back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mësuesit e shqipes, në Krahinën e Ulqinit – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018

Mësuesit e shqipes, në Krahinën e Ulqinit*

nga Pertefe Leka

në përkujtim të 70 viteve më parë…

Në vitin shkollor 1941-‘42, Ministria e Arsimit nën drejtimin e Ernest Koliqit, emëroi shumë mësues në Kosovë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë që kishte mbetur jashtë kufijeve të 1913. Mësuesi Jahja Domnori, nga Shkodra, u emërua për zonën e Ulqinit.
I pajisur me një kulturë të gjerë pedagogjike dhe me një përvojë të mirë pune në hapjen e shkollave të reja, si në Dibër, Vlorë, Durrës e në Shkodër, iu besua një detyrë me rëndësi. Në Ulqin, ai do të kryente detyrën e Drejtorit dhe Inspektorit të zonës. Duke pasur në varësi të gjitha rrethinat e Ulqinit, kishte nevojë për mësues të përgatitur dhe të ndërgjegjshëm, pasi njerëzit atje ishin të etur për shkollën shqipe, e cila deri atëhere ishte e ndaluar. Këtë detyrë e mori përsipër vetë inspektori i zonës, mësuesi Jahja Domnori, që të zgjidhte mësues nga familje të nderuara intelektuale, duke shfytëzuar njohjet që kishte me ta. Mësuesi Jahja Domnori, ishte njohur me babanë e Prenkë Jakovës, Kolën, kur ishin bashkë në luftën e Koplikut, me 1920. Kola, me origjinë nga Gjakova, ishte ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni sllav. Dy familjet kishin ruajtur një miqësi të sinqertë. Për këte, trokiti në derën e gjakovarëve, për të inkuadruar djalin e tyre, Prenkën, në këte detyrë fisnike. Më mirë e përshkruan vetë Prenka këte lidhje në kujtimet e tij. Ai kishte respektin me te madh për zotni Jahon (kështu e thërriste Prenka). Ke andje t’i lexosh ato shënime, me një gjuhë të bukur shkodrane, ku Prenka u ka dhënë melodinë e shpirtit. “Nji ditë, tek po lexojshe diçka në revistën “Hylli i Dritës”, në odën e vogël u fut nana Rozë, me duert e saja tanë shkumë sapunit e tanë preokupim, e më thotë se ka ardhe nji mik i shtëpisë tonë, Jaho Domnori, që ishte drejtor i shkollës fillore të Ulqinit. Unë tue e njoftë mirë Jahon, lashë librin e dola menjëherë në oborrin tonë të vogël, ku nana Rozë e kishte vendue në nji karrike thuprash. Pasi u falme me njeni-tjetrin, ai me propozoi që të shkojshe si mësues në katundin e Katërkollit, në Anë të Malit, se në atë zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodret, si Viktor Kicin, Prenkë Shirokën, Shuk Shllakun, Ramadan Millën, Zef Berishën e shumë të tjerë.
Unë si me marifet ja hodha fjalën, për me më marrë në Ulqin, e aj plot dëshirë, me premtoi, se do ta realizonte këtë deshirë, por në të ardhmen. Meqë të gjithë mësuesit që më përmendi zotni Jahoja i njifshe mirë, pranova pa ma të voglin hezitim. Nana tuj i prue nji kafe tarnake, e tuj fluturue prej gzimit, e falnderonte zotni Jahon për interesimin e tij. Ajo ju lut edhe për vllaun tem, Çeskun, për me i gjetë nji vend edhe atij, se i pëlqente natyra dhe puna si mësues” (nga kujtimet e Prenkë Jakovës).
.
Kompozitori Preng Jakova, mes nxënësve të shkollës fillore shqipe, në fshatin Katërkoll të Ulqinit, viti 1942.
Kompozitori Preng Jakova, mes nxënësve të shkollës fillore shqipe,
në fshatin Katërkoll të Ulqinit, viti 1942.
Pa urdhra nga lart, por me një bisede të hapun e të sinqertë, drejtori i shkollës e zgjodhi personelin me mësues që e donin Atdheun, e donin gjuhën shqipe dhe përparimin e Kombit. Është historik fjalimi që mbajti drejtori i shkollës Jahja Domnori, ditën e hapjes së shkollës shqipe në Ulqin, me prindër, mësues dhe autoritetet vendore.
Një fragment i shkëputur: “Arsyja e mbledhjes sotme s’asht tjetër vetëm se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju, me qëllim që t’u japim edukatën e duhun fmijve tuej. Andrra qi keni pasë pamë tash sa kohë, se nji popull qi ruen gjuhën e vet, aj ka ruejt çilsin e rrugës së indipendencës u shfaq sot si drita e syve. Kjo gjuhë e ruejtun prej jush, si prushi në gji duhet punue, e këte punë e ban shkolla… Shkolla përpiqet me pregatitë qytetarë e qytetare te respektueshëm ndaj ligjeve, me dashtë tek s’ban Atdheun, e krejt të gadshëm me ba çdo sakrificë për te” (nga shënimet e Jahja Domnorit).
Ky ishte motivi kryesor i të gjithë atyre që punuan pa u ndalë për të përhapur dijet me gjuhën e bukur shqipe. Kështu veproi edhe Prenka, djale i ri. Ai shpesh ndeshej me prindër të cilët ia drejtonin pyetjet në gjuhën sllave (ashtu ishin mësuar t’u drejtoheshin mësuesve sllavisht) por Prenka me dashuri dhe admirim për ata njerëz të mrekullueshem, u thoshte: “O vllazën, kjo asht shkollë shqipe, mos ma përmendni ma pjevanjen por me thoni: A din me këndue mire… shqip”. Meqë ishin fëmijë tepër patriotë, – shkruante Prenka, – u mundojshe me ju msue Fishtën, Ndre Mjedën, Hymnin e Shqipnisë, e shumë histori të patriotave shqiptarë. Prenka kishte diçka më tepër se mësuesit e tjerë, ai ishte muzikant dhe këtë mrekulli të talentit do ta ndante me të tjerët. Ai vetë shkruante: “Me vete pata marrë edhe nji fizarmonikë të vogël të cilën e hidhshe në krah e shkojshe për me i ra, muzikë të kohës edhe popullore shkodrane, krajanët e kishin për zemër kangën e Shkodrës… Shumë nxanës filluen me i ra bukur ndër ta edhe djali i hoxhës se Krajës, por aj kishte edhe nji za fenomenal prej tenori. Ata kishin nji vesh apsolut” (Prenkë Jakova).
Nuk ishte hera e parë që Prenka e kishte shkelur atë vend. Ai sjell ndër mend kujtimet e fëmijërisë, kur kishte lundruar me barken “Scanderbeg”, për të vizituar Kalanë e Ulqinit me shokët e klasës. Mbante mend edhe fjalët e Atë Martinit, i cili gjatë lundrimit ju thoshte fëmijëve se sa herë do ta kujtoni këtë barkë do të kujtoni Gjergj Kastriotin – Skënderbeun tonë legjendar: “Mundem me thanë se në Ulqin filluen me më ardhë frymëzimet e para për historinë e Skënderbeut” – shkruan Prenka.
Foto e Ulqinit
Foto e Ulqinit

