back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 15 Prill, 2024

Rrëfim për fëmijën tim… Adriana Dine

Gazeta

Adriana Dine - Tiranë 2007
Adriana Dine – Tiranë 2007

Rrëfim për fëmijën tim…

nga Adriana Dine

…që e keqja mbi fëmijët të mos përsëritet kurrë!!

Nuk është në natyrën time të ankohem, kështu shumë gjëra që të ndodhin në jetë, fillimisht është mirë t’i përballosh vetë për të parë ku je, sa vlen dhe si mund të dalësh prej atyre rrethanave të vështira ku ndodhesh, por njëherësh, është mëse e drejtë që më pas të reflektosh qetësisht, po edhe të flasësh e të shprehesh për to! Sigurisht, i çveshur nga pasionet, nga dhimbjet e pësuara o nga dëshira për të dëshmuar ndonjë heroizëm…
Ata që nuk e kanë përjetuar atë lloj diktature nëpër të cilën ka kaluar jeta e shumë prej nesh, as mund t’i imagjinojnë vështirsitë, frikën, terrorin, as traumat e pësuara dhe dramat e vuajtura nga qindra e mijra njerëz të pafajshëm që ende sot, edhe ata, ashtu si unë i ndrydhin në heshtje brenda vetes, të vërtetat e dhimbshme të kohës së tyre.
Terrori psikollogjik është i rëndë për gjithë njerzit, po ai është veçanërisht i rëndë për krijesat më të pafajshme siç ishim ne fëmijët e asaj kohe po edhe fëmijët tanë… sepse veç faktit që ti s’arrin ta kuptosh pse ajo dhunë ushtrohej ndaj teje, më e tmerrshmja ishte, se ti duhej ta pranoje dhe t’i nënshtroheshe asaj pa e kuptuar, ta pranoje sepse jeta jote s’kishte asnjë shteg tjetër veç nënshtrimit… Kështu ti duhej të jetoje, të rriteshe, ta njihje atë botë të deformuar nën presionin e diktaturës dhe veglave të saj të verbërta, dhe t’i luteshe Zotit pa pushim që tehu i asaj lufte klasash, asaj shpate të përbindshme, të mos sillte arrestimin e prindërve të tu, të vëllezërve të tu, të burrit tënd, të fëmijëve të tu, dhe duke shkuar më tej me lutje: te të afërmit e tu, te miqtë e tu, te komshinjtë e tu… dhe te çdo njeri i vendosur padrejtësisht në kahun e “Armiqve të Popullit”.

Dine Dine me Ervisin 4 ditë para arrestimit
Dine Dine me Ervisin 4 ditë para arrestimit
Diktatura komuniste që mbretëronte hijerëndë “nën idealet e Partisë” nuk kishte limit në terrorin e saj ndaj “armiqve”. Sigurisht, çmimin më të madh e paguan prindërit tanë, por kjo nuk na la as ne fëmijëve të tyre, pa e provuar tmerrin, dhe më e keqja është se mbrriti dhe vazhdoi pa mëshirë edhe mbi fëmijët tanë!!!

Fëmijët, gjithë fëmijët e kësaj bote, lindin të pafajshëm! Por jo në diktaturë!! Ata janë vazhdim i fajit të prindërve “Se gjarpëri pjell gjarpër!!”
I vetmi faj i joni, dhe i fëmijve tanë ishte se kishim ardhur në këtë jetë, në një botë që s’ishte aspak mikpritëse! Heqjet tona nuk mjaftuan, u desh që ato të rëndonin edhe mbi fëmijët tanë. Sot dua të tregoj diçka nga eksperienca ime, nga vuajtjet dhe dëshpërimi im i pakufi jo për fatin tim, po për traumën që pësoi dhe vuajti në heshtje im bir, Ervisi pas rënien në burg të burrit, Dines.

Ervisi, lindi me 1 gusht të 1979, dhe na solli gëzim, shumë gëzim në familje, mbas vështirsive që patëm me fëmijën e parë. Por, ky gëzim nuk qe jetëgjatë, mbasi me 6 gusht të 1980, burrin tim Dinen (nip i Fiqiri Dines) e arrestuan dhe më pas edhe e dënuan me dhjetë vjet burg, për “…agjitacion e propagandë…” Pra, vetëm 5 ditë mbasi Ervisi kish mbushur vitin, dhe dy javë mbasi unë kisha mbushur 21 vitet, mbeta e vetme me djalin dhe vjehrrën, Sulltanën, jeta e së cilës ishte një tragjedi më vete.

