back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 12 Maj, 2024

Lyra Shqiptare – Kangë Popullore të mbledhuna nën kujdesin e Radio Tiranës Parathanëje – nga Prof. Filip Fishta

Gazeta

Pjetër Dungu - Lyra Shqiptare
Pjetër Dungu – Lyra Shqiptare

Lyra Shqiptare –

Kangë Popullore të mbledhuna nën kujdesin e Radio Tiranës

Parathanëje – nga Prof. Filip Fishta

 Nji plan i hartuem nga përpiluesit e vëllimevet “Visaret e Kombit”, botue me 28 nanduer 1937, e ka pasë caktuem pjesën e landës së njij vëllimi për mbledhjen e melodivet popullore shqipe. Për arsye të kohës së shkurtun aj plan nuk gjet zbatimin e plotë. Nga “Visaret e Kombit” u botuen vetëm vëllimet e para: (Kangë trimnie, kangë kreshnikësh dhe legjenda, valle, gjamë, vajtime dhe kangë dashunie). Për nji fare kureshtjeje të lexuesit po vazhdoj të rreshtoj edhe pjesë të tjera të përmbajtjes së lands mbetë në gjysmë: Fjalë t’urta, kashë e lashë (gjëza), kallzime popullore, besëtytëni, doke, gojëdhana, lojë kombëtare, Melodi Kombëtare, bibliografi e folklores. Disa nga melodit popullore shqipe u mblodhën me kohë: Nji pjesë e tyne mbeti ndër dorëshkrime. Dishka nga to u shfrytsue e u ba landë e ndonjij kompozitori shqiptar apo të huej. Sa e sa copa muzike popullore shqipe u muerën ndër palaré (pllaka) gramafoni: mjeti ma i sigurti për nji riprodhim besënik të këtyne melodive. Kjo muzikë popullore shqipe, pat edhe ndonji gjykues të saj nga bota e huej. Ka qenë thanë se interesimi për muzikë ndër shqiptarët asht i njij kohe së largtë. Shkodra e Korça, këto dy qandra kulture shqiptare, kan pasë me kohë t’organizueme shoqni muzikore. Kështu pohon J. Arbatsky në nji studim të vetin: Muzika në Shqipni, përkëthye e botue me kohë nga shkruesi i këtyne radhëve. Shkodra për ma tepër, si qandër e njij “vilajeti” të madh deri në luftën balkanike, ka ushqy – të thomi kështu, – edhe at element të vëllazënve t’onë, pjesëtar të ndo’i vilajeti tjetër të kohës së sundimit të perandoris otomane në Balkan, të vilajetit të Kosovës, Shkupi, Gjakova, Prezrendi e sa qytete tjera, kan ba të vetat me kohë melodijtë e Shkodrës dhe dorëshkrimet e notave të mjeshtrave të muzikës së këtij qyteti, përshkruheshin e baheshin landë e shoqnivet muzikore t’elementit shqiptar në Kosovë. Në Shkodër breznia e kalueme ndër sa mjeshtra të kangës ka pasur shqiptarët: Frano Ndojën e Palokë Kurtin, organizuesit e orkestrës zanore, në rradhën e parë të karakterit kishtar. Mjeshtri shkodranë Gasper Jakova – Mërturi, dikur bante përpjekjet e para t’i mbledhi këto melodi popullore të vëndit t’onë, t’i shkruej me nota, të hartojë pranë tyne, përveç vjershave, edhe melodi në frymën e muzikës popullore shqipe e së mbrami t’i dërgojë jashta Shqipnie të gjej t’interesuemin për to. Organizimi i orkestrave në Shkodër nisë me krijimin e Kongregacjonit Marjan në Shkodër (në 1875) dhe me çeljen e Kolegjës Saverjane të Shkodrës (në 1877). Dy botime përkujtuese para pakë vjetëvet, botue në Shtypëshkronjën e Zojës së Papërlyeme të Shkodrës, botojnë emna mjeshtrash e ndonji dokument të kohës. Në ket kohë edhe françeskani A. Tomë Marcozzi, (në 1878) interesohet për trajtimin e njij orkestre zanore. Përmbledhëtas thom se muret e kuvendeve të Shkodrës, baheshin prijsat e pare të njij veprimi artistik në kët qytet me nji të shkueme kaq të lumnueshme. Nga ana tjetër edhe kjo “votër e kulturës shqiptare”, si u quejtë nga A. Fulv Cordignanoja, kuvendi françeskan, gjeti mjeshtra te zellshëm, sidomos te At Martin Gjoka, vdekë para pak kohe. Ndër nxënësit e A. Martinit ka qenë edhe mledhësi i këtij vëllimi kangësh Pjetër Dungu. Si do qi të gjykohet vepra e tij, – a asht gja e pa të meta në kët botë? – punuesi i kësaj vepre mund ta ketë si mburrje se i pari ndër ne na paraqitet jo me nji e dy kangë, por me nji vepër 50 kangësh ku përmblidhet nji pjesë e more e melodivet popullore shqipe.
.
Parathania e Lyres Shqyptare
Parathania e Lyres Shqyptare

