back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Qytete hijesh – nga André Aciman – shqipëroi Hortensia Haxhiademi

Gazeta

Rrëfime mbi New Yorkun - ku është marrë tregimi në fjalë
Poemat e New Yorkut

Qytete hijesh

– tregim nga André Aciman

Shqipëroi Hortensia Haxhiademi

Mbasi mbarova leximin e këtij tregimi të gjatë, m’u duk sikur atë e kisha shkrue vetë, o sikur diçka më qe vjedhë prej letrave të mia, o prej mendimeve të mia. Kisha qenë aq i përpimë krejt prej përshkrimit të nji qyteti, apo ma mirë me thanë të nji lagjeje ku ne tashma jetojmë, jashtë nji konteksti gjeografik a gjuhësor, nji vendi që kërkojmë t’ia përgjasojmë kujtimeve apo imazheve të mbetuna, prej vendeve kah ikim, në vendet ku për njimijë arsye ne mbetemi si pengje… dhe ja ashtu si pa u ndje kemi konsumue krejt nji jetë si nji rrahje qepalle, apo si nji përgjumje mbasditeje… Nuk e di cilat mund të jenë fjalët e falenderimit për Hortensia Haxhiademin, ma së pari për kët përzgjedhje të këtij tregimi aq domethanës që ta len ndër duer shpirtin e emigrantit (sot gjysma e jona janë të tillë), a për përkthimin e realizuem me aq mjeshtëri, duke i ba edhe nji sfidë vetes në përdorimin e gegnishtes, apo at shpirtin e saj që e ka trupëzue aq bukur në krejt gjuhën e këtij tregimi…

Nji përgëzim të pakufi edhe për shënimin e saj përcjellës ku mes të tjerash shkruen: “Nji mik si ti, mbasi ta këtë lexuar, duhet ta kuptojë pse e dua mjaft kët tregim. Ndoshta pse ka t’bajë me humbje dhe mall, me thyemjen e përthyemjen e çdo gjáje – që sado e mirë, asnjiherë s’ngjitet as bahet krejt e plotë… Për ata si ne, që edhe mërgimin e kangët e tij ia patën të vona!… Por unë ama, e di, dhe e shof paksa ma ndryshe – Ne, paskëshim lindë të gjithë, me u përpjekë me jetue bukur, po pa prehje – diku midis kohnave dhe dëshirave…”
Pjesa tjetër e shënimeve, i përket lexuesit, atij që merr kurajon me i dalë në fund këtij tregimi të mrekullueshëm, e që në fund të fundit, asht nji hymn i merituem për qytetin e New York-ut, po edhe për krejt qytetet e kësaj bote…
jozef radi, 2 nëntor, 2017
.
Shkrimtari André Aciman
Shkrimtari André Aciman
“Desha çdo gja, të ngelej e njëjtë.
Sepse kjo ndjenjë gjithashtu është tipike e njerëzve
që kanë hupë gjithçka, përfshi rranjët…
e mundsinë, a zotsinë me lshu të tjera...
Ata – mund të jenë: shëtitsa, hapërda, nomadë, shkulë!…
por, në gjinjen e tyne që s’gjindet ma askund…
ata janë stacionarët ma t’përkyem…!!
Krejt si ajo statuja e stilit Art Neuveau,
e asaj që më dukej si nji nymfë e mbështetme Greke
– hupë n’mendime t’veta; e bukur syranë…
sikur me dashtë me e shpërfillë gjithë përreth saj…
Nji shpërfillje krejt e qetë e e pafaj… si kangë e hershme,
e përnjimendtë pa asnji kuptim nj’atje –
sikur gati lutesh me u pështue nga gjithë ajo shëmti…”
André Aciman
.


Dimri ne Manhatann - New York
Dimri ne Manhatann – New York (foto a.p.)

