back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Mit’hat Frashëri – Baba i Kombit Shqiptar – nga Engjëll Gishti

Gazeta

Mid'hat Frashëri (1880-1949)
Mid’hat Frashëri (1880-1949)

Mit’hat Frashëri – Baba i Kombit Shqiptar

nga Engjëll Gishti

Pas 33 vitesh nga rënia e komunizmit, dëgjon ende njerëz të indoktrinuar majtas të cilët e quajnë Ballin Kombëtar e veçanërisht figurën e tij drejtuese Mit’hatin e Madh “kolaboracionistë që i ka njollosur historia” e të tjera epitete të tilla: madje arritëm të shikonim edhe një xhest vandal të shkatërrimit të bustit të tij!
Ideologjia, cilado qoftë ajo, është një kafshë e egër brenda shpirtit tonë: një kafshë që duhet ta vrasim nëse në duam të jemi të lirë në mendim e veprim; kjo sepse ajo ideologji nuk na le të llogjikojmë me objektivitet. Shembujt me ekstrem janë ideologjitë fetare ku njerëzit rreshtohen në besime të ndryshme, gjithmonë të gatshëm të sulmojnë besimin tjetër, e gjithmonë të gatshëm të kalojnë në pozicionet fondamentaliste të besimit! Kjo sepse ideologjia fetare, është shumë e angazhuar të bejë një lavazh truri e cila të con deri në një mosgjykim të çuditshëm, aq sa subjekti i indoktrinuar jo vetëm se e quan veten e tij me realistin dhe objektivin në botë, por edhe çuditet se si të tjerët nuk mendojne si ai!
Enver Hoxha, ideologjinë komuniste, u përpoq ta fusë në popullsi njësoj si ideologjitë fetare; ndaj dhe i hoqi këto të fundit. Në asnjë vend të Europës Lindore, nuk pati një ideologjizim komunist kaq të thellë e kaq të rreptë sa tek ne: jo më kot ne ishim të vetmit në Botë që u shpallëm vend ateist!
Pikërisht sepse ky ideologjizim ishte kaq i thellë, ne e shohim atë akoma edhe sot, 33 vite pas përmbysjes së regjimit, kur çdo ditë takojmë edhe njerëz të majtë ekstremisht të ideologjizuar. Janë pra këta njerëz që janë të bindur se Mit’hat Frashëri ishte një tradhëtar i Kombit, ndaj ai nuk meriton të ketë as bust të tij. Për këta njerëz, Balli, ishte “një grumbull kolaboracionistësh që i ka njollosur historia sepse ata bashkëpunuan me pushtuesin!”. Kur këtyre njerëzve, butë butë u thua, “po mirë more mik, ok, ja Balli paska bashkëpunuar me pushtuesin e kështu këta na qenkan kolaboracionistë, po pa na thuaj, po komunistët e Enverit që bashkëpunuan me serbët, ose më saktë që u bënë ysmeqare e urdhërzbatues të serbëve, armiqve tanë shekullore, çfarë janë?” këta hidhen përpjetë dhe nuk pranojnë asnjë diskutim sepse hiqen si të fyer rëndë; njësoj si muslimani fondamentalist kur ti e pyet se sa koka njerëzish ka prerë Muhameti! Kjo sepse të dyja palët kanë shumë frike nga e vërteta!
Eshtë e tepërt të themi se kush ishte Mit’hat Frashëri, i biri i Avdylit te Madh, themelues i gazetarise shqiptare që në kohë të Turqisë, firmëtar i Pavarësisë, akuzues i Ismail Qemalit për tradhëti sepse ai nuk çoi ushtrinë për mbrojtjen e Janinës, i pari Ministër që dha dorëheqje për këtë shkak, ambasador i yni në shtetin grek që mbrojti më mirë se Zogu çeshtjen çame, albanolog i shkëlqyer biblioteka e të cilit themeloi Bibliotekën tonë Kombëtare, etj, etj që të gjithë i dimë (nuk trajtohet dot këtu e gjitha kjo figurë).
Në historinë tonë, janë të pakta figurat kaq të ndritura që çeshtjes kombëtare i kanë ndejtur në lartësinë e saj me të lartë. Ndaj edhe organizatën (pastaj parti) të Ballit Kombëtar ai e themeloi pikërisht në 28 Nëndor 1939, ditën më të shënuar për shqiptarët!

