back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Fati tragjik i një tragjediani – (Et’hem Haxhiademi) – nga Miho Gjini

Gazeta

Miho Gjini
Miho Gjini

Fati tragjik i një tragjediani. (Et’hem Haxhiademi)

nga Miho Gjini

Me rastin e 58-vjetorit të ndarjes nga jeta

Ja që ndodh në jetë edhe kështu: që krijues të mëdhenj të një kombi, poliedrikë në shtrirje e të shkëlqyer në vlera, të kenë fatin më tragjik, ashtu sikundër qe edhe vepra e tyre kryesore: Tragjedia! Ky personalitet i mirëfilltë: poet, gjuhëtar, përkthyes, politikan, aktor e tragjist i rrallë (në mos i vetëm) ishte Et’hem Haxhiademi nga Elbasani, i njohur paskëtaj, njëherësh, edhe në Tiranë, Lushnjë, Gjirokastër, Sarandë, si shkronjës, po edhe në gjithë Shqipërinë letrare të asaj kohe, si një nga krijuesit më elegantë e me kulturë perëndimore.
Paradoksale edhe nga fati i mbrapsht, me botën e tij komplekse shpirtërore, me talentin, ndjeshmërinë, kulturën e thellë dhe si tragjiku i parë dhe i fundit shqiptar. Si student i të parës Shkollë të Lartë Dramatike në vendin tonë, pasi kishim njohur tragjedianët e parë të Greqisë, na kishin thënë se patëm edhe ne një autor tragjik, me 8 vepra të tilla, që nuk mund të vihen në skenë, nga që autori i tyre ishte i “ndaluar” dhe nuk mund të pyesje më tepër.
As kur do të vinte radha që mua të më mbanin si pedagog, edhe pse kureshtja më shtynte për ta njohur atë, kur i qe “vënë kryqi” veprave të tij, ndërsa atij vet, damka e “Armikut dhe tradhtarit” të vendit. Dhe duhej të kalonin dekada të tëra që të na vinin tekstet e para të tragjedive të tij nga Kosova, si edhe të rastiste që Teatri Profesionist i Gjirokastrës të vinte në skenë tragjedinë e tij “Pirro”! Befasia do të ishte e jashtëzakonshme. Për t’u njohur, jo vetëm me një vlerë të mohuar, po edhe me tragjikun e vetëm shqiptar të të gjitha kohërave…