Qytete hijesh

– Tregim nga André Aciman

Në nji mëngjes të vonë pranvere, gati dy vjetë të shkueme, tuj hecë në Broadway, paprit vërejta diçka pat ndodhë në Straus Park,
Parku i vogël, që gjindet ku Broadway kryqëzon West End Avenue në West 106-th Street, po rrethohesh me gardh.
Grupe puntorësh, veshë me ato kostumet njicope t’ndritshme portokallí, drejtonin lloj lloj makinerish; e pranë çka dukej si toilet portativ, ishte nji gjenerator i madh. Straus Park po shpërbahej, po shkatrrohesh!!
Jo se Straus Park ishte ndonji mrekulli e madhe. Stolat e drunjtë qenë t’vjetër e t’kalbët, e përherë mbulu tanë glasa. Duheshe me u mendu mirë para se me u ulë, e kur uleshe s’rrihesh gjatë. Nji nga ato vendet e preferueme të lypsave, pijanecëve e të droguemve. Prej vjetve, kalldrëmi qe kthy në kët terren valë-valë, tanë gropa e gunga, ma shumë i thyem, me gurë t’shkulun e t’arnuem pa shije me zift a çimento; e tanë vjetërsina mbulue me nji gri t’errët, t’ftoftë e të pistë. E ma s’fundmi, baseni i etún i çka kish qenë njihere e njikohë çesme e bukur, i ngjante tashma nji legeni të zbrazët e të trishtë… Ndryshe nga çesmet e Romës, kjo këtu, sikurse parku që e mbante, dukesh po aq e vorfën, e mbarueme – asnji bulëz uji. Rubineti ishte mbyllë dekada të shkueme.
Straus Park ishte nji nga ata dhjetra parqe të vogla të pista, që as bien má n’sy në Lower East Side; harru në nji të shkueme që s’qe e moçme mjaft – me ia falë e madje nderue cenet, a me i ndi magjinë. Krejt si ajo statuja e stilit Art Neuveau, e asaj që m’dukshe si nji nymfë e mbështetme Greke – hupë n’mendime t’veta; e bukur syranë… sikur me dashtë me shpërfillë gjithë përreth saj… Nji shpërfillje krejt e qetë dhe e pafaj… kjo kangë e hershme, e përnjimend pa asnji kuptim atje. Sikur gati lutesh me u pshtue nga gjithë ajo shëmti që e quente veten Park! Në fakt, statuja as ishte aty atë mëngjes, me siguri e kishin shitë.
Çka desha ma fort në at vend t’shëmtut, ishte zhdukë…
.
Hortensia Haxhiademi, Central Park, Manhattan
Hortensia Haxhiademi, Central Park, Manhattan (foto a.p.)
Ashtu sikurse t’jera gjana s’gjinen ma sot pranë Straus Park: Olympia Deli, the Blue Rose, Ideal Restaurant, Mr. Kay’s Barbershop, the Pomander Bookshop, the Siam Spice Rack, Chelsea Two… edhe teatri i vjetër Olimpia, i veçuem e i harruem, siç janë gjithë teatrat n’ditë t’sotme; dyqani i vogël piktoresk i luleve, që u modernizu për turp!
Pse duhet me e ça kryet?! E pse pikërisht unë – i huej n’vend t’huej? E prapë, kisha mbrritë këtu nga Aleksandria, i huej – tuj ba çfarë t’huejt bajnë, me ngut e pa peng: me gjetë atdhenë përtej atdheut, me n’gjasú gjanat e ktushme me ato t’mallshmet… me e shkrujtë t’sotmen sikur kurrë me e harrue e lshue t’djeshmen e t’dashmen. Sikur, desha me shpëtue, gjána…, me i goditë, sikur – po me i goditë këtu ku isha, mund t’i shpëtoja edhe atje.
Sot prapë u kujtova se diçka po i vidhesh qytetit, e për rrjedhojë – mua. Ja, që edhe kur si iki unë vendeve, vendet ikin prej meje. Desha, çdo gja të mbetesh pa prekë.
Sepse kjo ndjenje gjithashtu, ásht tipike e njerëzve që kanë hupë gjithçka, përfshi rranjët… e mundsinë, a zotsinë me lshu të tjera… Ata, mund t’jenë: shëtitsa, t’larguem, hapërda, nomadë, shkulë! …por, në gjinjen e tyne që s’gjindet ma askund… ata, janë stacionarët ma t’përkyem! Asht pikërisht mungesa e rranjës, që s’të len me u tundë – i frikesh e tutesh çdo ndryshimi, dhe je gati me ndërtue e ngritë – mbi gjithçka! sesa me kuptue veten e truallin… Mërgimtari, s’ásht veç dikushi që ka humbë vatanin, asht dikush që s’gjen dot tjeter, s’kërkon a mendon tjetër. Disa syresh as e dinë ma ç’domethanë: me përkitë, ç’domethanë at’dhe. Ata, e rishpikin vetvedin e vatanin vetëm me at pak çka gjetën, sikurse njerëzit jetojnë dashninë me ç’ka ka mbetë nga çdo herë… Mërgimtarët shpesh, e sjellin kurbetin në trastë, pse e jetojnë me kokfortsi ngado mbrrijnë.
Ndaj i ndruhem ndryshimit, ndryshimit të emnave të dyqaneve, sikurse ndryshimit të gjethit të stinës… Jo se e due dimrin ma fort se pranverën, jo. Por si tanë të huejt që janë vendosë këtu, e që e ndijnë që ora ne hapi i tyne s’do bahet asnjiherë krejt nji me të këtij qyteti… Si me qenë gjithnji do minuta para a ca minuta prapa sahatit t’Botës. Çdo ndryshim, m’kujton që jam arnue sadopak ters në botën ku kam mbrritë… Më përmend gjanë që i frikem ma fort: që kambët s’i kam kurrë krejt t’forta n’tokë, madje ne truelli nën mue asht po aq i lkundshëm e i dobët. Më kujton, që arna s’u qep krejt bukur. Në hupjen e gjanave të vogla, unë lexoj shenjat e ç’rranjosjes sime – t’përkohshmen time. Mërgimtari e lexon ndryshimin me t’njajtat sy që lexon kohën, kujtesat, veten, dashninë, frikën, magjinë e s’bukrës – në Çelsin e Humbjes.
.
Fontana dei Quattro Fiumi, - Piazza Navona, Rome
Fontana dei Quattro Fiumi, – Piazza Navona, Rome

