back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Përkthyesi i klasikëve – tregim nga Faruk Myrtaj

Gazeta

Shkrimtari Faruk Myrtaj
Shkrimtari Faruk Myrtaj

Përkthyesi i klasikëve

tregim nga Faruk Myrtaj

“Juana ishte e para grua, që shkoi për t’u gdhirë tek i shoqi…”

Një mbesë e dikujt me tha vetëm frazën:
“ajo… ishte e para grua që shkoi për t’u gdhirë tek i shoqi… në Kuç”,
dhe unë sikur e pata fare kollaj të ngjizja këtë tregim…

Përkthyesi i klasikëve - Tregime - Farku Myrtaj
Përkthyesi i klasikëve – Tregime – Farku Myrtaj

Vite larg botës, mes malesh, Ilia s’e dinte që ajo po vinte tek ai, në njerën nga trembëdhjetë barakat nën këqyrje të pa-pushimtë, me një tufë akademikësh si ai, urdhëruar si përkthyes të klasikëve.
I tillë kishte qenë, tërë jetës. Atë kishte bërë, përkthimin kishte zgjedhur, prej sa mbante mend. Mbase i lindur, më pastaj i bindur se këtë gjë e bënte në dëshirë të plotë. Veç libra e fjalorë të rëndë, të shumë gjuhëve, të gjalla e të vdekura, shihje tej e tej kudo në shtëpinë e tij.
S’e zinte më ngoje, por deri në fund të Luftës, kishte pasur edhe libra të tjerë në shtëpi. Në mbrëmjet e fundit të asaj vjeshte të nxirë, nxitoi t’i dhuronte pothuaj tërë librat. Siç veprohet me gjëra të vyera e të shtrenjta por jo më të përdorshme, shkoi dhe i la diku në një vend të mirë, në shpresë se, sido si, do t’i shërbenin ndokujt. Mbajti veç fjalorët e rrallë. Dhe librat më të urtë mes klasikëve.
Ata që po hynin në kryeqytet, sigurisht do të vinin aty. Qoftë edhe vetëm se dinin për librat. I priste, pashmangshëm, edhe pse lutej që ardhja e tyre të mos ndodhte. Ndonëse, edhe po të mos vinin, ai përkthyes klasikësh do të mbetej.
Kjo botë, si dukej, kurrë nuk do e kthjellonte veten. Gjithë ata përqark, edhe pa e ditur rrënjën e fjalës, e kishin një ide të aty-atyshme kur thoshin “klasik, klasike, letërsi, kulturë dhe muzikë klasike, koncepte, shije dhe dashuri klasike…”
Klasikët, pa komb, jo të një gjuhe të vetme, as vetëm të kulturave perandorake, kudo e gjerësisht, mendoheshin si autorë, artistë, qeverisës, gjer edhe sundues që kishin ndërruar jetë dhjetëra a qindra vite më herët. Ata që kanë shkruar libra të urtë e filozofikë, lirika shndërruar vetiu në këngë e balada që këndoheshin si kujtesë të jetëve, ndër klasikët përfshiheshin. Të shkruarat e tyre e kishin kaluar provën. Janë pëlqyer në kohën e vet, vazhduan të pëlqehen edhe në ikje të autorëve dhe kurrë s’vihej në dyshim, do të pëlqeheshin për-gjithnjëshëm.
Klasikët s’ishin libra drejtë-për-drejtë të shenjtë, por i qaseshin shenjtërisë teksa ndihin në joshjen e njeriut për t’u fisnikëruar përmes dritësimit të pafund. Humanizmit, i njëjtësohen ëndërrueshëm në fat të vështirë. Kështu besohet, për klasikët. Edhe kur dikush u shtohet radhëve të tyre nga të sotmit, s’ka të bëjë me dukjet a pushtetet e ditës, me shkëlqimet verbuese të shpërblimeve prej sunduesve të këtyre kohëve, me ata që ngjiten e zbresin më-vonshëm, aq më pak me maskat e shërbimet okulte. Klasikët nuk i zënë ngoje, s’kanë nge të merren me zotëruesit, të admiruarit e admiruesit e të vdekshmëve. Klasikëve s’u hyjnë në sy jetët në jetë.
S’kanë punë klasikët me gjalljen, as me të gjallët që s’dinë të mbyllin sytë në orën e caktuar.