Disa nga veprat e Et'hem Haxhiademit
Disa nga veprat e Et’hem Haxhiademit

Lindi në Elbasan, në 8 mars të vitit 1902, në “oxhakun” e një familjeje me kulturë e patriotizëm të flaktë. I ati i tij Emin Haxhiademi, qe bashkërendës me Kostandin Kristoforidhin. Shquhet në mësime që në shkollën fillore, po edhe për talentin në aktrim. Shkollën e Mesme e kryen në Leçe të Italisë dhe në Insbruk të Austrisë. Vazhdon studimet politike në Berlin (Gjermani) e Austri (Vjenë). Pasionant në letërsi, përkthen “Bukoliket” e Virgjilit, studion themelet e mitologjisë greke e njihet me tragjedianët e famshëm të Antikitetit. Nis të shkruajë poezi “Lyra” në revistat, “Minerva” dhe “Djalëria”. Ravijëzohet kështu kultura e tij poliedrike e bota e pasur shpirtërore, shoqëruar pashmangshëm nga talenti individual e i spikatur. Ndjehet tek ai natyra e romantikut, tek shkruan për dashurinë e jetën rinore, po edhe ana patetike, kur shkruan për vendin e tij. Tek ai nisi të ndjehet herët “nervi social”, sa herë që ballafaqohet me “plagët e shoqërisë”, me varfërinë e tejskajshme, me të keqen e pabarazinë sociale, që e afrojnë me “Ballin Kombëtar”. Është edhe një nga të parët autorë të viteve 30 që bëhen përkrahës të iluminizmit e të inkandeshencës. Sipas studiuesit francez Robert Elsie, i përkthyer nga Abdurrahim Myftiu, poeti Haxhiademi ka qenë ndoshta “dramaturgu më i mirë i periudhës së pavarësisë”.
Duke gjurmuar jetën e dorëshkrimet e këtij kollosi të periudhës së vonë të Rilindjes, do të hasim edhe forcën e “rrjedhën lumore” në krijimtarinë letrare e dramaturgjike të këtij Tragjiku në vepra e në jetë, që do të mbetet edhe ana prioritare e vlerave të tij të gjithanshme. Sipas një letre autentike të autorit, adresuar për poetin e mikun e tij Lasgush Poradeci, më 9 prill 1938, del se Et’hem Haxhiademi është inspiruar në dramaturgji nga drama “Besa” e Sami Frashërit që ai e gjen në bibliotekën e pasur të atit dhe e lexon brenda një nate. Dhe, po me këtë vrull pasioni, do të shkruante dramën e tij të parë, ende fëminore që e bëjnë atin e tij të buzëqeshë e ta shohë të birin, me një sy krejt tjetër e, më pastaj, edhe të merrej me edukimin e tij të gjithanshëm. Vepra e parë e tij “Ulisi” u shkrua në Berlin, në vitin 1924, mbështetur tek Homeri dhe te figura kryesore e tij Odisea dhe përshkohet fund e krye nga dashuria për atdheun dhe për familjen, duke përballuar sakrifica të panumërta.” Legjenda e tragjedisë sime, “Ulisi” – shkruan autori, ashtë lufta e njeriut me fatin. Ç’ka asht thanë nga Orakulli, do të pëmbushet dhe njeriu nuk ka si shpëton. Këtë tregoi edhe Sofokliu në “Edipin Mbret”, këtë dhe Shileri, këtë edhe unë te “Ulisi”.
“Akili”, – si një nga heronjtë e mitologjisë greke, u bë personazhi kryesor i kësaj tragjedie, që u shkrua në Vjenë në vitin 1926. “Shpirti i tragjedisë ‘Akili’, – thotë autori, ashtë Hakmarrja. Çdo njeri që vret, sado i fortë me qenë, në fund do ta pësojë. Nji mendim të tillë e gjejmë dhe ke ‘Agamemnoni’ i Eskilit dhe ‘Elektra’ e Sofokliut.
“Aleksandri” u mbështet në figurën historike të Aleksandrit të Madh, si udhëheqës ushtarak i pamposhtur dhe u shkrua në vitin 1928, gjatë kohës që autori punonte në Prefekturën e qytetit të Lushnjes. Dhe rrëfen, (sipas autorit gjithmonë), “legjendën se si u ba Mbret Aleksandri i Madh dhe se si u vra i ati i tij Filipi, nga rivaliteti i dy grave të tij”. Kjo vepër vihet në skenë nga Grupi Teatror i Elbasanit, shfaqet në Tiranë dhe merrë “Çmimin e Mbretit”.
Në vitin 1934, shkroi tragjedinë “Pirro”, gjatë kohës së emërimit të tij si Kryeinspektor i Prefekturës së Gjirokastrës, kushtuar Mbretit të Ilirëve e të Mollosëve, synimeve e ambicjeve për ta ruajtur pushtetin, me guxim e trimëri, kundër pabesive, intrigave dhe tradhëtive të brendëshme e të jashtme.
Tragjedia “Skënderbeu” u shkrua në vitin 1935, duke u mbështetur në figurën e heroit tonë kombëtar, si prijës, udhëheqës popullor largpamës, që di edhe të falë, sikundër do të ndodhte me Moisi Golemin e me nipin e tij, Hamza Kastriotin. “Kjo ashtë Tragjedija e Zilisë, – thotë autori. Zilija sjell tragjedinë individuale dhe tragjedinë kombëtare. Siç ashtë kjo e shtjellueme në tragjedinë time, ku nuk tregohet vetëm tragjedia e Skënderbeut, por e krejt popullit Shqiptar.”