Mid'hat Frashëri e Abaz Kupi - Londër 1949
Mid’hat Frashëri e Abaz Kupi – Londër 1949

Dihet dhe e ka pranuar edhe Enver Hoxha se luftimet e para kundër italianëve fashiste i ka bërë Legaliteti e Balli. Enveri justifikohet (në botimet e para të kujtimeve të tij, se më vonë u korrigjua duke u hequr kjo frazë) se: “ne nuk mund të luftonim njërën borgjezi për të ndihmuar një tjetër borgjezi (atë tonën), ndaj dhe u futën vonë në luftë kur kishte filluar lufta ndërmjet dy borgjezive”. Në fakt për të gjithë kohën e pushtimit italian, partizanët pothuajse nuk kishin formacione luftarake; komunistët u futën si shushunja në disa çeta nacionaliste që tani duan të na thonë se ishin çeta partizane (si ajo e Babë Myslymit, etj). Ne fakt, superioriteti i padiskutueshëm i Ballit Kombëtar duket qartë në fund të kohës së italianëve kur në Kongresin mbarëkombëtar të të gjitha forcave në Mukje nga ku doli edhe Komiteti Qendror me atributet e një Qeverie të Përkohëshme (skemë që komunistat do e imitojnë më vonë në Konferencën e Përmetit), ky Komitet drejtues kishte këtë përbërje: 6 anëtarë të Ballit, 3 të Legalitetit dhe 3 të Partizanëve. Kjo përbërje reflektonte edhe kontributin në terren në çeshtjen e Luftës si dhe peshën që çdo forcë kishte në popull. Këtu, ne nuk mohojmë faktin se pesha e formacionit me të fundit, pra të komunistëve dhe partizanëve po vinte duke u rritur sepse ata kishin siguruar edhe mbështetjen kryesore nga Aleatët Perëndimore; mbështeje që nuk e kishte siguruar Balli.
Në fakt Balli ishte në kontrast të fortë me Aleatët sepse nacionalistet ballistë trashëgonin idealet e Rilindjes Kombëtare (drejtuesit e Ballit ishin fëmijtë e rilindasve) të cilët nuk mund të pranonin kurrë një Shqipëri gjysmake, ndaj ishin të përkushtuar ndaj idealit të Bashkimit Kombëtar. Për këtë arsye, Balli me forcat e tij shpesh anësore, u angazhua të çojë një administratë të madhe drejt Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi si dhe të dërgojë edhe ndihma të konsiderueshme ushtarake në këto rajone ku ata ngritën edhe formacionet ushtarake nacionaliste. Drejtuesit e Ballit e kishin të qartë se as fqinjët e as Fuqitë e Mëdha nuk do pajtoheshin lehtë me vendimet e veprimet e Ballit; ata e dinin mirë se në këtë ideal të Bashkimit Kombëtar do kishin krejt Botën kundër, por ata nuk mund ta tradhëetonin idealin e tyre! Detyra ishte vërtet shumë e vështirë dhe Balli nuk donte të ishte i vetëm kundër gjithë Botës, ndaj, ndërsa me gjermanët (që për shumicën e kombit tonë që vuante nën serbët ishin më shumë çlirues se sa pushtues) nënshkruan një traktat mos-sulmimi, nga ana tjetër, bënë të gjitha përpjekjet për të vendosur një raport me Aleatët. Qazim Kokoshi (eksponent i Ballit për Vlorën) shkoi personalisht te takonte komandën angleze të Mesdheut. Kryeministri i Shqipërisë, Mehdi Frashëri, dërgoi të birin në një sekret të madh në Ambasadën amerikane të Ankarasë (praktikisht duke rezikuar kokën, sepse mund të akuzohej për tradhëti nga gjermanët), por Churchill kishte deklaruar me kohë se jo vetëm nuk do përkrahte ambicjet e nacionalistëve shqiptare, por pas Luftës, do rihapte edhe çeshtjen e kufijve jugore të Shqipërisë në favor të Greqisë. Praktikisht kishte vendosur t’i kalonte Vorio-Epirin Greqisë.
Josif Broz Tito që ishte një politikan i regjur, edhe pse e kishte nën grusht udhëheqjen komuniste shqiptare, e ndiqte me shumë vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri. Ai nuk u zinte besë shqiptarëve, e natyrisht i trembej më shumë nacionalistëve shqiptare që vinin nga Familjet e Mëdha shqiptare. Ai kishte dërguar djalin e vet në Zvicër pranë djalit të Churcill (me vonë këta të dy kalojnë në Kroaci) nga ku merrte çdo informacion që i duhej. Ishte Tito që i prezantoi komunistët, partizanët tanë tek Churchill, pra tek Aleatët. Ishte Tito që vendosi që ndihmat e mëdha ushtarake t’i vinin vetëm partizanëve e jo forcave të tjera. Ishte Tito që i shënjoi Ballin të parin e më vonë edhe Legalitetin si bashkëpunëtorë e kolaboracionistë të