back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Shqetësime të vazhdueshme, tema të reja… – nga Atjon Zhiti

Gazeta

Artjon Zhiti - Aquarel nga Gjergj Kola
Artjon Zhiti – Aquarel nga Gjergj Kola

Shqetësime të vazhdueshme, tema të reja…

nga Atjon Zhiti

Zbulimet gjithmonë janë kërkime dhe kur duken si rastësi. Pas daljes së librave të studentit Atjon Zhiti, “Për atë që dua(m)” në 2015 në Tiranë dhe në 2017 albumi dy gjuhësh, (shqip dhe italisht), “Opera Atjon”, me vizatimet e fëminisë dhe pikturat e adoleshencës, të pasuar me botimin “Jam Atjoni”, në 2020 në Prishtinë, që përmbledhin së bashku artikuj të ndryshëm, që autori i quante traktate, duke ridalë herë pas here në të gjithë median shqiptare në të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë e në diasporën tonë nëpër botë, na u bë i njohur portreti i tij, një djalosh pasionant dhe “lider shpirtëror” i brezit të vet, siç e cilësuan shokët dhe shoqet… I vlerësuar me çmime, ndërkaq me emrin e tij jepen dhe dy çmime të tjerë ndërkombëtare, “Giffoni Film Festival” dhe në poezi nga Asosacioni “Bogdani” me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel, etj. Atjoni përfaqësoi Shqipërinë në Parlamentin Rinor Europian, etj, etj. por ai vjen sërish me shkrimet të tij duke na befasur. Ku ishin? Në kujtesën e kompjuterit ashtu si dhe në blloqet e tij, në shënimet dhe konspektet, mbi titujt e të cilave shënonte në anë se do të donte t’i shtjellonte më gjerë. Ja, tre tema të reja, të pabotuara më parë, tre shkrime sigurisht kur ishte student i filozofisë në Milano, në “Universitetin Sacro Cuore”, na tërheqin vëmendjen për shqetësimin dhe sinqeritetin, sintezën, për mendimin rinor dhe freskinë. Edhe pse janë artikuj të vegjël, kanë korrektesën e një studiuesi dhe mprehtësinë e aktualitetit. Po i botojmë sot në datëlindjen e tij, kur do të mbushte 27 vjeç duke e ndjerë midis nesh si “Studentin e përhershëm” ashtu si dhe Tirana që ka një rrugë me emrin e tij, që na çon në një ëndërr, Rruga e Atjonit.

Visar Zhiti me të birin Atjonin
Visar Zhiti me të birin Atjonin

Tema: Liria e Fjalës – (Gojështhurje)

Të ndjehesh i lirë është një nga të drejtat themelore të individit. Por me fjalën liri përfshin shumë nëntema të saj. Një ndër më të rëndësishmet është liria e fjalës. Ne jemi një popull që dikur lirinë e kemi pasur tabu të paprekshme, aq të paprekshme sa as nuk mund të mendonim të lirë e jo më të flisnim. Por kjo tanimë i përket së shkuarës, sepse sot jetojmë një realitet krejt të kundërt. Sot jo vetëm mendojmë e shprehemi lirisht, por nuk arrijmë të ndajmë lirinë tonë të fjalës nga gjykimi… Liria e shprehjes mbron jo vetëm të drejtën për të dhënë informacion, por edhe të drejtën për të marrë informacion, pra mbrohet jo vetëm folësi, por edhe shkruesi apo konsumuesi i ideve, informacioneve dhe opinioneve. “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.”1 Dhe njeriu, ky është një qënie e lirë, por që ka limite në lirinë e tij. Sepse siç thuhet, “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”2. Pavarësisht se fjala na dhurohet ta përdorim lirisht, ne bëjmë gabimin më të madh: “Njerëzit kërkojnë lirinë e fjalës si kompesim për lirinë e mendimit, të cilën rrallë e përdorin”3 dhe kjo na çon në rrugë të gabuar, në rrugën e gojështhurjes, ofendimit deri në injorance. Pas këtij përdorimi na vjen ndot nga pasojat e pakëndeshme që përfundojnë deri në tragjizëm. Sa e sa veta janë vrarë për një fjalë goje dhe kjo nuk është liri e shprehjes, por kjo na çon në humbje të kontrollit të vetvetes dhe në ndërmarrjen e veprimeve të pakthyeshme me pas. Të gjithë thonë se unë kam të drejtë dhe se personi tjetër nuk më vlerësoi dhe nuk u soll si duhet, gjithnjë është tendenca për ta vlerësuar veten tonë, ndërkohë duke kundërshtuar dhe ofenduar palën tjetër. Por ne nuk kuptojmë që në një debat të fyeshëm, duhen dy persona. Nuk e kemi menduar ndonjëherë që, nëse dëshirojmë të kemi një bashkëbisedim të frytshëm dhe debat pa ofendime, atëherë duhet ta fillojmë bisedën me mirënjohje dhe lavdërime të virtyteve ndaj bashkëbiseduesit tjetër, por jo, më e lehtë është fyerja, sepse kemi në dorë “lirinë e fjalës”. E tillë është natyra njerëzore, nxitini ata që me kënaqësi t’i kryejnë detyrat, t’i zgjidhin problemet dhe situatat e pakëndshme dhe asnjëherë mos u mundoni të jeni imponues dhe qortues duke dashur të arrini atë që ju doni, dhe do ta arrini, sepse një fjalë e mirë vlen me shumë se çdo gjë tjetër.

