back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

S’ka Shqipëri europiane pa identitet kulturor! – Presidenti Meta në ekspozitën e artistit Delvina

Gazeta

Presidenti Meta ne Ekspoziten "Notre Drame de Tiran" 4 nentor 2019
Presidenti Meta ne Ekspoziten “Notre Drame de Tiran” 4 nentor 2019

 S’ka Shqipëri europiane pa identitet kulturor

Presidenti Meta në ekspozitën e artistit Delvina

Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm paraditen e sotme në ekspozitën e artistit Avni Delvina “Notre Drame De Tiran” në ambientet e Teatrit Kombëtar. Kreu i Shtetit vlerësoi punën e Delvinës, ndërsa theksoi se vendosja e vlerave të tij artistike dhe kulturore në mbrojtje të kauzave qytetare, e ka bërë Delvinën, më të dashur dhe më pranë qytetarëve. Sipas tij, “duhet të japim mesazhe në mbrojtje të sovranitetit të qytetarëve” sepse “nëse rrezikohet sovraniteti qytetar, rrezikohet vetë shteti”.
Meta i bëri thirrje mazhorancës të gjejë zgjidhje për çështjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa shtoi se “nuk mund të ketë Shqipëri europiane nëse nuk ruhet identiteti kulturor dhe kombëtar”.
“Është e domosdoshme që të gjithë të reflektojnë dhe të dialogojnë, si një shoqëri e emancipuar, për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme dhe me transparencë, larg interesave okulte, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes sonë. Nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane, pa identitetin e saj kulturor e kombëtar”, deklaroi Meta.
Ja fjala e plotë:
.
Presidenti Meta ne Ekspoziten "Notre Drame de Tiran" 4 nentor 2019
Presidenti Meta ne Ekspoziten “Notre Drame de Tiran” 4 nentor 2019
“Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në Teatrin tonë Kombëtar me rastin e një ekspozite të artistit të mirënjohur, por edhe gjithnjë e më të dashur këto vitet dhe muajt e fundit për publikun tonë, zotit Avni Delvina.
E kam ndjekur me shumë vëmendje dhe me shumë simpati reagimin e tij si artist, por në radhë të parë si qytetar, si patriot, si një shqiptar i pafjetur për shqetësimet dhe për brengat e vendit e të popullit të tij.
Mendoj se vendosja e vlerave të tij artistike dhe kulturore në mbrojtje të kauzave qytetare, demokratike dhe kulturore kombëtare e ka bërë këtë artist jo vetëm gjithnjë e më të njohur, por edhe më të dashur dhe më pranë qytetarëve, sepse jetojmë në kohë të vështira, edhe për artistët, edhe për shoqërinë civile.
Jetojmë në kohën e globalizimit, që është një proces, që nuk mundet ta ndalim, pasi është një proces nga i cili edhe përfitojmë, por që nuk duhet të na shkombëtarizojë.
Këtu del detyra në radhë të parë e njerëzve të artit e të kulturës, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe interesin publik, për të dhënë mesazhe edhe më të forta në mbrojtje të kauzave kombëtare, të atyre që e forcojnë identitetin tonë dhe nuk e zhbëjnë, në mbrojtje të kulturës kombëtare, të vlerave qytetare, të mbrojtje të sovranitetit të qytetarëve.
Dua ta theksoj se në se qytetarët nuk gëzojnë sovranitetin e tyre të plotë për të vendosur, rrezikohet edhe sovraniteti i shtetit.
Dhe në të gjitha këto plane besoj se angazhimi, përkushtimi, shqetësimet që sjell edhe në këtë ekspozitë, në këtë vend kaq domethënës, artisti i mirënjohur Avni Delvina, janë mjaft të mirëpritura.
