back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

“Shenjtënia e Juej: Mirësevini në trojet tona arbënore!” Prof. Sami Repishti

Gazeta

Papa Françesku:  Mirësevini në trojet tona arbënore
Papa Françesku – Mirësevini në trojet tona arbënore!

“Shenjtënia e Juej: Mirësevini në trojet tona arbënore!”

nga Prof. Sami Repishti

Sot, kam kënaqësinë që, si shqiptar mysliman, më jepet rasti me përshëndetë ardhjen e Atit të Shenjtë, Papa Françesku, në trojet tona arbënore:
Shenjtënia e juej: Mirësevini në Shqipërinë tonë, atdheu i të gjithë shqiptarëve!
Shqiptarët kudo që janë,  pa dallime konfesionale, ju presin me mirënjohje për gjestin tuej fisnik, dhe me shpresën se vizita e juej do të forcojë besimin e tyne për nji të ardhme ma të mirë.
Vizita e juej konsakron randësine e së kaluemes sonë tejet tragjike, fisnikërinë e frymës sonë vllaznore ndërfetare, përkrahjen e Selisë së Shenjtë për klerin e besimtarët katolikë shqiptarë – shembuj të shkëlqyeshëm të kushtimit tyne për fe e atdhe – dhe përpjekjet tona të përbashkëta me ndërtue: “Nji Shqipëri me Zotin, dhe për njeriun!”.

Prof. Sami Repishti
Prof. Sami Repishti

Lidhjet e vendit tonë me qytetnimin “christianitas” të Europës janë të vjetra; ata gjallojnë që në vitet e para të evangjelizimit me shenjtët Pal dhe Andre. Ashtu si tregojnë etnit e herëshëm të Kishës, me gjakun e martirëve ilirianë u hodh “fara” e krishtënimit në Ilirinë e moçme, Shqipëria e sotme. Kjo “farë” dha frytet e saj në Shqipëri, dhe i dha Kishës Katolike Apostolike Romane “katër Papë me zanafillë shqiptarë”, – simbas gazetës “L’Osservatore Romano” – nji kontribut që na ban të gjithëve, dhe me të drejtë, me qenë krenare:
Papa Shën Eleutheri (175-189 AD); Papa Kajus (283-296 AD); Papa Gjoni IV (640-642 AD); Papa Klementi XI (1700-1721 AD) i cili, përkrah shërbimeve pastorale dhe forcimit e unifikimit të Kishës së Romës, u kujdesue shumë edhe për atdheun e të parëve të tij, Shqipërine tonë. Kuvendi I Kombëtar Shqiptar, i njohun si Kuvendi i Arbërit (1703), i nxitun prej tij, u ba pikënisja e nji lëvizje të pandërpreme të “shqiptarizimit” të funksioneve dhe kuadrove kishtare, dhe fuqi mbështetëse e zgjimit tonë kombëtar shqiptar.
Gjate shekullit XV, u shkrue epopeja madhështore e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, përpjekjet e të cilit me mbrojtë Shqipërinë e Kishën Katolike i dhanë atij titullin “athleta Christi” dhe “mbrojtës i Krishtenimit”.
Gjate 25  vjetëve të luftës së pandërpreme, rezistenca e shqiptarëve – në nji kohë kur nuk ekzistonte “shteti”, por “Kisha” – ka qenë e organizueme dhe e mbështetun fuqimisht nga hierarkia e Kishës Katolike në Shqipëri. Simbas Imzot Fan S. Nolit, organizimi kishtar në ipeshkëvi e famulli zëvendsoi atë shtetnor të prefekturave dhe komuneve, dhe drejtohej nga klerikë katolikë, të kryesuem nga Ipeshkvi Pal Engjëlli, i Durrësit.
Në ato kohë të vështira, Selia e Shenjtë ka qenë mbrojtësja ma konsekuente e luftës së shqiptarëve për pavarësi, në përleshje me ushtritë invaduese të Perandorisë Otomane.
Të larguem nga qendrat urbane, popullsia katolike e strehueme në krepat e malësive tona, atje “ku pula han gur”, ruejti pavarësinë e vet, të vendit e të fesë, për pesë shekuj me rradhë, përherë besnikë të Selisë së Shenjtë. Kjo lidhje e ngushtë shumëshekullore tregoi fortësinë e saj veçanërisht gjatë dekadave fatale të terrorit komunist në Shqipëri, që nuk njohu as deshi të njohë të kaluemen e vendit tonë. Sot, e lodhun, e me kujtesën e diteve të vështira, popullsia katolike shqiptare, “Lleshrat e Markrat” e Veriut që i shpëtuen masakrës komuniste, gjetën forcën e mjaftueshme me u ringjallë, me u organizue, dhe me lulëzue si asnjiherë ma parë. Fatmirësisht, me 25 prill 1993, me vizitën e Atit të Shenjtë Gjon Pali II në Shqipëri, u rimëkamb hierarkia e Kishës Katolike. Me 19 shtator 2003, u lumnue krenaria e jonë, Nana Terezë – që shpresojmë të shenjtënohet nga Kisha! – u naltësue në pozitën e Princit të Kishës i shumëvuejtuni Mikel Kardinal Koliqi, – tue lanë vendin të hapët për nji kardinal të ri shqiptar! – u plotësue procesi dioqezian i kanonizimit të katërdhetë martirëve të vramë egërsisht nga rregjimi i terrorit komunist, “dëshmitarë guximtarë të kambënguljes me mbrojtë fenë!”.

