Pesë ditët e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe vendimet e tij
nga Kastriot Dervishi
Kongresi i Lushnjës është ngjarja më kryesore pas Kuvendit të Vlorës së vitit 1912, dhe Kongresit të Durrësit, të vitit 1918. Ai u mbajt në kushtet kur Shqipëria rrezikohej nga copëtimi në kushtet e mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Austro-Hungaria nuk ekzistonte më, ndërsa Italia ndaj Shqipërisë kishte synime të pangjashme me ato që viteve 1912-1914. Kongresi u organizua nën nxitjen britanike, nga konsulli Eden dhe përçonte këtë politikë. Karakteri i parë i Kongresit ishte ai antiitalian. U bashkuan në këtë linjë fituesi i vetëm i Luftës së Parë Botërore, Esat Toptani (zgjodhi delegatët e Tiranës) dhe gjithë klasa humbëse e kësaj lufte që kishte qenë me Austro-Hungarinë (organizatorët kryesorë të kongresit), duke pranuar të qeverisnin Shqipërinë e 1913-s.
21 janar 1920
Në orën 10.00 u çel mbledhje në shtëpinë e Kase Fugës. Pjesëmarrja nuk ishte e plotë. Mbledhja filloi me një lutje të Sheh Ibrahim Karbunarës e të Ferit Vokopolës. Për komisionin organizator, Aqif Biçakçiu (Elbasani) mbajti një ligjëratë në përgjigje të fjalës së mikpritësve. Një komision i përbërë nga Ibrahim Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Faslli Frashëri dhe Adem Gjinishi, kontrolloi letërpërfaqësimet. Meqenëse nuk kishin ardhur të gjithë delegatët, mbledhja u mbyll dhe i rinisi punimet më 28 janar.
28 janar 1920
Në orën 14.00 rinisën punimet. U verifikuan mandatet. Xhavit Leskoviku mbajti fjalën e hapjes, në emër të grupit nismëtar, duke përmendur shkaqet që çuan në mbajtjen e mbledhjes kombëtare. U zgjodh kryesia e kongresit:
Aqif Biçakçiu (Elbasani) – kryetar,
Sotir Peci – nënkryetar,
Kostaq Kotta – sekretar,
Ferit Vokopola – sekretar.
U mbajt zi për Abdyl Ypin e vrarë ato ditë dhe mbledhja e mbyll.
.
29 janar 1920
Në orën 9.00 u çel mbledhja. Nënkryetari i kongresit Sotir Peci parashtroi rendin e ditës së mbledhjes:
1.Masat që duhet marrë kundër vendimit të tri fuqive të Antantës për copëtimin e Shqipërisë sipas paktit të Londrës 1915.
2.Zgjedhjen e qeverisë së re sipas programit që do caktonte kongresi.
3.Formën e regjimit që do kishte përkohësisht shteti shqiptar.
4.Votëbesimi i qeveria e përkohshme.
5.Zgjedhjet e autoriteteve sipas vendimit që do të jepet.
Për të kundërshtuar Paktin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, u vendos të bëhen protesta të shumta si dhe u ngrit një komision i përbërë prej 10 anëtarësh. Në lidhje me qeverinë e Durrësit kongresi vërejti se:
a-Ka vepruar jashtë tagrit dhe programit të dhënë nga kongresi i Durrësit.
b-Ka sjellë pengesa që kanë çuar në mosmbledhjen e Senatit.
c-Administrata e keqe ka shkaktuar anarki në të gjithë anët e Shqipërisë.
ç-Duke mbështetur politika të veçanta, ka sjellë një gjendje të keqe politike në Shqipëri.
e-Duke përdorur intrigat ka penguar Mbledhjen e Lushnjës.
.
Nisur nga këto, Kongresi me 45 vota pro dhe 6 kundër vendosi rrëzimin e qeverisë si dhe zgjodhi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes të përbërë nga Luigj Bumçi, Mehmet Konica dhe Mihal Turtulli.
