12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Primo Shllaku: Letërsia gege nuk ka vdekë… intervistë nga Fatmira Nikolli*

on

|

views

and

comments

Poeti Primo Shllaku
Poeti Primo Shllaku

Primo Shllaku:

Letërsia gege nuk ka vdekë…

intervistë nga Fatmira Nikolli*

“Letërsia shqipe dhe dialekti
ishte Konferenca Shkencore Ndërkombëtare që u mbajt më 20 nëntor 2015
në Bibliotekën Kombëtare në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë,
Departamenti i Letërsisë, me fokus vështrime mbi gjuhën standarde shqipe
dhe dialektet e saj në letërsinë shqipe.
Në konferencë morën pjesë akademikë, studiues dhe gjuhëtarë
nga Shqipëria, Kosova dhe Italia, si Rexhep Ismaili, Sabri Hamiti,
Kolec Topalli, prof. Kujtim Shala, prof. Ymer Çiraku, prof. Bashkim Kuçuku, prof. as. Nysret Krasniqi, etj.

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare "Letërsia shqipe dhe dialekti”
Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Letërsia shqipe dhe dialekti”

Primo Shllaku, poet dhe drejtues
i Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe
vjen në “Gazeta Shqiptare” me një intervistë
ku kundërshton rezultatet e studimit
Prof. Dhurata Shehrit e Prof. Persida Asllanit
mbi raportet e letërsisë me dialektet.
Sipas studimit të Shehrit e Asllanit,
“duke ndërmarrë një shqyrtim statistikor bibliografik, në parashtrimin e tyre,
të artikuluar mes kronologjisë, gjuhës dhe dialektit,
të dyja studiueset sollën një pamje përfundimtare
të tërësisë së veprave letrare shqipe të botuara
(duke shmangur ribotimet) nga zanafilla e tyre 1555 deri më 1972,
e cila rezulton në raporte mesatare
70% vepra autoriale në toskërisht dhe 30% në gegnisht”.
Shllaku i kundërshton ato me argumentet e veta.

Drejtoresha e Bibliotekes Kombetare Persida Asllani
Drejtoresha e Bibliotekes Kombetare Persida Asllani

Me rastin e 43 vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, me nismën e Bibliotekës Kombëtare dhe katedrës së letërsisë në UT, në Tiranë u mbajt një konferencë shkencore. A keni qenë të ftuar në këtë konferencë ju të Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe? E kemi marrë vesht vetëm nga shtypi elektronik. Jo, nuk kemi qenë të ftuem në këtë konferencë. Mesa shihet dhe bahet e kjartë në mënyrë të përsëritun, establishmenti zyrtar dhe “akademik” i shkencave humane ka krijue një ide vetmjaftueshmënie për veten e vet dhe kjo asht ma e keqja që mund t’i ndodhë nji fronti studiues. Por kjo le të mbetet çeshtja e tyne, sepse kjo përban nji faktor frenues për të gjithë ata që e zëvendësojnë diskursin e hapun transversal me idenë fodulle të vetmjaftueshmënisë. Ne që sjellim alternativën dhe të ndryshmen në këtë diskurs “a posteriori”, nismëtarët e këtyne eventeve me siguri që nuk na durojnë, por po aq e sigurt asht se as nuk mund të na përballojnë. Prandej, në pamundësi për t’i citue si pjesëmarrës, do t’i përshkruejmë si vëzhgues. Nga pikëpamja e shfaqjes së të vërtetave, na do t’i ofrojmë publikut shkencor shqiptar variantet tona të pohim-mohimeve dhe do të përpiqemi që kultura e re e shqiptarëve të mos ngecë në gropën e faktit të kryem për nji vendim të marrë në kohë tejet të dyshueshme për të gjitha drejtimet zhvillimore të shoqnisë shqiptare.