U kujtova që n’ditë vere shumë vite të shkueme, kur baja studimet për disertacionin, unë i vidhesha kajherë rradhëve t’zymta plot libra në Columbia, thjesht me shëtitë ndër rreze dielli nëpër 106-th Street, a me gjetë nji stol n’hijë të vetmueme, larg të dehunve; veç tuj ndejtë ulë, tuj mbarue nji sanduiç a pizzë. Kajherë i kam folë e buzqeshë këtyne grave t’moshueme ulë, jo në stolat e parkut, por n’ata përreth e përgjatë, ulë me ngè si me qenë e shtunë mbasdite në Verdi Square & 72-nd Street; e mbase, ishin msue me u ulë njikshu në ditë t’hershme t’ngrofta me fllad vere, në Central Europe, e si ende ulen në ato “mock-England” vende që Francezët i quejnë: “petits square”, ku njerzit llafosin ndërkohë që fmija luen. Disa prej ktyne zonjave, flitshin me thekse t’ngjyrave të veta. I përfytyroja shpijat e tyne, tanë dantella e shamiçka, lugë e pirunj argjendi t’hershëm – veshë Austro-Hungareze çdo gja, deri te gramafoni i motçëm, kujtimet bardh’e zi nëpër mure, shishet elegante tradicionale “de rigueur schnapps and slivovitz”, të likerit e konjakut mbas xhamash..