Dyzet Martirët e Kishës
Dyzet Martirët e Kishës

Kisha Katolike Shqiptare mbijetoi, u ngrit dhe u rrit çdo ditë. Sot, ky Lazarus i shekullit tonë na gëzon të gjithëve! Sot, Kisha Katolike në Shqipëri, e ringjallun, nuk asht vetëm nji “mësuese e fesë”, nuk asht vetëm “nji forcë shëruese”, por në fjalët e Atit të Shenjtë ajo asht: “…nji spital fushor mbas betejës që e rrezikoi për 45 vjet me rradhë!”.
Shenjtënia e juej plotëson sot dëshirën me vizitue Shqipërinë, “…me vërtetue mbështetjen për Kishën shqiptare, dhe njikohësisht me dëshmue inkurajimin dhe dashuninë për nji vend që ka vuejtë aq shumë dhe gjatë nga pasojat e ideologjive të hueja!” Këto vuejtje të mirënjohuna nga Selia e Shenjtë, janë baza e mendimit dhe veprimit tonë.
Për 45 vjet të gjata dhe të mundimshme me rradhë, shqiptarët u detyruen me u gjunjëzue si nji grigjë e friksueme nga prania e ujkut të kuq; ata u detyruen me u bindë ndaj udhëheqësve të egjër dhe të imponuem kundra vullnetit të popullit – me përjashtim të legjioneve të privilegjueme të shqiptarëve të rebeluem, që gjetën guximin e duhun me i thanë JO! kërcënimeve, arrestimeve, burgimeve, torturës, -ah! Po, torturës anti-njerëzore! – dhe ekzekutimeve jashtëligjore. Mijra heroj të heshtun, stoikë para vështirësive, përdoren ekzistencën e tyne të lirë – e vetmja armë e mbetun! – aktin e mbijetesës kundër përbindshit mishngranës komunist. Ruejtja e ekzistencës së lirë në nji botë jo të lirë u tregue si shprehja ma e naltë, dhe ma e plotë e lirisë së individit, forma ma efektive e rebelimit kundra shtypjes!
Në fjalën përshëndetse për shqiptarët gjatë vizitës së tyne në Vatikan, me 28 prill 1968, pesëqind vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Papa Pali VI u shpreh kështu: “Bijte fort të dashtun shqiptarë…! në qoftë se historia ju ka pa të shtypun e të shpërndamë, mirësia e Zotit ka premtue që ju, me të gjithë përfaqsuesët e ‘gjakut tuej të shprishur’ (Papa e tha shqip këtë frazë!) me veprimtarinë e gjallë që keni në shpirt, dhe me njohuni të fitueme, jeni ba urë miqsish e bashkëpunimi, dhe në këtë mënyrë, jeni ba paraardhesit e ekumenizmit modern”. Dhe shtoi: “Selia Apostolike gëzohet që ban pjesë me miqtë e vjetër të Atdheut tuej, mbasi e numëron veten njeni nga ata që kurrë nuk u dolën fjalët”. “…Paraardhës të ekumenizmit modern”: përcaktim i lavdishëm i fisit tonë arbënor!
Na, shqiptarët e shumëvuejtun, nuk harrojmë mesazhet shpresëdhanëse të  Papës Shenjtor, Gjon Pali i II, nga brigjet perëndimore të Adriatikut i drejtohej Shqipërisë: ”Sot, nuk mund të mos e hjedh vështrimin tim përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasunohet nga dashunia e martirëve të saj, ipeshkëvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë!”.

