back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Shpërfillja e paskajores së gegnishtes – nga Agim Morina

Gazeta

Agim Morina
Agim Morina

Argumentim grotesk kodër mbas bregu

Një autore librash paska shkru: “Vërtet që paskajorja Gege as nuk e ha e as nuk e vret askënd,
por pjesorja e tipit ‘lexu’, me logjikën e dëshirave do sillte
edhe trajta groteske mbiemrash si: njeri i lexu, tokë e punu, burrë i frustru.”

1.A asht e mundun mos me vu re një diçka kaq të thjeshtë, që në gegënishten letrare pjesorja “punue”, si mbiemën, nuk ka dalë as nuk del “i punue”, por “i punueM”? A nuk po del kështu që agumentimi i këtillë asht sa grotesk, aq edhe naiv? Pra, edhe kur pjesorja bahet “punu” (ashtu qysh del në të folunën e rreth 70 për qind të shqiptarëve), mbiemni mbetet “i punuem” (në të folun “i punumë”), apo në një version standardi të reformuem “i punuar”.
2.Propozimi i pjesores “punu” asht mënyrë e vetme për me i ba vend paskajores së tipit “me punu” në standardin ’72, sepse heq “-ar”-in e toskënishtes (nga punuAR) dhe e-në e gegënishtes (nga punuE). Kështu i jepet zgjidhje një problemi themelor për një standard vërtet të përbashkët e gjithëpërfshimës të shqipes.
3.Trajta “punu” nuk asht “logjikë e dëshirave”. Asht fakt i pamohueshëm që përdoret nga 2/3 e shqiptarëve.
4.Një rast i këtillë “grotesk”, gjithnjë sipas logjikës së këtillë naive, por me një klasë tjetër, ngjan edhe në standardin ’72 me foljet e tipit “mbjell”. Pjesorja e këtyne foljeve nuk asht “mbjellUR” – qysh hutohen shpesh gegët e shkretë – por asht “mbjellë”, dhe si pasojë, mbiemni del “i mbjellë” dhe jo “i mbjellur”. Dihet që prapashtesa -UR e pjesoreve me temë në bashkëtingëllore asht e barazvlershme me prapashtesën -UAR të pjesoreve me temë në zanore.
Kështu befas grotesku na shfaqet gjithandej.
5.Kam përvojë me sharlatanë të këtillë. Njëni që me dhjetëvjeçarë e ka pa “groteske” trajtën “me punu” e më ka kundërshtu vazhdimisht, tash ra copë tue e propagandu këtë trajtë si zgjidhje të vetme. Si duket asht një virtyt i sharlatanëve që një herë me tregu fytyrën vërtetë prej sharlatani, tue kundërshtu naivisht diçka që nuk e kuptojnë, e masandej fytyrën e rreme prej studiuesi, kur e kuptojnë mbas disa dhjetëvjeçarësh.

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Shpërfillja e paskajores së gegnishtes –