Nëntë muaj mbas burgosjes së djalit Dines, ajo nënë e dhimbshme dhe stoike vdiq nga vuajtjet dhe trishtimi I thellë që i shkaktoi burgosja e djalit të vetëm. Duke përsëritur në një vazhdimësi të pafundme frazën: “Mjera unë, s’do ta shoh ma djalin! Mjera unë për fatin tim!” një mëngjes ajo dha shpirt në duart e mia me fjalët “mjera nanë”…
U trondita shumë… Isha ende fëmijë! Ajo ishte e para vdekje që shihja… Kështu, atë ditë e pashë veten: me fëmijë në krahë… me vjehrrë të vdekun… me burrë në burg… dhe me të afërm larg! Ajo grua fisnike që për mua kish qenë një shtyllë ku mund të mbështetesha, e të gjeja kurajo për të vazhduar përpara… s’ishtë më! Vdekja e saj më bëri të ndjehem fëmijë i mbetur mes rrugëve, e pa mbështetjen e askujt.
Me fatkeqsinë e burgut të djalit të saj dhe burrit tim mbi shpinë, u përpoqëm t’i japim kurajo njëra tjetrës, por s’qe e thënë… Tani më duhej t’i hyja atij realiteti të ashpër dhe plot peripeci, duke e përballuar gjithçka vetëm.
Ajo vetmi e fillimit më tmerroi.
Mbi mua nisi të rëndojë një përgjegjësi e madhe familjare… Më duhej të punoja përditë: të rrisja djalin, të mbaja burrin në burg, ta mbaja shtëpinë hapur. Fillimisht, djalin e vogël pa mbushur ende dy vjeç e çova te prindët e mi në Savër, e çdo fundjavë shkoja atje me biçikletën e komshisë, që përpiqeshin gjithsesi të më gjindeshin në dramën e fatit tim. Kishte raste që më pushtonte nji gjendje ankthi për djalin dhe e merrja rrugën edhe në mesjavë (dhjetë kilometra vajtje dhe po aq ardhje) dhe kthehesha të nesërmen herët që të mbrrija në kohë për punë.
Gjithkush, mund të ketë nga diktatura historitë e veta të terrorit dhe tmerrit… po për mua, ndarja me fëmijën tim të vogël ka qenë një tmerr i vërtetë, ashtu siç ka qenë edhe për atë krijesë të pafajshme. Edhe tani që e mendoj, që e kujtoj dhe po e përshkruaj atë ndarje… dridhem e gjitha dhe më rrjedhin lotët çurg…
Vërtet, për djalin u kujdesën dhe e rritën prindët e mi, të cilët sigurisht e mbanin edhe më mirë se mund ta mbaja unë, por ajo dhimbja ime e nënës, ai trishtimi i atyre ndarjeve tona të përjavshme për vite e vite, akoma ka peshë në zemrën time dhe nuk besoj se mund të harrohet asnjëherë. Ishte një lidhje e fortë midis nesh, pse kishim ndarë bashkë, ashtu pa e kuptuar shumë gjëra! Unë isha 21 vjeçe pa burrë, ai ishte 1 vjeç pa babë! Ai ishte fëmijë i vogël, unë ndoshta një fëmijë i madh… Jetonim dy breza në kampe interrnimi pa e ditur asnjëri psenë! Ai fëmijë, ishte gjithçka për mua, sigurisht edhe unë isha gjithçka për atë. Prandaj s’mund ta harroj çastin kur vinte koha e ndarjes! Im atë më përcillte me Ervisin përdore dhe kur ndaheshim, ai qante gjithë kohës pa zë, thjesht vetëm i rridhnin lotët rrëke nëpër faqe, ashtu në heshtje. As më ndiqte mbrapa kur merrja rrugën e ikjes, as bërtiste, as fliste… Asgjë! Vetëm heshtëte… dhe im atë duke ia parë ata lotë nëpër faqe, i thoshte: “Po bërtit more qen, qaj me të madhe, se s’mundem me t’i pa ato lotë njashtu të heshtun!!!”
Ma vonë, mbaj mend babën që më tha: “Ai fëmi më duket se mban krejt të keqen mbrenda, dhe s’do me ia pa askush!”

Oh, si ma coptonte zemrën ai vogëlushi im!!!