bllokut nazifashist dhe partizanët si aleatë të Aleatëve Perëndimore! (Sot, këta shqiptare që e quajnë Ballin kolaboracionist, nuk e dinë se në fakt ata flasin me gojëen e serbëve e duke shprehur interesat e tyre). Kjo sepse kështu u interesonte serbëve; sepse partizanët nuk mbartnin ideologjinë e Bashkimit Kombëtar, por morën atë të Pajtimit Internacionalist. Sot Lufta në Ukrainë na e ka bërë të qartë se luftën tashmë e bën arma e jo më njeriu apo trimëria e tij. Partizanët u furnizuan me armë moderne automatike që ishin të panjohura për shqiptarët e asaj kohe të pajisur vetëm me belxhik e mauzer. Partizanët kështu morën një superioritet luftarak të padiskutueshëm. Sidoqoftë ende nuk kishin autoritetin social, ndaj në Kongresin e Mukjes, ishin një minorancë e papërfillshme. Kongresi i Mukjes konfirmoi edhe njëherë çeshtjen e Bashkimit Kombëtar, me të cilin ishin të detyruar të bashkoheshin edhe komunistët, sepse përndryshe do diskreditoheshin në popull. Kjo sigurisht që nuk i interesonte Titos, ndaj e urdhëroi Enverin (nëpërmejt emisarëve të tij) që ta denonconte Marrëveshjen. Enveri e mbante urdhërin në xhep për dy javë dhe nuk e merrte guximin ta denonconte. Ndërkohe Italia kapitulloi (më 8 Shtator 1943) dhe çeshtja e zotërimit të territorit me administratën përkatëse të çdo partie u bë shumë urgjente. Në këto kushte Enveri ju bind edhe njëherë tjetër serbëve dhe e denoncoi Marrëveshjen; madje dha urdhër të hapej zjarr ndaj forcave kundërshtare shqiptare. Reparte të mëdha italiane po grumbolloheshin nëpër kazerma në pritje të ktheheshin në atdheun e tyre dhe gjermanët nuk kishin ardhur akoma. Sipas vendimeve te Komitetit Qendror të Mukjes (i cili i bashkoi në një formacion të gjitha forcat e armatosura), komandant i forcave të Veriut ishte komunisti Gjin Marku, ndërsa komandant i forcave (të përbashkëta) te Jugut ishte Hysni Lepenica. Hysniu, me këtë titull, shkon në Grehot të Gjirokastrës me vetëm rreth 30 vetë, për të marrë në dorëzim Garnizonin italian të Grehotit dhe armatimin e tyre. Armatimi ishte pika e nxehtë, ishte çelësi që siguronte fitoren e njerës apo tjetrës palë, ndaj serbët dhe komandantët partizanë (ndoshta edhe me urdher urgjent nga Tito) nderhyjne tek gjenerali italian, i cili pranoi bashkëpunimin me komunistat dhe hapi zjarr ndaj nacionalistëve shqiptare që po shkonin të shkujdesur pasi lufta me Italine kishte mbaruar. Kështu Balli nuk e mori edhe këtë armatim të madh i cili u kaloi partizanëve.
Kur i çuan lajmin e zi mbi vrasjen e Hysni Lepenicës me mbi 30 të tjerë Mit’hat Frashërit, ballistat i kërkuan edhe urdhërin që ata të hapnin zjarr ndaj partizanëve, sepse sipas tyre lufta civile tashmë kishte filluar. “Kurrë nuk do dalë nga dora ime një urdhër, si pasojë e të cilit të derdhet një pikë gjak shqiptari!” – deklaroi i madhi Mit’hat Frashëri. Janë fjalë lapidare që mund t’i krahasojmë me fjalët paqesore të Jezu Krishtit (nëse të qëllojnë në njerën faqe, kthe faqen tjetër); fjalë që për mendimin tim duhet të gdhendën pranë varrit të tij monumental! Kultura e tij e madhe, njohja e historisë tragjike të kombit tonë, i gjithë gjaku shqiptar i derdhur në shekuj, e pengonte Mit’hatin të jepte një urdhër për kundërpërgjigje ndaj komunistave bashkëpunëtorë të armikut tonë shekullor! Në fakt pas këtij refuzimi, Balli filloi të shthurrej: një pjesë e madhe u kthyen nëpër shtëpitë e tyre; një pjesë ju bashkuan partizanëve, e një pjesë jo e vogël ju bashkuan gjermanëve duke shpresuar që këta të eleminonin komunistët. Gjermanët organizuan Operacionin e Dimrit duke i ndjekur partizanët edhe në maja malesh, por zgjuarsia e partizanëve qëndroi në faktin se ata i shkrinë formacionet duke i dërguar të gjithë nëpër shtëpitë e tyre, për të pritur një urdhër të dytë! Kjo taktike rezultoi efikase, sepse gjermanët që kishin mijra probleme dhe prisnin riatdhesimin e tyre drejt Gjermanisë (tashmë fati i Luftes dihej), nuk e kishin mendjen tek partizanët, të cilët u riorganizuan me shpejtësi në pranverë dhe pas Kongresit të Përmetit, urdhëruan edhe mobilizimin e forcuar ushtarak! Mossbatimi i urdhërit përkthehej në pushkatim, kështu që me forcë u krijuan formacione të medha ushtarake dhe superioriteti u kaloi përfundimisht partizanëve.