Vendosa për ta nisur sot javën me vizitën në këtë ekspozitë, edhe për të qenë pak më i qetë në ndjekjen e gjithë këtyre punimeve që pasqyrojnë edhe një punë mjaft voluminoze e intensive, pasi janë krijime gati të këtij viti të fundit, për shumë arsye. Një arsye është se si sot shumë kohë më parë, në Berlinin Lindor nisën protestat që sollën rrëzimin e Murit të Berlinit.
.
Presidenti Meta ne Ekspoziten "Notre Drame de Tiran" 4 nentor 2019
Presidenti Meta ne Ekspoziten “Notre Drame de Tiran” 4 nentor 2019
Ato nisën nga artistët, nga njerëzit e kulturës, të cilave iu bashkuan edhe qytetarët me shumë përkushtim demokratik. E theksoj këtë, sepse këtu kemi një artist të vetëbërë në një periudhë të errët të Shqipërisë, para viteve ’90-të, të privuar nga shumë mundësi që duhet t’i kishte edhe një qytetar i zakonshëm me talent, jo aq më tepër pasardhësi i një familjeje me vlera të jashtëzakonshme në historinë e formimit të shtetit tonë, që nga Pavarësia e në vazhdimësi, pasi edhe ai u takon atyre artistëve dhe shqiptarëve, të cilët më 2 korrik 1990 e rrëzuan ‘Murin e Berlinit’ që për ne ishin muret e ambasadave të huaja në Tiranë.
Jemi me fat që një artist i tillë, i rritur në nivele mjaft cilësore në Perëndim gjatë kësaj periudhe, vetëm fizikisht nuk jeton këtu, pasi ai shpirtërisht, intelektualisht është çdo ditë i pranishëm në vendin e tij, në qytetin e tij dhe është edhe në protestë për të gjitha kauzat e drejta, qytetare, demokratike, kombëtare, kulturore me veprat e tij.
Është një shembull i shkëlqyer i artistit dhe i përfaqësuesit të shoqërisë civile, që nuk pranon të nxjerrë në treg vlerat e tij artistike në këmbim të mbylljes së syve para kauzave më të rëndësishme që shqetësojnë vendin, që shqetësojnë kombin, që shqetësojnë kulturën kombëtare, pasi do të ishte fundi i së ardhmes së një shoqërie në rast se të gjithë artistët, të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile do të konformoheshin e do të bënin kompromis me këto vlera.
Të gjithë popujt që kanë dëgjuar shqetësimin e artistëve të tillë, në themelet e veprës së të cilëve qëndrojnë vlerat kombëtare, padyshim që kanë ecur drejt së ardhmes me guxim, me kurajë dhe kanë merituar ndryshimin.
Në këtë mënyrë e lexoj edhe unë këtë ekspozitë të sotme të artistit tonë të mirënjohur Avni Delvina dhe ju uroj shumë suksese në të ardhmen!
Dhe së dyti, asnjë falënderim për mua nga të gjithë artistët këtu, pasi unë nuk kam bërë asgjë tjetër veçse detyrën time të përditshme, edhe në çështjen e qëndrimit për Teatrin Kombëtar, duke mbrojtur Kushtetutën, duke mbrojtur ligjin, duke mbrojtur trashëgiminë kulturore, duke mbrojtur identitetin kombëtar.
Dhe besoj se është e domosdoshme që të gjithë të reflektojmë e të dialogojmë si një shoqëri e qytetëruar, e emancipuar për të zgjidhur të gjitha sfidat në mënyrë të arsyeshme, larg arbitraritetit, larg dhunës, larg mungesës së transparencës, larg interesave okulte, në interes gjithmonë të kulturës sonë, në interes të qytetarëve tanë, në interes të së ardhmes sonë, sepse e theksoj, është detyra jonë që në këto kohë të vështira edhe më shumë të forcojmë vlerat kombëtare e t’i mbrojmë ato, dhe njëkohësisht edhe vlerat e familjes e të gjithë shoqërisë sonë, në mënyrë që ne të ecim të sigurt në rrugën e përparimit dhe të europianizimit të përditshëm të shoqërisë sonë.
Nuk mund të ketë një Shqipëri europiane pa identitetin e saj kulturor dhe kombëtar!”
.
Marre nga https://shijaktv.al/2019/11/
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.