Artjon Zhiti - Jam Artjoni
Artjon Zhiti – Jam Artjoni

Tema: Racizmi Gjinor (Diskriminimi)

Sot në botën që ne jetojmë, shohim që përballemi me një shoqëri në thelb maskiliste. Harrojmë që “Gratë janë edukatoret e para të sojit njerëzor”4 dhe si të tilla duhen trajtuar me respektin dhe dashurinë që meritojnë. Gjithë jetën jemi në dorën e një gruaje që kujdeset për birin, bashkëshortin apo atin e saj. Përpara saj gjendet gjithmonë një mashkull, i bërë superior, por jo deri në diskriminim. Sa bukur e thote Hygoi i madh “Ju sodisni yjet për dy arsye: se shkëlqejnë dhe janë të paarritshëm, por përbri jush është një shkëlqim edhe më i brishte, dhe me një të fshehtë edhe më të thellë, gruaja”5. Por sa keq që fjalët e tij janë vetëm fjalë, që dëgjohen dhe kaq. Dëgjohen vetëm me veshë. Ne, njerëzit, jemi të çuditshëm, kemi kaq shumë mospëlqime edhe nën të njëjtën çati, kaq shumë hatërmbetje, diskriminime, racizëm, të cilat mund të përfundojnë dhe në tragjedira të mëdha. Femrat vetë nga brishtësia që i karakterizon, të cilën Zoti ua ka dhuruar jo për inferioritet, por për nevojë kujdesjeje, duhet të jenë pikërisht kështu, të kujdesura nga shoqëria mashkullore. “Uji më i shtrenjtë në botë janë lotët e grave”6 dhe si të tilla duhen ruajtur me fanatizëm e jo të shpenzohen pamëshirshëm dhe dhembshëm, aq më pak nën përdorimin e dhunës.
Dhuna është e shumëllojshme, si ekonomike, sociale, psikologjike që manifestohet përmes kërcënimeve fizike. Të nëpërmendim: gruaja kërcënohet me shkurorëzim, nëse nuk lindte djalë, kjo është një injorancë, raste të tilla ka pasur dhe ka akoma edhe sot, kjo nuk mund të justifikohet assesi, duke menduar se kjo është rruga e zgjidhjeve të problemeve. Burri ushtron dhunë ndaj gruas edhe kur është i dehur, në presionin e alkoolit, të cilat përfundojnë tragjikisht, kjo dukuri fatkeqësisht është e pranishme edhe në shoqërinë tonë.
Vërtet thuhet që gruaja ka dalë nga brinja e mashkullit në librat e Zotit, por gjithashtu thuhet: “Trajtoni mirë gratë tuaja, jini të sjellshem me to, sepse ato janë partneret tuaja dhe ndihmëtaret tuaja të besuara”7, dhe këtë e marrim si një prekje dhe këshillë hyjnish duke e ruajtur brishtësinë e asaj, që quhet “Grua”.

