back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

Përballë nji fotoje historike… Jozef Radi

Gazeta

“17 Nëntori” Aeroportin e Amsterdamit - Schiphol 30.09.1970...
“17 Nëntori” Aeroportin e Amsterdamit – Schiphol 30.09.1970

Përballë nji fotoje historike… 

nga Jozef Radi

16 shtator 1971!
Në Tiranë luhet ndeshja Tirana (17 Nëntori) –  Ajax 2-2  –
me dy gola te mbrojtesit Zurbier dhe barazimi nga Zhega e Kazanxhi!
Ishte ndeshja e parë ndërkombëtare që shihja
dhe ndeshja e parë e sezonit të parë kur Ajaxi i madh fitoi Kupën e Kampioneve
të pasuar edhe me dy të tjera… pra tre vite rrjesht 1971,1972,1973!
Me topin në zotërim Zhega, në momentin e golit!
Edmond Hasani

16 Shtator 1971 - 17 Nentori i Tiranes  - Ajax i Amsterdamit 2 - 2
16 Shtator 1971 – 17 Nentori i Tiranes – Ajax i Amsterdamit 2 – 2

30 shtator 1971!
Po e sjell këtë foto që e gjeta në një website hollandez,
ku thuhej se: “Kjo foto “është marrë në momentin kur ekipi i Tiranës,
“17 Nëntori” sapo ka mbrritur në Aeroportin e Amsterdamit – Schiphol
në fund të shtatorit 1970…”
Duke pasë parasysh Ajaksin e asaj kohe si dhe barazimin në Tiranë
mendoj se kjo foto është një kujtim shumë i bukur
për gjithë sportdashësit shqiptare dhe jo vetëm ata të Tiranës!
Ilir Seci

Klub Sport Tirona e viteve ’70… mbetet ndër ekipet ma të mira në krejt historinë e futbollit shqiptar… Nji skuadër emnash dhe dinjiteti, nji skuadër sportistash dhe njerzish, nji skuadër qyteti dhe qytetarësh, nji skuadër futbolli që kur zbriste në qylymin e blertë, “zebrat bardheblu” – siç i quante Anton Mazreku – kishe të garantuem nji spektakël i vërtetë futbolli…
“17 Nëntori”, ky emër i salduem disi zorshëm, qe në të vërtetë nji nga skuadrat e kryeqytetit, po jo e kryeqytetasve…! Ajo ishte skuadra e “tironsave denbabaden”, sigurisht qe nji skuadër me “biografi të keqe”… sepse kryeqyteti, kishte edhe dy skuadra të tjera, po ato ishin me “biografi të mirë”: Partizanin e Ushtrisë dhe të Beqir Ballukut, dhe Dinamo e Sigurimit të Shtetit dhe të Kadri Hazbiut… Pra 17 Nëntori, ishte i Tironës dhe i tironsave… dhe derbyt kryeqytetase ishin spektakle të vërteta… jo vetëm futbolli, po edhe spektakle kundërshtie ku Pushteti (Ushtria dhe Sigurimi,) kërkonin me mposhtë (Shpirtin Tironas) pra Qytetarin!
E në këto spektakle, jam ndje edhe unë pjesë e asaj bote magjike, siç asht futbolli, i cili sot, përmes kësaj fotoje të jashtzakonshme, të futun në murin e tij të Fb miku im, Ilir Seci, më ka kthye mbas, jo pak po ma shumë se katër dekada, kohë kur Tirona e Lym Allës, Ali Memës, Fatmir Frashërit, Bahri Ishkës, Biç Bytyçit, Xux Kazanxhiut, Enver Shehut, Gëzim Kasmit, Skënder Halilit, Perikli Dhalesit e plot të tjerëve do të ishte nji nga ekipet e pakta t’asaj kohe që do t’i merrte pikë Ajaksit të Amsterdamit – e kujt?!? Ajaksit të Superyjeve të Futbollit – Ajaksit të Futbollit Total…