M’sillnin n’mendje pamje të New York-ut të ’50-ve, kur bahej muzg má herët se n’ditë të sotme. Kur tanë vishnin ato pallto të gjata, pse dimnat qenë má t’ashpër athere; e kur Upper West Side qe mbushë me t’ardhun që përpara lufte, e mandej ndejtën, e ndërtuen jetët e veta, të vogla e t’rrëmujta, tuj e kthye kët lagje në nji “Frankfurt – am – Maine “ – Frankfurtin e tyne larg atdheut… “Frankfurt-on-the-Hudson” siç thuesh me t’qeshme.
Por s’qe ama emën i pavend, për nji qytet që sot në Gjermani e quen vedin “Mainhattan” – që ásht sigurisht për ironi t’fatit, i huej tashmë për ta… tash që imiton Manhattan-in vetë… Ndërkohë, Manhattan i tyne i adoptuem, imiton Frankfurtin. Eh…
E ja pra, ku u puqa me Frau Danziger, me nji tattoo m’krah. 80 vjeçari Kurt Appelbaum që kish qenë pianist n’ditë t’veta, qe ulë po në nji stol aty pranë; u bamë miq n’ata stola druní. Nji mbramje, pa ia kërkue asfare, zuni të lujë Waldstein & the Rhapsody in Blue për mue. Por “mos m’inçizo!” – më tha, mbase ngaqë dëshironte ta bája megjithatë. E tani që m’u kujtue, pse mos e pata ruejtë at’ pjesë, tuj ndigjue ashtu ulun në nji karrige t’shtrembtë, që ai më tha ia pat falun Hannah Arendt, t’cilës ia kish falë nji koleg Gjerman ke New School, që dhe ai kish vdekë gjithashtu.
Ky qe viti që u njofta me: Busch Quartet’s 1930-s të Beethoven, e sikur i pashë të katërt njashtu tuj lujtë nëpër ato Old World dhoma ndenjeje, pranë Straus Park. E tuj ia mbyllë sytë ditës lehtë, i pata sjellë e vendosë si athere në kët park, aq t’gjallë sa, edhe stolat e drunjtë, e statuja, e pallatet e dyqanet përbri, u banë do burra të gjatë, shtangun magji prej tingujsh t’Beethovenit, lujtë tanë shpirt nga nji grup njerzish t’hikun prej “Hitler’s Reich…!”
.
Isidor & Ida Straus memorial - (Upper West Side, Manhattan)
Isidor & Ida Straus memorial – (Upper West Side, Manhattan)
Ndaj shkoja çdo mesditë, për statujën mâ tepër; sepse ajo – ishte krejt si unë, dënue me u çlodhë përjetë, në kët… stacion ndërmjetës, që quhej Straus Park. Ajo m’kujtonte njato statuja, dikush i gjen kahdo në Romë, e që t’shfaqen befas platformash në muzg…
S’asht e lehtë me shpjegue vetminë, kur e gjen papritmas në nji ishull t’vockël, mu n’mes të Broadway, mes zhurmës çjerrëse të traffikut të mesditës. Ç’ka kërkoja, e ja ku e pata gjetë krejt papritmas, ishte diçka që m’kujtonte nji mall e qeti ujnash – e kjo ásht e taná metaforë… Se kjo këtu qé, nji “gurgullimë e thatë”, por krejt njashtu qe liqeni e paqa e shpirtit tim – Nji ky vend ku njerëzit pa asnji arsye… ndalin pak midis rrugtimeve për diku tjetër…
Straus Park, dukesh se qe krijue pikërisht për kët, për sodí t’thella, por edhe me ndërtue… diçka… të dyja njisoj, me i buzqeshë t’kaluemes, por edhe më gjetë paksa vetveten – si me gjetë epiqendrën, e gjithçkaje… Me t’vërtetë, qe diçka si qendër e mishnueme n’at Park. Ai qe vërtet aty ku Broadway e West End Avenue kryqzohesh, e parku qe kthy në nji gati si nyjë në West 106-th Street, e të qet në Riverside Park nga njana anë, e n’Central Park m’anën tjetër.
Straus Park, s’qe në asnjanën udhë, por mù midis të t’katrave… E befas, pa e ditë ende pse, u ndjeva n’paqe, në nji vend t’hershëm që e njoh kahera… Qeshë në t’vetmin vend të mallit tem, që si përkdhelë i kish t’katra adresat…
Këtu mund t’vidhesh, e t’ulesh, e ta lesh mendjen t’përhumbë, në katër drejtime, në ato udhët e dhimbta e t’dashme t’vetat: -> Broadway – që në më t’magjishmen e vet, ka kët… ajër t’pakapë si t’Europës së Veriut, -> West End – asht padyshim Londineze, -> 107-th, krejt e qetë, krejt e ngushtë, mshefun në nji qoshe, m’kujtonte mashtrueshëm njato rrugica “ t’thjeshta”, ku dikush has paprit e pakujtue shpija hijeranda si kështjella, përgjat kanaleve të Amserdamit, -> Por edhe 106-th Street, tek derdhesh qetë pandalë drejt Central Parkut – dukesh si bulevardi kryesor i atyne qytezave të vogla në Italian Riviera. Ku mbas kaq kolovitjeve nën rrezen shigjetë t’mesditës, e prej bulçimës e aromës s’udhtimit të trenit nga ke zbritë, ende në ty, ma n’fund i avitesh nji si gjini, a porti – që ende s’e dallon mirë çka asht – po ama e ndin që asht aty; mshefun mes pishash të denduna përgjat Mediterranean, n’halë të gjelbërt të t’cilave, nëse vërtet e kullot synin – t’lujn kukamçeftas majat, e ndihet zukatja e “flutrave” vija-vija – ngjyra-ngjyra t’çadrave të plazhit… Pak hapa ma gjatë, e voilá: bluja ma e ámbël në kët faqe t’dheut!