Po kushedi sa fëmijë si ai e kanë fshehur në heshtje dhimbjen për prindët e tyre të degdisur burgjeve të diktaturës… E ndërsa shkruaj, i kam menduar të gjithë ata, vuaj për të gjithë ata, dhe betohem se nuk kanë qenë të paktë…

Gjithë rruga ime e kthimit për Gjazë, më shkonte duke qarë jo veç fatin tim, po edhe atë të atij fëmije që përlotesh në heshtje kur më përcillte…

Sa herë merrja rrugët e gjata të burgjeve, për të takuar Dinen, mundohesha çdo herë ta merrja edhe Ervisin me vete, me mendimin që sadopak ta shifte, ta njifte e të fliste me të jatin, ose së paku t’i mbetej figura e tij në sy e në mendje.
.
Ervis Dine 1981
Ervis Dine 1981
Ato 15 minuta deri në nji orë sa zgjaste takimi, me praninë e frikshme të policit të burgut, në një dhomë-birucë, të vogël, të zbrazët, të shëmtuar ashtu e ndarë me hekura, me lloza, me sportele dhe me parulla në mes… mjaft që ai ta shihte babën e vet, unë e konsideroja diçka fort të rëndsishme.
Gjatë ecejaket drejt burgjeve të tmerrshme të Spaçit, Qafë-Barit dhe Zejmenit, do të kujtoj një ngjarje që më ka mbetë në mendje sot e kësaj dite…
Ishim në Spaç… Ervisi duke dashur t’i hidhej në qafë të jatit, me duart e vogla u kap mbas hekurave dhe po mundohej ta kapërcente atë sportelin e ngushtë me hekura. Dinia më kish bërë me dije se polici i shërbimit të asaj dite, ishte nga më të egrit dhe më të pashpirtët e burgut. Edhe ai polic i zellshëm, me pamje vërtet prej egërsire, duke e parë përpëlitjen e atij fëmije, u prek nga ajo skenë e dhimbshme, dhe e lejoi Ervisin të kalonte matanë hekurave dhe ta përqafonte të jatin!!
Mbaj mend se aty rrotull dukej edhe ndonjë i burgosur, që e shihte me admirim atë fëmijë, sepse sigurisht mendonte fëmijët e tij…

Një tjetër episod i dhimbshëm, më ndodhi kur shkoja në Zejmen të Lezhës… Niseshim gjithnji herët me trenin e parë. Asaj here isha I shoqëruar me babën. Të dy kishim nga dy trasta me ushqime, të mbledhura ashtu grimca grimca nga kursimet e disa muajve, prej “racioneve” të famshme të viteve ’80. Zbritëm në Milot. Rruga nga stacioni I trenit deri në burgun e Zejmenit, ishte rreth 6 kilometra e gjatë dhe bëhej vetëm në këmbë!! Krahas trastave të ushqimeve, kishim edhe Ervisin katër-pesë vjeçar që herë mbas here na duhej ta mbanim në krahë… Kështu nga 6 kilometra, rruga sikur na bëhej 60 kilometra. Mbas nji cope rruge, baba i moshuar, si duket u lodh me Ervisin në krahë dhe trastat në dorë dhe gjeti një kallam në rrugë dhe i thotë…
-Hajde Ervis tashti, se ta gjeta kalin! Hypi shpejt këtij kalit dhe na kallzo rrugën, e ne vijmë mbas teje. Jepi ti se edhe pak mbrritëm…!
I entuziazmuar prej atij kallami-kalë, që ai e fuste midis këmbëve nisej me të shpejtë, po mbas njëqind hapash ai lodhej dhe ankohej. Baba i rraskapitun prej trastave e inkurajonte sërish e sërish… derisa mbrritëm te burgu.
Çlirimi prej trastave me ushqime, ishte nji shpëtim që s’harrohet lehtë… Sigurisht askush nuk i mban mend ato gratë që i kanë “bredhur” krejt burgjet shqiptare të komunizmit me trasta dhe fëmijët në krahë…
I tregova këto peripeci të vuajtjes, sepse atëherë më dukej sikur djali im i ndjente dhe i vuante dhimbjet tona. I vuante edhe ai ashtu pa e ditur dhe kushedi si i ndrynte brenda vetes…
Vite më vonë, Ervisi hyri në shkollë, dhe mbasi kreu klasën e parë në Savër, u kthye ta vazhdonte shkollën e Gjazës dhe më pas atë të Ngurrzës. Njiherë ai shkroi një hartim në klasë, në të cilin si në formë përralle, tregoi për një fëmijë të cilin mësuesit e rrihnin pse babai i tij ishte burgosur dhe dënuar si “Armik i Populli”. Këtë ngjarje unë s’e kisha ditur, pse ai asnjëherë s’kish patur guxim ta rrëfente. Kohë më vonë, kur e mora vesh këtë gjë e pyeta: “Po pse Ervis, s’ja ke treguar mamit kët gjë??”, dhe ai më tha: “Po jo o Mà, nuk desha ta tregoj se kisha frikë se ti shkoje dhe ziheshe me ata mësuesit, dhe të fusin edhe ty ne burg! Mirë babin… po pa ty, si të bëja unë pastaj!?!”
Ervisi dhe Zona Bajraktari 1985
Ervisi dhe Zona Bajraktari 1985
Kjo ishte një tjetër e vërtetë e fëmijës tim që më dhemb shumë…
Prandaj e mora mundimin, dhe guximin t’i shkruaj këto pak rreshta sepse siç thotë Roussou: “Njeriu ka lindur i lirë, por kudo ai jeton ndër pranga!”
Edhe ne kemi lindur të pafajshëm, por mbajtëm prangat e nji terrori të përbindshëm, të një sistemi që ndau dhe shkatërroi qindra familje, që vuri birin kundër babës, nënën kundër djalit, vëllanë kundra vëllait, gruan kundra burrit, me nji fjalë gjithçka në funksion të survejimit, të spiunimit, të shpifjes, të gjithçkaje të keqe…

