back to top
15.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Prek Cali… dhe Epopeja e Urës së Tamarës nga Ilir Seci

Gazeta

Legjenda e Kelmendit - Prek Cali
Legjenda e Kelmendit – Prek Cali

Prek Cali… dhe Epopeja e Urës së Tamarës

nga Ilir Seci

71 vjet më parë,
me 15 Janar 1945,
Kreshniku i Malsisë Prek Cali
ua vuri pushkën komunistëve
te Ura e Tamarës

Festimi i bujshem i 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë me 29 Nëntor 2014, gërvishti një plagë të rëndë të ndërgjegjes shoqërore shqiptare! Plagën e pashëruar të mashtrimit historik! Plagë që këto festime e bënë të kullojë përsëri duke filluar nga nxjerrja në sheshe e fotografisë së diktatorit, deri te ridekorimi i figurave komuniste si Nexhmije Hoxha apo Vito Kapo, që janë përgjegjes për krimet e kryera në 47 vjet Diktature! Diktaturë që u vendos me 29 Nëntor 1944… Apologjetët e Diktaturës po mundohen ta kthejnë në zakon që çdo 29 Nëntor të festojnë datën e “çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë”!?… Sepse pikërisht përmes kësaj date ata mundohen të rivlerësojnë figurën e urryer të diktatorit Enver Hoxha! Politikanë, historianë, studiues, kryesisht nga koha e diktaturës, ata që në vitet e diktaturës fallsifikonin historinë, sot me të madhe mundohen ta rehabilitojnë diktatorin e urryer duke e nxjerrë nga naftalina e ndërgjegjeve të tyre kriminale ku e ruajnë prej vitesh! “Pavarësisht se ç’ndodhi më pas, Enver Hoxha ka rolin e vet në Luftën Antifashiste Nacionalçlitimtare!” – shkruajnë nëpër vitrinat e tyre partiake, apologjetët servilë përjargës, si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi?!… Krimineli i Luftës së Dyteë Botërore Adolf Hitleri, kur erdhi në pushtet në vitin 1933, e gjeti monedhën gjermane në inflacion rekord, 1 dollar Amerikan këmbehej me miliona marka?! Mbas pesë vjetësh ne vitin 1938, ai arriti thuajse ta barazojë me dollarin amerikan! Por deri me sot asnjë historian gjerman nuk ka guxuar të dalë e të mbrojë Hitlerin për ato merita!? Por le ti hedhim një sy të ashtuquajturit “Çlirim”?!…

Prek Cali dhe familja e tij
Prek Cali dhe familja e tij

Mbas datës 29 Nëntor 1944, realisht vjen data 30 Nëntor 1944, datë kur populli Shqiptar thjesht ndërron zgjedhën!… Nëse me 29 Nëntor 1944, Shqipërisë ju hoq zgjedha e pushtuesit nazi-fashist, atëhere me 30 Nëntor 1944, ju vendos zgjedha komuniste sepse Shqipëria u pushtua nga komunistët! Nuk mohohen dot meritat e atyre që dolën në mal kundër pushtuesit… Vetëm nderim ka për të gjithë ata djem e vajza që dhanë jetën në vitet e luftës deri në 29 Nëntor! Vetëm nderim ka për të gjithë ata partizanë shqiptarë që luftuan kundër pushtuesve deri më 29 Nëntor 1944, ata të cilët me të mbaruar lufta u kthyen në shtëpitë e veta!… Por s’mund të ketë kurrë nderim për ata ish-partizanë që me të ikur ushtari i fundit pushtues nuk u kthyen në shtëpitë e tyre, por në emër të vendosjes së pushtetit popullor, që nuk ishte tjetër veçse Diktatura e Proletariatit, masakruan krahina të tëra anembanë Shqipërisë! Mbas 30 Nëntorit 1944, ata partizanë që masakruan bashkëkombasit e vet, nuk ishin më çlirimtarë por vegla të diktaturës së Envër Hoxhës… U bënë dora e Sigurimit famëkeq që vrau shqiptarët e pafajshëm, të çdo krahine, të çdo gjendjeje shoqërore, besimi, moshe e gjinie…

Prek Cali me malsorë - 25 vjetori i Pavarsisë 28 nandor 1937
Prek Cali me malsorë – 25 vjetori i Pavarsisë 28 nandor 1937

