back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Musine Kokalari mbas burgut i shkruan Diktatorit… Ai me të kuqe mbi letrën e saj shënon: “Bisedova me Kadrinë! Qëndron shumë keq!”

Gazeta

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Musine Kokalari mbas burgut i shkruan Diktatorit

Diktatori me të kuqe mbi letrën e saj shënon:

“Bisedova me Kadrinë! Qëndron shumë keq!”

Musine Kokalari i shkruan Diktatorit
Musine Kokalari i shkruan Diktatorit
Z. Enver Hoxha
Sekretar i Parë i K.Q.P.P.Sh. – Tiranë
Z. Sekretar
po ju dërgoj këtë lutje, duke shpresuar se do t’i shqyrtoni kërkesat e mia duke më dhënë një zgjidhje të favorshme.
Bëra 15 vjet burg. Kalova hetuesi të rregullt, pa presione, pa dhunë. U dënova nga një gjyq brenda parimeve juridike, ku m’u gjykue më tepër se sa kisha vepruar. Kalova izolime, ku akuzat dhe dyshimet u sqaruan. Gjatë kohës së burgut, sidomos kohët e fundit, pata persekutime, goditje ose shtrembërime, pasojë e disa njerëzve që interesat personale i vunë mbi Pushtetin, dhe ranë në gabime edhe për veten e tyre.
Kur lexova fjalimin e juaj, në Lidhjen e Shkrimtarëve në verën e 1961, u binda se i burgosuri me mbarimin e dënimit, nuk do të kishte më as ndjekje, as pengesa për ta filluar jetën e lirë, për të punuar ndershmërisht; duke u mbështetur në fjalët e atij fjalimi, si një drejtim politik, që ishin krijuar kushte të favorshme jo vetëm për ata të jetës, në rrugën e tyre i patën të shumta, po edhe për ata që për botëkuptime politike të ndryshme rrëshqitën në gabime dhe faje politike.
E kaluara do të qe një kapitull i mbyllur dhe e ardhshmja e shkëputur prej të kaluarës. Kjo gjë më shtyu që letrën që kisha vendosur të shkruaja para lirimit, ta shkruaj tani pas lirimit, duke kërkuar që të më lejohej të merresha me një punë konstruktive në degën time.
Më 8 tetor, mbarova dënimin tim dhe u përplasa në 5 kamiona, e u dërgova në Rrëshen. Punët e mia nuk m’i thanë me vete, as të hollat e mia. Mbas 30 orë e pangrënë, në mbasditen e së nesërmes, Kryetari i Degës më komunikoi se isha i internuar në Rrethin e Mirditës, për pesë vjet, me qëndrim në Rrëshen!
-Përsëri jam e interruar? E pyeta
-Për atë që ke vepruar! – M’u përgjigj.
-Për atë bëra 15 vjet burg! – shtova.
-Atë burg sa bëre ishte sa të hyje nga një derë dhe të dilje nga dera tjetër! – më tha.
Për bindjet e mija në të kaluarën, unë nuk i lejova vetes të bëja asnjë dredhi, për ta hedhur hendekun lehtë, e pa asnjë mundim. Burgun e mora si një borxh që duhej larë! Vetë veprova, vetë pagova… por dënimi i dytë më duket një trajtim jo i drejtë, një persekutim që e ka burimin në paragjykime ose disa opinione që më tepër shkaktohen në disa hatëre të mbetura. Prandaj ju lutem shumë, ta shqyrtoni edhe një herë këtë punën time. Nëqoftëse është ndonjë arsye tjetër ose akuzë unë jam gati të jap llogari.
E tani nga kërkesa e parë hidhem tek e dyta: Gjatë kohës së burgut jam marrë me mbledhjen e materialit folkloristik. Mbi 500 përralla, këngë, proverba etj., të cilët i mori në dorëzim Kap. Todi, kur u transferova nga Burgu i Shkodrës në atë të Vlorës. Z. kolonel Qamil Mamiri më dha fjalën se do t’i merrja. Si u ktheva përsëri në Punëtori dhe me këshillën që më dha vetë Kapiten Todi, u la që t’i merrja vetë, pasi të lirohesha, në Dretorinë e Policisë ku ai punonte. Ditën e lirimit i lashë kapiten Xhezairit një rast me të tjera dorëshkrime dhe pak libra si dhe disa letra, që për sqarim, i kisha ruajtur për t’ia bashkangjitur lutjes me të cilën do t’i drejtohesha Qeverisë për punë.
Më 30 tetor të 1961, iu drejtova z. Gjeneral Kadri Hazbiut, një letër rekomandè, ku i lutesha që dorëshkrimet e mia të para dhe të dytat të më dërgoheshin këtu, ku më kishin internuar. Për çudi unë s’pata asnjë përgjigje, veçanërisht nga një person i cili është përgjegjës, edhe kur kemi qenë të burgosur!
Nëqoftëse unë, si e interrnuar nuk kam të drejtë të merrem publikisht me lëvizjen e letrave, besoj se nuk më ndalohet, që në orët e lira të jetës private të merrem me materiale folkloristike. Përse vallë të mos më jepen. Përse të më bëhet ky persekutim?!
Besoj se lutja ime do të merret parasysh dhe kërkesat e mia do t’i shqyrtoni me mirëkuptim, duke patur një interesim dhe përgjigje të shpejtë.
Me nderime Musine Kokalari
.
Rrëshen, 10 mars 1962
Shënimi i Diktatorit mbi letrën e Musine Kokalarit
Shënimi i Diktatorit mbi letrën e Musine Kokalarit (aqsh)