30 janar 1920
Në orën 9.00 u çel mbledhja. U bisedua në lidhje me protestën që do t’i dërgohej Konferencës së Paqes si dhe letrën që do t’i dërgohej Senatit Amerikan. Nuk u ra dakord për letrën që do i dërgohej parlamentit italian, sepse ishte e butë. U vendos të formohej një komision. Për formën e regjimit, nuk u kundërshtua monarkia, por u vendos krijimi i Këshillit Kombëtar (Senati) në rolin e organit legjislativ të shtetit dhe Këshilli i Naltë (KN) në rolin e përkohshëm të kryetarit të shtetit. Bazat e Kanunores së KN-së me 6 pika, përbënë nyjën e parë kushtetuese funksionale të Shqipërisë. KN-ja përveç rastit të parë në Lushnjë, zgjidhej nga legjislativi. KN-ja mund të zgjidhte një kryeministër në kohë krize. Funksioni i saj përfundonte me ardhjen e mbretit. Pas miratimit të kësaj “dispozite kushtetuese”,
Iljaz Vrioni propozoi 4 anëtarët e Këshillit të Naltë:
1.Aqif Biçakçiu,
2.Abdi Toptani,
3.Mihal Turtulli dhe
4.Imzot Luigj Bumçi,
të cilët u votuan njëzëri. Këta dy të fundit, u vendos që të mbeteshin në Konferencën e Paqes në Paris, ndërsa punën ta vijonin dy këshilltarët e tjerë. Delegati Bektash Cakrani propozoi ministrat e kabinetit të ri:
Sulejman Delvina (kryeministër),
Iljaz Vrioni, Ahmet Zogu, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica, të cilët u miratuan njëzëri me përjashtim të Iljaz Vrionit, i cili me dëshirën e vet ia la vendin Hoxha Kadriut. Delegati Idhomen Kosturi propozoi që qeveria të betohej para mbretit (Këshillit të Naltë). Nënkryetari S. Peci tha se duhej së pari që KN-ja të betohej para kongresit, e qeveria para KN-së. Aqif Biçakçiu kërkon që edhe delegatët të betohen para KN-së. Pas këtyre filloi zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar (Senati), organit legjislativ të shtetit.
U caktua një komision me 8 anëtarë.
.
.
31 janar 1920
Në orën 9.00 u çel mbledhja. Delegati Eshref Frashëri tha se sipas disa lajmeve, vendi ka ngelur pa qeveri e për këtë duhej që sa më parë të shkonin në Durrës. Iljaz Vrioni tha se shumica e ministrave nuk ndodheshin në Lushnje atë çast. Për të mos u gjendur para ndonjë krize ministrore, u vendos ndarja e portofoleve e plotësimi i qeverisë si vijon:
Sulejman Delvina – kryeministër
Ahmet Zogu – ministër i Punëve të Brendshme
Sotir Peci – ministër i Arsimit
Hoxha Kadri – ministër i Drejtësisë
Hysen Vrioni – zëvendësisht ministër
Ndoc Çoba – ministër i Financave
Idhomen Kosturi – zëvendësisht ministër
.
Po ashtu mbledhja zgjodhi vetëm për këtë herë dhe dy drejtorë të përgjithshëm: për Punët Botore Eshref Frashëri (i cili do ishte një lloj zëvendëskryeministri) dhe për Postë – Telegrafët, Idhomene Kosturi.
Kongresi i riçeli punimet ora 15.00. U vendos caktimi i numrit 37 të deputetëve, si dhe miratoi listën e paraqitur. Në mbyllje, Xhafer Ypi falënderoi Lushnjën dhe propozoi të asaj t’i jepej një vend i veçantë deputeti në Këshillin Kombëtar. Sheh Karbunara mori fjalën e tha se Lushnja bëri veçse detyrën. Atëherë Eshref Frashëri, propozoi që t’i shkruhej një letër falënderimi popullit të Lushnjës.
Delegatët e Shkodrës, Lezhës e Malësisë së Gjakovës, nuk morën pjesë në Lushnje dhe i nënshkruan vendimet në Tiranë më 13 shkurt 1920.
.
20 Janar 2020
.