back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Fshati Sebep i Sazanit dhe lidhjet e tij me Dukatin – nga Xhelo Petoshati

Gazeta

Muzg me Ishullin e Sazanit
Muzg me Ishullin e Sazanit
Fshati Sebep i Sazanit dhe lidhjet e tij me Dukatin
nga Xhelo Petoshati

(Kujtime të babait tim,
ish Komandant i Artilerisë Ajrore
në Sazan, nga 1957-1963)

Fshati Sebep

Emrin e fshatit Sebep e kam dëgjuar qysh i vogël, nga gjyshja ime Nxhiko Hasko, kur fliste për ndonjë hasmëri me vëllanë e saj, Isa Haskon. Kur i pyesja se ku binte ky Sebepi, dajua i babait tim Mulla Isai, më thoshte me të qeshur: “Matanë detit, ku ha pula gurë.” Kur unë dola oficer më 1957, më emëruan në Sazan. Gjyshja ime, në atë kohë, ishte gjallë rreth 90 vjeçe, më thotë: “Djalë për çfarë sebepi të çojnë në Sebep?” Aty e mora vesh që Sebepi paskësh qenë në Sazan dhe pse kisha dëgjuar shumë biseda për këtë vend, madje edhe nga mësuesi Gaqo Kaporre, me të cilin ishim në një lagje në Thilpat të Dukatit. Kur ne fëmijët bënim ndonjë marrëzi të moshës, ai na qortonte duke na thënë: “Djemo, mos i hapni sebepe vetes, se ju, me këto që bëni do përfundoni në Sebep!” Për fshatin Sebep, kur u ndodha në ishullin e Sazanit, më tregoi dhe nënkoloneli Feti Rugji, me detyrë Komandant i ishullit në atë kohë. Ai ishte i mirinformuar për ishullin e Sazanit në përgjithësi dhe të fshatit Sebep në veçanti. Më tha që të mësoja diçka më shumë meqë isha me origjinë nga Dukati, pasi Sebepi kishte pasur shumë lidhje me Dukatin. Furnizimet me ushqimet blegtorale ai fshat i merrte nga Dukati, ndërsa dukatasit merrnin në këmbim kripën dhe mallrat që ata i blinin me anije nëpër tregjet e Europës, madje dhe më gjerë. Ajo, që unë munda të mësoj nga njerëzit e mi të asaj kohe, ishte vetëm një këngë që thotë kështu:
“Ku do shkosh o djalë me dhëntë,
Unë do vete në Otrënt
Të të sjell një thes ergjënd…”
Kjo flet për shkëmbimet që fola më sipër, por nuk e përjashton dhe faktin që në flotën e madhe të Sebepit të shkonte dhe të punonte dhe ndonjë djalë dukatas. Shumë gjëra për Sazanin i mësova nga patrioti Ibrahim Shyti, me origjinë nga Tragjasi, të cilin e kisha komshi në lagjen Skelë të Vlorës, ku u vendos familja ime, pas çlirimit. Ai më foli me hollësi për ishullin, sepse në kohën e Luftës të Vlorës kundër pushtimit italian më 1920, kishte qenë i internuar aty. Ndërsa për fshatin Sebep më foli në mënyrë të përgjithshme, ndaj m’u krijua përshtypja se nënkoloneli Feti Rugji dinte gjëra më shumë se ai, siç duket kishte hulumtuar prej kohësh. Megjithatë, unë bie plotësisht dakord me ato që shkruan Prof. Bardhosh Gaçe, në librin “Rilindasi i Vlorës – Ibrahim Abdullahu”, botimet “Toena” – Tiranë, 2009, fq. 11-12, kur thotë se: “Qysh në regjistrimet osmane 1431 e kohë më parë, në marrëdhëniet tregtare e kancelarike, në ishullin e Sazanit ngre krye një vendbanim i veçantë me emrin Sebep. Ky vendbanim përmendet edhe nga kronikani turk Abu Ali Evrenozi, rreth vitit 1658, si dhe në kohën e zotërimit të Pashait të Janinës Ali Pashë Tepelena. Fshati Sebep në ishullin e Sazanit, në vitin 1780 zotëronte rreth 47 shtëpi, si dhe Kishën e Shën Kollit. Banorët e këtij fshati ishin detarë të zotë, ata kishin marrëdhënie tregtare me Brindisin, Venezian, Triesten, Dubrovnikun, Spanjën, Francën, Egjiptin, Maltën, Ulqinin, Prevezën, Himarën, Vlorën dhe Durrësin. Flota detare e Sebepit, në vitin 1802, përbëhej nga 34 anije. Për riparimin dhe ndërtimin e tyre, në Gjirin e Shën Kollit ishte ngritur dhe një kantier anijesh. Në fshatin Sebep, në kishën e Shën Kollit, në vitet 1765-1792, shërbente prifti Dhimitër Nota, ose siç dëshmohet në kronikat e kohës Papa Dhimitri, i cili kishte kryer shkollën fetare në Spanjë… Familja Nota në fshatin Sebep të Sazanit qysh në shek. XVII kishte pasur miqësi të ngushta me familjen Vlora, si dhe me mjaft të tjerë në Dukat, Kaninë, Vlorë, Fier dhe Berat…”