Papa Gjon Pali i II - Tirane 25.pril '93
Papa Gjon Pali i II – Tirane 25  prill ’93

Në aeroportin Rinas, Tiranë, ai puthi betonin e pistës ajrore në shenjë respekti të thellë për këtë tokë të martirizueme; dhe ndoshta pa dijeninë e faktit se nën atë beton të ftohët pushojshin, të palosun njeni pranë tjetrit, eshtnat e shumë të burgosuneve politikë, bashkëvuejtës myslimanë, orthodoksë, e katolikë që vdiqën në kampet e punës çfarosëse të komunizmit në Shqipëri…!
Nji gjest kuptimplotë e thellsisht humanitar!
Aty, ai deklaroi: “Ty, o popull fisnik shqiptar, të drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashtun. I dimë të gjitha ngjarjet e trishtueshme që të asht dashtë me përballue, veçanerisht në 25 vjetët e fundit (1967-1992 s.r), vite të nji mundimi të vërtetë, pasojat e të cilit koha me vështirësi do të arrijë t’i fshijë, dhe që Europa dhe e gjithë bota, nuk duhet t’i harrojnë… (Dhe) jemi gëzue që mund të ndajmë me ty, vend i dashtun, i paisun me traditë kulturore e shpirtnore, gëzimin për lirinë e fitueme… Vizita e ime dëshiron të jetë nji nxitje… në respektimin e të gjithëve dhe tue ndjekë gjurmët që për ju janë të njohuna, atë të bashkëjetesës paqësore, të bashkëpunimit të hapun, dhe mirëkuptimit ndërmjet elementeve të ndryshëm etnikë, kulturorë dhe shpirtnorë!”.
Tragjeditë e Greqisë Antike na mësojnë se urtia ka burimin në vuejtje. Zoti i Madh e din sa vuejtje ka pësue Shqipëria… vuejtje e përsëri vuejtje! E kuptojmë që këto vuejtje duhet t’i kthejmë në mësime, në fitore, dhe kjo asht rruga që duhet të ndjekim. E kuptojmë që duhet të përbuzim urrejtjen e hakmarrjen (që diktatura e kuqe e ushqeu me metoda “shkencore”!) Akoma sot, 23 vjet mbas shembjes së komunizmit në Shqipëri, viktimet e pafajshme pyesin: “Çfarë të keqe i kemi ba Nanës Shqipëri? E kemi dashtë me shpirt, dhe me  zemër të ngrohtë!” Kjo tregohet sot, kur në mendjet e zemrat tona kërkojmë që vuejtjen ta kthejmë në fitore të njerzimit dhe vendosmëninë të ndjekim këtë rrugë për qetësimin tonë shpirtnor! Mbështetja e jonë shekullore në nji “nacionalizëm” rudimentar nuk na përgatiti me ballafaque sfidat e botës moderne. Sot, nuk jemi naivë! Sot, jemi të paisun me dituni, sidomos me njohuni mbi arritjet e Botës së Perëndimit; sot kemi hapë dyert e vendit tonë të mbyllun hermetikisht për afër 50 vjet, me synimin e caktuem: me pa ma mirë, me ndigjue ma mirë, me mendue ma mirë, e me projektue ma mirë të ardhmen tonë në Europë. Europa asht shtëpia e jonë! Me nji qëndrim të këtillë, gjendja e jonë në Shqipëri do të përmirësohet, e vllaznit e motrat shqiptare do të mësohen me dashtë njeni tjetrin e jo me urrye. Kështu,  Shqipëria e don të ardhmen e fëmijve të saj pa u konsumue nga urrejtja për kundërshtarët…!