Një studim i kohëve të fundit nxjerr në pah faktin se letërsia shqipe shkruhet më së shumti në gjuhën letrare. Instituti juaj çfarë të dhënash ka? Sipas shkrimit të “Gazeta Shqiptare” lidhur me këtë konferencë, Dhurata Shehri dhe Persida Asllani që mbanin edhe peshën organizative të konferencës, ndoshta për herë të parë kanë krye nji qasje letrare-gjuhësore ndaj dukurisë së gjuhës letrare. Kjo qasje i ban shum nder këtyne studiueseve, sepse e shfaq për herë të parë problemin në nji kuadër ma të plotë dhe ma shterrues. Deri tashti kemi pasë të bajmë me gjuhëtarë që e shofin gjuhën vetëm si instrument të thjeshtë komunikimi me rregulla të ngushta gramatikore, pa e lidhë atë aspak me letërsinë dhe traditën, me kapacitetet gjeografike të krijueshmënisë letrare, me mitrat historike të prodhimit letrar, me specifikat e optimalizmit shprehës dhe përshkrues e nji seri faktorësh që Kongresi i Drejtshkrimit as që i shtronte e as që mund t’i shtronte për shkak të nivelit mediokër të stafit organizativ si dhe klimës panagjiriste, në të cilën u zhvillue.

Studiuesja Dhurata Shehri
Studiuesja Dhurata Shehri

Në konferencë thuhet se letërsia shqipe filloi vetëm me nji 30% si letërsi gege përkundër 70% si letërsi në tosknisht. Edhe po të ishte kështu e vërteta, edhe po qe se na do ta kishim lejen që pjesët t’i quenim si nënndamje të barabarta, raporti i saktë i pasaktësisë së këtij konstatimi do të ishte 33,33% me 66.66%. Dhe për ta amnistue këtë përcaktim aritmetik nga mëkati i lajthitjes, duhet thanë se na e dimë se shqipja e gjysmës së parë të shek. XX njihte haptaz dhe zyrtarisht tri koiné: gegnishten, tosknishten dhe arbnishten e arbneshëve të Italisë. Nëse arbnishtja ka ngjashmëni me tosknishten në sistemet fonetike dhe sidomos në mbaresat, në leksik ajo asht krejt e ndryshme nga tosknishtja, çka na autorizon me pohue drejtpërsëdrejti se gegnishtja e tosknishtja janë ma afër njena-tjetrës ma shumë se tosknishtja me arbnishten e arbneshëve të Italisë. Pra përkundrejt paraqitjes së masipërme me përqindje, sugjerojmë që të preferohet paraqitja se letërsia e re shqipe filloi me arbnishten dhe, në Rilindje të plotë, kishim mrekullisht nji barazpeshim të tri koineve me nga 33.33%. Due t’i kujtoj ndërkaq organizueseve të asaj konference se Rilindja nuk ishte vetëm nji stinë e madhe zhvillimesh, por edhe nji kohë e vetdijshme persiatjesh të kujdesshme lidhë me ekuilibrat endokulturorë.
Dhe për ta mbyllë, kjo çeshtje do të ishte skjarue ma së miri sikur studiueset e masipërme të kishin sadopak parasysh një libër të Stefan Çapalikut me titull “Prijësi për sociologjinë dhe gjeografinë e letërsisë shqipe”.

