back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Pjetër Budi (1566 – dhjetor 1622) – 450 Vjetori i Lindjes

Gazeta

Pjetër Budi - "Paschyra e të rrëfyemit", Rome 1621
Pjetër Budi – “Paschyra e të rrëfyemit”, Rome 1621

Pjetër Budi (1566 – dhjetor 1622)

Kater Vjersha nga Pjetër Budi

“O i Pa fat Njerii …”

O i pa fat njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

Ndo plak jee, ndo i rii,
Përse s’shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?

Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjijshi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;

Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?

Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,

Aty s’prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;

Aty s’prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;

Aty s’prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë

Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuom …”

I madhi zot, qofsh lëvduom

I madhi Zot, qofsh lëvduom
për gjithë kaqë të mirë
që së kam u’ merituom
me ndoonjë shërbetyrë;

qi më dhee kaqë hijr
këtë kafshë me mbaruom,
si q paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.

Posi mendja më përcijll
nd’Arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom.

Ata merrë mbë dëshijr
mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpijrt me lulëzuom;

e si zogzitë ndë pyyllt,
Zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t’amblëtuom.

Pjeter Budi - Ajo dite me menii
Pjeter Budi – Ajo dite me menii

Ajo dite me menii

Ajo dite me menii
Qi te vijne nde e vone
Kete shekull te zi
Ta diege e ta pervelojne,

Si profeta ban deshmi
Me sibilene, po thone
I madh gjyyq e menii
Te vijne per mkate tone.

Saa dridhme e cokellime
Te jeene pergjithmane,
E n qiellshit shkepetime
Nd’ajerit e madhe gjame..

Madhështi e njerëzve

(marrë nga Doktrina e Krishterë)

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë
t’urtë e dijes të ndëgjuom,
të bardhatë posi borë
letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha
ndë sqimë e ndë madhështi,
me petëkat të mëndafshta
nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s’i shikoi,
as të vobegë, as të begatë.
(1618)

Pjeter Budi - Peshkop dhe Shkrimtar
Pjeter Budi – Peshkop dhe Shkrimtar

Jeta e Pjetër Budit (1566-1622)

Pjetër Budi është një poet i njohur.
Pjetër Budi (1566-1622) – prift, shkrimtar shqiptar nga Gur i Bardhë, Shqipëri.
Pjetër Budi është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë. Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621, një kardinali të quajtur Gocadin. Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit.
Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër, nëpërmjet së cilës mësojmë diçka të sigurt për jetën e tij.
Pjetër Budi lindi në Guri i Bardhë, Mat, nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkeve të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587, u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në një letër të shkruar në shqip ai ankohet për varfërinë dhe mosdijeninë e popullit dhe shpreh keqardhjen e tij që këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe. Më pas vendoset në Romë. Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cenonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t’i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim. Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622, organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj. Në dhjetor 1622, mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; atë e shkaktuan qarqe antishqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare.

Emz. Pjeter Budi
Emz. Pjeter Budi

Gjatë 29 vjetëve që shërbeu në vise të ndryshme, i veshur me petkun e klerikut, Pjetër Budi u shqua edhe për një veprimtari të dendur atdhetare. Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Çlirimin dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia e lirë, sidomos te malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre.3]
Proza e Budit dëshmon jo vetëm për idetë përparimtare, por edhe për aftësitë e tij letrare. Edhe pse në të ndihet ndikimi i literaturës kishtare latine, ai është munduar t’i japë gjuhës shqipe një shprehje e formë të bukur, duke shfrytëzuar pasurinë e gjuhës popullore dhe frazeologjinë e saj të pasur. Faqe me rëndësi në krijimtarinë e Budit përbëjnë vjershat e tij. Para tij njohim vetëm një vjershë të shkurtër me 8 vargje, të shkruajtur nga arbëreshi Lekë Matrënga, kurse Budi na ka lënë 23 vjersha me mbi 2.300 vargje, prandaj me të drejtë ai mund të quhet nismëtari i parë i vjershërimit shqip. Vjershat e Budit kryesisht janë të përshtatura nga latinishtja e italishtja, vetëm pak janë origjinale. Është e vërtetë se në hartimin e tyre nuk kemi një frymëzim e teknikë të lartë, por vihet re një përpjekje serioze për ta pasuruar gjuhën shqipe edhe me krijime që synojnë të shprehin në vargje të bukurën në artin e fjalës shqipe. Në njërën prej tyre, në formën e një pyetje retorike, poeti shpreh ndjenjën e trishtimit dhe të kotësisë që e pushton kur mendon se të gjithë njerëzit i rrëmben vdekja.
Vepra e tij e cila ka shumë rëndësi si letraro-artistike dhe gjuhësore u bë e njohur relativisht vonë. Për herë të parë ajo u botua në Prishtinë në vitin 1986.
Në Shqipëri, poezia e Pjetër Budit u bë e njohur nga botimi i studiuesit Behar Gjoka në vitin 2002. Për jetën, veprimtarinë, dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Pas afro katër shekujsh, libri i tij i tretë “Pasqyra e të rrëfyemit” të cilin e botoi në Romë, një vit para se të vdiste në moshën 55 vjeçare, zbulon në faqen e katërt të tij një gravurë ku poeti prift jepet në një moment lutjeje. Gravura është një punim mjaft fin dhe gjendet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë brenda “Pasqyrës së të rrëfyemit”, menjëherë pasi mbaron parathënia. Me datë 21 nëntor 2006, me rastin e 440-vjetorit të lindjes së Pjetër Budit, në Tiranë u organizua një sesion shkencor në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë sesion folën akademik Shaban Demiraj, akademik Rexhep Ismaili, Prof.Dr. Kolec Topalli, Prof. Dr. Floresha Dado, Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. Dr. Seit Mancaku, studiuesi Behar Gjoka, etj.
http://www.teksteshqip.com