Vepra e Plotë e Haxhiademit - Poeteka ë
Vepra e Plotë e Haxhiademit – Poeteka

Tagjedia “Diomedi” u shkrua në vitin 1936, dhe autori e quan “Tragjedia e Dashurisë”, sepse ajo, dashuria “asht e papërballueshme. E shkuemja në rrugë të kundërt sjell at ma të tmerrshmen, sa të vrasi i vëllai të vëllan, si ç’ngjet në tragjedinë t’ime”.
Duke e përfunduar letrën, drejtuar Lasgush Poradecit, Et’hem Haxhiademi zbulon edhe Credon e vet krijuese se, “Tek mue, randsija ma e madhe ashtë te tragjeditë e mia. Dramatika ka gjetë mbarimin tek unë, sikundër ka gjetë lyrika ke ti e novela te Koliqi”. Mirëpo, në truallin e këtyre tragjedive, Haxhiademi nuk është “skllav i antikitetit e i mitologjisë” që e përcillte këtë epokë, së bashku edhe me tragjikët e saj, me subjektet e “mbetura në Olimp” e të rrëfyera, me besnikëri e madhërishëm, me apotheoza perëndishë, në anfiteatrot e lashta, por shtjellon edhe parabolën e trazirave tragjike të kohës së vet, në një zbritje tokësore, me intrigat e komplotet e reja që “ndjell” pushteti i mëvonshëm. Haxhiademi qe “Shekspiri ynë i ndaluar e i harruar, – njëherësh” dhe na duhej që të shihnim një vënie në skenë, sikundër qe Tragjedia “Pirro” në Teatrin profesionist të Gjrokastrës, që të bindeshim se si “terreni” i veprës tragjike që nga koha Ilire, merr substanca të reja, bashkëkohëse. Etja për pushtet, rivaliteti, goditjet pas shpine, hakmarrja, po edhe kurvërimi, si një mjet korruptiv e tinzar, i japin tragjedisë, tingëllimën ndryshe. Regjisori Ilir Lluri i evidenton këto linja në një atmosferë të ndezur, duke e ruajtur paraqitjen e figurshmërisë së spektaklit, në “kornizën klasike”, me personazhet e mbingarkuara dyfish me “ethe” të këtilla shpirtërore, duke mos u larguar edhe nga qasjet e reales, statizmi e veshjet adekuate të epokës. E gjitha e shprehur me retorikën e poezisë, si edhe me monologje të gjata reflektuese, në stilin e veprava të antikitetit e të klasicizmit. Ne shohim kështu një vizion të ri të Pirros, – Mbretit të Ilirisë, më të natyrshëm dhe në një paralele me Ptolemeon që rreket, pas shpine, që t’i rrëmbejë pushtetin, në ato përpjekje e fitore të ligjshme, drejtësie e ndershmërie, të një prijësi guximtar e stoik. Në këtë linjë veprimi e karakteri, edhe aktori Delvis Bejleri, bën përpjekjet e veta të japë një Pirro që e ka përbrenda vetes qetësinë e një luftëtari të sigurt, kundrejt shqetësimeve të tilla të rivalit smirëzi, edhe pse aktrimi i tij mund të ishte ca më i thelluar e dinamik, për vet mbingarkesën që ka e mbart personazhi historik. Në këtë linjë paralele, kundërshtari i tij, Neoptolemi, – i interpretuar nga Myzafer Zilfa, është edhe më konkret e i tensionuar së brendshmi, “me djallëzi” e etje pushteti, duke ruajtur dukjen e rreme. Dhe, midis tyre, një Horat besnik, si ai i “Hamletit” të Shekspirit, – Mirtili i aktorit Kudret Alikaj, – shprehës i njeriut besnik, i ndjeshmërisë dhe i mirësisë së pakursyer, tek i cili mbartet fisniku, së lartmi e së brendshmi. Si edhe një aktrim i mrekullueshëm prej Dori Çaushit në rolin e Kadmes, që paraqet e zbërthen rivalen, me një valë të fortë dashurie për Pirron, po edhe me elegancë e me tundimin e saj joshës, në pamundësi që ta mposhtë pastërtinë e qëndresën morale të prijësit Ilir. Po edhe aktorët e tjerë, si Seljana Dalipaj në rolin e Antigonës, e Aleksandër Kondit në rolin e Belonit, sjellin atmosferë, në këtë shtjellim skenik të gjallëruar të tragjikut tonë të nderuar, që do të kishte fatin ta ndiqte nga salla, me emocione të jashtëzakonshme, i biri i autorit, Emin Haxhiademi, i cili do të shprehte edhe emocionet e atit të ndjerë, për këtë performancë e trupëzim emocional, të veprës së të atit, që rrezatoi kaq mirë edhe në kohën e sotme, 88 vite pasi ai e kishte hedhur në letër veprën e tij, po këtu, në Gjirokastër. Dhe do të tingëllonte shumë më e fuqishme se vepra e Mihal Gramenos, me të njëjtin emër, po me tjetër “shtrat subjekti”, paksa jashtë truallit historik. Teksti i shkruar nga Haxhiademi do të vihej në skenë për herë të parë, vetëm në vitin 1937, nga amatorët elbasanas me një theksim patriotik, natyrisht, jo në nivelin e artistëve profsionistë elbasanas. Flitet se vetë autori i ri, Haxhiademi, një djalë i ri dhe i bukur, interpretonte aty një nga rolet femërore, ngaqë mentaliteti i asaj kohe nuk pranonte edhe daljen e tyre në skenë…