Në vitin 1972 raportet në letërsinë shqipe, ishin 70% në toskërisht e 30% në gegnisht ndërsa pas këtij viti gegnishtja duket se u shua. Ju si e shihni? Më duket se e shterruem rezervën tonë rreth këtyne raporteve. Diskutimin ta fokusojmë tek termi “u shua”, ose sikurse thonë disa “u tërhoq”. A u tërhoq gegnishtja? Mendojmë se gegnishtja u tërhoq, por duhet spjegue mirë se çfarë kuptojmë na me këtë fjalë. Ithtarët e Kongresit, ndër ta ai që ma shum se askush tjetër e “vringëllin” këtë fjalë, z. Emil Lafe i cakton këtë kuptim kësaj fjale: “gegnishtja e humbi davanë historike, i shterroi hovi jetësor, u gjet përballë konkurrencës së fortë të tosknishtes dhe “e la lojën”. Iku, pra…” Ky koncept marksist revolucionar nuk ujdis me logjikën e shestimit gjuhësor, edhe pse në thalb asht hegelian. Nji “gjuhë” nuk mund ta humbasë davanë e saj në një hark kohor 20-30 vjeçar, veç në qoftë se mbi atë të ushtrohet nji presion shtetnor me markë diktatoriale dhe totalitare. Pra vetëm kështu mendojmë na. Gjuha, përkatësisht gegnishtja, mund të largohet, por ky largim nuk asht i përhershëm. Ajo largohet për ta ruejtë veten. Ajo ruen frymën e letërsisë së saj ma të mirë dhe, në rastin ma të keq, pret nji kohë tjetër. Mos të harrojmë se gjuha shqipe ka kalue jo nji here nëpër shtrëngime historike dhe ADN-ja e saj e ka shum të gjallë kujtesën imunitare dhe stratagjemat e përballimit të aktualiteteve në favor të gjithëkohësisë. Tosknishtja asht ma deklamative, ma “shërbimtare”, historikisht ka marrë përsipër edhe funksione të dukshme jashtëletrare. Do të sjell nji shembull. Në kohën e diktaturës u shkruen poema të ndiera për komunizmin, partinë dhe diktatorin. Hymnizime personale dhe mitologjike me nji ndjeshmëni të habitshme, plot patos dhe ndjenjë, plot mirënjohje të thellë dhe të sinqertë, me nji stil të habitshëm pjesëmarrës në atë çka thuhej. Këto shkrime fatkeqe janë shembuj ndoshta unikalë në botë, ku dashuria dhe estetika e saj shkojnë drejt objektit të gabuem. E njajta gja nuk mund të thuhet p.sh, për panagjiriket e Llazar Siliqit që asokohe shkruente me entuziazëm në gegnisht. Poema e tij me refrenin e njoftun e monoton “a ka kala që s’marrin komunistët” tingllon sot edhe atëherë si teneqe. Ky asht shkaku që gegnishtja u tërhoq nga pjaca e letrave shqipe për t’iu kthye “ilegalitetit”.

Cilët janë shkrimtarët që shkruajnë sot në gegnisht? Pse janë “zëra të mbytur”? -Instituti ynë ndjek me shumë vëmendje zhvillimet letrare e gjuhësore në terren. Lidhur me vështrimet e ndryshme dhe të kundërta me zyrtaren, na kemi ngritë variantin tonë dhe kemi folë me fakte, kurse pala tjetër ka folë me hamendje dhe me prepotencë, pra ashtu sikurse do të donin ata që të ishte. E kemi deklarue në TV dhe publikisht sa here që na asht dhanë rasti se lista e shkrimtarëve gegnishtshkrues mbas Kongresit të 1972 sot i ka kalue të 200 emnat. Na kemi dosje rreth emnave, titujve dhe botimeve të kësaj “morie” gegnishtshkruesish mbas Kongresit. Sa i përket qenies “zëra të mbytur” kjo pyetje do të ishte mirë t’u bahej atyne që nuk kanë sy me pa e jo ne që e kemi “fillue kangën” qysh në kohë të vështira e me rrezik. Mendoj se në kulturën shqiptare ende nuk ka ardhë pluralizmi. Mendimi politik dhe ekonomik asht shum ma përpara. Kjo ndoshta se në këto fusha interesohen dhe ndërkombëtarët. Kulturën do ta “nxjerrim na prej balte”. Edhe kjo intervistë e imja këtij qëllimi i shërben. Duhet të shtoj se letërsia gege e mbas Kongresit ka jo vetëm të gjithë mbështetjen e traditës, por asht pasunue me ndjeshmëni të bashkohësisë. Dalëngadalë tradita po kthehet e fuqishme, ashtu sikurse ndodh mbas nji krasitjeje të thellë.

