back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Si e lajmëroi Martin Camaj vdekjen e babait tim Selman Riza nga Liri Dhrimo – Riza

Gazeta

Profesor Selman Riza
Profesor Selman Riza

Kemi njëfarë Mallkimi të lashtë që na ndjek…
Si Leerna Hidra në rrëfenjat antike hante pjellat e saj,
po aq Shqipëria tregohet kanibale me njerëzit e saj më të mirë.
Marsel Spahiu

E bija e Seman Rizës, – Liri Dhrimo,
qe në të njejtën kohë edhe bashkëshorte
e gjermanistit të shquar Ali Dhrimo.
Ajo ishte mësuesja ime e veçantë
e gjuhës dhe letërsisë në shkollën “Asim Vokshi”.
Respekt për vlerat e saj.
Më poshtë po sjell kujtime të saj mbi të atin!
Thoma K. Jançe

Si e lajmëroi Camaj vdekjen e babait tim Selman Riza

nga Liri Dhrimo – Riza

Nuk e di se si, por ashtu vetiu, tani më lindi dëshira të shkruaj dy radhë për tim atë, Selman Rizën.
Më lindi dëshira të përqas dy figura të shquara të kulturës shqiptare: Dhimitër Paskon dhe Selman Rizën, jo vetëm si qëndrestarë burgjeve të pamerituara, por edhe si të paepur e konsekuentë në idetë e pikëpamjet e veta.
Në veprën e vet “Tri monografina albanologjike: Abeceja-Drejtshkrimi-Çështje gjuhësore”, botuar në Tiranë, në vitin 1944, Selman Riza trajton tri figura të shquara.

Selman Riza - Ibrahim Femiu - Sokol Dobrashi
Selman Riza – Ibrahim Femiu – Sokol Dobrashi

Monografinë e parë ia kushton Ibrahim Fehmiut: “Këtë monografi kushtonj zotni Ibrahim Fehmiut, mësuesit t’im në “Mësonjtoren e Gjakovës më 1917-18, pedagogut të lindun dhe apostullit “mëmëdhetar”, i cili bashkë me abecenë e shqipes më mësoi dhe elementet e shqiptarisë.”
Monografinë e dytë ia kushton Sadi Pejanit: “Këtë monografi kushtonj zotni Sadi Pejanit, prefektit t’im në konviktin “Naim Frashëri” në Tiranë, më 1922-1924, pionierit n’arsimin t’ânë filluer t’idesë pedagogjike moderne me frymëzue vegjëlinë me shijen e jetës në natyrë dhe me dashurinë e punës së krahut.”
Ndërsa monografinë e tretë ia kushton Dhimitër Paskos: “Këtë monografi kushtonj zotni Dhimitër Paskos, alias Izedin Jashar Kutrulisë, vjershëtarit të frymëzuen të Kosovës shqiptare.”

Selman Riza & Mitrush Kuteli
Selman Riza & Mitrush Kuteli

Kosova shqiptare!
Një jetë të tërë me këtë besim! Amanetin që nuk e tret dheu, po ashtu e la me këtë besim për: Kosovën shqiptare! “Mbetjet e një jete të truar, pa dallim gjithë bashkëkombësve të mi, dëshëronj të më prehen atje ku kam lindur, në Kosovën Shqiptare.”
E ky besim për Shqipërinë, për Kosovën shqiptare, ishte i shkrirë njësh me besimin për mbrothësinë e lulëzimin e gjuhës shqipe të krejt botës e jetës shqiptare. Me këtë besim ai nuk u dorëzua dhe ndihmoi pa kursim, me thjeshtësinë e dashamirësinë që e karakterizonte, cilindo që i afrohej për ndihmë, kolegë e miq, mësues e studentë, që të futeshin me guxim në fushën e shkencës, e cila nuk kishte vetëm lule, por edhe gjemba, sepse tek ata shihte gonxhet e shëndetshme të së ardhmes, po, të së ardhmes shqiptare!
Po sjell ndër mend këtu shkrimin e Prof. dr. Martin Camajt

Selman Riza dhe Martin Camaj
Prof. Selman Riza dhe Prof. Martin Camaj

“Vdiq gjuhëtari S. Riza” – Martin Camaj

“Selman Riza, karakter njeriu pa zhigla, origjinal në ide e formulim mendimi, pat një kulturë jashtëzakonisht të gjanë: Jam i sigurt se ai në kushte të tjera akademike (humbjen e dhjetë vjetëve i ngujuem në burgim as që e zamë në gojë) do të kishte dhanë vepra edhe ma të mëdha e ma të qëndrueshme kohës. Të nënshkruemit që e njohin mirë dhe bashkëpunoi për një kohë të shkurtër me prof. Selman Rizën nuk i shlyhet mendjes e zemrës përkrahja përmes këshillave të pjekuna, por sidomos nxitja t’i meste prore besnik artit e shkencës shqiptare.”
Botuar në Dielli, 28.04.1989.

Përse pra më lindi kjo dëshirë për t’i kujtuar pranë e pranë këto dy figura të shquara të kulturës shqiptare, Mitrush Kutelin dhe Selman Rizën? Në testamentin e vet Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) i porosit fëmijët e vet ta duan vendin dhe gjuhën shqipe gjer në vuajtje. Të mos u shkasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. “Këtu kanë lindur, këtu do të rrojnë, me mish e shpirt, qoftë edhe me dhimbje.” Ja se çfarë u shkruante në një letër të afërmve të vet Selman Riza: “Gruas, djalit e vajzës, u kam komunikuar aq thellë në shpirt afshin e ndjenjave të mia për Ju në Kosovë, saqë në shprehjet e qëndrimet e tyre, Ju mund të gjeni përherë me mend edhe zërin e zemrës sime.”

Ndërsa më herët ai ka pohuar: “…Kështu unë qysh në bankat e liceut problemin kombëtar e ndërballkanik të Kosovës e bëra preokupimin jo numër një, por të vetëm të krejt jetës sime.”
E më tej: “As detyrës elementare për të mbrojtur jo pa rrezikim kreditin moral të emrit kosovar mund të pohoj lirisht se kurrë nuk i kam bërë bisht.”
Im atë ishte sa i rreptë me të keqen, me të padrejtën, aq i butë e i ndjeshëm ndaj së mirës e njerëzve që e përqafojnë atë. “Njerëzit e zbutur vlejnë më shumë se të lindurit të butë”, – shkruan ai në librin “Mendime të shkëputur të një vazhde së vetme”.
Nuk ishte poet, por zemra i këndonte për liri e për atdhe:

“…Dardani e Vjetër/ Kosovë e Re
Ke qenë shqiptare/ Shqiptare Je!

Dimër e verë/ Sa të jetë jeta
Ke me përshëndet/Me: Tungjatjeta!”

“Ke me përshëndet” me urimin e bukur të gjuhës sonë, të gjuhës shqipe.
Më vjen ndër mend tani thënia e tij: “Vërtet Noli – i zoti, por edhe shqipja – e zonja.” E vërtet, përmbi të gjitha gjuhët që zotëronte, ai zonjë pati shqipen e për të punoi deri në fund të jetës së vet.”

Botuar te www.shqiptarja.com 2013
Marrë nga Muri i Fb. i Thoma K. Jançe

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.