Liria, s’ishte gjë që mund ta ndalonin
Liria, s’ishte gjë që mund ta ndalonin…

***
Juana vetë, prej vitesh e kishte njohur të ndrojtur. Jo vetëm përballë gocave a grave zbukuruar tepër. Ilia i ulte sytë kudo kur zërat ngriheshin më shumë se duheshin dëgjuar. U ikte sysh këtyre gjendjeve, por nuk i mbyllte veshët. I dëgjonte gëzueshëm, qeshur a dhembshur. Ua ndjente zemrat, njerëzve në të vërtetë, të gjallëve e të vdekurve, edhe më thellë në distancën që rritej.
Prej natës së parë martesore, Juana kujtohej se si Ilia shkoi e mbylli dritën, si i ndezi dy qirinjtë në skaj të dhomës, a thua i druhej furisë së ndonjë zjarri dhe se si erdhi e u fut nën mbulesat e shtratit që do t’u ishte përgjithnjë i përbashkët, vendosi kryet në gjoksin e saj që hovte pa asnjë shkak dhe më tej sikur nuk iu ndje më fryma.
Ilia qëndroi ashtu, aq gjatë sa ajo po dyshonte mos i ishte dorëzuar gjumit para se t’i dorëzohej asaj. Ose ndonjë ëndrre për të. Vajtje-mendja e ftoi të lëvizte, që së paku të mos kalonte në ëndërr tjetër…
S’kujtonte mirë në ia preku trupin, por atë natë e më pas, e ndjeu të tërin brenda saj. Qè përhumbur edhe ajo, mbase në të njëjtën ëndërr, përderisa ishte ai që e zgjoi, si me dhelkë të butë, teksa porta e jashtme po sillte trokitje të forta. Dëgjohej sikur provonin ta shkundnin përdhè drynin e rrasat e saj.
“Erdhën!” tha Ilia. Aq butë, si ta ftonte edhe Juanën ta pranonin si tërë gjërat e shkruara të kësaj jete.
Asnjë lloj befasie, as kur duart ndjenë të ftohtën e metalit. Ilia i vështroi me dhembshuri, sikur ishte ai që i mundonte, në punën që nga të tjerë u ishte ngarkuar. A thua i vinte gjynah për ta, që pikërisht atyre u duhej të kryenin prangosjen, teksa ai s’po mundte t’u shprehte mirënjohjen që s’e kishin zhgënjyer në pritjen për ta.
Me duart pas shpine, priti. S’mund të rrinin pa këqyrur raftet e librave.
“Janë të tërë klasikë…”, – u tha ai. Për t’ua lehtësuar procedurën.
“E dimë. Gjarpri di t’i fshehë këmbët e tij!”, – tha njeri prej tyre.
E morën me vete dhe ajo, ende nuse, pa gojë, për kohë të gjatë do duhej të pyeste veten në mund të quhej natë e parë martese kjo e tyrja, në ajo mund të quhej grua e martuar, nëse ai që kishin marrë ishte Njeriu i Jetës… dhe pastaj nëse jetohej ende Kohë e Njerëzve…
Për aq shumë gjëra mund të pyetej sa këshilloi veten më mirë të mos pyeste.

***
Juana s’besoi se kishin kaluar vite, k ur plotësoi kërkesën me shkrim, për ta parë atje ku ishte…
Kaq gjë dinte: edhe atje, me përkthime merrej. Klasikë përkthente, edhe atje.
Ngaqë vetëm për gjëra klasike shkruheshin me njeri-tjetrin, prej kohësh e dinin që në asnjë vend, as edhe një administratë e vetme s’mund t’i ndalonte tërë librat e botës, në tërë gjuhët e tyre. Ndaj dhe u leverdiste të përkthenin ata, Klasikët, një pjesë prej tyre, më të hershmit. Më lirë dhe nën kontroll të përktheheshin prej atyre që, siç vetë librat, shteti i dyshonte. Kushti i përkthimit edhe ai dihej: kurrë s’do vendosej emri i tyre si përkthyes…
Natyrisht, ata pranuan. Liria, s’ishte gjë që mund ta ndalonin: nëse e kishe, por duke u lejuar të bënin diçka që pëlqenin, ndjenin pa-fajësinë. Si kalim nga një gjuhë në tjetrën, nga përkthyesi te lexuesi, liria vetjake arrinte të dilte, për të shkuar gjer edhe tek ata njerëz që mbaheshin qëllimisht larg tyre.
Në atë fshat nën këmbë malesh, dielli shfaqej shkurt. Veç nja dy orë, në pikun e verës. Mbase prandaj, vendasit ngjanin si copëra shkëmbinjsh, pa pushim aty rrotull, si ata të pandjeshëm. Rojet aty rrotull, zgjedhur të mos dinin për librat. Në distancë të sigurt prej aty, s’kishte as shkollë. Mbase as fëmijë…
Dinin veç që ata brenda barakave, njerëz të lajthitur, vetëm me libra të vjetër merreshin. Ngaqë u kërkohej t’u rrinin larg, besonin se sa më i vjetër të ishte libri, aq më i rrezikshëm, sa më shumë herë i lexuar. Ashtu do mbesnin, si kapakë librash do t’i mbyllnin sytë dhe arkivolet, si kapakë librash do tu mbylleshin…