Janë të shumta nënat, gratë, motrat dhe vajzat që kanë hequr të njejtat vuajtje, disa shumë e shumë herë më keq se rrëfeva unë. Prandaj unë mendoj se këto histori duhen treguar, jo për t’i ngjallur keqardhje ndokujt, po për t’i dëshmuar krimet që u përhapën si njolla vaji në krejt shoqërinë shqiptare…
Shqipëria ende sot e kësaj dite s’e ka dënuar as sistemin komunist, dhe as veglat më të zellshme të atij sistemi… që tejkaluan edhe ligjet e asaj kohe… Pse nuk është dënuar krimi komunist, pse nuk janë respektuar asnji nga vlerat morale dhe intelektuale, ky vend vazhdon të qeveriset prej atyre që kanë qenë pjesë e këtyre krimeve…
Unë tregova vetëm të vërtetën e vogël të fëmijës tim… po janë me mijra e mijra fëmijët që kanë përjetuar tmerre edhe më të mëdha, trauma edhe më të dhimbshme… e ndoshta shpirti i tyre kurrë s’do të gjejë atë normalitetin që duhej të gëzonte një fëmijë… I shkrova si nënë… po shkrova edhe si grua…
Populli hebre pati një holokaust që e di gjithë bota… Sot e kësaj dite kanë kaluar më shumë se 80 vjet, dhe ata vazhdojnë të botojnë libra, të shkruajnë artikuj, të kenë site, të shfaqin dokumentarë dhe filma të panumërt, thua se e gjithë kjo ka ndodhur dje. E bëjnë me kokfortësi kët gjë, dhe të vendosur që ato krime monstruoze që ndodhën, të mos përsëriten kurrë më ndaj tyre…
Nuk ka asnji arsye pse ne shqiptarët të mos flasim dhe të mos i rrëfejmë krimet e ushtruara ndaj nesh dhe dëshiroj ta mbyll kët shkrim ashtu siç thotë Edmond Burke: “Ata që nuk e njohin mirë historinë e tyre, janë të dënuar që ajo t’u përsëritet!”
New Jork, 14 gusht 2013


Related Images:

