ushtri dhe civilë të armatosur! Fillimisht prenë ujin e pijshëm dhe bukën, pse nuk u pranua thirrja e zv.ministrit të brendshëm Feçorr Shehut. Të burgosurit rezistuan, duke i bërë për tre ditë rresht nderim flamurit të vërtetë shqiptar. Më në fund “bijtë e Stalinit” u vërsulën si hiena me hunj, me tuba gome dhe me ç’të mundnin duke i dërrmuar, duke u thyer këmbë e duar të burgosurve… Mbasi i rrihnin kafshërisht, i prangosnin dhe i ngjisnin sipër për t’i gjykuar. Ishte 12-shja e parë, nga këta 4 ishin të burgosur politikë: Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Hajri Pashaj. Urdhëri qe t’u merrej jeta… dhe ashtu u bë! Sot e kësaj dite askush s’e di ku janë groposur, e pra ata heronj trima e dhanë jetën para 40 vjetëve për flamurin shqiptar! Sot askush nga shteti shqiptar s’do t’ia dijë apo të interesohet t’u gjejë eshtrat dhe t’u bëjë një varr!
Në Spaç vazhduan të dënoheshin grupe-grupe me rastin e revoltës… Ishin 5-6 grupe, të cilët e kalojnë numrin 80 të atyre që u ridënuan. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, po në muajin Maj, gati në të njejtën datë, më 22 Maj 1984, në një tjetër skëterrë të komunizmit, në Qaf-Bari të Pukës, dhuna solli revoltë. Komunistët të cilët jetonin vetëm me gjak njeriu, edhe në kët kamp caktuan tre kurbanë. Vetëm me një ndryshim, komunizmi dhe Sigurimi i kishin perfeksionuar mjetet e dhunës, kishin çuar më parë dy të dënuar me vdekje dhe të tretin e sakatuan me dru duke e thyer në mes. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, do të dënoheshin me pushkatim në birucat e degës së Brendshme të Pukës, për t’i pushkatuar më pas në qytetin e Shkodrës, në vendin e quajtur “antena e radios” në Kuç.
Të gjithë e dimë tani se Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja me këmbënguljen time, jo më pak edhe të familjarëve të tyre, u gjetën dhe u vendosën atje ku u takonte, madje sot secili ka varrin e vet e jo gropën e përbashkët në livadhin e antenës në Kuç të Shkodrës. Edhe me këtë rast qeveritarët e sotëm s’u ndjenë fare për varrimin e këtyre trimave të persekutuar përballë dikaturës. Ndërsa Sandër Sokoli, i cili dha shpirt në sheshin para mencës midis dhimbjeve dhe gjakut që i rridhte mbi çimenton e zezë të oborrit, është groposur tek varrezat 500-600 m larg kampit, buzë një përroi, bashkë me 8 të vrarët në galeritë e territ të Qaf-Barit. Për të mësuar më shumë për revoltën e Qaf-Barit dhe për ata që dhanë jetën, si ndodhi dhe si përfundoi duhet të prisni, mbasi së shpejti del libri që unë kam përgatitur, të ilustruar me fakte dhe faksimile.
Ndryshe është problemi i Spaçit, sado që të interesohen familjarët për të gjetur njerëzit e tyre të vrarë barbarisht e të groposur mizorisht, s’mund të bëjnë asgjë pa ndihmën e shtetit!!
Shteti, që është formuar nga bijtë e komunistëve dhe oficerët që në vitin 1991, morën mbi shpinë bustin e diktatorit për ta vendosur përsëri dhe kërcënonin se do bënin kërdinë duke vrarë ata që do mundoheshin t’i pengonin!!
Shteti i sotëm është i fryrë me komunistë e neokomunistë, të cilët grabisin pasuritë kombëtare dhe vazhdojnë të pasurohen me shpejtësi marramendëse. Shteti i sotëm ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë ish-Sigurimin kryetarët e shoqatave të Enverit, llumra të mbledhur për skrap, famkeqë, hetues, operativë dhe kryetarë degësh të punëve të brëndshme, spiuna e bashkëpunëtorë dhe informatorë të fëlliqur. (………)
…………. Pushofshi në paqe ju të rënët e burgut të Spaçit dhe Qaf-Barit. Dhe mos t’ju ngelet merak, se s’jeni gjallë… se po të ishit gjallë dhe ta shihnit sot ku jemi ne, ju do kishit vrarë veten!!
Pushofshi në paqe edhe ju të tjerë që ratë për një Shqipëri etnike dhe pa komunistë, ne do t’ju kujtojmë gjithmonë. Mos kini merak, Ju heronjtë e Spaçit, se unë s’do të rresht së kërkuari dhe të jeni të bindur se do t’Ju gjej ku ju ka groposur komunizmi!!
(voal, 19 maj 2013)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.