back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Nji vit gëzimesh për gjithë Ju, miqtë e mi!

Gazeta

Gëzuar festat miqtë e mi...
Gëzuar festat miqtë e mi…

Nji vit gëzimesh për gjithë Ju, miqtë e mi!

Nji vit ma parë,
www.radiandradi.com, ishte thjesht nji ndërthurje mendimesh, nji çorodi idesh, nji vlim emocional që andrronte me u ba nji projekt aktiv komunikimi.
Gjithnji e mendoja se nuk asht fort e lehtë me u futë në komunikim të përditshëm e të gjithhershëm me lexues të njoftun e të panjoftun, të afërt e të largët, me miq të hershëm e kundërshtar të rishtë, me nivele kulturore dhe interesa të ndryshme, dhe t’i ofrosh nji pafundësie në rritje lexuesish mënyrën se si e sheh ti jetën dhe botën, dhe pa i trazue, pa u ba invadentent ta fshikësh të përditshmen e tyne…
Nuk ishte, nuk asht dhe s’ka për të qenë kurrë e lehtë…
Asht nji e përditshme e jotja, në të cilën t’i fton, pa i thanë askujt ‘hajde’; asht jeta jote që nga pak e përditë, bahet jetë e gjithnji e ma të shumtëve; asht e vërteta jote, që shpesh s’ka fort përputhje me t’vërtetat e atyne që të lexojnë, por gjithsesi duke e lanë derën e hapun për gjithkënd, mundem me thanë se sot komunikimi ndërne asht i nji përmase civilizuese, asht i hapun, asht si të thuesh nji mundësi me lexue ma mirë, me shkrue ma qartë, me qeshë ma bukur, me reflektue ma drejtë, me e kuptue ma thellë tjetrin, me u miqsue edhe pa u pa, me u zemërue ma dinjitetshëm, po edhe me u largue në heshtje, nëse ajo çka t’ofrojnë s’të shërben…
E kjo asht ajo rruga gjatë nëpër të cilën, unë jam nisë vetëm, po kam ecë bashkë me ju, që n’fillim s’ishit ma shumë se dhjetë, u batë njiqind, u shtuet njimijë, e kapërcyet dhjetmijshin, e sot jeni shumë e ma shumë aq sa sot kemi shumçka me dhanë e me marrë me njeni tjetrin… Ju falemnderës…!
Ju them se radiandradi.com, asht jo vetëm dritare, po edhe derë e hapun për cilindo, për çdo opinion, edhe ata që janë kundër, mjaft që të mos cënohet dinjiteti dhe etika e askujt… Gjà e cila deri sot ka funksionue…
Ky asht nji falenderim i madh që ju përket gjithëve ju si lexues, ju si komentues, ju si pëlqyesa, miq të mi: realë a virtualë qofshi, Ju falemnderës të gjithëve…
Sonte asht ditë feste… dhe ndër festa secili prej nesh ndjehet pak ma i mirë. Unë s’mundem me e përcjellë kët festë, pa nji dhimbje të madhe… Sot, asht 50 vjetori i vrasjes së Poetit Trifon Xhagjika!
I hodha nji sy krejt shtypit shqiptar… Asnji fjalë e vetme!!! Heshtje… Nji heshtje që thotë gjithçka! Gjatë gjithë këtij mueji unë jam përpjekë me paraqitë diçka nga jeta dhe vepra e këtij Poeti Martir… me aq sa kam ditë me aq sa kam mujtë… Ai Poet s’ka nji varr, nuk ka nji bust, s’ka nji dokumentar, nji çmim letrar, nji rrugë fshati a qyteti apo nji  shkollë s’e ka emnin e tij, s’ka nji tubim përkujtimor, pra s’ka asgja…!!!

Gustav Koken - Chrysantheme
Gustav Koken – Chrysantheme

Jo, s’asht e vërtetë…! Ai i ka  gjithçka, jemi ne që s’kemi asgja, e që boshatisemi përditë prej atij dinjiteti që s’gjen vend me nderue vedin, jo madheshtinë e nji Poeti të pashembullt…
Nji tufë krizantemash për Trifon Xhagjikën, asht ma e pakta njerzore që mund të bajmë për nji guximtar si Ai, miqtë e mi…
Asht kohë festash, po edhe në dit të tilla, me kujtue ata që u sakrifikuen, mbetet nji dëshmi qytetarie, se asgja në kët botë nuk dhurohet, ajo fitohet përmes mundimesh e sakrificash të pafundme…
Nji vit gëzimesh për gjithë Ju, miqtë e mi
24 dhjetor 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.