back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Pse heshtet për Martirin e Madh!? Opinione rreth mungesës së Patër Anton Harapit në Lumnimin e 38 Martirëve të Kishës Katolike

Gazeta

Statuja e Masakrimit të Klerit Katolik
Statuja e Masakrimit të Klerit Katolik

Pse heshtet për Martirin e Madh!?

Opinione rreth mungesës së Patër Anton Harapit

në Lumnimin e 38 Martirëve të Kishës Katolike

5 nandori i 2016, do të mbahet mend gjatë si nji ditë dhimbjesh e lutjesh jo vetëm për komunitetin katolik shqiptar në respekt të Lumnimit të 38 martirëve të fesë e të atdheut, po për çdo shqiptar që e njeh sadopak diktaturën, krimet e saj të pashoqe, po edhe qëndrestarët ma heroikë të saj.
Ishte nji ditë e madhe reflektimi, tashma e harrueme këtyne anvëve të shterruna kujtese!
Të gëzuem mund t’ishin vetëm ata që n’emën të nji pushteti që ka jetue gjatë mbi krimin, tash kishin rastin me qenë prap në krye të rradhëve, bash prej atributeve të dhana duer duer prej pushtetit fasadë, e kështu ndërsa në nji anë Lumnoheshin Martirët, po aq të lumtunueme ishin edhe ftyrat pushtetore që në nji formë a nji tjetër i kanë tashma të lidhuna hallkat e historisë me të vërtetat e këtynë krimeve…
Ajo çka asht theksue shpesh edhe ma parë, mbetet fakti se në listën prej 38 të Lumnuemve, mungojnë shumë emna që duhej t’ishin në rresht të parë të këtij respektimi historik.
Mbetem i bindun se e vërteta sado që të vonojë, s’ka me mënue e me ardhë nji ditë, sepse çfardo Lumnimi Martirësh shqiptarë do të jetë gjithnji i mangët pa emnat e Anton Harapit, Lekë Lulit, Mark Dushit, Nikollë Gazullit, Pjetër Meshkallës, Mati Prennushit, e mjaft të tjerëve…
Pikërisht për mungesën në listën e Lumnimit të figurës së Anton Harapit kemi përzgjedhë disa opinione, si nji dëshmi e shqetësimit publik, për “mbetjen jashtë” të këtij korifeu…
jozef radi, 5 nandor 2016

Pater Anton Harapi (Fotomontazh)
Pater Anton Harapi (Fotomontazh)

Ilir Demalia: Zoti ju m’shiroftë se nuk dini ç’ka po bani!

“Një njeri mund të skllavërohet dhe të reduktohet në gjendjen historike të një objekti. Por, nëse ai vdes në refuzimin për t’u skllavëruar, ai ripohon ekzistencën e një tjetër lloj të natyre njerëzore e cila refuzon të klasifikohet si një objekt…” Albert Kamy
Kjo thënie e Kamysë më erdhi sot ndërmend tek sa shihja lumnimin si Martirë të Kishës të 39 figurave të fesë katolikë.
Në këtë listë mungonin mjaft figura të tjera, të cilat, duhet të ishin në altarin e Martirizimit.
Mungonte figura kryesore, si klerik, si atdhetar, si filozof që vdiq me fjalët për atdhe, për Krishtin mbret, dhe momentin e pushkatimit shprehu mëshirë për ekzekutorin sipas mësimeve të Krishtit, kur prokurori Misto Treska, i tha:
“Pse po ruhesh Patre, (Patre kish ngrit veladonin dhe ruhej mos stërkalej me cikla balte kur po e çonin drejt pushkatimit), në baltë ke për të shkuar shumë shpejt?!
Patër Anton Harapi ju gjegj: “Atje ku të shkoj, due me shkue i papërlyem si kam ken tan jetën.
Zoti ju m’shiroftë se nuk dini ç’ka po bani!
Fjala e tij e fundit në sallën e gjygjit tregon vetë!
“Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë. A e dini se çdo ndërtese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt e temelit t’njiasaj binaje t’cillin sot e quejm Shqipni.”
Mirë shteti shqiptar se dihet puna e rilindasve të Rilindjes Socialiste, po Kisha Shqiptare pse hesht ende për këtë dimension Fetar, Atdhetar, Mendimtar, Kulturor…?!!
Po Vatikani…?!!
(marrë nga Muri i Fb i Ilir Demalisë, 5 nëntor 2016)

Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija
Anton Harapi pikture nga Pjerin Sheldija

Klodi Stralla: Një gjerdan krenarie pa margaritarin e tij.