Ali Pashë Tepelena (vaj në kanavacë Agim Sulaj)
Ali Pashë Tepelena (vaj në kanavacë Agim Sulaj)

Pra, qartazi, Dukati renditet i pari, si më i afërt me Sebepin, fshat i cili u shkatërrua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1811, dhe banorët u shpërndanë pas një qëndrese që zgjati për rreth një vit. Banorët e fshatit Sebep, që prodhonin vetëm kripë nga uji i detit, sepse ishin mjeshtra në këtë drejtim, kishin solidaritet me fshatarët e Dukatit dhe në rast mësymjeje nga piratët e huaj ndihmonin njëri-tjetrin. Kur shërbeja si ushtarak në Sazan shëtisja herë pas here nëpër ishull me komandant Feti Rugjin, por më shumë me komandantin e grupit bregdetar Adem Xhaka, me origjinë nga Tërbaҫi. Me Ademin, në anën e lindjes së ishullit shikonim për së largu, madje dhe me dylbi, malin e Shashicës dhe grykën e Dukatit. Kur shkonim mbi kinemanë e ishullit, afërisht 300- 400 metro larg saj, kalonim afër varrezave të ish fshatit Sebep. Ato dalloheshin se ishin lart në një kodër dhe në lindje të tyre ishin rrethuar me një pyll me pisha të larta, ndërsa kinemaja vinte si më në gropë, në krahë të majtë të rrugës që të çonte në ndërtesën e zyrave të komandës së ishullit. Kur vinte pranvera, ajo varrezë e vogël gjelbëronte e para me disa lule të verdha e të bardha, por dhe me disa zambakë që ngrinin krye mbi gurët e varreve. Shumica e atyre varreve të paktë, që kishim mbetur pa i zënë gjelbërimi, kishin ende në krye kryqe që ishin bërë me gurë të gdhendur. Shkrimi mbi pllaka ishte latin, por kishte dhe ndonjë shkronjë që unë nuk e kuptoja. Madje, mbaj mend që kur shkonim me Ademin atje, të cilin e kisha dhe komshi në Sazan, për shkronjat që nuk i kuptonim i shënonim nëpër ndonjë bllok për të pyetur ndonjë njeri që ishte kompetent për gjuhën. Mbaj mend gjithashtu, se kur kam ardhur në Zvërnec e në Nartë si oficer kur u transferova në Vlorë, kam takuar disa banorë të kësaj treve që më kanë thënë se kishin ardhur aty nga fshati Sebep, në kohë të Ali Pashë Tepelenës.