Qysh në Janar 44, (kur partizanët “u zhduken”), Balli organizoi një Kongres të tijin në Berat, ku pas debatesh dhe akuzash (organizimi i Ballit ishte i tipit pluralist, demokratik), me shumicë të ngushtë votash, u vendos shkarkimi i Mit’hat Frashërit si Kryetar i Ballit. Mit’hati pranoi vendimin dhe falenderoi në radhë të parë kritikuesit e tij. Debatet vazhduan për zgjedhjen e Kryetarit të ri (ku një nga pretendentët ishte Abaz Ermenji), por në mbi 10 votime askush nuk i siguroi 51% të votave. Ditën e tretë, Kongresi rizgjodhi përsëri Mit’hatin Kryetar.
Po a ishin të vërteta (realiste) kritikat ndaj Mit’hatit se ai nuk ishte i aftë ta udhëhiqte Ballin në Luftën e kohës sikurse e kritikoi gjysma e Ballit? Ky mendim ekziston edhe sot në shumë analistë të sotëm të cilët dështimin e Ballit e shohin edhe si pasojë e paaftësisë ushtarake të Mit’hatit të cilin e quajnë vetëm “figurë të letrave”! Ata preferojnë një komandant të vendosur siç ishte Abaz Ermenji në krahun e Ballit, që i kundërpërgjigjej Mehmet Shehu në krahun tjetër. Po nëse ishte kështu, përse pas tre ditësh e rizgjodhën përseri Mit’hatin kryetar? Unë besoj se në atë kohë, në nuk kishim asnjë figurë tjetër aq të formuar dhe me aq me vizion sa Mit’hat Frashëri. Pra ishte edhe gjysma tjetër e Ballit që mendonte se pozicioni i Mit’hatit nuk ishte i gabuar por ishte koha në atë kohë që nuk punonte për Ballin: ishte koha e revanshit komunist që na përfshiu edhe ne. Forcat e djathta që formuan Ballin, nuk munden të kishin që më herët aleatë ndërkombëtare (aleancat duan 10-vjeçare të krijohen në kohë paqe) sepse ato ishin të ndrydhura nga regjimi i Zogut, i cili shikonte të forconte vetëm partinë e tij, e kështu Balli hyri në luftë pa aleatë perëndimore në planin ndërkombëtar, e per me shume ne planin e brendshem, ai s’mund ta tradhëtonte (duke e kaluar në heshtje) çeshtjen kombëtare; përkundrazi ai ju fut me intensitet kësaj çeshtjeje duke përgatitur kushtet për fitoret e sotme nëpërmjet forcimit të Shqiptarisë atje. Ndërsa komunistët fituan një mbështetje ndërkombëtare nëpërmjet Titos. Kjo politikë e Ballit shkonte ndesh me vizionin e ndërkombëtarëve, veçanërisht me atë të Churchill e Tito, dhe Mit’hati e dinte shumë mirë këtë gjë. Jo me kot ai thoshte se: “Perëndimi nuk na kupton akoma, dhe kur do na kuptoje do jetë shumë vonë për Shqiperinë!” Pra unë besoj se Mit’hati e dinte shumë mirë se Luftën e kishte të humbur që kur Perëndimi e refuzoi Ballin që kur ata u përpoqën të vënë kontakte direkte me komandën e Mesdheut, ndaj hapja e zjarrit ndaj partizanëve vetëm do i shtonte plagët e Shqipërisë dhe do e bënte akoma më të egër regjimin e ardhshëm komunist. Ndaj vendimet që Mit’hati merrte në atë kohë Lufte, më shumë se sa asaj Lufte, i përgjigjeshin interesave të brezave të ardhshëm të shqiptarëve. Unë besoj se këto mendime ishin në kokën e Mit’hatit, pavarësisht se ai këto s’mund t’ja rrëfente ndoshta askujt (ose pakkujt). Ai priti deri në fund dhe përjetoi edhe sulmet e përbashkëta serbo-shqiptaro-komuniste kundër forcave nacionaliste të Gajur Derrallës në Maqedoni dhe Shaban Polluzhës në Kosovë, pas shpartallimit të të cilave, të gjithë nacionalistët shqiptare, shkunden xhepat për të marrë me qera një anije shkodrane e për të udhëtuar deri në Bari të Italisë. Kaq të braktisur ishin ata edhe nga Perëndimi. Akoma më domethënës eshte rasti i Sejfi Protopapës (Sali Protopapa në filmin sipas Dritëroit) i cili shërbente si përkthyes për misionin anglez. Shefkiu i shoqëroi anglezët deri në Shëngjin ku erdhi nëndetsja që i mori (ndërsa ballistat ishin mbledhur në Shkodër), por anglezet nuk e morën Shefkiun duke e lënë të vetëm në mes të katër rrugëve! Kështu u soll edhe një herë Europa ndaj idesë sonë nacionaliste! Në këto kushte fitoi krahu tjetër, ai internacionalist!