Në fakt rrjedha e ngjarjeve solli që ata vranë edhe partizanë e drejtues që luftuan përkrah tyre deri me 29 Nëntor 1944…
Më 29 nëntor na thuhet se është larguar gjermani i fundit nga Shqipëria, gjithnjë sipas historiografisë komuniste… atëhere ç’deshën forcat komuniste në Shkodër, për shembull?!Kundër kujt luftuan aty?!…” Luftë kundër reaksionit” – përdorej shprehja në kohën e diktaturës por sot ajo shprehje nuk vlen më sepse në fakt ishte luftë për pushtet dhe vendosje e diktaturës me dhunë! Thënë shqip Malësia e Madhe, Shkodra, Postriba, Malësia e Dukagjinit, Nikaj-Mërturi, Tropoja, Luma, Dibra, Mati, Kurbini jane pushtuar nga forcat komuniste! Sepse pushtim është kur forcat që vijnë si “çlirimtare” në fakt janë pritur me pushkë! Nëse forcat partizane ishin çlirimtare përse duhej të përhapnin ideologjinë e tyre me forcë?! Partizanët franceze apo ata italianë fill mbas çlirimit të vendeve të tyre vendosën një qeverisje provizore dhe shpallën zgjedhjet demokratike duke vendosur një pushtet legjitim të dalë nga vota e lirë! U ngritën gjykata të pavarura dhe dënuan bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, por asnjëhere nuk internuan familjet dhe të afërmit e atyre që u dënuan! Nuk ngritën as Franca dhe as Italia kampe si kampi i Tepelenës ku kanë vdekur nga uria fëmijë e gra “reaksionarësh”!? Kurse komunistët e Enverit në emër të “çlirimit” zhdukën çdo kundërshtar politik, shtypën me thundër hekuri lirinë… Të vetmin rast që bënë zgjedhje disi demokratike ishin zgjedhjet në vitin 1946, që u përdorën për të hequr monarkinë nga një parlament disi legjitim dhe me të mbaruar punë mbas 11 Janarit 1946, kryen një akt të paprecedent, pushkatuan deputetet e dalë me votë popullore!? Rast unikal në Evropë… rast që vërtet e bën njeriun shumë krenar për “çlirimtarët”!
E vërteta është se në Malësitë tona komunizmi nuk gjeti përkrahje sepse në veri kishte shumë mosbesim ndaj komunistëve të Enverit që ishin aleatë me Serbinë. Tradita u kishte mësuar malësorëve që çka vjen prej Serbie nuk duhet besuar ndaj dhe prej 8 nëntorit 1941 deri në vjeshtën e vitit 1944, në veri ka vetëm një batalion partizan që vepronte në Alpet shqiptare… Brigadat partizane në veri të gjitha kanë si datë krijimi muajt gusht 1944, deri me 29 nëntor 1944, kur është krijuar brigada e 27 sulmuese e Shkodrës… kuptohet me rekrutime me forcë!Por kjo nuk nënkupton çlirim, por nënshtrim!Në Malsi, atje ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, mbas 1944 vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit, etj, në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit dhe Nikaj-Mërtur vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj, po kështu në Shllak etj. Në Postribë u printe Jup Kazazi, në Mirditë u rezistonte dera e madhe e Markagjonëve… Në Lumë forcat e Muharrem Bajraktarit… Në Tropojë të Vjetër, (Gash) partizanët u pritën me pushke nga familja e pasardhësit e patriotit të madh Ali Ibra…

