back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Shkrimtari i nëmur dhe gjuha Dr. Yzedin Hima Gjuha si strehë, të arratisesh në gjuhë

Gazeta

Yzedin Hima
Dr. Yzedin Hima

Shkrimtari i nëmur dhe gjuha

Dr. Yzedin Hima

Gjuha si strehë1, të arratisesh në gjuhë

 Për shkrimtarin kufizimi i lirisë në diktaturë nuk është një fatalitet, siç mund të ndodhë për njeriun në përgjithësi. Shkrimtari është i vetdijshëm për aftësinë e vet për të krijuar një atdhe tjetër, ose në kuptimin më kozmopolit të konceptit, një botë tjetër, shumë më të denjë se sa atdheu real, apo bota reale ku ai jeton. Shkrimtari në këtë krijim, ose më mirë të themi edhe krijim edhe zbulim njëkohësisht, ka komoditetin të zgjedhë dhe të krijojë sipas shijes së tij. Nëse njeriut normal në diktaturë i duhet të mendojë se si të kalojë kufirin nga një vend i mbyllur, i izoluar midis grykëve të pushkëve të ushtarëve që e ruajnë me fanatizëm kufirin, të kalojë telat me gjemba dhe rrymë elektrike për në botën e lirë, shkrimtari sa të hapësh dhe mbyllësh sytë e kapërcen “kufirin” dhe gjendet në liri. Kjo arratisje nga një botë në një tjetër është privilegj i shkrimtarit. Ai e refuzon atdheun ku liria mungon, ku errësira përshkruhet si prag agimi, ku urrejtja për të ndryshmin shihet si burim energjie për progres, ku varfëria ka fytyrën e pavarësisë, ku ndërhyhet në shkrim e shkrimtari po aq dhunshëm sa në shtratin e lumenjve. Dhe gjen strehim në një “atdhe” tjetër, a botë tjetër, te gjuha. Ky fenomen nuk është i ri.
Danten e dëbuan nga atdheu i tij, qyteti i Firences, por mjeshtri krijoi me gjuhë një atdhe tjetër, shumë më të drejtë dhe më domethënës se atdheu i tij real, krijoi një botë, “Komedinë Hyjnore”. Po kështu ndodhi me Viktor Hygonë e dëbuar nga Parisi dhe Franca. Edhe ai krijoi me gjuhë atdheun poetik, Francën e munguar. I vetmi ndryshim për shkrimtarët shqiptarë qe se ata do të arratiseshin apo do të kërkonin strehim në gjuhë duke qëndruar fizikisht në atdheun e tyre.
U strehua në gjuhë Lasgush Poradeci, i cili, përkthente disa distikë në muaj nga poezia botërore, duke shuar etjen estetike dhe duke shtuar urinë fizike. Në fakt për Lasgush Poradecin më për shtat shkon shprehja u burgos në gjuhë, për të mos u shfaqur më. U arratis në gjuhë Vexhi Buharaja, duke ndjekur në thellësite e shekujve poetë të dimensioneve të mëdha si Firdeusiu, Rumiu, Shiraziu.
Ky fat ndoqi disa shkrimtarë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ata jetonin dy jetë, një jetë prej qytetari të thjeshtë, të përhumbur në hallet e përditshme, në punën për të mbajtur familjen dhe një jetë tjetër, në një atdhe a botë gjuhe, ku koha rridhte ndryshe. Poeti Zef Zorba, për të gjthë qytetarët shkodranë ishte thjesht një llogaritar, që dikur në rininë e hershme kishte qënë në burg dhe tani shihte punën e tij. Në fakt ai kishte krijuar gjatë disa dekadave principatën e tij poetike, ku jetonte estetikisht si një princ. Ndërsa poeti Frederik Rreshpja qe arratisur në gjuhë shumë më herët se sa çasti kur i trokitën te porta dhe fizikisht e prangosën për ta çuar në burg. Për çudi, në atdheun e tij prej gjuhe, nuk lind kurrë dielli. Në të gjitha tekstet e tij poetikë nuk e gjen fjalën diell, ndërsa fjala hënë pothuajse gjendet në çdo tekst. Ndoshta kjo vinte si refuzim i konotacionit të ri që kishte marrë fjala diell. Edhe pas vitit ’90, në postdiktaturë, poeti Frederik Rreshpja e refuzoi atdheun real, nuk u kthye kurrë shpirtërisht në të. I mbeti besnik atdheut a botës prej gjuhe të krijuar që në rininë e tij, deri ditën kur ndërroi jetë.
.
Poeti Visar Zhiti
Poeti Visar Zhiti