Holokausti i Foshnjave - Tepelenë (skica Lek Pervizi)
Holokausti i Foshnjave – Tepelenë (skica Lek Pervizi)

Nji shembull të shkëlqyeshëm na japin  ish të përndjekunit politikë, viktima të diktaturës së proletariatit. Që nga viti 1991, ata përpiqen me pengue kthimin e përsëritjen e përvojës komuniste. Sot, kjo përpjekje duhet të jetë misioni i të gjithë shqiptarëve.“Pa falje, nuk ka dashuni të vërtetë!” (Nana Tereza)
Fisnikëria e skajshme e viktimave të pa faj e të pa mbrojtje të komunizmit në Shqipëri, asht shprehë me madhështi shpirtnore nga  viktima e dallueme, bashkëvuejtesi im poet, Arshi Pipa. Ai shkruen: “…Në burg kam njohë egoizmin e egër që arrin të urojë vdekjen e shokut për t’i vjedhë bukën, të frikës së marrë shtazore që errëson jo vetëm sytë, po deri edhe ndjenjat… Unë nuk u mbaj mëri atyne që më kanë ba të vuej, madje i falenderoj, dhe sinqerisht. Ka të drejtë të mallkojë ai që shtypet nga ajo. Por, ai që i mund, do të duhej ta bekojë. Ndërsa njena degjeneron në vuejtje, tjetra ripërtrihet. Poshtë ajo çon te krimi. Nalt, te hyjnia!”
E kuptojnë  xhelatët komunistë këtë gjuhë sublime?
Nji përbuzje e këtillë e urrejtjes dhe hakmarrjes, gjest fisnik i ish të persekutuareve, këputi zinxhirin e hakmarrjeve të ndërsjella që njeh mirë historia e vendit tonë. Ish regjimi komunist në Shqipëri nuk mund të quhet nji aksident i hidhun historik; ai ka nji kontekst, në kohë e në hapësinë, që e spjegon – megjithëse asgja nuk justifikon praninë e “murtajës së kuqe” në atdheun tonë!
Ajo që bajmë na sot si popull shqiptar asht ndërtimi i nji konteksti që i përshtatet natyrës dhe interesave të popullit tonë. Pa – izma; pa eufori! Ky qëndrim ndërtues u shpreh me elokuencë nga Argjipeshkëvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, kur shkruen: “…Eshtë ëndrra e femijëve tanë që merr tingull, është shpresa e tyre për një botë më të mirë që do të kumbojë duke zgjuar në qeniet tona me ritmet e saj, vetëdijen e një dhurate të humbur, por që përsëri do të na bëhet dhuratë. E ky tingull është sfide, sfidë që vjen prej atyne, në duert e të cilëve, duhet të dorëzojmë të ardhmen!” Dhuratë: nji Shqipëri shpirtnisht të qetësueme!