Mandej, në perëndim të Straus Park, nji copé e Riverside & 106-th – ka ngjizë e ruejtë kët karakter qi ásht mahnitës Parisian, e me kët fllad kristalin, që ndihet sikur shumëfaqet e qetohet tanë mbasditën e bekueme. E ti, e ndin at ndjesën: që mshefun mbas atyne pemvet në Riverside Park – e hijshme dhe e qetë – rrjedhet nji si Sienë… e papáme dhe e paprékun; e mâ përtej, përtej urave varëbukura – qi duhet me t’qitë n’breg tjetër, right? nuk ásht New Jersey, as Hudson, jo. Por vetë Left Bank. Jo fundi i Manhattan jo, por vetë qyteti i zhurmshëm e hijerandë si asnji, tuj t’pritë përtej pemsh…
Njashtu si m’ftoi shumë dekada t’shkueme, kur çunak ende i paburrnúem, tuj andrrue për Parisin, dilsha n’ditare, në freski t’mbramjes e n’sodì t’valës, syni natës tutje n’horizont, andrroja që kjo s’qe asfare Afrika e Veriut, por “Île de la Cité…” Mbase, çka shtrihesh përtej pemve, s’qe fundi i Manhattanit, as i Parisit; mbase qe fillesa e nji qyteti krejt ndryshë e krejt i panjoftun. Ai – qyteti prej Vërteti, që gjithnji t’bzán amël-amël e na huton si sirenë… Ai vendi që e shpikim kajherë, për mos me e gjetë kurrë… e gjithnji frikemi se kena fillue me e harrue…
Kish çaste kur, për çudi të zhurmës së autobuzave, e mauneve, e zukatjes s’njerzvet – drita kthehet, jo në të blertë, po në të kuqe. E çdo gja: heshtet… njerzit përreth meken… Veç rrezja e nxeftë e diellit që bien pareshtun mbi kalldram. Dhe, “at single moment” të vetëm, ti gati-gati e ndin… kjo ásht ajo pasditja e ngadalme aty diku n’Itali…; e po ti mbyll vërtet sytë e t’mendohem kaq qetë e thellë – çka shtrihet përtej pemësh në Riverside Park – ásht vërtet Sienë ma e bukur e ma e lëmúet e imagjinatës seme… Por mund t’jetë edhe Tiber, ku i dihet. Mund t’bâhet ç’ka due unë!
.
Fontana delle Tartarughe  - Piazza Mattei, Romë
Fontana delle Tartarughe – Piazza Mattei, Romë
Ç’ka ma solli n’mendje Romën, asht se këtu, çdo gja, m’kujton nji vend, të cilin turistët menjiherë e njofin sa tá shofín. Kur ashtu i etún e i lodhún e i ecún tanë ditën e ditës, ti mbrrín në kët piazza të vockël, me nji çesmé që këndon n’basen, freskon fytyrën e masnej heq ne sandalet… sheshohesh mirë në zájet krejt t’nxeftë n’anë të kësaj – “Baroque fountain”, e thjesht shplodh kambët përpak, në ujin kristalin që s’duhet aspak me e pi…
Në çdo kánd t’jem ulë, a në çdo cep t’jem mbrenda atij parku, qenkem ulë padashtas në njenin nga ato katër-pesë vende t’mijat – e asnjiherë në at’ njenin që s’due me e shmagë a me ia shmangë ndijën, s’due me ia shmangë as pamën e as aromën…!
Ky udhkryq mendimesh, qe besoj, kur zûna me e dashtë (nëse “dashtë” asht fjala që e mat kët labirinth udhësh e ndjesish): New York-un!
Unë, do kthehesha përhera në Straus Park, sepse çdo kthim në vetvete, ishte tashmë pjesë e njatij rituali – të kujtesës së Qyteteve të mija Hije, fshefun aty. Saqë unë, që pareshtun e pamërzitë e vuna vetminë time má t’bukur aty, krejt sikur nomadët ngrejnë tendën diku e zanë me ngritë – nga asgjaja, e me asgja. Por kthehem e kthehem përherë, sikur për asgja veç “me gjetë” hapa t’mijat n’kalldram…
Ky u ba zakoni im, e për rrjedhojë vendi ku jeton bota ime ma e pupëlt, mbase ajo ma e shtrenjta… Ndonjiherë thjesht me njohë që je hupë e ke përhumbë në t’njejtin vend të vitit të shkuem, çuditnisht të qeton. Nji si siguri edhe kjo – e paqtë… Mbase asnjiherë, asnjiherë s’ke me e gjetë vetvetin – ama, s’ka si mos kujtosh ku e si e ke kërkue… E kjo, gjithashtu ásht si: njoftje, si dhelë… paqeje.
