back to top
17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Për fatin e tyre të keq… nga Shpend Sollaku – Noè

Gazeta

Shpend Sollaku - Noè
Shpend Sollaku – Noè*
Për fatin e tyre të keq…
nga Shpend Sollaku – Noè

Ia kam zilinë Odisesë.
Atij i mjaftuan 20 vjet heqakeqje
për tʼu kthyer më në fund në shtëpi.
Unë, ndërkaq, i kalova 32 vjet
mbi dallgët e Oqeanit të së Keqes,
por Itakën time ma kanë fshehur tymnajat e mllefeve…

Shpend Sollaku janar 1979 - janar 1982 - Pashaliman e Sazan.
Shpend Sollaku janar 1979 – janar 1982 – Pashaliman e Sazan.

Jeta ime dhe e brezit tim është pothuaj një vepër arti, një film apo një roman i shkruar prej të Tjerëve.
Gjatë kësaj jete kanë ndodhur gjëra aq të pazakonshme, saqë asnjëra prej breznive të tjera nuk mund tʼi gëzohet këtij Fati të Mirë. Ishte vërtetë një Fat i Hidhur, i Imponuar, por ai Fat na hodhi trag­jikisht në ngjarje histori­ke të papërsëritshme: në burgosjen e njerëz­ve që nuk i bënin keq askujt, në djegien e minareve e të këmbanareve në moshën kur sapo nisje të intereso­heshe për Zotin, në qethjen me zor të flokëve sipas modelit të vendosur nga byroja politike e në mbajtjen e favoriteve deri tek kocka e partisë, në Mohim­in e të drejtës për të studiuar në universitet, në Rënien e Statuja­ve, në Rënien e Mureve…
Duke dashur të na bënin keq, ata, të Tjerët, na nxitën të tejkalo­nim kufi­rin e së mundshmes.
Nëse ata do të më kishin çuar në universitet, unë do të kisha humbur ra­stin për të njohur tre vjetët në ujdhesën e Sazanit, apo në Tokën e Vogël, siç e quanim; nuk do të kisha provuar shijen e të studiuarit fshehurazi, duke sfi­duar ligjin komunist që ndalonte va­zhdimin e çfarëdolloj shkolleje gjatë ush­trisë, do të kisha humbur adrenaliniket “ikje pa leje”, dhënien mes njëmijë peripecish të deri tre provimeve në ditë (shoh në librezë jo vetëm datën 26.06.1979, me një notë 8, një 9 dhe një 10 njëra pas tjetrës, në lëndë nga më të rëndësishmet); nuk do t’i isha gëzuar njohjes me emrin “marinari” nëpër auditore, marrjen e një viti akademik në një të vetëm sezon provimesh, lirimin nga ushtria me shkollën e lartë të mbaruar. Nëse nuk do të kisha frekuentuar Universitetin e Tuneleve të Sazanit, vështirë të më qe dhënë rasti të përgjoja bisedat plot tmerr të ofice­rëve ditën e vdekjes së papritur të Mehmet Shehut, përgënjeshtrimin e pathyeshmërisë të Ushtrisë Popullore Shqiptare, në orët kur Gjiri i Vlorës u përdhunua nga një nëndetëse sovje­tike, që hyri e doli me ngè nëpër ujrat tona, gjatë periudhës kur Enver Hoxha bënte pushimet në Ujin e Ftohtë.
Nëse ata nuk do të na kishin mohuar librat dhe studimin e gju­hëve të huaja të Ndaluara, ne nuk do të kishim provuar kurrë orgaz­mën e të të le­xuarit klandestin, nuk do të ishim bërë Autodidaktë të përsosur, duke ndër­tuar secili në tru nga një Akademi Personale, e vetmja që ata s’mund tʼi imponoheshin.
Duke dashur të na bënin keq, ata bënë të mundur që ne të ishim të parët në betejat sy për sy për demokracinë e vërtetë, me energjitë e shpagimit të shumëzuara.
Më vonë, po qe se nuk do të kishim denoncuar korrupsionin, mund edhe të kishim bërë karrierë, mund edhe të ishim kor­ruptuar, të ishim bërë me vila përrallore, apo edhe të kishim marrë ndonjë plumb pas kokës. Por, për Fatin e Tyre të Keq, ne zgjodhëm akoma rebelimin.
Nëse Ata të mjerë nuk do të na kishin detyruar të braktisnim Shqipërinë, unë nuk do të kisha provuar mërgimin e stërzgjatur dhe vargjeve e rreshtave të mia sigurisht do tʼu kishin munguar Dhimbjet e Reja.
Shumë prej nesh shkuan në psiqiatri apo u çmendën në mënyrë të pakthyeshme, të tjerë vdiqën të rinj apo humbën dherash të hua­ja, ndokush bëri edhe vetvrasje, ngaqë nuk përballoi dot zhgënjimin intelektual.
Unë dhe të tjerë të ngjashëm pasjetuam, pa e ditur që kishim qenë kaq të rezi­stueshëm.
Për Fatin e Tyre të Keq… Sa më shumë ata na kishin bërë të vua­nim, aq më tej ishte projektuar mbijetesa jonë.
Duke dashur të na asgjësonin, ata kontri­buan në mënyrë të pandërgjegjshme që Ne të mbesim Gjallë edhe pas harrimit të tyre.

*Në foto: Shpend Sollaku Noé, realizuar nga mjeshtri Ilir Prifti

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.