back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Një qiri për poetin e mohuar! nga Nebil Çika

Gazeta

Dr. Martin Camaj (1927-1992)
Dr. Martin Camaj (1927-1992)

Një qiri për poetin e mohuar! nga Nebil Çika

In memoriam Martin Camajt

Për faqen e tyre të zezë dhe fatin tonë të keq qeveria, institucionet kulturore dhe artistike dhe media shqiptare kaluan në heshtje përvjetorin e lindjes së një prej mendjeve më të shquara të letrave shqipe, studiuesin dhe poetin e shquar, Martin Camaj. Në fakt nuk prisja ndonjë hyjnizim të tij, pasi ai vazhdon të shihet ende si “armik” dhe në situatën politike që ndodhet vendi “biografia” e tij vazhdon të jetë ende një problem për ata që e kanë detyrë promovimin e vlerave kulturore shqiptare. Kur shkruaj këto fjalë jam i bindur plotësisht për faktin që nuk është Camaj ai që ka nevojë për Shqipërinë, por Shqipëria për poetin e saj të madh. Sigurisht, Camaj është një armik për komunizmin shqiptar, jo vetëm me mendje e penë, por me armë në dorë si pakkush nga intelektualët tanë antikomunistë. Edhe pse shumë i ri ai mori pjesë me armë në dorë në rezistencën kundër partizanëve komunistë në veri derisa u arratis nga vendi. Pikërisht kjo veprimtari bëri që ai të trajtohej si armik gjatë diktaturës komuniste e të jetë i papranueshëm sot në pushtetin e pasardhësve të tyre politikë e gjenetikë. Por siç tash jemi ne ata që kemi nevojë për Camajn e nuk mund të heshtim kur një qeveri në konflikt ideologjik e personal interesi injoron një vlerë kaq të madhe kombëtare, injorim që paturpësisht injektohet edhe tek mjetet e informimit publik dhe institucionet e shoqatat kulturore shqiptare. Nuk dua të përqendrohem këtu tek vlerat e Camajt, pasi ai është i njohur për ata që kanë dashur ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk mund të mbyllim dot sytë përballë këtij sistemi antivlerash të instaluar në kulturën zyrtare shqiptare.
Shtypi shqiptar është i mbushur çdo ditë me “zbulime” veprash të harruar të realizmit socialist dhe debateve të pështira të shkrimtarëve komuniste që shajnë e promovojnë njëri-tjetrin, duke dominuar vëmendjen e opinionit dhe shpëlajnë trurin e rinisë, e cila nuk e di çfarë ishin këta përbindësha vetëm 24 vjet më parë.

Djaloshi Martin Camaj
Djaloshi Martin Camaj

Ditarë e letra langaraqësh të ish-drejtuesve komunistë, autorë të krimeve monstruoze i jepen publikut si risi e vlera historike e kulturore, duke krijuar idenë se çorba e përgjakur e komunizmit ishte në fakt një vlerë apo më mirë të themi e vetmja “vlerë” kulturore kombëtare për 50 vjet. Mendoj se është pikërisht dominimi i kësaj çorbe socrealiste mbi institucionet zyrtare dhe shumicës së mjeteve të informimit arsyeja kryesore që Martin Camaj dhe harrohet dhe injorohet në shtetin shqiptar.
Është shumë e thjeshtë të nderuar lexues nëse opinionit publik, nxënësve, studentëve e të tjerëve do t’u jepej mundësia të njiheshin me veprën e Camajt, Koliqit, Pipës, Luzajt e të tjerë mjeshtra të letrave shqipe që u detyruan të punonin jashtë vendit këto “këllirat” kulturore të realizimit socialist do të ishin diskredituar me kohë. Ndërkohë që “harrohen” Camaj me shokë qeveria dhe rrethet kulturore kanë guximin të festojnë me madhështi përvjetorin e simbolit të letërsisë kriminale të realizmit socialist Shefqet Musarajin, ndoshta shkrimtarin më të politizuar të komunizmit, autor i bejtes terroriste “Epopeja e Ballit”, inspirues i drejtpërdrejtë i luftës së klasave dhe i krimeve të tjera të komunizmit në letërsinë komuniste. Të guxosh të përkujtosh me tam-tame të mëdha Musarain e të “harrosh” Camajn dhe përvjetorin e tij është një situatë që nuk do koment. Por inati qeveritar me Camajn nuk është vetëm historik.
Vepra i tij, ashtu si ajo e Koliqit, Pipës, Luzajt etj., shkrimtarë të shpallur “armiq” nga komunizmi vënë në siklet shumë autoritete politike, kulturore e mediatike të Shqipërisë së sotme zyrtare. Një nga poezitë e Camajt që mua më pëlqen më shumë është: “Vrasja e poetit”. Përveç mesazhit universal si poezi ajo gjithnjë më ka krijuar idenë se u kushtohet poetëve tanë të vrarë nga diktatura komuniste, Xhagjikës, Blloshmit, Lekës e sidomos Nelës, poetit të fundit të varur në Evropën komuniste e ndoshta edhe më gjerë. Është një poezi epitaf për poetët martirë, por edhe një pasqyrë e të vërtetës për ata që i vranë.

Dr. Martin Camaj & Prof. Georg Stadmuller
Dr. Martin Camaj & Prof. Georg Stadmuller

Kur mua sa herë lexoj këtë poezi më shkon mendja tek vrasja e poetëve tanë nuk diskutohet që vrasësve apo të tjerëve lidhur me ta u shkon e u shkon. Por ne e dimë gjithashtu se një prej autorëve që Camaj i cilëson si “shpend mishngranës me fytyra njerëzore” ishte dhe i ati i shefit të qeverisë me të cilin ai krenohet vazhdimisht dhe publikisht. Në këto kushte kush nga qeveria, Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave apo edhe mediave do të guxonte t’i kremtonte ditëlindjen apo edhe më keq, t’i botonte poezinë. Besoj se është i qartë dhe i pritur gjithashtu qëndrimi i Shqipërisë zyrtare e publike ndaj kolosit Martin Camaj dhe kolosët e tjerë të letrave shqip armiq të komunizmit…
Dukem i dëshpëruar?! Po jam, megjithëse shpresoj shumë që një ditë të kthehemi sërish tek vlerat tona që kanë shkëlqyer, na kanë nderuar në botën e qytetëruar perëndimore. Deri atëherë kënaquni me Musarajin, Jorgaqin, Çulin e të tjerë spiunë e zvarranikë helmues të realizmit socialist shqiptar. E di që ky shkrim nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë gjë, por nuk mund të rrija pa hedhur dy radhë si një qiri urimi njëherazi edhe homazhi për një mjeshtër nga më të mëdhenjtë të letrave shqipe.

Dëshmia e dënimit e Havzi Nelës
Dëshmia e dënimit e Havzi Nelës

Vrasja e Poetit…

Liria e fshehun mbas vargjeve
të poezisë
nuk ishte vetëm:
Para tyne rrishin galuc roje
Shpend mishngranës
Me fytyrë njerëzore.
E ti ishe për ta nji bletë
Tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës njerëzore.

Firmëtarët e dënimit me vdekje: Kristaq Rama, Rita Marko, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Lumturi Rexha, Rahman Hanku

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.