Fshati Guri Bardhe (Mat)
Fshati Guri Bardhe (Mat)

Pak Histori për Gurin e Bardhë.

Guri Bardhë është një fshat i vogël malor që shtrihet përmbi Luginën e Matit…
Është një fshat që trashëgon dhe pasqyron tradita dhe kulturë të hershme qytetare… Akoma nuk dihet ndonjë datë egzakte që përkon me themelimin e këtij fshati, por nga ato të pakta gërmime dhe zbulime që janë
bërë në këtë fshat, nxjerrin në pah egzistencën e tij të hershme. Janë gjetur vegla pune prej guri që përkojnë me kohën e përdorimit të gurit. Gjithashtu janë zbuluar varreza shumë të vjetra me sende simbolike të ndryshme dhe me pllaka guri të gdhendura. Pra këto janë fakte të qarta që hedhin dritë të dukshme të egzistencës së këtij fshati që në lashtësi.
Në këtë fshat ndodhet një kala e quajtuar “Kalaja e Petralbës”
Kalaja gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit Guri Bardhe dhe përmbi fshatin Fshat.
Është e ngritur në një kreshtë malore 778 m dhe nuk ndodhet larg nga “Kalaja e Xibrit”.
Sipas supozime të ndryshme dhe gojëdhënave, mendohet se kjo kala  është ndërtuar pas shembjes (rrënimit) së asaj të Xibrit.
Të dyja këto kala ndodheshin në rrëzë të rrugës kryesore, Dibër – Qafë Murrize – Durrës…
Shkrimtari i madh shqiptar, Marin Barleti për këtë kala thotë: “Ky është një qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në majë të një mali dhe që s’i trembet asnjë fuqie armike, përveç urisë”…
Kjo kala sëbashku me atë të Skënderbeut në Varosh, kanë qenë dy qytetet kryesore të Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut. Kalaja e Gurit Bardhë (Petralba), paraqiste në interes tepër të madh në kohën e principatës së Kastriotëve dhe për nga interesi vinte  e dyta pas asaj të Stellushit. Populli thotë; se në këtë qytezë mbante familjen Gjon Kastrioti dhe se këtu ka lindur edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)…
Sërish sipas Barletit: “Në këtë kala, kalonte Verën dhe Vjeshtën e shoqja e Skënderbeut…”
Flitet se në fundin e shekullit të XV dhe në fillimin e shekullit të XVI, Guri Bardhë për numrin e shtëpive të banimit, renditej pas Shkodrës e cila kishte 282 shtëpi…
Prizreni kishte 557, Gjirokastra 302 dhe Kruja 128 shtëpi.
Ndërsa qytetet më të zhvilluara si Elbasani dhe Berati nuk i kalonin 100 shtëpi.
Guri Bardhë më së shumti u bë i njohur nga fundii shekullit të XVI me shkrimtarin e madh të asaj kohe, “Pjetër Budin”…
Pjetër Budi lindi në vitin 1566, në këtë fshat.
Mësimet e para i mori në fshatin ku lindi dhe mendohet se në Gur të Bardhë, qëndroi deri në moshën 21 vjeçare…
Më pas bëhet prift dhe në vitin 1587 emërohet famullitar në Kosovë. Më vonë shërben për rreth 17 vite me radhe si zëvendës i
përgjithshëm për dioqezat katolike të Serbisë.
Në vitin 1604 kthehet përsëri në Shqipëri, ku emërohet si peshkop i Sapës dhe i Sardës…
Ndërsa fundi i jetës së tij qe tragjik, pasi e mbytën pabesisht në lumin e Drinit…
http://guribardhe.albanianforum.net

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.