Gjuha si mburojë, të rilindësh nëpërmjet gjuhës

Këta shkrimtarë, që gjetën shpëtim te gjuha, qenë shkrimtarë të nëmur që shkruan vepra letrare të nëmura nga shteti totalitar. Ata e përdorën gjuhën si strehë, por edhe si mburojë. Duke përdorur mjetet e begata të gjuhës letrare sidomos simbolet, të cilët gjenerojnë një rrezatim të pakufishëm konotativ2, por edhe analogjinë, metaforën dhe alegorinë, shkrimtarët e nëmur nga diktatura i mbijetuan diktaturës duke shpëtuar edhe tekstet e tyre, por edhe jetën e tyre, ndërsa disa prej tyre falë gjuhës si mburojë shpëtuan tekstet e tyre, por fatalisht nuk mundën të shpëtonin jetët e tyre. Sidoqoftë edhe shkrimtarët, të cilët humbën jetën zgafellave të diktaturës, u rikthyen nëpërmjet gjuhës. Poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka me librat e tyre të botuar tani qendrojnë në rafte librash pranë kolegëve të tyre shkrimtarë, ashtu siç ëndërronin dhe dëshironin kur qenë ende në këtë jetë, me librat e shkruar prej tyre, pranë librave të poetëve dhe shkrimtarëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj.
Për shkrimtarin Mihal Hanxhari askush nuk dinte se ai kishte krijuar tekste letrare që do të zinin me dinjitet një vend të nderuar në letrat shqipe. Pas ikjes së tij nga kjo botë, u zbulua se ai ishte fshehur në gjuhë një jetë të tërë dhe tani po shfaqej befasues. Librat e botuar e bënë të njohur dhe shkaktuan habi tek opinion letrar. Nëse, para se të ndërronte jetë, Mihal Hanxharin e njihnin studentët që shkonin në bibliotekën e universtitetit ku punonte, e njihnin kolegë, fqinjë, miq të tij, pas botimit të teksteve letrarë Mihal Hanxhari u bë i njohur për një opinion të tërë letrar ku lexohet shqip. Ai rilindi nëpërmjet gjuhës, gjithsesi shumë më i famshëm se sa kur ende qe në këtë jetë. Në poezinë e tij “Fjalët” Mihal Hanxhari shkruan:
Në palët e rërës/ Në palët e erës/ Kush e di çfarë fshihet/
Kush e di një mëngjes i fortë/ Do zbulojë një çip çudie…/
… dhe më poshtë:
Të gjitha fjalët e bëra gurë/ Të gjitha fjalët e bëra rërë/
Ah si do të vijnë të gjitha tok/ Do ngjallen fjalët përsëri/
Në këmbë do ngrihen do marrin krahë…/3
I njëjti fenomen ndodhi edhe me Zef Zorbën, i cili iku nga kjo jetë si një nëpunës i thjeshtë dhe u rilind e u kthye nëpërmjet gjuhës si një poet i pazakontë. Jamarbër Marko, poeti i dënuar nga diktatura, që ndërroi jetë para pak kohësh në një moshë ende të re, shkruan:
Unë do të kthehem/ Dhe kur të gjithë të më kenë harruar4…/
Është i vetdijshëm poeti Jamarbër Marko për kthimin nëpërmjet gjuhës, në trajtën e një poezie a të një libri. Madje poeti Frederik Rreshpja qenien në këtë jetë e quan si një robëri pa fund, ku njeriu është i destinuar të jetojë me prangat, (nuk e dimë në duar a në mendje sepse edhe F. Rreshpja nuk i cakton se ku) dhe vetëm vdekja, është lirim nga ato pranga, pra lirim nga robëria për t’u kthyer i rilindur në gjuhë:
E fundit erdhi vdekja dhe m’i hoqi prangat/ Tani, o njeri, je i lirë.5/
Ndodh që rikthimi të jetë jo thjesht prej gjuhe, por prej gjuhe dhe prej misionari, siç shohim në një tekst të poetit të kryqëzuar për shkak të gjuhës (poetike), Visar Zhitit:
…Nëse Krishti/ u lodh i gozhduar/ do ta zëvëndësoj./
Kam aq gjak/ sa të përgjak/ gjithë gozhdët e botës.6/
Ndërsa shkrimtari Pjetër Arbnori shkroi një roman tërë në burg duke i ndryshuar emrat personazheve nga shqiptarë në irlandezë dhe anglezë, duke i zhvendosur ngjarjet nga Shqipëria në Angli, duke e kamufluar tekstin letrar si përkthim letrar në romanin “Brajtoni, një vetëtimë e largët”, një roman thellësisht autobiografik.
Gjuha, kjo mrekulli njerëzore, e lartëson njeriun, e bën atë të pavdekshëm, kur ai di të lexojë mjeshtërisht në gjuhë7. Ajo e mbrojti njeriun dhe e fshehu te vetja për ta rilindur sërish. Në të folmen popullore përdoret një shprehje e goditur: “E fshehu nën gjuhë”, që do të thotë se e ruajti me fanatizëm, e fshehu në vendin më të sigurtë të mundshëm, nën gjuhë. Në fakt rrethanori nën gjuhë ndoshta ka kuptimin e drejtpërdrejtë, pra e fshehu poshtë gjuhës si organ i të folurit, por mund të merret në një konotacion edhe më të gjerë, e fshehu nën gjuhë, pra në thellësi të gjuhës, si mjet komunikimi, ku si mbulesë përdoret një simbol, një metaforë e të tjera mjete të gjuhës së figurshme apo gjuhës së tekstit letrar.
.
Zef Zorba (1920-1993)
Zef Zorba (1920-1993)

