back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 4 Nëntor, 2024

Napoli nderon Donika Kastriotin, bashkëshorten e Heroit Kombëtar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – nga Frank Shkreli

Gazeta

Donika (Andronika Arianiti) Kastrioti
Donika (Andronika Arianit – Komneni) – Kastrioti

Napoli nderon Donika Kastriotin, bashkëshorten

e Heroit Kombëtar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

nga Frank Shkreli

Një pllakë përkujtimore në Napoli për nder të Mbretëreshës Shqiptare Donika Kastrioti, bashkëshorten e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbe! Një rrugë në Napoli merr emrin e bashkëshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Ky është lajmi i njoftuar javën që kaloi nga krye-bashkiaku i qytetit italian, Napoli, z. Luigi De Magistris, i cili, sipas disa burimeve ka pranuar dhe miratuar rekomandimin e Komisionit Toponomastik të qytetit për vendosjen e një pllake përkujtimore në Rrugën Shën Kiara, në kujtim të Donika (Arianiti) Kastriotit. “Vendimi për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendos një lidhje të thellë kulturore, që ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”, citohet të jetë shprehur me këtë rast kryebashkiaku i ketij qyteti të njohur Italian, De Magistris. Thuhet se ky gjest fisnik e bujar për vendosjen e pllakës u ndërmor, natyrisht, për të nderuar Mbretëreshën e Shqiptarëve (Andronika Arianiti Komneni Kastrioti) për lidhjet e saja historike me atë qytet pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, largimit të saj nga Shqipëria si rrjedhim i kësaj humbjeje dhe në kujtim të kohës që ajo ka jetuar në Napoli.
Por, kjo pllakë kujton gjithashtu të gjithë ata shqiptarë të cilët janë larguar nga Atdheu i tyre shekuj më parë për në Itali, pasi hordhitë turke pushtuan trojet Arbërore, pas vdekjes së Kryeheroit shqiptar, i cili me dinjitet mbrojti trojet shqiptare nga sulmet otomane dhe shpëtoi Evropën nga depërtimet e tyre në kontinentin e vjetër. Mbretëria e Napolit u kishte ofruar, në atë kohë, mbështetje dhe strehim shumë shqiptarëve që qenë detyruar të largoheshin nga Atdheu, si rrjedhim i pushtimit turk të tokave shqiptare. Ata u detyruan të largoheshin dhe të vendoseshin në Italinë jugore sepse nuk donin të jetonin nën thundrën e skllavërisë otomane, nuk donin të ndërronin fe e gjuhë, nuk dëshironin të braktisnin zakone e tradita, të cilat i ruajtën me dashuri prekëse ndër shekuj e deri më sot, ndërsa sot ata – të quajtur Arbëreshë të Italisë – vijojnë të flasin me atë gjuhë që flisnin gjyshërit e tyre në kohën e lavdishme të Skënderbeut.
Ajo pllakë sot simbolizon gjithashtu – siç u shpreh edhe kryebashkiaku italian de Magistris – miqësinë dhe lidhjet aktuale të banorëve të këtij qyteti italian me shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, matanë Adriatikut, por edhe u kujton historinë e lashtë të kombit të vet, qindëra mijëra shqiptarëve që janë vendosur në Itali tri dekadat e fundit pas shembjes së komunizmit, shumë prej të cilëve jetojnë e punojnë në Napoli me rrethe.
Pllaka në kujtim të Mbretëreshës shqiptare do vendoset pra në rrugën që tani mban emërin Santa Kiara të Napolit, pasi thuhet se ishte pikërisht në atë rrugë ku ka jetuar për një kohë Donika Kastrioti – në shtëpinë e familjes fisnike Alessandro, por nën mbrojtjen e Mbretërisë së atëhershme të Napolit, aleate e Skënderbeut, në luftërat kundër turqëve otomanë. Sipas disa të dhënave, ajo ka jetuar në atë rrugë që nga viti 1469 derisa është detyruar – për arsye të luftërave që kishin përfshirë mbarë Italinë midis viteve 1494-1498 – të vendosej më në fund në Valencia të Spanjës, ku thuhet se ajo ka vdekur më 1506 dhe ku sipas një zbulimi të kohëve të fundit, në një kishë të këtij qyteti të vjetër gjendet edhe varri i Donika Kastriotit, bashkëshortes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Donika është martuar me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun më 23 prill 1451. Sipas gojëdhënave, dasma është bërë në Kaninë e sipas traditës ka zgjatur tri ditë, 21-23 prill, siç ishte zakon edhe në vendet tona dikur. Për këtë dasëm tregohen shumë gojëdhëna, ruhen këngë popullore, që arrijnë deri në kohët tona, si dhe të dhëna historike. Sipas tyre, Skënderbeu shkoi ta merrte nusen i shoqëruar nga 500 kalorës, aq sa të dukej se po nisej për një betejë të re dhe jo për dasmën e tij. Sipas gojëdhënave, thuhet se kënga dhe vallja buçitën dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Kurora u bekua në Kishën e Bardhë afër Kaninës. Ndërsa apër bukurinë e pashinë dhe bukurinë e çiftit Donika Arianiti-Gjergj Kastrioti-Skenderbe, mjafton të kujtojmë vargjet e Naim Frashërit, shkëputur nga “Historia e Skënderbeut: “…Dhëndri si dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë,/ Porsi hëna vetëtinte,/ Dritë në ditën e shtunë…”
 

Gjergj Kastrioti dhe Donika Arianiti
Gjergj Kastrioti dhe Donika Arianiti (pjese nga filmi Skenderbeu)
Mirënjohje Bashkisë së Napolit dhe kryebashkiakun të saj Luigi de Magistris që me vendosjen e një pllake në rrugën e atij qyteti ku jetoi shekuj më parë bashkëshortja e Skënderbeut, Donika, na e kujton familjen e Heroit Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skenderbe: kontributet e saj për por edhe vuajtjet e asaj familjeje në mërgim, përfshir Donika Kastriotin. Ajo pllakë do t’u kujtojë shqiptarëve por edhe të huajve që kalojnë pranë saj, fisnikërinë, trimërinë dhe burrërinë e Kryetrimit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit -Skënderbe dhe familjes së tij të ngushtë. Sepse ishin ata të cilët mbrojtën nderin e Kombit dhe identitetin e shqiptarit, kudo dhe kurdoherë, nën rrethana shumë të vështira. Madje edhe sot pas më shumë se pesë shekujsh – nderi dhe dinjiteti Kombit shqiptar – po sulmohen e nëpërkëmben, jo nga të huajt si dikur otomanët, pot nga vetë shqiptarët. Këto vlera kombëtare shekullore shqiptare sot kanë renë prè e një klase politike të shqiptarëve të shekullit 21, viktima të influencave të huaja politike, ekonomike dhe kulturore, për qëllime personale e partiake, që fatkeqsisht, po ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Vlera këto që Skënderbeu dhe familja e tij, mbrojtën me aq trimëri, atdhedashuri dhe devotshmëri. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre në trojet shqiptare, në Evropë dhe në mbarë botën, ku ata kujtohen, vlerësohen dhe nderohen për kontributin e tyre ndaj shtetformimit të Kombit shqiptar dhe në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor.
 
Frank Shkreli
Kjo pikturë, autori i të cilës nuk dihet, paraqet martesën e Gjergj Kastriotit –
Skënderbeut me Donika Arianiti, thuhet se ruhet në familjen arbëreshe, Skiroi.
Kryetari i Bashkisë së qytetit Napoli, Luigi de Magistris  

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.