Informacion

Mbi letrën e Musine Kokalarit drejtuar Shokut Enver

Ka qenë e dënuar me 16 vjet burg. Në tetor 1961, u lirua dhe u internuan në Rrëshen për 5 vjet. E konsideron të padrejtë këtë masë dhe kërkon të rishikohet çështja për t’u liruar. Gjithashtu kërkon t’i jepen disa materiale folkloristike që i ka grumbulluar gjatë kohës në burg, të cilat i janë mbajtur në kohën e lirimit.
Musineja është arrestuar me 23.01.1946, dhe dënuar me 20 vjet burg, me vendim të gjykatës ushtarake Tiranë për shkak të aktivitetit armiqësor që ka zhvilluar në shërbim të Ballit Kombëtar kundra Luftës Na-çl, në bashkëpunim me krerët e tjerë të Ballit. Mbas çlirimit ka bërë pjesë në organizatën tradhëtare social-demokrate, ka organizuar grupe të rinjsh kundra pushtetit, dhe ëshët lidhur me kriminelët e rrethit Shkodër.
Gjatë kohës në burg nuk ka mbajtur qëndrim të mirë.S’ka pasur shenja përmirësimi një qëndrim të tillë mban edhe sot që u lirua nga burgu.
Me vendim të komisionit të internim-dëbimeve me Nr. 53 datë 30.08.1961, u interrnua në Rrëshen, për pesë vjet, për rrezikshmëri shoqërore. Në Tiranë ku është vendbanimi i saj, ka dy vëllezër, karshi të cilëve komisioni interrnim-dëbimeve ka marrë vendim, që gjatë këtij muaji të internohen në Lushnje, dhe atje të dërgohet edhe motra e tyre, Musineja, për të jetuar së bashku me ta, duke u hequr nga Rrësheni.
Lidhur me materialet folkloristike që ajo ka grumbulluar në burg, u bisedua me Ministrinë e punëve të Brendshme për t’ia dërguar, meqenëse përmbajtja e tyre është thjeshtë folklorike, dhe nuk ka shënime politike. Drejtoria e Organeve Administrative është dakord me vendimin e komisionit, për ta hequr këtë familje nga Tirana, e për ta vendosur me banim në Lushnjë.
Drejtori i Drejtorisë së Organeve Administrative
Llazi Stratobërdha (firma)
12.04.1962
.
Drejtorisë administrative.
Për njoftim edhe aa
.
Shënim me dorë dhe stilolaps të kuq: Bisedova me Kadrinë, qëndron shumë keq! Një vije e gjatë e spërdredhur.
Kjo letër dhe shënimi i saj i mor nga faqja e Fb. e Arkivit Qëndror të Shtetit
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.