1.1 Gjuha si mister

Të gërmosh në gjuhë gjen thesare të paçmuara. Me anë të tyre mund të ndërtosh historinë e një vendi, mund të zbulosh kulturën e tij, sikurse arkeologu që gërmon në tokë dhe në det për të gjetur dëshmi materiale për qytetërime, beteja, mënyra jetëse të shekujve të kaluar. Materia e gjuhës është më e pasur se toka, qoftë ajo edhe e begatë me dëshmi të vjetra qytetërimi si toka helene apo ajo romane. Natyrisht, të gërmosh në gjuhë kërkohen aftësi të mëdha njohëse të gjuhës, gjuhëve, kulturave, qytetërimeve. Nga leximi i “Iliadës” së Homerit, nga përshkrimi i qartë i vendndodhjes gjeografike të qytetit në tekstin e Epit u zbulua qyteti i Trojës nga Hainrih Shliman dhe kolegët e tij arkeologë. Me zbulimin e misterit që fshihej në gjuhë u vërtetua se Epi kishte një kontekst historik, nuk qe thjesht një trillim.
Në ishullin Antiparos, në Greqi gjendet një nga shpellat më të bukura të botës. Ajo u zbulua nga ambasadori francez në Kostandinopojë, markezi de Nouadel në vitin 1673. Kjo shpellë unikale në botë për stalagmitet e saj, në fakt kishte patur një vizitor të parë shumë kohë më parë se të vinte markezi de Nouadel. Ai kishte qënë poeti nga ishulli i Parosit Archilochos, i cili ka jetuar në vitet 728-650 para Krishtit dhe në një nga krijimet e tij e përmend shpellën e famshme. Misteri qe fshehur në gjuhë për shekuj të tërë, derisa një lexues i vëmendshëm si markezi de Nouadel vendosi të zbulojë atë. Mund të sjellim mjaft shembuj të tjerë të mistereve të fshehura në gjuhë, por do ndalemi te njëri. Në librin e Nikolas Geixh (Nikolla Gaxojanis) me titull “Eleni”, në variantin anglisht, gjen një fjali të tillë: “Go with me, zonia.”8 Fjala zonia nuk është fjalë e gjuhës greke, nuk është as fjalë e gjuhës angleze. Autori e shpjegon kuptimin e kësaj fjale po aty: “Eleni pleaded, using a village word meaning “kindswoman.”9
Natyrisht fjala zonjë në gjuhën shqipe ka kuptimin grua fisnike, sikurse me korrektesë e shpjegon edhe autori në gjuhën angleze. Po pse përdorej kjo fjalë dhe disa të tjera nga fondi i fjalorit të shqipes në një fshat homogjen grek? Kjo hap diskutime. Autori pohon se kjo fjalë përdorej në fshatin e tij, Lia, pa thënë se cila ishte origjina e saj, gjë që na bën të besojmë se autori nuk e ka ditur origjinën e kësaj fjale.
Edhe tek tekstet e shkrimtarëve ka mjaft të panjohura të fshehura në gjuhë. Synimi ynë është që nëpërmjet leximit të kësaj gjuhe të zbulojmë dhe hedhim dritë mbi misteret e krijimit në diktaturë nga poetë dhe shkrimtarë të përndjekur nga sistemi totalitar. Censura, autocensura krijonte mjete dhe detaje të gjuhës poetike, të cilat fshihnin brenda formës së rafinuar mesazhin artistik e kuptimor. Po sjellim si shembull disa vargje nga poezia me titull “Ajsberg” e poetit Mihal Hanxhari:
Ajsberg i vetmisë/ Kujtimi yt i bardhë flet me yllin e polit/
Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë/ Peshon peshon më shumë se qielli/
O peshk i vetëm/ ç’kërkon aq shumë në algat e zeza/
Syri yt si lule fushe/…10
Ky tekst , ashtu si ajsbergu, fsheh te vetja misteret e krijimit dhe mistere të tjera të mbulesës së teksteve për t’i ruajtur nga deformimi dhe keqpërdorimi.
.
Poeti Jamarber Marko (1951 - 2010)
Poeti Jamarber Marko (1951 – 2010)