Bulevardi... i Martirëve të Fesë
Bulevardi… i Martirëve të Fesë

Shenjtënia e juej:
Akoma pa vue kambë në tokën tonë të përgjakun randë, na vjen mesazhi i juej inkurajues nga Seuli i Koresë në lidhje me tolerancën fetare në Shqipëri:  “Po shkoj në Shqipëri i  shtyem nga dy  motive: i pari, sepse kanë tregue pjekuninë me formue nji qeverisje – mos harroni jemi ne Ballkan! – kanë tregue nji pjekuni me formue nji Qeveri të bashkimit kombëtar me myslimanë, orthodoksë e katolikë dhe me nji Këshillë Ndërfetarë që ndihmon shumë, dhe që asht i balancuem. Kjo asht e mirë, dhe e harmonishme. Prania e Papës synon  me  deklarue për të gjithë se për popujt e botës asht e mundun me punue së bashku. E ndjeva këtë nevojë me ndihmue atë popull fisnik…
Ka edhe diçka tjetër! Kur mendojmë për historinë e Shqipërisë, e pamë nga aspekti fetar: Shqipëria ka qenë i vetmi vend i ‘botës komuniste’ që ka  sanksionue me Kushtetutë ateizmin në praktikë…! Kështu e ndjeva… e duhet të shkoj. Asht afër, vetëm nji ditë!”
Mesazhi i juej u ndigjue nga qindra miliona në botën mbarë dhe ka rritë shumë kapitalin moral të atdheut tonë. Pozita e juej e privilegjueme, dhe respekti i madh që gëzon emni i juej në botën tonë të tronditun, ngjallin shpresa për të gjithë ne shqiptarët, pa dallim, pa përjashtim, se në Selinë e Shenjtë kemi nji za të fortë, dhe nji dorë të sigurt që na kupton, na çmon, e na ndihmon. Ashtu si na ndihmoi Papa Benedikti XV, në vitet 1919-1920. Mbas takimit historik me Imzot Luigj Bumçin, kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris; ku Papa instruktoi Nuncin Apostolik në ëashington D.C., të ndërhyjë pranë Departmentit të Shtetit me kërkesë të përkrahej Delegacioni Shqiptar ne Paris. Ndërhymja  hapi dyert “e mbylluna” të diplomacisë europiane për takime me shqiptarët.
Mik i mirë, në ditë të veshtirë!

Papa Françesku - Filateli
Papa Françesku – Filateli

Shenjtënia e juej!
Po, Shqipëria asht afër. Ejani, shikoni, gëzohuni për faltoret e shumta multi-konfesionale që i shërbejnë nji popullsi të etun për shërbime shpirtnore. Ejani në trojet tona arbënore, në Shqipëri dhe në Kosovë (që ju pret me padurim!), dy shtete me shumicë myslimane, dhe shikoni “…paraardhësit e ekumenizmit modern!” që festojnë lavdinë e të krishtenit Skënderbeu, Heroi Kombëtarë për të gjithë; shikoni se si katedrale, monumente, institute e bulevarde mbajne emnin e murgeshës së krishtenë, Nanë Tereza; shikoni sa shumë festime fetare kremtohen së bashku në nji atmosfere vllaznimi..
Në New York City, me 2 nandor 1997, në “Saint Patrick Cathedral” u mbajt Mesha Solemne në përkujtim të Nanës Tereza, organizue nga famullitari Dom Pjetër Popaj, i Kishes Katolike “Zoja e Shkodrës” (Hartsdale,N.Y.) Pjesmarrësit ishin nga të tri konfesionet tona. Në mes tyne, Imam Isa Hoxha, i Xhamisë së Brooklyn-it, i cili tha nji lutje për këtë murgeshë katolike, – nji ngjarje e papame ndonji herë. Tenori shqiptar, Bashkim Paçuku, recitoi hymnin “Ave Maria” të Schubert-it. Qindra besimtarë të huej shikojshin me kurreshtje këtë skenë të lavdishme dhe shpërthyen në duertrokitje të gjata.  Unë e quejta: Madhështore!  Asht ky “ekumenizem shqiptar” që njihet e çmohet, që nuk lejoi antisemitizmin në trojet tona, e që shpëtoi jetët e të gjithë hebrejeve, vendas dhe të huej, strehue në vendin tonë gjatë L2B.
Fenomen unik në mbarë botën tonë të trazueme! Shembull i shkëlqyeshëm bashkëjetese e tolerance fetare – e “…mos harroni se jemi në Ballkan!”, jo larg Srebrenicës, varrezë e qytetnimit perëndimor…!

Papa Françesku në Shqipëri
Papa Françesku në Shqipëri

Shenjtënia e juej!
Ejani! Bekoni atdheun tonë mijavjeçar shqiptar! Lutuni për ne, për të gjithë shqiptarët kudo që banojnë, për lirinë dhe dinjitetin e tyne shpesh të nëpërkambun, për paqen e pajtimin e tyne shpesh të damtueme nga luftat e pushtimet, dhe për vllaznimin tonë në frymën e tolerancës fetare.
Ati i Shenjtë!
Mirë-se-vini në trojet tona arbënore!
Ridgefield, CT. USA.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.