back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Hoti, një mit që krijoj historia nga Sazan Goliku

Gazeta

Kolec Traboini - Miti i Hotit - Kopertina
Kolec Traboini – Miti i Hotit – Kopertina

Hoti, një mit që krijoj historia

nga Sazan Goliku

“Miti i Hotit”, i Kolec Traboinit është një libër-ese për një nga krahinat e Malësisë së Madhe ndër më të njohurat në histori.
Edhe pse i lindur e rritur larg Traboinit, nga ku e ka prejardhjen, autori i librit asnjëherë nuk prajti duke shkruar shkrime të ndryshme rreth figurave e ngjarjeve mbresëlënëse të Hotit që ka qenë gjithmonë nderi e krenaria e mbarë Malësisë së Madhe. Kur mblidheshin burrat e maleve në kuvende, gjithherë vendosnin në krye të vendit një burrë nga Hoti. Del në krye i thoshnin Çun Mulës, del në krye Dedë Gjo Luli, del e priji kuvendit Deli Meta. Po pse ky nderim kaq i madh. Pse kanë mbetur proverbiale fjalët e gojëdhënës popullore “Pushka e Hotit e dora e Zotit”. Që në fëmijërinë e tij autori ka dëgjuar rrëfime për madhështinë e trimërinë e Hotit dhe malësorëve hotjanë, çfarë e ka shtyrë të kërkojë edhe më tej për të kuptuar enigmën e lavdisë së kësaj treve me përmasa legjendare.
Këndohej dikur nga populli i mbarë Malësisë dhe i Shkodrës “Nuk janë topat e Ulqinit, por janë djemtë e Traboinit”, vargje të krijuara në vitin 1878, kur Hoti e Gruda u ngritën me armë në dorë kundër vendimit të fuqive të mëdha për t’ia dhëne Hotin e Grudën fqinjëve të veriut. Topat e Ulqinit nuk ishin asgjë më shumë, por anijet angleze që duke qëlluar me topa brigjet i bënin presion shqiptarëve t’i lëshonin pe Shqipërisë.
Libri “Miti i Hotit”, merret me histori, por nuk shkruan histori, dhe aty ku e prek historinë, nuk e merr në kronologji, por ndalon në ato nyje e pikëtakime ngjarjesh nëpërmjet të cilave kërkon të përçojë ide a mendime mbi zhvillimet historike dhe bëmat e heronjve malësorë. Apo në ato raste kur kërkon të sjellë në vëmendje ngjarje e figura që mund të jenë edhe krejt të panjohura për lexuesit e pasionuar të librave me temë historike.
Një temë trajtese, është edhe prejardhja e Hotit, ku polemizohet me një historian si dhe për disa saktësime për Flamurin e Deçiqit, i ngritur në një grumbull gurësh në Bratilë të Hotit me 6 prill 1911, por si mal, Deçiqi i takon Grudës dhe është pika dominuese mbi tërë fushën e Tuzit. Trajtohen edhe jeta e disa figurave historike, veçmas të familjes së Ded Gjo Lulit që u shua e tëra për Atdhe. Kësisoj Hoti shihet si një mit që e legjendarizoi trimëria e cilësia luftarake e malësorëve hotjanë, por që u dëmtua shumë nga ndarja e Hotit nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913.
.
Sazan Goliku duke folur per Mitin e Hotit
Sazan Goliku duke folur per Mitin e Hotit

Pas luftës së dytë botërore, me krijimin e sistemeve komuniste në dy anët e kufirit, nisi në mënyrë sistematike platforma për rrënimin e mitit të Hotit, kësaj krahine me emër të madh në histori. Në libër sillen ngjarje e figura historike, një nga ato është jeta tragjike e luftëtarit nga Hoti: Nikoll Gojçi, i cili në moshën njëzet e gjashtë vjeçare ishte emëruar Komandanti i batalionit të 3 të brigadës së I sulmuese, i cili tregoi trimëri të pashoqe në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, por u vra tradhtisht prapa shpine nga komandanti i kësaj brigade Mehmet Shehu. Është po ky gjakësor i cili me dorën e vet disa vjet pas lufte vrau edhe një hotjan tjetër, Kol Maçin e Hotit. Megjithëse me volum të vogël, ky libër është mjaft i ngjeshur e i pasur me ngjarje e fate njerëzore. Në krye të gjithave është një ese për historinë shkruar me ndjesi të thella dhe shpreh një dashuri të madhe për trojet e të parëve, me krenarinë për lavdinë, por edhe me dhembje për fatin tragjik të shqiptarëve trima të Malësisë së Hotit, të cilët kurrë nuk u përkulën sepse çdo bir a bijë e kësaj treve me bëma heroike ne histori kudo ku gjendën nëpër botë janë krenarë për të parët e vet, për fisin, rrënjët e degët e gjithherë i dëgjon të thotë, unë jam prej Hoti e Hoti është kudo ku ndodhëm unë e gjaku që rrjedh prej meje, duke mishëruar kësisoj thënien e pavdekshme të shkrimtarit të madh arbëror Marin Barletit, në vitin 1510, gjithsekush, shkon në rrjedhën e gjakut të kombit të vet. Duke pasur këto fjalë të arta që vinë prej shekujve si një udhërrëfyes për librin e vet të tridhjetë si autor, poeti dhe eseisti Kolec Traboini ka sjellë një vepër koncize me mësimin e madh se si një brez duhet të mbështetet fort të një tjetër. Kryekreje në këtë vepër eseistike mbi historinë e Hotit, këtë mit që e krijoi historia e u përpoqën ta rrënojnë sistemet absurde, të shfaqet fuqia mbresëlënëse e shëmbëllesës së të parëve te pasardhësit.

Traboini i Hotit, 15 tetor 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.