Shpella e Haxhi Aliut - në Karaburun
Shpella e Haxhi Aliut – në Karaburun
Dukati dhe detari Haxhi Aliu

Dukatasit, krahas tregtarëve dhe mjeshtrave të fshatit Sebep, kishin rënë në marrëveshje me detarin e famshëm ulqinakas Haxhi Aliu, i cili me pëlqimin e përbashkët të fshatarëve të Dukatit dhe Sebepit, strehonte anijen ku qëndronte dhe vetë në një shpellë të madhe në zonën e Karaburunit. Ai ishte me origjinë nga Ulqini.
Dr. Bahri Brisku me origjinë nga Ulqini, në librin e tij “Deti dhe detarët në letërsinë popullore shqiptare”, në pjesën “Detarët dhe kusarët shqiptarë” për Haxhi Aliun shkruan kështu: “Pleqtë tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero deti, ujk i gjallë, që nuk i trembej as kohës së keqe, as përleshjeve me piratët e shumtë, çfarë kishte në kohën e tij nëpër Mediteran. Legjenda e kishte zmadhuar çdo veprim dhe trimëri të tij. “Deti ishte shtëpia ime! – thotë Haxhi Aliu, – Pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do t’jenë dhe guri i varrit tim”.
Një legjendë tjetër që tregohet për këtë ujk të detit është kjo: “Një pirat turk me origjinë algjeriane nga Afrika, i dërgon një letër Haxhi Aliut. “Arrnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam ma i fortë se ti. Përndryshe, do ta rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkrue në të, syret e kuranit…”
Me të marrë letrën Haxhiu ju përgjigj kështu: “…Kafkën tënde unë do ta baj kokë për çibukun tim!”
Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat dhe u ndesh me piratin turk, u hodh në anijen e tij dhe ia vrau çdokënd që i duel përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte rrëshanë nëpër kuvertë të anijes…”
Pra, siç shikohet, Haxhi Aliu, ishte që në atë kohë legjendë e gjallë. Por ai nuk ishte pirat deti i rëndomtë. Ai ishte ushtarak, specialist i detarisë me gradën më të lartë, atë të admiralit që osmanët i thonin “vezir.” Ai ishte i zoti edhe të ndërtonte anije me lëndë druri nga pyjet e Dukatit dhe kishte lidhje me familjen Vlora, e cila e kishte pajtuar për të mbrojtur Gjirin e Dukatit, Kanalin e Otrantos dhe Sebepin nga grabitjet e piratëve të huaj. Ish ushtaraku i lartë i Flotës Luftarake Detare dhe pedagog i Akademisë së Marinës, Seit Jonuzi, në studimin e tij “Tradita e detarisë në trevën e Vlorës” të librit “Konferenca shkencore – Vlora në rrjedhën e kohës” faqe 294, na sqaron më mirë për këtë fakt. Ai thotë se: “Turqia në Adriatik nuk kishte flotë tjetër, përveç flotës shqiptare (nën flamurin turk), por prestigjin më të madh detarët shqiptarë e rifituan në gjysmën e parë të shek. XVIII. Kështu për shembull, Haxhi Aliu, me të birin, të dy kapitenë në dy tartane, mbanin nën kontroll ngushticën e Otrantos për të mos lejuar anije të futeshin në Adriatik. Këta strehoheshin në një shpellë të madhe nëpërmjet Kepit të Gjuhëzës dhe Kepit të Gallovecit, në skajin veriperëndimor të Karaburunit. Kjo shpellë edhe sot e kësaj dite quhet Shpella e Haxhi Alisë. Në një përpjekje të rreptë me një ekspeditë angleze, që donte t’i hapte rrugën Anglisë për t’u futur në Adriatik, Haxhiu me gjithë të birin u vranë. Trupat e tyre u nxorën dhe u varrosën në ishullin e Sazanit.” Kjo tregon përkujdesjen dhe mirënjohjen e fshatit Sebep për këtë luftëtar të detit që i pat mbrojtur me vetëmohim. Për veprën e tij heroike nga detarët shqiptarë pas viteve 1950, është ngritur dhe një bust i tij në sheshin e molit të Sazanit. Atë e kam parë vetë kur kam shërbyer atje si ushtarak. Duke kujtuar detarin Haxhi Alia, dua të theksoj faktin se Dukati ka dhënë dhe ka marrë mbrojtje në rast rreziku duke bashkëpunuar me fshatin Sebep, me Haxhi Aliun dhe me familjen Vlora, pinjollët e së cilës në ato kohëra kanë qenë sanxhakbej të Vlorës.

Marrë nga Muri i FB Laureta Petoshati, 25 mars 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.