Sot, katolikët shqiptarë dhe së bashku me ta gjithë kombi shqiptar, festoi martirizimin dhe lumturimin prej Vatikanit të 38 martirëve të Kishës Katolike, viktima të egërsisë komuniste të pas luftës.
Një vlerësim i merituar, ndonse i vonuar i Selisë së Shenjtë.
Mbase, në gjithë botën katolike, nuk gjendet një viktimizim i tillë, për nga përmasat, nga niveli intelektual i viktimave, nga egërsia e ndëshkimit, por veçanërisht nga qëndrimi aq dinjitoz i tyre, edhe në çastet e fundit të jetës së tyre.
Këtij gjerdani i mungon margaritari i tij – Padër Anton Harapi, më i madhi, më i mençuri, më i papërkuluri, më atdhetari prej tyre. Ai ende mban mbi shpinë vlerësimin hoxhist – “kriminel lufte”, kolaboracionist, tradhëtar i Atdheut, dhe e gjithë kjo me miratimin e heshtur të Vatikanit. Eshtë po ai (Vatikani) që Kardinalin kroat Stepinac, një bashkëpunëtor i ngushtë i qeverisë kolaboracioniste kroate të Ante Paveliç dhe gjermanëve gjatë LDB… e ka martirizuar dhe lumturuar vetë Papa Piu XII (1978) dhe ne sheshin qendror te Zagrebit ngrihet madhështore statuja e tij.
Për mua, ky standard i dyfishtë, kur i pari u ekzekutua dhe i dyti vdiq në shtrat, është një turp që e ardhmja do ta korigjojë.
(marrë nga Muri i Fb i Klodi Strallës, 5 nëntor 2016)

At Anton Harapi (1888-1946)
At Anton Harapi (1888-1946)

Tanush Kaso: Ai duhej të ishte midis atyre martirëve…

Është një gjë e mirë, që intelektualë relativisht të rinj, që nuk i kanë përjetuar ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe kanë lexuar çfarë kanë mundur të gjejnë nga dokumentet e mbetura, mbajnë një qëndrim shumë të drejtë ndaj figurës së klerikut atdhedashës e me një kulturë të admirueshme, Patër Anton Harapi. Nga disa shkodranë të moshuar, intelektualë e dëshmitarë pamorë (olularë) të besueshëm, që kam pasur fatin t’i njoh gjatë viteve të vuajtjes në burgjet komuniste, kam dëgjuar fjalët më të mira për atë prift të nderuar, që u vetësakrifikua për kombin dhe popullin e tij. Ata tregonin se Patër Anton Harapi e mori përsipër atë detyrë të vështirë, i nxitur edhe nga bashkëatdhetarët e tij, me qëllim që të bënte aq sa mundej për të shmangur dëmet e asaj periudhe lufte. E pranoi atë, me kushtin që nuk do të firmoste asnjë dënim me vdekje, gjë që nuk ia lejonte feja, dhe iu përmbajt kësaj, mbasi edhe vetë krerët gjermanë ia kishin miratuar. Pra, nuk gjendet asnjë dokument ku ai të ketë firmosur dënime me vdekje për komunistët e arrestuar. Sa ka mundur i ka ndihmuar ata, deri edhe me lirimin nga burgu. Por, e rëndësishme është ajo që dihej nga shumë miq të tij dhe që është shkruar në një nga librat me kujtime të botuara kohët e fundit në Gjermani nga ish-krerët nazistë. Kryekomandanti gjerman, duke u larguar nga Shqipëria, iu lut Patër Anton Arapit që ta merrte në avionin e vet, mbasi jeta e tij do të rrezikohej kur të vendosej regjimi komunist. Por, ai e falënderoi dhe nuk pranoi të largohej nga atdheu, mbasi nuk ndihej fajtor dhe kishte besim tek drejtësia. Por, ashtu si edhe Bahri Omari e të tjerë, të cilët mund të largoheshin dhe qëndruan, u gabuan dhe e paguan me kokë besimin tek “drejtësia komuniste”. Prandaj, mendimi i shumëkujt është se edhe Patër Anton Harapi do të duhej të ishte midis atyre martirëve që Papa sot i nderoi me “lumturimin” e tyre. Kjo, ndofta mund të shpjegohet me ndikimin e fortë të propagandës komuniste, e cila ende vazhdon në Shqipëri e pjesërisht edhe në Itali, si edhe me këshilltarët e keqinformuar të Papës. Edhe krerët e besimit katolik të Shqipërisë, duhej të kishin bërë më shumë në këtë drejtim.
(marrë nga Muri i Fb i Klodi Strallës, 5 nëntor 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.