back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Shkrimtarët e mëdhenj kanë gjithnjë në qendër të vëmendjes ndryshimin human, të Mirën dhe të Keqen. – Refleksione mbi poemën “Demoni” nga Robert Martiko

Gazeta

Lermontov - Demoni
Lermontov – Demoni

Shkrimtarët e mëdhenj kanë gjithnjë në qendër të vëmendjes

ndryshimin human, të Mirën dhe të Keqen.

Refleksione mbi poemën “Demoni” nga Robert Martiko

Një analizë e përsosur letrare dhe paralele historike
të nënvizuara aq bukur… Një çelës leximi përtej asaj çka tingëllon
aq ëmbël, aq bukur dhe aq magjishëm te “Demoni” i Lermontovit…
Mbasi lexon analiza të kësaj cilësie befas ndjen dëshirën e rileximit
për ta rifreskuar këtë poemë të njohur në mbarë botën,
e cila i ka edhe gjurma të pashlyeshme brenda teje…
jozef radi

Demoni Mihail Vrubel
Demoni – nga Mihail Vrubel

“Demoni”, mbetet me të vërtetë vepër e madhe poetike, ajo u pa si himn lirie e të drejtash humane në Rusi, protestë e guximshme kundër rendit shoqëror të kohës. Për intelektualët, ajo ishte tentativë për të treguar tragjedinë psikologjike të rusit në një epokë të errët. Pas dështimit të revoltës së Dekabristëve, humbën edhe ëndrrat për rrëzimin e një regjimi jo-liberal, duke lënë të paprekur nevojën e një përmbysjeje. Pushteti i Carit u krahasua me atë të Zotit në poemë dhe, si i tillë, ishte mjaft i fortë për t’u rrëzuar nga revolta e Njeriut-Demon.
Demoni është një figurë lirike me kompleksitet shqetësues. Ajo bashkon në vetvete temën filozofike të njohjes me dinamikën psikike të një natyre të dyfishtë të Djallit përmes Luciferit e Satanit. Si Lucifer, ndjen nostalgji të fortë për të kaluarën kur si Kerubin, shkëlqente nga drita pranë Zotit. Ndjen keqardhje që i jep shpresën për të gjetur parajsën e humbur falë dashurisë. Ndërsa si Satan urren, vret, përpiqet të çojë gjërat në mallkim.
Demoni pasqyron mundimet e ankthin e poetit, i tillë që i çon në pjekuri e përsosje të gjitha krijimet letrare. Me një psikologji të torturuar e kontradiktore, Demoni është njëkohësisht viktimë e xhelat. Si viktimë është shprehje maksimale e lirisë. Dhe ngaqë liria kombinohet me egoizëm pa kufi, Demoni zbrazet nga aspekti i tij tërheqës e me kuptim, dhe reduktohet në një gjendje të thjeshtë vetmie pa shpresë. Shtrëngohet të jetojë në një “karantinë shumëvjeçare”, vuan, nuk ka asnjë kënaqësi, ndjen mjaft dhimbje për shterpësinë e “ndërmarrjeve të tij të pafat”. Rebelimi i tij, që bëri Zotin ta hidhte nga qielli në tokë, është krejt i pafuqishëm, nuk çon kurrkund.
Tragjedia e Demonit konsiston se, ndërsa kërkon një dashuri që mund ta çlirojë, ka defektin e pamundësisë për të dashur të tjerët. Do vetëm veten. Për të jetuar me të vërtetë, duhet të bëjë përpjekje për të kundërshtuar lirinë ekstreme që e karakterizon, duke u lidhur me një qenie tjetër. Çlirimi do të ndodhë vetëm nëse tejkalon individualitetin e vet. Përpjekja dështon pasi është një krijesë qiellore që e ndien tokën të huaj, ndërsa nga qielli është përjashtuar. I lodhur nga përjetësia e sundimi, bie për një çast në këmbët e Tamarës, me një dashuri që vlon, shpërthen, vërshon, vret. Dashuria është për Demonin një fuqi fatale në kufi me vdekjen. Ai shkatërron Tamarën që ka një natyrë pafundësisht më të dobët nga ai.

Demoni dhe Shpirti Tamaras - nga Mikhail Vrubel
Demoni dhe Shpirti Tamaras – nga Mikhail Vrubel

Dashuria e Demonit për Tamarën është zëvendësuar nga nevoja e asgjësimit. Fjalët e tij janë përrua frazash narkotike mbushur me shkëlqim me krenari. Tamara përballë tij s’është veçse një qenie e frikësuar, e hipnotizuar, e mbingarkuar me emocione nga tunduesi i saj. Vetëm në një episod vallëzimi shfaqet si person i gjallë. Në rastet e tjera duket se ekziston vetëm në vetëtimën e dëshirës së Demonit. Tamara është një kukull dylli që shkrihet nën zjarrin e dritës së shkurtër të Luciferit, nën flakën e fjalëve të tij që zbehen.
Megjithatë, në një vështrim më kujdesshëm, forca e vërtetë e Tamarës konsiston pikërisht në atë që bëhet shkak për t’i marrë jetën. Është aftësia për të dashur me një pastërti që “i kujton shpirtit të errësirës imazhin e një harmonie të stampuar në shpirtin e saj, që nga krijimi i botës”.
Ngaqë ajo vdes për dashuri, mirëpritet në atë Parajsë që është e paarritshme për Demonin e plotfuqishëm në tokë. “Viktima Tamara”, bartëse e një plotësie ekzistenciale, ndonëse i nënshtrohet, qëndron më lartë nga Demoni. Ndryshimi konsiston se ajo do dhe e jep veten, ndërsa Demoni do dhe vret.

Demoni - Mikhail Lermontov
Demoni – Mikhail Lermontov

Shkrimtarët e mëdhenj kanë gjithnjë në qendër të vëmendjes ndryshimin human, të Mirën dhe të Keqen. Pikërisht Tamara, delikate dhe e brishtë, kurorëzon duke finalizuar mendimin në poemën “Demoni”. Me pastërtinë e saj shpirtërore si ideal primar. Edhe Lermontovi e konsideronte qiellin si institucion të krijuar nga vetë filozofia, (Platoni ishte i pari me “Idetë Qiellore”), për të mundur të përforcohen gjërat që krijojnë kulturë, shoqëri, botë. Rusët nuk u interesuan të zbërthenin këto mesazhe njerëzish të mençur e me talent të rrallë letrar.
Rusët, në vend që të bashkoheshin me këtë plejadë të thellë, e të jashtëzakonshme, shkrimtarësh gjenialë, zgjodhën për të ardhmen e tyre aventurën makabre marksiste, dhe me devotshmëri pranuan kurthin e aventurës komuniste… të cilën jo vetëm e paguan po do të vijojnë në shekuj ta paguajnë shumë shtrenjtë!
I njëjti fenomen ndodhi edhe në Shqipëri. Nuk u vlerësuan përpjekjet e ndershme të individëve dhe intelektualëve, por u lidhën verbërisht me forcat e vdekjes, poshtërimit, varfërimit maksimal shpirtërisht e materialisht, kthimit pas të Kohës, nga ushqimi i helmuar shpirtëror, gjysmëshekullor…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.