Kulla e Prek Calit sot...
Kulla e Prek Calit sot…

Si sot 70 vjet më parë me 15 janar 1945, Prek Cali, legjenda e Kelmendit ua vuri pushkën komunistëve te Ura e Tamarës në Kelmend…U bë luftë e përgjakshme mes malësoreve që mbronin trojet e veta dhe pushtuesve që vinin nga dy anët, forcat komuniste të Mehmet Shehut që vinin nga poshtë dhe forcat partizane jugosllave që vinin nga Gucia me urdhër të Titos! Prek Cali po luftonte kundër aleancës komuniste të internacionalistëve shqiptarë dhe armiqve tanë shekullore serbëve!… Pra ishte rrethuar nga forcat komuniste të Mehmet Shehut që hynë në Kelmend nga Tamara e në Veri nga forcat partizane jugosllave që erdhën nga Gucia… U dorëzua në Besë vetëm e vetëm që ti shpëtonte jetën një bashkëluftëtari të tij që ish djali i vetëm e nuk donte që të shuhej ajo Shpi malësori!… Para se të pushkatohej, Mehmet Shehut me ironi i tha “Pse nuk u bërë me ne o bajraktar, se ashtu do ta mbyllje historinë tende me shkronja ari!”… Dhe kreshniku Prekë Cali iu përgjigj: “Zotni, faji bie mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë!”
Kështu nisi vrasja e përndjekja e elitës sonë kombëtare, kështu nisi shpërbërja e DNA-së sonë kombëtare nga komunistët që kishin gati projektet e tyre për krijimin e Njeriut të ri… Vritej legjenda Prek Cali, shembull i sojit shqiptar, i shtëpisë së njoftun dhe i fisit të parë, në za në krejt Malësitë Shqiptare!… Nga rrëfimet malsore që përshkruajnë Prekë Calin si dhe nga disa fotografi që kanë mbetur prej tij, tek ai Burrë shtatnaltë ishin mishëruar vlerat ma të mira të sojit shqiptar, ashtu kishin mujtë me u ruejtë vetëm në Malësi I gjatë si lis bjeshke, Prek Cali me dukjen e tij dëshmonte se ish pasardhës i rodit të Kreshikëve që gjejmë të përshkruem ndër Eposin Kreshnikëve! Ashtu si kishte të rrallë dukjen ashtu të rrallë e kishte edhe mendjen, guximin dhe urtinë! Ende kujtohet, urtia e tij, sepse fjala i kishte peshë dhe i zinte vend në kuvend e të gjithë e dëgjonin me nderim
Bashkë me qumështin e nanës ai u mëkua me dashurinë për tokën e vet, për trojet që ja kishin lanë të parët. Gjithë jetën Prekë Cali do të luftonte në mbrojtë të atyre trojeve të shtrenjta ku i kishte shkelë këmba ma së pari! U lind dhe u rrit në kohëra shumë të vështira për atdheun, ciklin jetësor të tij e shënjojnë dy ngjarje të rënda në historinë kombëtare!

Traktati i Shen Stefanit
Traktati i Shen Stefanit

Preka u lind në vitin 1878, vitin kur u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit, traktat famëkeq për copëtimin e Trojeve shqiptare! Dhe vdiq në vitin 1945, vit në të cilin mbi kombin tonë pllakosi murtaja e kuqe! Të dy këto fatkeqësi kishin një burim… Të dyja keto fatkeqësi vinin nga Moska! Që në moshë të re luftoi për të mbrojtur trojet e veta nga orekset e shovinistëve serbë, armiqëve tanë shekullore që ishin lëshue si bishat për të shkulë copa nga tokat tona! Kundërshtoi vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, vendime që u morën në dam të Shqipnisë dhe të trojeve të kombit shqiptar. Asht proverbiale këmbëngulja e tij përballë komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufinjve!… Kur Preka porsi Kreshnik rrëmbeu gurin dhe e mbarti në shpinë deri në kufinjtë që ja kishte lanë baba! Gjithë jeta e tij shkoi me Luftë e përpjekje me armiqtë e Kombit tonë deri sa u vra nga komunistët ne vitin 1945…
Të ashtuquajturin Çlirim të vitit 1944, e kujtojnë dy shtresa shqiptarësh; shtresa që morën pushkët dhe luftuan për të shporrur pushtuesin, me ëndërr që të kenë një atdhe të lirë për të gjithë dhe shtresa e dytë janë shtresa që përfituan nga ajo datë duke u bërë më të këqinj se pushtuesit! Eshtë shtresa që me shumë se datën 29 Nëntor, në të vërtetë feston 30 Nëntorin 1944!?… Kjo shtresa e dytë e festojnë datvn 30 nëntor 1944, sepse ata zbritën në Tiranë si “çlirimtarë” dhe u menjëherë krijuan Bllokun me vilat që ua morën me forcë pronarëve të ligjshëm?!… Ua morën bashkë me orenditë që kishin! Ua morën tregtarëve shqiptarë, të gjitha, me dyqane, me florinj… gjoja në emër të popullit!? Ata që kanë 70 vjet që jetojnv me ato pasuri të vjedhura “Në Emër të Popullit”… datën 30 Nëntor 1944,e festojnë ata që në vitet e “Demokracisë”, ua bënë letrat vilave të grabitura në vitet 1944-1947… ata që në vitet 1991-1992, ua bënë letrat dyqaneve të grabitura në vitet “Kur hidheshin themelet e pushtetit popullor”… I legjitimuan vjedhjet dhe grabitjet sepse në pushtet mbas “shndërrimeve demokratike të viteve ’90 erdhën njerëzit e deleguar nga ata vetë! Sot 70 vjet më vonë në vila, me biznese, me milionat e gllabëruara pronarëve të ligjshëm, me të gjithë të mirat e dheut u takon t’ua dinë për nder të parëve të vet vrastarë! Pse të mos e festojnë plot pompozitet Ditën e Çlirimit nipat dhe mbesat e atyre që “sollën lirinë” me 30 Nëntor 1944… dhe vranë, burgosën dhe përndoqën një popull për 47 vite me rradhë!

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.