Bashkëkohësi i Et’hem Haxhiademit, prof. Aleksandër Xhuvani, ka thënë se ai “është i pari që ban tragjedira me vlerë e me teknikë”. Shumë vite e dekada më vonë, kur unë do emërohesha Drejtor e Regjisor i Teatrit “Skampa” të këtij qyteti artdashës, as që mund të flitej për një rihabilitim të tij. Ai ishte anatemuar si “Armik” i dënuar me vdekje. Kjo gjë do t’i ndodhte me përmbysjen e diktaturës totalitare, kur aktori Astrit Çerma, po në skenën e Elbasanit, donte të riafirmonte autorin e famshëm, me inskenimin e vitit 1991 të tragjedisë së tij “Abeli”, në një përshtatje me të folurën e sotme, po që mbeti e parealizuar, për arsye subjektive e objektive bashkë. Hija e këtij njeriu të madh qe ende në varrin e tij, por endej akoma si frymë! Kur edhe mbi varrin e Lumo Skëndos, (Mid’hat Frashërit), që ishte edhe njeri nga miqtë e përkrahësitt e tij, do të shkruhej ky epitaf – lapidar: “Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur. Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore, fillon kur mbaron frryma”. Dhe kur, një “dorë vandale”, s’ka fare pak kohë, që kishte shkuar edhe aty, mbi varr, për t’ia prishur e ndotur “banesën e përjetshme”(?!), të tmerruar nga mendimi ndryshe!
Et’hem Haxhiademi ishte një Hero Tragjik e kështu duhet të mbetet e të kujtohet nga brezat e sotëm e të ardhëm. Përmasat e tij, si nacionalist i kulluar, fshehin akoma vlera të pazbuluara, jo vetëm letrare e teatrore, po edhe njerëzore. Ndofta, njëri nga patriotët shqiptarë më me vlerë kombëtare, për nga papërkulshmëria, stoicizmi, dashuria e kontributi intelektual për kombin. Po edhe si një Nderim Qytetar i përhershëm. Nuk është puna, të na i thotë këtë një i huaj, si Robert Elsie e as të vëmë në skenë ndonjë nga vepret e tij tragjike, kur mbetëm duke thënë se “nuk kemi dramaturgji e as teatër!”, po vërtitemi tek të njëjtat “vepra” që rrëfen e jep ekrani i huaj, Telefiksi, po edhe TVSH-ja, të njohura e të panjohura, – nganjëherë duke sajuar edhe “shtampa të mirëfillta!”, tek e kemi edhe ne Shekspirin tonë?! Që jepte e merrte me veprat e tij origjinale e me karakter heroik, gjatë gjithë jetës, të cilat do shtrëngohej t’i hidhte në zjarr nga moskuptimi i rretheve të ngushta shoqërore, konservatore e realiteteve politike të mbrapshta (?!) Dhe, një ditë prej dite, sikundër edhe është shprehur: “E mora të ashtuquajturën veprën time dhe, së pari e ruajta me kujdes midis librave të mia, po ma von u binda në këshillën atnore dhe nji ditë e dogja. Me gjithë këtë, dëshira e ime e jashtëzakonshme për t’u ba dramatik nuk u shue kurrë prej jetës sime…” I papajtueshëm edhe me regjimin anadollak të Ahmet Zogut, i cili e pushon nga puna si shkronjës, në disa prefektura të Shqipërisë, – si një nga të vetmen mundësi që shihte ai, i biri i një patrioti – bashkëudhëtar me Kostandin Kristoforidhin, – që të mbijetonte si njeri, por që do t’i ndodhte edhe më vonë, edhe me lëvizjen komuniste, duke mos e përkrahur atë “që në vezë”! Tragjedia e tij “Abeli” ishte edhe vepra e tij e fundit me heronj nga Historia e Shqipërisë, e shkruar që në vitin 1938, me një përpjekje aktualizuese, në përcjelljen e mesazheve të tij filozofike e patriotike, për drejtësi e aspirata kombëtare, por ai do të ndalohej qysh në këtë periudhë të errët. Jo më kot, në të gjitha tragjeditë e tij u referohet heronjve mitologjikë, hera-herës edhe nga Bibla, për të mbetur si simbole të madhështisë së tyre për vepra të mëdha historike në zhvillimet historike të kombit të tij. E sado e sido që do ishte vendosja e tyre në sfonde të tilla mitologjike, biblike e të vjetëruara në historinë e kombit e të njerëzimi, ato i kanë folur asaj kohe që ai jetonte e që nuk e vlerësoi asnjëherë si personalitet i padiskutueshëm. Kjo rrethanë e afroi atë me Ballin Kombëtar, merr pjesë edhe në Mukje, – gjë që i mbeti atij si një “këngë e bukur!”. Por ai, sikundër e ka lënë edhe me të shkruar: “n’veprat e kalueme do t’mbështetet një komb qi ka vendos gjithmonë të mbetet!”