Skuadra e Ajaxit 1970-1973
Skuadra e Ajaxit 1970-1973

At vit ’69-’70, Kupën e Kampionatit Shqiptar të vitit, Tirona do ta vinte në diskutim në qytetin tim të Lushnjes. Qe nji ditë fundmaji me nji shi të që s’pushoi gjatë gjithë ditës… Në stadiumin e Lushnjes, isha së bashku me të dy tifoza ma të ndezun të Tironës: Reshit Mulletin dhe Lek Dukagjinin. Mbasi i kishim takue para ndeshjes, disa prej futbollistëve tironas, (që ata i kishin miq), u futëm mes tifozerisë së ndezun tironase në të majtë të stadiumit. Nëse Lushnja fitonte, kampionatin e merrte Partizani, nëse ndeshja dilte barazim, do të luhesh nji ndeshje, midis Partizanit dhe Tironës!!! Pra, Tirona nuk kishte asnji alternativë tjetër: O Fitore – O Vdekje… Pjesa e parë qe e ndezun, dhe midis asaj balte të papame mbaroi 1-0 për Lushnjen, me gol të  Taq Gogonit. Kurse pjesa e dytë qe nji stuhi e vërtetë e tironasve në portën e Traktorit… dhe loja mbaroi 2-1 për Tironën, me gola të Ben Bukovikut dhe Skënder Hykës. Kështu Tirona u shpall Kampione e Shqipërisë!!
Nji nga emocionet e mia ma të bukura të jetës qe çasti kur midis atij shiu dhe asaj balte maji, kupa u avit deri te hekurat rrethues të stadiumit, ku ishim ne tifozat e Tironës dhe të tre ne, unë, Shiti dhe Leka, mundëm me e prekë at kupë magjike, e cila në vjeshtë të viti të ardhshëm do ta vinte Tironën përballë Ajaksit të Madh… me emna të papërsëritshëm si: Surbiir, Berry Hulshof, Harry Haan, Rudy Krol, Johan Neejskens, Peit Kajzer, Gerry Muren, Vasoviç, Van Dijk, Niko Reijnders… Johan Krujf… Nji Ajaks i veshun në të bardha me dy shiritat e kuq përgjat gjoksit, të gjithë të hijshëm, me flokë të gjatë, me mjekrra, si të zbritun prej ndonji bote tjetër aty në “Qemal Stafa”…
Në pjesën e parë pësuam dy gola nga nji mbrojtës…!!! Asokohe me bà gol nji mbrojtës ishte diçka e pabesueshme… Surbiir na bani dy gola, bile të dytin gol Tirona e pësoi nga dyzet e sa metra… Pjesa e dytë u luejt për jetë e a vdekje… dhe rezultati u barazue 2-2, me gola të shënuem nga Xux Kazanxhi dhe Medin Zhega…
Nga kjo ndeshje kam edhe nji kujtim të veçantë… Dy shokë të mi 13 vjeçarë, me nji shpirt të thekun aventure, ishin nisë nga Savra, ashtu pa lekë e pa asgja… për me pà Ajaksin… Andrra e tyre ishte të shihnin qoftë edhe nji herë të vetme Ajaksin e Madh. Me njimijë marifete fëmijësh ata ia kishin mbrritë jo vetëm me u futë në stadium, po ishin ngjitë deri në tribunë dhe në çastin kur Tirona barazoi… të dy nga afër kabinës së trasmetimit kishin thirrë emnin tim… nji dëshmi, që ata at çast ishin aty… dhe kishin pa Ajaksin e Madh në stadium…

Skema e Ajaksit te Madh
Skema e Ajaksit te Madh

Me 30 shtator 1970, Tirona do të luente ndeshjen e kthimit në Amsterdam… Sigurisht ishte nji provë e vështirë, mbasi Ajaksi për tre vjet rresht do të ishte nji skuadër e pathyeshme: Tri Kupa Kampionesh njena mbas tjetrës ranë nën kthetrat  e tij… Tirona humbi 2-0, po gjithsesi ajo do të mbahej mend si: e vetmja skuadër që i mori pikë Ajaksit të Madh…
Kjo asht historia… Po unë tash jam ndalë gjatë te kjo foto e nji gjysëm shekulli ma parë… dhe po shoh me vëmendje gjithçka… Nji foto e rrallë, e mrekullueshme, e pabesueshme… nji foto që të emocionon në të mirë e në të keq… Shumicat e këtyne fytyrave i njoh, dhe s’m’u desh shumë që t’i përcaktoj… Sigurisht ndonji emën edhe e kam harrue… po shumicën i shënova… Ajo çka me ra ma së shumti në sy te kjo foto, asht mospërqëndrimi i lojtarëve… Të gjithë shohin në drejtime të ndryshme, pothuej të padituna… dhe pakkush (o askush) s’ka nji buzqeshje qoftë edhe të lehtë të drejtueme nga fokusi… Ali Mema, Bahri Ishka dhe Fatmir Frashëri, janë diku në sfond, pothuej të mshehun… Dy dinamovitët e “marrë borxh” vetëm për Ajaksin,  Zhega dhe Çeço duken pak si ma të qetë e ma të përqendruem…! Të tjerët janë vendosë në nji disharmoni totale… ku duket qartë sikur nji ndjenjë frike asht e lexueshme te seicili prej sportistëve të Tironës…
U ndala te kjo foto për me rrëfye jo thjesht nji ndeshje, as thjesht pasionin tim për futbollin, por për me hedhë sado pak dritë mbi nji kohë, ku njeriu, qoftë ky edhe sportist me emër… përpiqej ta ndërtonte tempullin e vet edhe pse gjithçka rreth tij duket e pamundun…
Falenderoj me kët rast Klub Sport Tironën, skuadrën time të zemrës Tironën, dhe gjithë emnat e atyne që kanë bà historinë këtij klubi ndër ma të ndritunit e futbollit shqiptar… për emocionet e marra prej kësaj skuadre ndër vite… Nji pasuni të cilën s’mundet me ma vjedhë askush…!
27 nandor, 2013

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Mbase nuk jam i saktë, por unë mendoj se golin e dytë e ka shënuar Din Zhega me kokë me asin e përpiktë e djalit lushnjar Iljaz çeços. Ishin të dy këta futbollistë të “marrë hua” Din Zhega nga klubi i Vllaznisë dhe Iljaz çeço nga klubi i Sigurimit të Shtetit Dinamo!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.