Mid'hat Frashëri, Abaz Kupi me mbështetës të Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë”
Mid’hat Frashëri, Abaz Kupi me mbështetës
të Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë”

Por Mit’hati nuk u përkul. Si një sfinks, edhe në ato kushte të strehimit në kamp refugjatësh, ai diti të imponohet me kulturën e tij dhe të fitojë lirinëe, simpatinë dhe mbështetjen që meritonte. Ai sytë i kishte nga Amerika dhe bashkë me Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, zbarkoi në tokën e ëndrrave botërore! Ai ndoshta nuk e mendonte se sigurimi internacionalist dhe shovinizmi greko-serb do mund ta ndiqte deri atje për ta eleminuar atë që drejtonte realisht mendimin kombëtar shqiptar!
Pikërisht për të gjithë këto: Ai ka qenë e mbetet Baba i Kombit Shqiptar!
Me duhet të shtoj, se nga ana tjetër, pas fitimit të pushtetit nga komunistët, nëpërmjet futjes së idesë së luftës së klasave që serbët injektuan tek Enveri, ata ja arritën t’i vënë në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve në Shqipëri, njësoj sikurse bënte edhe Sulltani dikur; kështu sërbet na injektuan një makineri vëllavrasëse në mënyrë që t’i kishin duart e lira të bënin ç’te donin me vëllezërit tanë matanë kufirit.
Ky ligj ra në vitet 90, por serbët përsëri ja arritën të na fusin një ligj tjetër vëllavrasës që deri tani ka shkaktuar mbi 12.000 viktima. Quhet ligji 7501. Tokën time ta dhanë ty, tënden një tjetri e kështu me radhë si rulet në mënyrë që në t’i vemë pushkën njëri tjetrit. Këtë ligj e kemi dhuratë nga Ramizi e Sali Berisha që me këtë “reforme agrare” na bëri pronarë dhe emigrantët grekë në Jug. Duke dëgjuar Sali Berishën, Gramoz Pashkon dhe Azem Hajdarin, ne u bëmë i vetmi vend i Botës që pretenduam ta ndërtojmë kapitalizmin e ri me bazë një reformë agrare të tipit Leninist! Dhe përfunduam këtu ku jemi: në pasardhësit e familjeve të mëdha u shkulem nga trojet tona e bëjmë emigrantin nëpër botë!
Të gjitha këto tragjedi nuk do kishin ndodhur nëse ne krye të shtetit tonë do ishin njerëz si Mit’hat Frashëri e jo njerëz si Enveri që mohuan edhe familjen e vet! Sidoqoftë në edhe sot duhet të tregojmë fisnikërinë tonë dhe t’i tërheqim vëllezërit taneë të majtë me dashuri e jo t’i luftojmë siç bënë ata me në, çka na çon në dobësimin e kombit tonë! Eshtë pak e vështirë të thuash: “I dashur vëlla: ti me vrave me shumë se një armik, po unë prap të dua”, por këtë e kërkon e ardhmja e kombit dhe njerëzit fisnik të Familjeve të Mëdha mund ta bëjnë edhe këtë për hatër të Atdheut duke marrë shëmbull pikërisht të madhërishmin Mit’hat Frashëri.

.

Marre nga muri i FB i Engjell Gishtit 20 shkurt 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.