Et'hem Haxhiademi - Eskili Shqiptar
Et’hem Haxhiademi – Eskili Shqiptar

Arrestohet më 25 janar 1947, në orën 12 të natës, për të mos u kthyer më kurrë në jetën e të gjallëve. Dhe i biri, Emini, që mbante emrin e gjyshit të tij të nderuar, shkruan në revistën “POETIKA”/36 të vitit 2015, me dhimbje të thellë se: “U shkul shpresa e jonë… Ishim dënuar që të gjithë si armiq. Midis nesh edhe Homeri i vogël 6 muajsh… Si ta kuptonim që ne dhe kokat tona ishin të dënuara me vdekje?”. Dhe më 29 dhjetor 1947, Gjykata e Lartë e dënon për “Krime kundër Shtetit” me vdekje e me konsfiksimin e pasurisë. Por këtë Njeri nuk e “thyejnë” dot as muret e burgut. Ai shkruan aty brenda romanin “Jeta e Njeriut” dhe dramën “Koha e Premtueme”. Për ç’kohë vallë e kishte fjalën ky gjeni i fjales e i qëndresës?!
Njëzet vite më parë, trokas në portën e Presidentit të Republikës, i shoqëruar nga njëri prej ambasadorëve të Shqipërisë në Athinë, për të biseduar rreth vlerësimit të këtyre njerëzve të jashtëzakoshëm, me dënime kapitale, heronjëve të vërtetë, që jetuan e vdiqën për Shqipërinë e nuk panë asnjë ditë të bardhë, as ata e as familjet e tyre, për t’i kthyer në shëmbëlltyra morale, për të gjallët, të cilët, – në fund të fundit, – nuk kanë bërë as çerekun e punës, të veprës dhe të jetës me vlerë e të heroizmit (pse jo?), për vendin, popullin tonë e brezat që vijnë? Po Ai, ngriti supet e tha se “nuk kemi akoma një ligj, për vlerësimin e këtyre njerëzve të persekutuar me e pa gjyqe dhe se dekorimi i vetëm i miratuar është ai i “martirit të demokracisë”… Mbetëm shtangur! Pas kësaj “derexheje” duhej sajuar njëfarë “Certifikatë” vlerësimi, si ato të mirësjelljes! Çfarë ironie e papërgjegjegjshme?!
Këtë herë, pas 60 vitesh, para se të “ikja” edhe unë “me të shumtët”, midis qiparisave të fshatit tim, buzë detit, midis Himarës e Sarandës, më ftuan të marr pjesë në ceremoninë përkujtimore të Teatrit “Skampa”, përballë Kalasë së lashtë me këtë emër, po edhe përbri edhe ngrehinës më të lartë të qytetit, asaj të Hotel Turizmit, gjithashtu me të njëjtin emër, si edhe të pashait që vendosi “gurin e parë”, ndërsa për Et’hem Haxhiademin qenë mjaftuar vetëm me një stendë në fuajen e teatrit, që u dogj dikur e u ringrit… Po emri e bëma e këtij Heroi me përmasa kombëtare, kur do ngrihet e të rivihet, të paktën, edhe në fasadën e Teatrit të rindërtuar, po me emrin e lashtë të një kështjelle përsëri(!), e pa një monument a bust të këtij Tragjiku të pa fat, edhe pas vdekjes së tij në burgun e tmerrshëm të Burrelit, që e ngriti vet Mbreti i dikurshëm për armiqtë e vet?!
Marrë nga libri im “Dritëhijet e Skenës dhe Ekranit” v. 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.