Në nji ditë t’nxeftë vere, erdha me kërkue ujë, në nji vend ku uji – s’rrjedh! Njashtu si ai kaktusi i përshtatet mirazhit ma t’bukur t’ujit, madje e kërkon thellë e gjatë. Por uji që kisha etún, nuk qe ujë që kndon n’basen, roman a të ndonji lloji tjetër. M’u kujtue zhgënjimi kur dikur në Romë, në nji pasdite t’qetë, kamtë zhytë në “Fontana delle Tartarughe”, ndij nji pëshprimë tuj m’dëftye, se: kto “banja t’mëçefta kambësh”, në mes të Romës gusht-ane, që qafohej me diellin n’muzg, pothuej e zbrazun, tanë kjo dëshirë zjarr, për Dritën, Ngroftën e Ujin, s’qe gjá tjetër veç mall i djegun i nji burrit të trishtë – valë malli për ujnat e fminisë sime… ku uji qe vërtet i ftoftë kristal! E mund shuesh tanë trupin e mallun, jo veç gishtat e kambës.
Tek Shtraus Park, pata gjetë – Kujtesën e Ujit…
Këtu mund t’vija me takue, jo veç t’shkuemen e bukur, por magjinë e bukurinë e t’kujtuemit. Tuj e ditë tashmë, që edhe pse digjemi me kujtue mbas, s’domethanë që vërtet jemi djegë dashnije për çka kujtojmë…
Asht ky shatërvan i madh shumë në Romë, në Piazza Navona, ku katër lumenjtë e mdhenj “burojnë”, Missouri (the Platte River), Nili, Danubi & Gangu.
E njof mirë, se gjindej pranë kësaj librarie të vogël, ku vjet e vjet të kalueme, shkoja më ble nji “Penguin book” çdo javë. Nji skutë e vogël, e errët, bajate – prej s’cilës, kam kujtesën e parë: Të ardhunit jashtë, t’qafimit me hapsinën e përdiellún; madje, akoma ma e mirë: pështjellë me diell me nji libër në duer! Tek i kqyrja këta katër lumenj, çka po mendoja…? A t’ia hudh nji grusht ujë fytyrës?!
“There is no frigate like a book” – ka thanë Emily Dickinson. S’besoj kam dashtë gjá ma fort, se t’ulem në nji hapsinë të qetë midis Romës, më nji libër të mirë, kqyrë veç nga do bukuri t’hershme e t’hijshme rreth meje, me e hapë në cilendo faqe, e me rrugtue mbas ndër kohna. Sikur kam lexue Lawrence Durrell & Cavafis, tuj mendue kohën… kthimet mbas. My Whitman ka thanë: “…sikur me padurim kqyri Botën e Re!”, “si kur unë msova me dashtë Eliot & Pound…”!!
A mund t’quhet nji vend: Yti! Veçse pse ndodhi që aty lexove librat má të mdhenj, rreth véndesh tjera??! A duhet me pasë gjithnji kët mall për Romën?! Pikërisht kur qëndroj krejt n’at vend që e andrroja kur t’isha nji djaloç krejt i ri n’Romë?!! E tána kjo çmenduni – fiton përmasa edhe ma absurde – kur kujtoj se gjatë atyne studimeve t’mija të hershme në Romë, unë pata kërku me ngulm, e madje gjetë, nji punë si mësimdhanës në nji: “American school” në Romë!!
Ja këto mendoja, kur ulun këtu në Straus Park, tuj gërrmue e cytë (siç baj gjithnji) kujtimet e mallin tem (për t’ardhë keq), pata gjetë padashtas diçka gati t’artë: Unë s’desha aspak me shkue në Romë, jo për nji vit, as gjysë viti, as nji muaj, madje as edhe për nji javë; sepse ma s’fundi u kthjellova – që unë as që e due Romën aq fort. E as që desha me qenë as në Francë as Egjypt në fakt. E edhe pse, s’mahnitsha ma aq fort as prej New York-ut, unë gjithnji knaqshá n’atë botën teme të magjishme: Straus-Park-Romë, a Straus-Park-Paris… Sikur nganjiherë i knaqem kartolinave e librave t’udhtimeve edhe ma fort se vetë vendet që sjellin n’mendje, librat e artit ma fort se pikturat vetë, my Cohen – ma fort tuj e ndigjue qetë netësh, sesa live. E ándrrat e mija – njimijë herë ma fort sesa njerzit për t’cilët i kam thurë…
Disa prej t’cilëve jo vetëm kanë lindë me t’zhgënjye – që jo vetëm s’duhen me u falë, por duhen me luejtë vendit, e mos ta zanë ma pamjen që dikur kisha veshë kaq bukur me to.
Kur t’gjindem ndonjiherë tjetër në Romë, padyshim do mallem t’jem në – my Straus-Park-Romë – ku njiherë i deshta edhe ma fort brigjet e fminisë sime..
Italia qe veçse mënyra ime me ia “arnue” vedin New York-ut!