1.2 Gjuha si terror ose militarizimi i gjuhës

Natyrisht, edhe diktatura do ta përdorte gjuhën për synimet e saj, gjithmonë në të kundërtën e përdorimit nga shkrimtari. Gjuha do të thirrej nën armë nga diktatura për të shërbyer në komunikimin me qytetarët dhe sidomos për të goditur armiqtë e saj. Kjo gjuhë ishte e ashpër, e drunjtë, e zhveshur nga figura, “e veshur me rroba ushtari”, krejt ndryshe nga gjuha e shkrimtarëve dhe poetëve të nëmur. Kjo lloj gjuhe do të servirej edhe si material për thurjen e veprave letrare të socrealizmit, metodë e importuar nga Bashkimi Sovjetik së bashku me grurin, kallashnikovët dhe gozhdët. Dhe shkrimtarët e socrealizmit nisën t’i botonin tekstet e tyre, të cilat qenë vazhdim i teksteve të shkruara nëpër muret e ndërtesave publike, nëpër faqe kodrash apo malesh. Gjuha e parrullave qe demonstrim i dhunës me dhe në gjuhën e shkruar: “Sa më e fortë të jetë diktatura e proletariatit, aq më e gjerë do të jetë demokracia proletare” ose “Sa më shumë djersë të derdhim në paqe aq më pak gjak do të derdhim në luftë”. Parrullat kanë qenë një mjet terrori për të gjithë qytetarët normalë të këtij vendi. Në gjuhën e tyre mishërohej natyra e totalitarizmit. Shkrimtari i burgosur nga diktatura për shkak të gjuhës poetike të teksteve të tij Visar Zhiti shkruan se për të gjithë të dënuarit politikë në burgun e Spaçit një torturë e vërtetë e vazhdueshme qe altoparlanti, i cili nuk pushonte kurrë së transmetuari propagandë:
Altoparlanti leh si qen i tërbuar,/ që s’di të zbresë nga taraca.11
Të burgosurit që kishin turnin e natës duhej të flinin, por kjo ishte e pamundur nga terrori i gjuhës që forcohej dhe dilte nga altoparlanti. Nuk mungonin në burgje edhe parrullat, ku flitej për armikun e partisë dhe të popullit dhe vigjilencën e diktaturës së proletariatit dhe partisë si maja e shpatës së klasës punëtore. Këto parrulla qendronin në muret para sheshit të rreshtimit të të burgosurve, duke u kujtuar atyre se ata qenë kurdoherë në vëzhgimin dhe shënjestrën e diktaturës. Terrori i gjuhës arrinte kulmin e tij gjatë dy orëshit të ditës kur lexoheshin veprat e diktatorit dhe të burgosurit politikë detyroheshin të dëgjonin.
Në aktekspertizën, e bërë nga ekspertë të policisë së fshehtë për poezitë e Visar Zhitit, përdoret kjo gjuhë: “…Me këto krijime ai ka dashur të çoroditë lexuesit, të derdhë helm në mendjet dhe në ndjenjat e tyre. Siç u vu re më sipër, në mjaft poezi ai shpreh hapur apo në mënyrë të tërthortë pikëpamje të gabuara politike në pasqyrimin e shtrembëruar të realitetit tonë socialist, duke iu kundërvënë kështu gjithë letërsisë dhe arteve tona që militojnë në ndihmë të Partisë për edukimin e popullit…”12
Kur e lexon këtë tekst vëren se gjuha e përdorur nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga gjuha e parrullave politike të diktaturës. Fjalët çelësa të tekstit janë: krijime, çorodit, derdh, helm, mendjet, ndjenjat, të tërthortë, pikëpamje, të gabuara, politike, e shtrembëruar, realitetin, socialist, i’u kundërvënë, militojnë, partisë, edukimin, popullit. Me këtë gjuhë ekspertize, hartuar nga kolegë shkrimtarë, u kryqëzua poeti Visar Zhiti. Siç edhe mund të shihet kjo gjuhë është e zhveshur nga humanizmi, që e bën të kuptueshëm dhe të afërt me lexuesin një tekst, është e zhveshur nga figura, që e bën të bukur një tekst, është e zhveshur nga pasuria e fjalorit, është e zhveshur nga polisemia, që e bën të qendrueshëm dhe të kuptueshëm në kohë të ndryshme, në koka të ndryshme dhe mjedise të ndryshme një tekst. Është një gjuhë e përdorur nga policia e fshehtë dhe ekspertët e saj për të dënuar krijuesit antikonformistë.
.

