back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Masakra e Raçakut – 15 janar 1999

Gazeta

15 janar 1999 - Masakra e Raçakut
15 janar 1999 – Masakra e Raçakut

Masakra e Raçakut – 15 janar 1999

Masakra serbe që tronditi botën perëndimore… 

Masakër që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Masakra Reçakut ndodhi më 15 janar të vitit 1999, në të cilën u vranë mbi 45 civilë shqiptarë.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të Millosheviqit.
Mbas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çdo t’i sillnin orët në vijim Kosovës.
Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga Lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim Kundër Njerëzimit.
Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës. Diplomacia botërore mobilizohet për Kosovën, ndërkaq Beogradi planifikonte ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës.
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura “Pishat”, “Gështenjat”, “Rrasa e Çallakut” dhe “Çesta” përmbi Reçak. Mbas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaft të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.

Pamje e masakres se Raçakut
Pamje e masakres se Raçakut

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij Rashit Rashiti. Këta barbarë të mesjetës, nuk e lënë me kaq, pas ekzekutimit Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit. Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.
Drama më e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t’u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajn fshatarët) gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.
Dëshmitarët okularë: Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë: “Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t’u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar: “Çka ka këtu brenda?” Polici i përgjigjet: “Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.
Ndërkaq dëshmitari Bilall Sadri Avdiu, i cili ka qenë i strehuar në ahurin e lopëve thotë: “Dy tre policë e çelën derën e ahurit… dhe thanë: “Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën jau q…). Na urdhëruan të dalim përjashtë me duart përpjetë, dhe kur dolëm përjashtë ata kishin qenë shumë – 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me masaka e disa pa to…”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.

Trishtimi i Masakres
Trishtimi i Masakres

Në oborrin e Sadikut në këtë moment kritik ishin këta mashkuj: “Hakip Imer Hakipi, Ahmet Izet Jakupi, Esheref Halim Jakupi, Lutfi Hasan Bilalli, Sadik Xhemë Osmani, Jashar Milaim Salihu, Njazi Sherif Zymberi, Shyqeri Ismajl Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Faik Syla, Fatmir Faik Ramadani, Murtez Ramiz Imeri, Mehmet Qerim Jakupi, Muhamet Hafiz Mustafa, Shukri Milaim Salihu, Sheremet Shyqeri Syla, Mufail Mehdi Hajrizi, Bujar Hanafi Hajrizi, Salih Faik Ramadani, Nexhat Faik Ramadani, Xheladin Ahmet Jakupi, Raif Milaim Salihu, Ragip Jahir Bajrami, Bajrush Nesret Shabani, Bilall Bilalli, Ramë Nesret Shabani, dhe Nesret Shabani. Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t’i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.
Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij oprecioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolonë) për një i nisin në drejtim të malit dhe te “Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje.
Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Imer Imeri.
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Perkujtimi i viktimave te Raçakut
Perkujtimi i viktimave te Raçakut

Emrat e viktimave

1.Lute Asllani
2.Banush Azemi.
3.Ragip Bajrami
4.Halim Beqiri
5.Rizah Beqiri
6.Zenel Beqiri
7.Lutfi Bilalli
8.Ajet Emini
9.Bujar Hajrizi
10.Myfail Hajrizi
11.Skënder Halili
12.Haqif Hysenaj
13.Hajriz Ibrahimi
14.Hakip Imeri
15.Murtez Imeri
16.Nazmi Imeri
17.Mehë Ismajli
18.Muhamet Ismaji
19.Ahmet Jakupi
20.Eshref Jakupi
21.Hajriz Jakupi
22.Mehmet Jakupi
23.Xhelal Jakupi
24.Jashar Jashari
25.Raif Jashari
26.Shukri Jashari
27.Fatmir Limani
28.Nexhat Limani
29.Salif Limani
30.Bajram Mehmeti
31.Hanumshah Mehmeti
32.Arif Metushi
33.Haki Metushi
34.Ahmet Mustafa
35.Asllan Mustafa
36.Muhamet Mustafa
37.Sadik Osmani
38.Jashar Salihu
39.Shukri Salihu
40.Bajrush Shabani
41.Ahmet Smajlaj
42.Sheremet Syla
43.Shyqëri Syla
44.Bajram Xheladini
45.Njazi Zymeri

Memoriali i Masakres se Recakut
Memoriali i Masakres se Recakut

William Wallker: “Ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj si:

“Masakër dhe Krim Kundër Njerëzimi(!)“

Të nesërmen, më 16 janar aty rreth orës 13:30 minuta në Reçak do të shkojë ish-shefi i misionit të OSBE-së z. William Wallker, për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale. z.Wallker pasi vizitojë fshatin u ngjitë lartë te “Gropa e Bebushit” dhe derisa po i afrohej luginës së ngushtë u tmerrua kur i pa kufomat e tre mashkujve të moshuar dhe në këto momente deklaroi: “Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu…”
Më pastaj z. Wallker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangur e trupa të sakatosura kufomat tjera të civilëve të ekzekutuar barbarisht. “T’i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t’i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them…”, pohoi z.Woker.
Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai do të deklarojë: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit(!) Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time…!”.
Marrë nga http://www.voal-online.ch

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.