Në këtë krizë për librin, sa vend mbetet për letërsinë e dialekteve dhe atë gege? Kriza asht totale. Na do marrim pjesën tonë të vëmendjes, si dhe pjesën tonë të indiferencës. Letërsia e bukur nuk ka nevojë për “kumbar”, aq ma tepër që këta gjuhëtarët tanë të zyrtaritetit ngulin kambë se nuk ka ndryshime të mëdha mes dialekteve. Pastaj stilet “shpikin” edhe gjuhën. Ndryshimet janë të pritshme dhe të mirëseardhuna.

A mbetet e vështirë për t’u lexuar, kuptuar, përthithur e mandej për t’u dashur letërsia gege në një kohë që edhe standardi për brezin e ri po cungohet? Unë mendoj se letërsia në gegnisht asht nji letërsi me status historik kombtar. Ky status buron nga cilësia e saj dhe arritjet e saj në kohë normale. Diktatura nuk asht kohë normale, ajo asht aksident historik. Të paktën kështu përceptohet dhe mendohet ajo nga kandvështrimi i demokracisë. Humbja e vemendjes për letërsinë në përgjithësi nuk asht vetëm faj i TV dhe i teknologjisë. Politikat kulturore tek ne çalojnë sa i përket gjithëpërfshimjes gjuhësore dhe përparësive. Ka shum anglishte e frengjishte që e kërcënojnë shqipen e jo gegnishtja. Gegnishtja asht idioma e natyrshme e 70% të shqiptarëve. Këtë duhet ta kuptojnë Akademia dhe fakultetet. Por edhe Akademia, edhe fakultetet “ujitin” me fanatizëm pemët e mitologjisë të një stine që shkoi. Ata mbrojnë nji burokratishte që i ka shkëputë lidhjet e saj me gjuhën e gjallë të popullsisë dhe të historisë së shkrimit shqip. Në asnji rast nuk mund të ndodhte diçka ma e randë.

Si mund të promovohet nga shteti letërsia e dialekteve? A bashkëpunoni ju me drejtorinë e fjalës në Ministrinë e Kulturës? Shteti ka ndryshue këto vitet e fundit politikën përjashtuese, por po ecën me ngadalësi dhe duket që nuk do që të çojë “qentë peshë”. Shqiptarët po i paguejnë haraç të dyfishtë gabimeve të tyne. Koha asht me ndryshue orientimet dhe jo t’i bahet kozmetikë gjuhës. Gjuha duhet të hapet dhe hapja fillon me përfilljen dhe regjistrimin e shkallës së vitalitetit të letërsisë gegnishte. Politikat e syve të mbyllun dhe të vazhdimit të mospërfilljes janë në dam të produktit shpirtnor kombtar. Disa mendime dhe ide kanë mbarue së bashku me sistemin dhe përfillja e tyne i gërsheton epokat me pasoja që shoqnohen me vonesa të tjera. Ministria e Kulturës organizoi në mesin e nandorit nji festival me poezinë gege edhe atje performuen 6 autorë gegë. Prandej m’u duk e painformueme edhe njena prej zonjave të konferencës, kur deklaronte se, në dijeninë e saj, përveç Zorbës nuk njihte autor tjetër që shkruente në gegnisht. Sa për saktësi due ta lajmoj zonjën, autore të këtij konstatimi, se Zorba i ka konvertue tekstet e tij nga gegnisht në tosknisht, me përjashtim të nja dy poemave, të cilat janë edhe maja e gjasë së tij.
Me drejtorinë për përmirësimin dhe rijetëzimin e gjuhës na bashkëpunojmë, por jemi për ritme të tjera dhe për përgjegjshmëni ma të madhe.
Marre nga https://www.voal.ch/interviste-primo-shllaku-letersia-gege-nuk-ka-vdeke

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.