nga Agim Morina

Kam disa shkrime e intervista onllajn. Në to jam përpjekë me shpjegu arsyen se pse futja e paskajores është domosdoshmëri.
Tri gjuhët letrare të shqipes (gegërishtja, toskërishtja dhe arbërishtja) janë zhvillu paralelisht me shekuj. Kjo është situata faktike deri në vitet 1916-18, kur Komisia Letrare Shqipe i hyri punës për krijimin e një gjuhe standarde shqipe. Kjo gjuhë standarde u bazu në të folmen e elbasanishtes. Faktikisht, ishte gjuhë standarde e gegërishtes, që duhej me iu imponu toskëve. Pse është standard i gegërishtes? Sepse nuk i la vend toskërishtes, ajo mbeti e përjashtuar. Po ashtu, arbërishtja as u mor parasysh, as u diskutu.
Që nga viti 1945, ndodhi përmbysja. Pa asnjë debat paraprak, u destandardizu elbasanishtja dhe u vendos toskërishtja si gjuhë standarde. Nuk është problem që u vendos toskërishtja, por problem i pakapërcyeshëm u bë përjashtimi i gegërishtes. Pra, ndodhi një proces i kundërt, por me rezultat të njëjtë: përjashtimin dhe jo përfshirjen e kryedialektit tjetër. Natyisht, kjo u kurorëzu në vitin 1972, me Kongresin e Drejtshkrimit.
Dallimi mes periudhës së standardit të elbasanishtes, mes dy luftave botërore, dhe standardit pas Luftës së Dytë Botërore është se në periudhën e parë nuk u ndalu toskërishtja, por në periudhën e dytë gegërishtja u ndalu plotësisht.
Tashti, dalim te çështja e “përçarjes”.
Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë të përçarë, së paku jo deri në vitin 1945. Zhvillimi i gjuhëve letrare gjatë shekujve ka qenë një zhvillim i vetvetishëm, i brendshëm dhe i paimponuar. Nga pikëpamja gjuhësore ky është një zhvillim më normal, sesa krijimi i një gjuhe të vetme letrare. Por, le të kalojmë në kërkesat politike dhe të shohim se çfarë ka ndodhë me gjuhën standarde shqipe.
Gjuha standarde e elbasanishtes nisi jetën e vet që më 1918. U bë gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar edhe me vendime administrative ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore hyri në përdorim si gjuhë standarde edhe në trojet shqiptare në ish-Jugosllavinë mbretërore (Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi) dhe në Çamëri. Kështu, kjo gjuhë standarde kishte përhapjen më të madhe që ka pasë ndonjëherë cilado gjuhë standarde shqipe, edhe kjo e sotmja. Mirëpo, në vitin 1945, kur forcat enveriste morën pushtetin, punën e parë që bënë ishte vendosja e toskërishtes si gjuhë standarde shqipe. Nuk pati kurrfarë konsultimi me gjuhëtarë. Një nga arsyet absurde që u gjet ishte se urdhrat gjatë LNÇ-së qenkëshin dhënë në toskërishte…
Kështu ndodhi përçarja e parë gjuhësore e shqiptarëve. Shqiptarët që u kthyen nën pushtimin sllav vazhduan me përdorë elbasanishten si gjuhë standarde të tyre deri në vtin 1968, ndërsa në Republikën Popullore të Shqipërisë nisi zbatimi i toskërishtes si gjuhë standarde. Kështu që ata që propagandonin gjatë gjithë kohës se ishin “unifikues”, në të vërtetë ishin dhe mbetën përçarësit e parë dhe të vetëm në historinë e gjuhës shqipe. Kjo çarje gjuhësore e shqiptarëve zgjati deri në vitin 1968, kur shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë Administrative vendosën të pranonin toskërishten si gjuhë të vetme standarde. Kështu, kur shikohet politikisht, gjuhëtarët jashtë kufijve të Shqipërisë Administrative bënë një veprim të domosdoshëm politik për të mos kurorëzu një ndarje të përhershme të shqiptarëve, por duke fliju gegërishten. Ata pranuan vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit 1972.
Por a ndodhi unifikimi i propaganduar më 1972? Jo. Ndodhi një unifikim sipërfaqësor, i ngutshëm dhe i pamenduar mirë. Rezultatet e këtij standardi sot janë katastrofike. Jo vetëm në Shqipërinë Irredentiste (Kosovë, Maqedoni Perëndimore e Mal të Zi) por edhe në vetë Shqipërinë Administrative.
Nëse heqim dorë nga shqytimi i rrethanave të tjera të jashtme dhe nisemi vetëm nga argumentet gjuhësore, kemi këtë situatë: standardi me bazë elbasanishen kishte përjashtu toskërishten. Ishte një standard për gegërishten; standardi i vitit ’72, me bazë toskërishten, përjashtoi gegërishten. Pra, dy standarde të gjuhës shqipe u krijuan me synimin “përbashkues“, por në thelb u krijuan duke mohu njëra-tjetrën. Kur u kriju standardi i elbasanishtes u shpërfill rotacimi, kur u kriju standardi ’72 u shpërfill paskajorja e gegërishtes. Qysh mundet me u unifiku shqipja duke përjashtu qoftë gegërishten, qoftë toskërishten?
Atëherë, si mundet me u kriju një gjuhë standarde gjithëpërfshirëse shqipe? Duke përfshi veçoritë kryesore të gegërishtes e të toskërishtes, pra, paskajoren e tipit “me punu” dhe rotacimin. Për me e bë të mundur këtë problemi i vetëm është trajta e pjesores: punuar (në toskërishte) dhe punue (në gegërishte). Sistemi foljor nuk mundet me pasë dy trajta të ndryshme për një funksion. Nuk mund të ketë pjesore në kohën e kryer “(kam) punuar” dhe në paskajore “(me) punue”. Zgjidhja e vetme është që të merret vetëm një trajtë e shkurtë “punu”. Kështu mundemi me përdorë “kam punu” dhe “me punu”. Në këtë mënyrë bëhet unifikimi i mirëfilltë i shqipes në një standard që ka jo vetëm një baraslargësi më të balancuar për shumicën e shqiptarëve, por hap dyert për përdorime të shumta e të larmishme të trajtave të gegërishtes që tani janë ta pamundura.
Tendencat që po shihen sot, sidomos në Kosovë, janë duke çu pikërisht drejt një ndarjeje të pakthyeshme gjuhësore. Fëmijët më me lehtësi po e mësojnë drejtshkrimin e anglishtes sesa të toskërishtes. Bile kanë nisë edhe me folë anglisht. Kjo, ngaqë gjuhën standarde janë duke përjetu edhe si tepër të largët e të pakapshme. Prandaj, është koha e fundit që të bëhet një ndërhyrje sa më e shpejtë dhe sa më e mirë në këtë gjuhë standarde sa nuk është bë vonë. Po habtem se si nuk po kupohet që këmbëngulja në këtë gjuhë standarde është duke shkaktuar përçarjen më të madhe të mundshme.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.