Poeti pa varr Trifon Xhagjika
Poeti pa varr Trifon Xhagjika

1.3 T’i vësh fre gjuhës

Është një shprehje që përdoret në të folmen popullore, e cila do të thotë se njeriu duhet të jetë i kujdesshëm në të folur dhe në të shkruar, të artikulojë mendime që nuk dëmtojnë, nuk prekin dinjitetin e tij dhe dinjitetin e të tjerëve. Të jesh i matur në komunikim tregon mençuri dhe kulture, ndaj shprehja e bukur “T’i vësh fre gjuhës” mbart te vetja një përvojë të madhe qytetare të komunikimit dhe bashkëjetesës midis njerëzve. Në diktaturë kjo shprehje mori një konotacion krejt tjetër. Ndalimi i lirisë së shprehjes u vendos me ligj. Neni 72 i kodit penal dënonte deri në 10 vjet burg qytetarët që flisnin, shfaqnin mendimet e tyre për gjendjen ekonomike, gjendjen shoqërore, mungesën e lirive themelore politike dhe qytetare. Shprehja gjuhësore “T’i vësh fre gjuhës” në diktaturë nuk ishte thjesht një shprehje, por një institucion, një doganë në terminalin e gojës së njeriut, para se nga buzët e tij të artikuloheshin mendimet. “T’i vesh fre gjuhës” atëherë do të thoshte që të mos artikuloje asgjë nga ato që mendoje, por të përsërisje si papagall gjuhën e drunjtë të propagandës diktatoriale, ose në rastin më të mire të mos flisje fare duke e zëvëndësuar shprehjen “T’i vësh fre gjuhës” me shprehjen tjetër in extremis “T’i vësh kyçin gojës”. Në një nga tekstet e tij poetik Mihal Hanxhari flet për përgjimin si mënyrë funksioni e shtetit diktatorial dhe kujdesin e individit për të mos folur hapur, ose “kafsho gjuhën” si mënyrë mbijetese në diktaturë:
As sonte s’të them dot çfarë dua/ S’i them dot fjalët që presin në buzë/
Vetëm ti dhe unë në dhomë/ Po diku përgjon një mikrofon…13
Poeti Trifon Xhagjika është shembulli më domethënës i njeriut dhe krijuesit që i shpërfilli të dy shprehjet popullore. Ai as “nuk i vuri fre gjuhës”, as “nuk i vuri kyçin gojës”, kur edhe para gjyqit që e dënoi me vdekje, recitoi:
Vëllezër/ Po e kërkuat Atdheun,/ e kam unë./
Ndihmomëni të qesh/ Ndihmomëni të gëzoj/ Atdheu është lakuriq!14
1Term i përdorur edhe nga studjuesi Agron Tufa në shkrimin: “Strehimi dhe shpëtimi i poetit tek gjuha” – Mbi poezine e Vilson Blloshmit – Shekulli. – Nr. 2826, 18 dhjetor, 2009, f. 19.
2Basri Capriqi- “Simboli dhe rivalët e tij”-Prishtinë-2005.
3Mihal Hanxhari- “Gdhënd një statujë”- 2005- f.79.
4Jamarbër Marko-“Pro nobis”- 2001, poezi pa titull.
5Frederik Rreshpja -“Në vetmi”-1994- f.55.
6Visar Zhiti- “Kujtesa e ajrit”-1993- f. 172.
7Tzvetan Todorov- “Teoria letrare”-2004, f. 138.
8“Eja me mua, zonjë”(anglisht- shqip)- Nicholas Gage-“Eleni”, 1984-faqe 174.
9“U lut Eleni duke përdorur një fjalë të fshatit që ka kuptimin “ grua fisnike”-Po aty.
10Mihal Hanxhari- “Gdhënd një statujë”- 2005- f.79.
11Jamarbër Marko-“Pro nobis”- 2001, poezi pa titull.11Visar Zhiti- “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”-1994-f. 141.
12Visar Zhiti- “Rrugët e ferrit”- Faqe 111.
13Mihal Hanxhari- “Gdhend një statujë”- 2005- f.13.
14Trifon Xhagjika – Poezia – 2002- f.13.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.