Me këtë, ky mjeshtër shqiptar plotëson atë shka theksova në fillim, botimin e Melodivet Kombëtare dhe u çel shtegun sa e sa botimeve të këtij lloji. Aj vetë apo në bashkëpunim me ndonji tjetër mund ta marri përsypri vazhdimin e veprës së nisun e, po të gjej përkrahjen e meritueshme, – shka e besoj se nuk ka për t’i mungue sidomos në nji kohë kur në perjudhën e veprave të mëdha fashiste po i çelen dyert Institutit të Studimevet Shqiptare, me kët përkrahje, aj ka për të mundun të sendërtojë punën e nisun e të bahet shembull për sa të ri, në punë e në vullëndet. Me kohë muzika popullore shqipe ka nisun t’interesojë botën e huej. Ndër shtyllzat e së përkohëshmes “Shkolla Kombëtare” (maj 1939) kam pasë përkëthye nji artikull të dytë t’Arbatsky-t: Përparimi muzikuer i Shqipnis me qëllim qi t’i vë në dijeni bashkatdhetarët e mij mbi shka vazhdonte te shkuhej ky kompozitor i huej. E gjëj t’arësyeshme në ket rasë të riprodhoj gjykimin e këtij kompzitori të huej mbi muzikëne jonë popullore: Muzika popullore shqipe asht aq e njij jete në vedi sa, po t’i nënshtrohej zotnimit muzikuer të systhemit prendimuer, – patjetër ajo do të humbiste shumë, ndoshta të gjithë vlerën poetike qi ka. Populli shqiptar deri tash i ka ruejtun melodit arhaike, të cilat shkojnë tue u endë ndër shkallë muzikore ma të vjetra. Meloditë ma të reja janë ma tepër në frymën e lindjes: por ne gjithshka, sikur të parat ashtu edhe të dytat janë aq origjinale, sa me përshtatjen e tyne systhemit prendimuer, kan për ta humbun plotësisht ngjyrën e vet. Kangët shqipe, ase janë krejt pa nji takt të caktuem, d.mth. ase u gjasojnë koralit gregorjan, ku rythmin e apin vetëm fjalët e këndueme, ase kan nji takt original, i cili qysh prej themelit dallohet nga takti prendimuer. Asht krejt e mjaftueshme të thomi se taktet e paregullushme 5/8 ase 10/8 etj, i kemi në çdo e ndokund kemi edhe taktin tripjesëtues 8/3. Njeriu ka përshtypjen se ky lloj materiali asht i vështirë të hyj në kallepin muzikuer të prendimit. Gjaja ma e randësishmja asht fakti se në Shqipni populli i thjeshtë këndon ende me shumë zane tue i improvizue nga nji herë kangë shumllojesh. Për kët arsye shofim se shqiptarët e kanë landën e nevojshme për krijimin e pamvarëshëm të harmonis e të kontrapunktit original populluer. Systhemi i muzikës popullore shqipe duhet të studjohet me kohë, kështu qi kompozitorët e ri të kenë landën e nevojëshme mbi të cilën do të mujshin të punojnë lirisht në frymmën e popullit shqiptar. Pa kangë popullore asnji popull nuk mund ta krijojë pasurinë muzikore “artistike”, po të mos ket si themel kangën popullore. Tue e ndim kulturën e muzikës popullore të vetën dhe tue i studjuem ligjet e saja të natyrëshme, kompozitorët shqiptarë do ta krijojshin kulturën muzikore artistike dhe në ket mëndyrë do t’a kursejshin at kohë e cila u humbi kot gjatë punimit të kompzitorëve të kombeve të tjera. Ky vrojtues i huej e parapau me kohë harrimin e këtyne kangëvet popullore tue thane se asht e randësishme të dihet se kanga popullore shqipe nuk ka për të mundun të ruhet për nji kohë të gjatë. Arsyeja asht ke shekulli i jonë – shekulli i radios e i gramafonit, me anën e të cilëve populli asht nën influencën e elementëve të huej dhe ma lehtas ndahet prej visareve të veta. Edhe sa vjetë e thanëja “kangë popullore shqipe” ka për të mbetun vetëm si një kujtim i së kaluemes. Qysh tash vëhet re fillesa e këtij shkatrrimi, mbasi nën trajtën autoktone kët kangë mund ta gjejmë vetëm ndër vënde të harrueme fort të largëta, aty ku ende nuk ka depërtue qytenimi. Shihet nji nevojë e domosdoshme qi të ruhet kanga popullore e shqiptarëve, jo vetëm për ardhmënin e Shqipnis, por edhe për kulturën muzikore ndërkombëtare. Detyra e Institutit të Studimeve Shqiptare, ka për të qenë, t’u vejë shenjë këtyne fjalëvet dhe, tue plotësue misionin e vet, të bahet ruejtsja e njatyne pasunivet qi e kemi zakon t’i quejmë: Visaret e Kombit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.