Artjon Zhiti - Artjon - Opera
Artjon Zhiti – Artjon – Opera

Tema: Guximi – Fitore apo Humbje

“Arritjet e mëdha kërkojnë ambicie të mëdha”8. Këtë na këshillon Herakliu antik, që bashkë me këshillën e tij na jep forcë të guxojmë. Çdo qenieje në këtë planet i është dhënë guximi si dhuratë, që na shtyn të ecim përpara në rrugën e fitores tonë. Sepse për mua guximi është padyshim një fitore. Dhe nëse zhgënjehesh sërish, ke fituar shumë.
Të jesh guximtar, do të thotë absolutisht të jeshë triumfues me pishtarin e flakës së fitores në duar. “Guxo të bësh atë çka i ka hije njeriut, kush guxon më tepër, nuk është njeri!”9 Kjo është përballja e parë me të mbinatyrshmen, me Zotin. Por mos të harrojmë, që guximi është instiktiv, ai rrjedh përbrenda duke mos treguar një arsye.
Përdorimi në mënyrë të mençur i guximit, në momentin e duhut dhe për gjera jo të dëmshme për veten dhe të tjerët, është tregues i një personi që do të ketë sukses dhe jo i një personi që do të humbë.
Mbi të gjitha guximi është nevojë instiktive e individëve për të ecur përpara në triumf. Këshilla e Morgan Freeman “Unë gjithmonë u them fëmijëve të mi që, nëse shtriheni, të tjerët do të shkelin mbi ju, por nëse vazhdoni të ecni, qoftë dhe zvarrë, të ecni, se dikush gjithmonë do t’ju zgjasë dorën. Gjithmonë. Por duhet të vazhdosh të vallëzosh, duhet t’i mbash këmbët në lëvizje,10 lëvizje që nënkupton moslejimin të jesh i nënshtruar, pavarësisht rrethanave, në fund të fundit ky është guxim.
Guximin nuk mund ta quajmë fryt të fitimtarëve. Ai që përdor guximin, është në të gjitha rastet fitimtar duke rritur besimin e tij për të vazhduar përpara.
Por guximtarët i ndajmë në të mençur dhe jo të mençur, por jo në fitimtarw dhe humbës. Ata janë fitues, pasi dhe nëse marrin pasoja të pakëndëshme nga guximi i tyre, ata sërish kanë fituar një përvojë të vlefshme për jetën e tyre.
“Fati ndihmon vetëm guximtarët”. 11 Dhe kjo është fitore.

Atjon Visar Zhiti (1995-2014)
Atjon Visar Zhiti (1995-2014)

Kanë thënë për Atjonin

Studenti ynë i çmuar e aq shumë i dëshiruar në Kursin e Laurimit në Filozofi… që është i nderuar duke patur Atjonin në gjirin e vet.
Rektori Franco Anelli – Universiteti Katolik “Sacro Cuore” – Milano, Itali

Joshës dhe nxitës, gjithçkaje ishte i aftë t’i bashkonte një histori, një legjendë, një citim, për më tepër një përvojë të vetën. Ishte si të lexoje një libër të mirë, me shumë e shumë faqe.
Olimpia Franchina – Studente në “Sacro Cuore” Milano, Itali

Atjoni, ky djalë i qeshur, plot shpresë, plot me të ardhmen e një filozofi të madh do të mbetet gjithmonë aq i bukur, aq i edukuar…
Hadam Oudghiri – pedagoge universitare në Milano, Itali

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…
Sebastiano Grasso – Poet, President i PEN Clubit, Itali

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie – Albanalog kanadez, Gjermani
        
Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues… dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme… për të komunikuar.
Gëzim Qendro – Studiues, kritik arti, Tiranë

Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi…
Luan Topçiu – Kritik arti, studiues, Bukuresht

Atjoni i vogël e ka kuptuar… (dhe dha) një “strategji politike” të madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.
Giampaolo Mattei – Gazetar Italian, Romë

…libri i Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë… që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlumë. Ai do të jetë si Ungjilli për ta…
Eugjen Merlika – Studiues, historian, Itali

Kapja e universit në të gjitha dimensionet… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
Gëzim Tafa – Kritik arti, botues, Tiranë

Në shkrimet e Atjonit ka filozofi, jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura me aktualitetin…
Mauro Geraci – Antropolog, studiues i letrave shqipe, Itali

Atjoni e thotë qartë se çfarë ne duam… Brenda syve të tij sikur shkëlqente një realitet tjetër… më i bukur, më rinor… që pasqyrohet në çfarë ai la të shkruar… prej të njëjtit material me atë të shpirtit. Atjoni nga njeri i përveçëm është kthyer në simbol të përgjithshëm…
Andreas Dushi – Shkrimtar

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare – Shkrimtarë

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.
Kardinal Gianranco Ravasi – Biblist, kritik arti – Ministër i Kulturës, Vatikan

 …Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.
Adonis – Poet, Paris, Francë

Është tronditëse, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.
Padre Marko I. Rupnik – Teolog, muzaiçist, Universiteti Gregorian, Romë

Footnote
1.Frasheri.S
2.Proverbe e lashte
3.Kierkegard.S
4.Hipel
5.Hygo.V
6.Karli.Xh
7.Surja 33,Ajeti 35 Kur’an
8.Herakliu
9.Shekspeare.W
10.Freeman.M
11.Vi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.