back to top
20.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Manastiri i Shën-Naumit, gjatë viteve ‘40

Gazeta

 

Manastiri i Shën Naumit - 3 gusht 2023 (j.r)
Manastiri i Shën Naumit – 3 gusht 2023 (j.r)

Manastiri i Shën-Naumit, gjatë viteve ‘40

Jeta Kristiane, Viti i V-të, prill 1944

Disa muej para zombifikimit komunist të Shqipnis’, në gjysmën e parë të 1944-s ushtrija bullgare i okupon viset e Prespës dhe të Ohrit. Me këtë rast, Manastiri i Shën Naumit, që prej 1941-s ishte bâ qendër e dioqezës së Strugës, Caridvorit dhe Prespës nën autoritetin kishtar shqiptar, humb përfundimisht. Ky âsht reagimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ku bâhen bashkë argumente juridike, fetare e historike kundër cedimit të këtij manastiri:
Kur më 1941, pas evenimenteve të gjithë-ditura në Balkan, Manastiri i Hirëshmë i Shën-Naumit i u-kthye Atdheut t’onë dhe Kishës s’onë Orthodhokse Autoqefale, gëzimi, jo vetëm i popullësis së Qarkut, popullësi thjesht shqiptare, por edhe i gjith Shqiptarëvet pa dallim feje, qe shum i math. Edhe me të drejtë. Sepse me këtë mënyrë plotësohej një e drejt’ e jonë politike dhe tradicionale. Politike, pse në të gjitha konferencat e Fuqive të mëdha, si p. sh. Traktati i Firencës më 1913, Konferenca e Ambasadorevet më 1922, Gjyqi ndërkombëtar i Hagës, Vendimi i 31 Dhjetorit 1924, që u-muarrnë me caktimin e kufive nërmjet Shqipëris dhe fqinjvet e sajë, Manastiri i Sh. Naumit ish njohur si manastir shqiptar, i cili duhej të përfshihej brënda kufive të Shqipëris! Por edhe tradicionale, pse që prej kohës së themelimit të tij, ky Manastir ka qenë lidhur shpirtërisht me vëndin t’onë. Themi me vëndin t’onë, se katundet e rrethit, këtej Malit ku ësht ndërtuar Manastiri, si Lubanishti, Tushemishti, Peshkopia, Starova, Poradesi, e.t.j. janë të gjitha po thuaj thjesht shqiptare; se kontributin më të math për çvillimin e tij, sa herë q e ka lypur nevoja, pasi manastiri ësht prishur shumë herë, e kanë ofruar po njerëzit t’anë—gjer më sot bile përmenden konakët e Korçarëve, të Voskopojarëve, të Starovarëvet të ndërtuarë me ndihmën e tyre; se piktorë shqiptarë qenë dhe ata q’ i kanë dhënë Kishës ato afreska të bukura, thjesht bizantine, q’ e stolisin edhe sot, pa përmendur kujdesin e math që kanë treguar për këtë manastir Voskopojarët (1656-1765) gjat kohës që Voskopoja ishte në kulmin e lavdis së saj.
Për arësyet e sipërme pra, okupimi i Manastirit në fjalë nga ushtërija bulgare u shkaktoj bashkatdhetarvet t’anë një habitje të hidhur që nuk pajtohet me relatat miqësore që kemi pasur gjithmonë me popullin bullgar dhe sidomos kur u-muar vesh se shtypi bullgar e cilëson manastirin në fjalë si një monument kombëtar, ndërsa nuk eksiston asnjë dokument që të provonj se Shën-Naumi ka qënë prej kombësije bullgare. Neve jemi té bindur se dhe Kisha motër Bullgare do té kontribuonj për rivëndosjen e drejtësisë në këtë pikë duke i u-kthyer Manastiri Shqipërisë dhe Kishës s’onë Autoqefale.
Jeta Kristiane, Viti i V-të, prill, 1944, fq. 51

Marrë nga muri i Fb Col Mehmeti, 9 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.