Unë, asnjiherë s’do e kuptoj a e due kët qytet si duhet e sa duhet, veçse tuj e kthye në kët pasqyrë – krejt si nji “mnemonic correlate…” Veç tuj ia përqasë vedit e ç’ka kam të shtrenjtë. S’ka Mediterrenian që mos kqyri “a Manhattan sunset” e mos mállet për nji perëndim tjetër, mija milje larg… S’gjindet Mediterrenian në kët anë të dheut, kur tuj soditë mija drita t’vockla që spërkasin pikla-pikla krejt shkambinjtë m’anë të Jersey-t, mos mendojë konstelacionin e asaj varkës së vogël, që përkundet nën xixa t’yllta, n’pasqyrë t’ujtë kadalë kadalë, deri n’agimin e bregut..
Por nuk asht New Jersey çka shoh, tek sodis uljen e diellit, i vetëm kësaj copëtoke ndër ujna, prej Riverside Park.
Nuk shoh madje, as New York-un e vërtetë. Shoh veç at New York që ose m’i pret e m’i sjell njato kujtesa të dashme – a më ndih me i thirrë.
New York për mue asht veçse ajo pasqyrë… surrogat i bukur i tanë Dashnive që kujtoj e s’mund t’i kem pranë… e mbase as që due me i qa ma, por gjithnji prap do t’i kërkoj… Sepse me gjetë paralele fluturimesh pa fund, asht ma magji edhe se me gjetë vetë vatanin! Sepse n’fund t’fundit asht ai fluturimi i pupult që duem, e jo patjetër kush t’pret kur ke mbrritë. Sepse pa ato paralelet e andrráve, s’mund të këtë vatan të bukur – në fund të fundit asht e bukur me e përshku e përqasë këto fille që që na joshin, me e folë ándrrën me ato objektet përkrah e përbri – pak randsi kanë ftyrat e sytë e tyne…
.
Hije të mëngjesit në Central Park
Paralele qe qasen… (foto a.p.)
Përtej përqasjes, dikush s’ka si ndin.
 New York ásht Imi, pikërisht pse asht ai vend nga ku unë mund të za fill ngado!
Ky qytet i magjishëm analog, surrogat – Qyteti i Hijeve t’mija – ky qytet madhështor, mahnitës deri n’përhumje, i pafalë e i pajetueshëm, ky Megalopolis i tmerrshëm – m’lejon me u përshtatë dhe me u përhumbë butë. M’lejon me e mendue si diçka krejt tjetër, diku tjetër… Më flet se njasht në fakt ma i vogël e ma i thjeshtë se frika ime, krejt si ato qytetet piktoreske në Mediterrenian që janë përgjithnji të vogla e përherë të veçanta. Gjithnji me at numrin e duhun të atyne vendeve t’veta, ku njerëzit mund t’shkojnë, dhe t’ulen… njashtu si Narcissus përkulë n’anë t’nji burimi – e hasin vetvedin në çdo rrugicë, në çdo vitrinë, në të tanë oborret e skalituna.
Straus Park më msoi me e jetue New York-un mes nji spektri ma t’amël, nji ngjyre ma shumë – krejt si n’ato librat për vizitorët e Romës: për çdonji fotograf i rrënojës antike, shoqnohet me nji tufë transparencash shumëngjyrë – kur i ven mbi fotografi, befas copat e humbuna shfaqen – bahen plotë; e na rrfejnë si Forumi e Coloseum janë shfaqë në shkëlqimin e madhshtinë e kohës së Tyne. Apo si Roma ásht dukë në Mesjetë, e ma vonë: në Renaissance (Rilindje), e kështu me rrallë. Por, mbasi i ke ngritë ata filmat plastikë, gjithçka sheh janë gërmadhat e sotme…
Unë as që desha me e pa New York-un e sotëm. Do udhtoja mbrapsh në kohë e do zbuloja at të hershmin. Sikur New York, njashtu si ato qytezat e bukura në Mediterranean, me pasë nji anë shumë të hershme. Që s’asht aq e stuhishme e friksuese, as aq e vështirë me e riparue, që ka ma shumë të kalueme se të tashme – e i përqaset botës së lashtë traditëbukur- nga besoj se unë vij. Prandaj kjo mania ime ndaj gjanave të hershme – rranojave të papërdorim, ajo dëshira që pikon kadalë diku në mue, gjithnji brenda meje, njisoj si ato kalldrëmet e hershme jetojnë gjithnji ndër asfaltin e ziftin e ditës… Stacione zjarrfiksesh të hershme, haure të vjetra kthyem në garazhe, “hije” pallatesh që presin me u prishë, teatre të vjetër kthyem në kisha baptiste, markata të hershme që kanë humbë, stacione të dikurshme subways që pëshprisin si shpirtna të harruem – ja, këto janë rrënojat që ándrroj me riparue. Sikur thjesht ta datoj botën qoftë edhe nji rrafje zemre mbas shpirtit tim; ashtu si Herr Appelbaum & Frau Danziger i përkitën botës sime qoftë edhe nji grimë. Vizitat e mija në Straus Park qenë si me udhtue mbas ndër kohna.. “How frugal is the chariot that bears the human soul…” (sa i kursyem ásht pajtoni që mban shpirtin…) 
