back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Shkenca asht provë e virtytit, nuk asht provë e konformizmit! – nga Primo Shllaku

Gazeta

Poeti Primo Shllaku
Poeti Primo Shllaku

Shkenca asht provë e virtytit, 

nuk asht provë e konformizmit!

nga Primo Shllaku

Koshienca e madhe e koinesë gege, e kryedialektit gegë, e letrarishtes gege e gegnishtes letrare asht ma e fortë se 18 vjetët e furrës së Kongresit të Drejtshkrimit, sepse gegnishtja niset prej errësinave të kohës, vjen e ndërton qytetin e madh të librave të katër B-ve (Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit), vjen përmes nji traditet që ka kalu situata edhe mâ të vështira se ajo e periudhës komuniste, dhe prandaj ne e kemi kaq të lehtë, e prandaj kjo asht kaq dëshpruese për ithtarët e së kundërtës. Ata nuk e kuptojnë se gegnishtja bashkë me tosknishten kanë kalu nëpër Skilën dhe Karibdën e 500 vjetëve të Perandorisë Osmane, e cila ka mbajtë nji qendrim negativ ndaj shqipes.
Dhe papritmas regjimi komunist mban të njajtin qendrim negativ ndaj gegnishtes, në një kohë kur gegnishtja ishte çerdhja e madhe me vezët e mëdha dhe zogjtë e mëdhej e shqipet e mëdha të nji produkti letrar të pashoq në gjithë arealin shqiptar. Sepse shqipja veriore, përveç Zef Jubanit dhe Pashko Vasës, kolosët e vet i ka pasë vendali, kanë ndejt këtu ata, nuk kanë qenë emigranta. Kuptohet se kanë zhvillu nji sistem rranjësor dhe kanë thith vlagën e madhe të gjuhës popullore, e cila në të gjitha rastet asht burimi i energjisë dhe i forcës shprehëse gjuhësore.
Fishta i lutej provincialit të fretënve “Mos më transferoni!”, në kohën kur ishte në Hot, sepse ishte tue bâ veprën e vet, sepse vepra e tij ka lindë aty ku flitet për përmbajtjen e asaj vepret. Vepra e Fishtës asht e para vepër aktuale, e para herë kur shqiptarët e aktualizojnë historinë, për herë të parë në nji vepër rilindase nuk flitet për Motin e Madh, për Skënderbeun, por flitet për varre të freskëta, plagë që kullojnë, për flamur të grisun, të nji ngjarjeje që kishte pak ditë që kishte ndodhë.

Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit
Pamje nga salla ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit

Në mënyrë figurative, Fishta asht ndoshta i pari reporter i kronikës shqiptare në letërsi. Pra, kemi nji letërsi të freskët, prandaj ajo letërsi ngjiti. Vetëm fenomenologjitë e prumjeve të gegnishtes po t’i përmendim, shofim se e gjithë letërsia shqipe “ka dalë mbi ujë” me ngjyrën e gegnishtes, mjafton t’i rreshtojmë: romani i parë, kthesa e parë policentrike me Migjenin, mrekullia e Ndre Mjedës, që e ktheu shqipen si nji gjuhë operash. Dhe papritmas na vjen një Androkli Kostallari, inkompetent (e kam fjalën në formimin e tij, ai ishte specialist në morfologji, fjalëformim dhe një specialist i tillë nuk ka tagër të vendosë në çështje e probleme që i takojnë sociolinguistikës) që merr përsipër formimin e gjuhës së përbashkët. I vetmi njeri që mund ta merrte përsipër një detyrë të tillë, për gjuhën e përbashkët, jo për kët’ që na kanë lanë, ishte Eqrem Çabej. Por Çabej u tërhoq, nuk deshti me e marrë përsipër atë punë.
Fatkeqësia e madhe e jona asht se ne jemi popull mitologjik, edhe në atë kohë thuhej se Çabej nuk ka dashtë, se nuk ka qenë dakord. Jo, jo, kanë qenë dakord të gjithë. Mund ta kishte lanë me shkrim, ta shifshim të gjithë që ai s’ka qenë për këtë gjuhë të përbashkët. Nuk amnistoj asnji njeri. Asht bâ nji padrejtësi e madhe prej të gjithëve, pamvarësisht se ça kanë mendu në thellësi. Na kemi nevojë për aktin. Shkencëtari duhet të jetë trim, nuk ka shkencëtar frikacak. Shkenca asht provë e virtytit, nuk asht provë e konformizmit.

Marre nga Muri i FB Primo Shllaku, 8 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.