back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Përzgjedhje dhe paraqitje dinjitoze e poetëve qё aq mrekullueshëm i kёnduan dashurisё nga Gëzim Baruti

Gazeta

Jozef Radi - Përkthime - "Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je"
Jozef Radi – Përkthime – “Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je”

Përzgjedhje dhe paraqitje dinjitoze

e poetëve qё aq mrekullueshëm i kёnduan dashurisё

nga Gëzim Baruti

Mbi përkthimin e Jozef Radit, titulluar
“Veç mundem me të dashtë njashtu siç je…”
.
Muaj më parë u njoha me librin në fjalë dhe u gëzova që do të njihja poetë të rinj që nuk kishin folur ndonjëherë në gjuhën tonë ose që sapo kishin filluar të belbëzonin, më të rrallë, në ndonjë gazetë, dashamirëse e përkthimeve të artit poetik botëror.
I kuar vazhdimisht me klasiçizëm, romantizëm e realizëm në antologjinë e përkthyer nga J. Radi u ndesha me mjaft “izma”të tjera, shtigje këto, të pashkelura ose të kapërcyera rrallëherë prej lexuesit të etur shqiptar. Pra, u njoha me hermetizmin, dekadentizmin, abstraksionizmin, surrealizmin, ekzistencializmin e mjaft “izma” të tjera, të panjohura ose pak të njohura tek ne. Nëpër këto “izma” është përpëlitur e përflakur dashuria e këtyre poetëve që kaq besnikërisht na e ka sjellë në shqip përkthyesi sqimëtar!
Natyrshëm që, pasi e mbarova së lexuari, mendova për punën e vështirë të këtij përkthyesi që disa autorë na i ka sjellë në shqip nëpërmjet një gjuhe të dytë.
Pas rileximit të librit falënderova, me vete, përkthyesin për përzgjedhjen që kishte bërë, duke na servirur këta poetë të mrekullueshëm, që kaq mirë e ëmbël i kanë kënduar dashurisë.
Kohë më pas, libri kaloi edhe disa herë të tjera në s’kish ditë që të mos lexoja! Njësoj si një të dashur për të cilën nuk gjejmë derman pa e takuar sa herë e dëshirojmë! E lexoja përditë e sa herë që e lexoja provoja ëndje të reja. Nuk u befasova nga përkthimi i J. Radit, sepse ai është lindur e rritur në një shtëpi ku shkrimet, hulumtimet, përkthimet e krijimet letrare kishin, prej shumë vitesh, strehën e tyre!
Poezitë që ka zgjedhur Radi kulmojnë nga ana artistike e nga thellësia e mendimit. Çdo herë që i lexon këto poezi e poema përfytyrimi i lexuesit merr krahë e fluturon nëpër shtigje të reja. Mendimi i gjerë e i larmishëm, shprehur në këta vargje, e bën lexuesin të ngazëllehet.
Seleksioni që lexuesi ka në duar nuk është fort i lehtë për t’u quajtur i tillë! Është merita e përkthyesit që ka ditur çfarë të përzgjedhë, duke na sjellë perla edhe nga poetë jo fort të dëgjuar, përveç atyre që lexuesi ynë i njeh prej kohësh e që e bëjnë të shndrisë këtë antologji. Është kultura e tij letrare që e aftëson atë për të dalluar të bukurën, artin e vërtetë edhe atje ku nuk ta pret mendja. Kështu, në këtë antologji, ka emra të dëgjuar e të zakonshëm por krijimet e tyre shkëlqejnë e vetëtijnë njësoj, e kjo, falë besnikërisë së përkthyesit që, me sa kam vënë re, në poezitë e këtij vëllimi poetik, nuk ka mbetur skllav i fjalës së autorit të përkthyer. Ai është munduar të gjejë fjalën e duhur për të shprehur e ilustruar saktësinë e mendimit poetik të autorit dhe ja ka arritur. Nuk është e kollajtë të sjellësh në shqip Borhesin, Preverin, Ungaretin, Bodlerin, d’Anuncion etj. etj.
.
Antologji Poetike - Kopertina - Perktheu Jozef Radi
Antologji Poetike – Kopertina – Perktheu Jozef Radi
Përkthimi i Radit rrëshqet në një gegnishte të pastër e të pasur e që të bën ta lëçitësh me ëndje. Edhe toska më konservator do të befasohej gjatë leximit, e do të vriste pak mendjen për shtigjet e shqipes së shkruar… që aq bukur tingëllon në ato gjerdane vargjesh të të gjitha dashurive…
Puna e kryer në këtë antologji është përkthim e interpretim njëherësh pa ju larguar mendimit poetik origjinal; madje ngjan sikur, në këto lirika dashurore e prekëse, Polimnia, muza e poezisë lirike, ka qëndruar po aq mbi kokë të shqipëruesit sa edhe mbi atë të poetit e kjo ka shpjegimin e vet: Jozef Radi është poet në shpirt e një krijues lirikash edhe vetë; ndaj dhe përkthimi i tij mbart pretencien të qëndrojë në vendin e merituar mes kolegësh të shquar në këtë fushë. Shpirti i përkthyesit ka gjetur veten në këto lirika të bukura e me talentin e tij ka bërë të mos humbë asnjë vlerë nga ato që poetët e përkthyer kanë derdhur nga shpirti i tyre.
Këto lirika (disa prej tyre) ka kohë që janë sjellë në shqip nga të tjerë përkthyesa. Si shembull po marr Xhakomo Leopardin, ndër më të mëdhenjtë poetë në Itali. E kam lexuar të përkthyer nga tre-katër të tjerë, puna e të cilëve është vërtet e lavdërueshme. U hodha në praktikën krahasuese e përgjatë një muaji studimi e peshimi të të këtyre punimeve të përkthyesve tanë të talentuar provova një ëndje artistike të patreguar. Kush më shumë e kush më pak na e kanë dhënë mendimin poetik të plotë. Nuk mund të marr përsipër barrën e rëndë të analizoj punën e gjithsecilit prej tyre se, në raste të tilla, puna më e lehtë e jona është të shajmë, e kësaj nuk i shpëtoj dot as unë… Pjesët e zgjedhura nga Leopardi, ndjenjat e mendimet e shprehura prej tij si edhe pasionet që e ngacmojnë dhe e trondisin së thelli shpirtin e këtij poeti, Jozefi na i ka sjellë të gjalla, në shqipërimin e tij, e mjaft të ndryshme nga të tjerët për nga ndërtimi i vargut. Ai ka rendur pas mendimit të autorit duke na e kristalizuar atë në një perlë.
Siç e thashë në fillim, në këtë antologji kemi autorë simbolistë, Hermetiste, surrealistë, dekadentë, abstraksionistë etj. etj. kështu që edhe përkthyesi, për të qënë i saktë, na i ka sjellë në formën e shkruar nga autorët, paçka se lexuesi shqiptar, gjithmonë i vonuar, gjen vështirësi në përthithjen e plotë të tyre.
Në këtë vëllim ka disa lirika që në origjinal janë shkruar me rimë por që Jozef Radi na i ka servirur pa të; dhe ka bërë mirë! Ai mbetet skllav i ndjenjave, pasioneve dhe përshtypjeve të autorëve që ka përkthyer. Ai dëshiron që të mos cungojë e, bash për këtë e ca të tjera, përkthimi i tij mbetet vezullues. E përgëzoj!
Gëzim Baruti, korrik 2019
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.