Sa mrekullisht e çuditshme me kuptue, ma s’fundi, që statuja që më msoi me kujtue mbrapsh ndër kohna – nuk qe ajo e nji Nymfe, por e Kujtimit vetë. Në greqisht, emni i saj ásht: “Mnemosyne” “Zeus’ mistress”, e Nana e nëntë Muzave – Perëndesha e Kujtesës! Paskam ardhë, pa e dijtë, në vendin e duhun!
Ja pra, pse u trishtova atë ditë nga shpërbamja e Parkut – Vatan i “kujtimeve” të mija. Nëse nji pjesë e qytetit zhduket, nji pjesë e jona humb me të. 
Sigurisht, qeshë alarmue pa shkak. Straus Park u riparue i mrekullueshëm. Statuja e kujtesës, u kthye në vendin e vet edhe ma mahnitse, si Perëndeshë që ishte! Fontana e bukur, tashma ásht gëzimi i fmijve e të tjerëve, që përkulun si me dashtë me e nderue, shuejnë etjen e nji dite të nxehtë vere. Edhe unë kthehem përherë, me kafen e mjesit në dorë, mbasi i kam çue fëmijët në shkollë. Paskam harrue sa i bukur ásht! Kujtesa e parkut të vjetër me ngjyra të zbehme, s’më mundon ma, megjithse nji pjesë e imja do jetë përjetë ngujue në të. Ndaj unë, gjithnji do vij në këto parqe, me kujtue at vajzën e re, të ma shumë se njizet viteve të shkueme, e gjithçka tjetër…
 Vizitat në Straus Park, e kthyen New York-un për mue jo vetëm në Hijen e kaq Qyteteve të jetës sime, por edhe nji qytet hijesh të vetvetes. Më kujtuen mue, nji New York ma të hershëm të vetë jetës sime, e madje edhe ma të hershëm se ai – nji që ka jetue përpara se t’kem lindë; e që s’ka të bajë aspak me mue, por që due me e njoftë po njilloj – përmes fotografish të vjetra përshembull – Sepse, si nji mërgimtar pa të shkueme, due me studiue rranjët e tjerëve. Me pa: si do ishin rranjët e mija, po të isha i lindun në fakt këtu? Si mund të jenë themelet e mija… që po të ndërtoj këtu. Më pëlqen të di gjithashtu se Straus Park ásht quejt dikur Schuyler Square, e ma parë saj njihej si: Bloomingdale Square. E që të gjitha këto janë vende e emna, çdo fibër imja dhe e qytetit i ka pasë e i ka njoftë si të vetat, sikur me u përqasë të dy në nji prejardhje të hershme me të njajtat rranjë!!
.
Gjurmë në kalldrëm
Gjurmë në kalldrëm
Nji e shkueme e mendes kjo, që s’të mban të gozhdueme si Birthright; por ama edhe asgja s’humb – jo ata që due sot, as ata që kam dashtë në t’shkuemen time, në at Botën time të Vjetër. Kujtime, si Herr Appelbaum që luejti Gershwin për mue në 105-th Street – nji mbramje, kur ai mund të kishte luejtun Schubert. Apo Frau Danziger – që asnjiherë nuk pshtoi krejt nga Nazis, por i pruni me vedi në ándrrat e mundueme. Mundem me u ulë me kujtimin e Ida Straus, që nuk hypi në varkën e shpëtimit, kur Titanik po fundosej njiqind vjet të shkueme, por ndejti me të shoqin. Tanë këta emna, e tana këto tregime, fletë e fletë historie, kujtime të ngrohta e fantazi të pikturueme: janë tána: My Straus Park, me t’gjitha “Frankfurtet – Parisiane” dhe “Romat – Londineze” t’vetat. Duke mbetë përherë, kjo pikë e vockël në glob – qendra e gravitetit tem. Prej ku më thërret çdo rrugë e botës që kam shkelë, e për të cilat unë gjithnji kam me pasë mall me iu kthye, kur ndodhem larg! 

Mbase, duhet me e pranue çka asht në zemër të t’gjithës. Straus Park, ky udhëkryq i botës, kryeqyteti kujtesës, ky vend ku të katër fontanat e botës e të katër vendet mbrenda meje – puqen me njena tjetrën – nuk ásht nji tjetër Paris, as Romë, s’ka si të jetë London, apo Amsterdam, jo Frankfurt, madje as New York….
 Asht Alexandria ime!!
Erdha në Straus Park për me kujtue Alexandrian. Qoftë nji Alexandria e memorjes së imagjinatës sime, apo nji që nuk ekziston fare, po që un’ e kam shpikë. Që e pata mall dikur në Romë e Paris. Ato qytete i sjell këtu në Straus Park, po në t’vërtetë sjell hijen e hijes së Alexandrias me to; fytyrat e Alexandrias, imazhet e Alexandrias, tuj e pikturue Straus Park në Të. Alexandria, ásht ai Vendi i ndjesisë – që s’ásht askund tjetër, ma shumë se mbrenda meje. Mbase àsht krejt unë… Nji un’ që s’ásht ma pak përqasje e kohës – se sa nji qytet përqasje e hapsínës.



The New York Review, 
1997







 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.