More articles

7 KOMENTET

  1. Adriana Dine
    Ju falenderoj të gjithëve ju që e keni lexuar dhe keni bërë komente për tregimin tim. Dy zonjave të mësipërme desha t’ju them thjesht se nuk kam dashur as të ofendoj e të poshtëroj mësuesit në përgjithësi, por në një ngjarje specifike ka qenë një mësuese e tillë, e cila ka emër dhe mbiemër. Nuk e di nëse zonjat e mësipërme mund ta kuptojnë sadopak tmerrin që kemi kaluar ne, ku i vetmi krim, ishte ardhja jonë në këtë botë nga prindër të dënuar. Në ato pak tregime të rrëfyera kam përshkruar disa momente tejet të dhimbshme të jetës sime, po asnjëherë nuk ka qënë synimi të ofendoj o të poshtëroj ndokënd, përkundrazi edhe në atë skëterrë ku na kishte hedhur fati, kam gjetur plot njerëz, bashkëvuajtës dhe vendas të mrekullueshëm, që me gjithë frikën dhe terrorin e asaj kohe na kanë ndihmuar dhe mbajtur afer. Djali im ka pasur edhe mësues të tjerë që e kanë trajtuar si fëmijë dhe e kanë vlërësuar pa asnjë ndryshim nga të tjerët. Ai edhe sot e mban mend dhe e kujton me shumë respekt një mësues si Josif Davidhi, i cili i ka lënë përshtypjen e një edukatori të vërtetë, por më e rëndësishmja është se krahas mësuesve fanatikë ishin edhe ata që na trajtonin si njerëz pa dallim se kush ishim dhe pse ishim aty në kampet e interrnimit.
    Marre nga muri i Fb, 16 korrik 2017

  2. Më ke prekur shumë më këtë shkrim, sepse mjafton një ngacmim dhe plaga hapet…
    U riktheva në ato vite të tmerrshme, ku unë kam provuar internimin nga Tirana në moshën 17 vjeçare. Moshë kur njeriu ëndërron, por ato na e vranë ëndrrën… Askush deri më sot nuk ka kërkuar të falur dhe plaga përsëri është e hapur. Ne ishim të fortë dhe mbijetuam, ndoshta atë që nuk na lanë ta bëjmë ne se na i mbyllën të gjitha shtigjet e jetës do ta bëjnë fëmijët tanë. E kështu do të rikthehemi aty ku ishin gjyshërit e stëgjyshërit tanë.
    Përshëndetje nga Imelda mbesë e Kolajve.

  3. Ju falenderoj të gjithëve për komentet…
    Gjithashtu dua të shtoj se në atë skëterrë, ku kalova pata pranë shumë njerëz që më deshën dhe m’u gjendën pranë për ta kapërcyer atë periudhë të vështirë të jetës sime, midis tyre ishte familja ime, familja Dine që s’më lanë asnjëherë vetëm… Janë miqtë e mi të zemrës Sokoli me Valin që familjarisht mbeten për mua shumë të çmuar, dhe ishte biçikleta e Sokolit që më çonte e më binte sa herë shkoja në Savër…

  4. Jeni me të vërtetë për tu admiruar, sepse me gjithe vuajtjet qe keni kaluar, gjeni kurajon dhe forcën shpirtërore brenda vetes qe t’na rrefeni ate të vertetë të hidhur, por të paharrushme..
    Përmes ketij shkrimi u ktheva shumë vite mbrapa, në ato kohrat e fëmijrisë sime, ku edhe unë si shumë fëmijë të tjerë jam ndjerë si Ervisi… Në ato vite kuptova dhe ndjeva sa fjalë e dhimbshme ishte… Burgu i Spaçit… Cdo gjë të keqe që bënë edhe mund t’ua falësh, por dhimbja e shkaktuar në shpirtin e një fëmije të pafajshëm nuk u falet kurrë…
    Ju përgëzoj që keni forcë dhe tregoni të vërtetën e atyre viteve, që s’duhet të harrohen…

  5. Shumë ndjenjë, dhembje, aspak urrejtje, por drejtësi në kujtimet e kësaj zonje kaq të kulturuar.
    Respekt për këtë brez të persekutuarish që vuajtën padrejtësisht atë që s’e meritonin!

    • Më vjen shumë keq për vujtjet që keni kaluar, bashkë me ju edhe “ne” kemi qenë pjesë e vuajtjes tuaj dhe i vuajmë edhe sot pasojat e dhimbjes suaj… Më goditën shumë rreshtat e fundit të shkrimit tënd: “Ata që nuk e njohin mirë historinë e tyre, janë të dënuar që ajo t’u përsëritet!”
      Kisha shumë dëshirë e dashur… Adriana që dikush të ma tregonte historinë e Mamës… në mënyrë që traumat e shkaktuara me dashje apo pa dashje të mos përsëriten më… n.q.s kjo mund të jetë terapia e vërtetë… Do të isha shumë mirënjohëse në mënyrë që fëmijët tanë mos të vuajnë padrejtesisht duke paguar gabimet e të tjerëve pa i pasë faj askujt…
      Përqafime nga Linda…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.