Gruaja e njërit prej atyre brenda, po vinte...
Gruaja e njërit prej atyre brenda, po vinte…

***
I lajmëruan në kohën e duhur: gruaja e njërit prej atyre brenda, po vinte.
Ngaqë, sipas jetëve të tyre, një grua veç për arsye të vetme mund të vinte te burri i saj, u turbulluan. Edhe më hutuar dhe nervozë, kur i njoftuan se ajo kishte ardhur, ishte te post-blloku dhe duhet ta shoqëronin.
Kjo lloj ardhje s’kishte ndodhur më parë, kurrë, që rojet dyshuan: diçka e keqe mund të kishte ndodhur atje lart. Ose do të ndodhte. Pas një ëndrre të ligë, s’pritej gjë e mirë por, si gjithmonë ndaj urdhrave, u bindën. Nuk e vonuan te post-blloku atë grua.
Ngaqë s’kishte ndodhur, s’e dinin mirë në duhej ta urrenin edhe të ardhurën si të zotnë e saj. Që të ishin brenda, i mbyllnin ata të barakave të tjera që askush të mos shihte. Femrën e shoqëruan, me të shpejtë, gjer në dhomën e njeriut për të cilin kishte ardhur.
Në mungesë porosie të shkruar, dy prej tyre vendosën të hynin edhe në dhomë. Madje, më pastaj, vendosën se duhej ndenjur aty, brenda. Të mos i linin, për asnjë çast, vetëm për vetëm. Parandalimin e çdo vepre a fshehtësie të rrezikshme, por do mund të shihnin ç’ndodhte mes një burri e një gruaje që nuk shihej me sy të mirë nga qeveria, pas viteve largësie fizike…
“I solle sytë?!” – e pyeti ai, me buzën në gaz.
“S’di a kthehem dot pa ta!” – u përgjigj ajo.
Rojet s’ua ndanin sytë. Nga që folën për humbje a këmbime sysh, e patën momentin bosh edhe rojet: Mos humbnin sysh të ardhurën. Si të bënin, nëse ajo futej, zhytej apo fshihej, thellë në sytë e atij?
Ajo u mbështet në jastëkun prej kashte në shtratin e të shoqit.
Rojet pritën që edhe ai të ujdisej pranë saj, por ai s’po shfaqte asnjë ngut. Thua se e kishte patur aty, tërë kohës, gruan. Rojet s’ia hoqën sytë, kur ai e mbuloi gruan sikur ajo të ishte fëmija i tij. Në këmbë pranë saj, ndenji një copë herë duke e kundruar, pastaj u kthye nga ata dhe u buzëqeshi. Mbase provokoi, të ndante me rojet nga ndjesi e vet, por që të mos keqkuptohej nuk këmbënguli të merrte ndonjë pranim prej tyre.
Ata ishin në krye të detyrës dhe ai, secilën detyrë, çdo lloj pune të njeriut, e përfshinte ndër gjërat klasike. Hopin tjetër, iu qas sërish të ardhurës së vet, i vendosi dorën në ballë si një prind.
“E ka lodhur rruga. E rrëmbeu gjumi…menjëherë…”
Më tej, si çdo natë tjetër nën këqyrjen e tyre, ai u ul në karrigen pranë tavolinës.
Si përherë, aty s’kishte veç një libri, prej Komandës së Kampit, për t’u përkthyer prej tij, me normë, dhe fjalorëve të nevojshëm, fletë për fletë të verifikuar prej tyre.
Ai uli kryet dhe ata ishin të bindur se do vazhdonte punën si cdo natë. Përkthimin e klasikëve.
©Faruk Myrtaj

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.