.

E për rrjedhojë, nuk qe e papritur për Prenkën kompozitor, kryevepra, Opera “Skënderbeu” sepse ishte një lëndë e akumuluar ndër vite, e cila priste të shpërthente. Këta mësues me përkatësi fetare të ndryshme, punuan për arsimin laik, duke respektuar besimet e zonës. Ata punuan në harmoni me një qellim të përbashkët, duke i shënuar në ditarët e tyre si vitet më të bukura të jetës tyre. Prenka shkruan: “Këtu u njoha me shumë krijime të mrekullueshme të folklorit të papërsëritshëm të Krajës, ku aj i Ostrenit ishte i veçantë. Këtu më bante përshtypje edukata tolerante e myslimanve të Krajës, të cilët i ruanin me plot përkujdesje objektet e kultit kristian, si kishën, Ublën e Vjetër, qelen në Prift-najë e shumë toponime e vende të tjera të shenjta kristiane, ku riti në malin e Rumijes, ishte nji brilant shumë i shenjtë si për katolikët ashtu edhe për myslimanët, të cilët ishin shumë fanatikë, në zbatimin e këtyre riteve”. Me mësues të ndërgjegjshëm si këta, të cilët kishin si pikësynim bashkimin pa dallim shtrese shoqërore a fetare, ishte një kontribut për ardhmërinë e kombit shqiptar.
.
Drejtori Jahja Domnori, (me numer 1 mbi krye) mes autoriteteve të Ulqinit, mësuesve dhe prindërve të nxënësve në Ulqin, viti 1942
Drejtori Jahja Domnori, (me numer 1 mbi krye) mes autoriteteve të Ulqinit,
mësuesve dhe prindërve të nxënësve në Ulqin, viti 1942
E njëjta gjë është shkruar edhe në ditarin e drejtorit të shkollës së Ulqinit Jahja Domnori: “Në shkollë, ku pa dyshim rrin e mëson si i vobekti, si pasaniku, përpjekjet e afrohet ma tepër gjaja shoqnore, këtu fillon pra me ia dijtë pasaniku të vobektit, zengjini fukarasë. Këtu mëson fëmija ç’asht zeqati, sadakaja, buka e Shnandout… Dhima për të vobektin, e drejtësia për të gjithë, janë bazat esenciale të shkollës së sotshme” (Jahja Domnori).
Shënimet e këtyre mësuesve flasin shumë dhe kanë vlera bashkëkohore. Ata vunë në jetë idetë pedagogjike më të përparuara të kohës,duke luftuar padijen dhe pasivitetin dhe duke nxitur lirinë e mendimit me modelet më të mira dhe më të përshtatshme të arsimit përparimtar evropian. Këta mësues të devotshëm, hynë në historinë e Arsimit Kombëtar, me vlera të patjetërsueshme. Duke shkëputur një fragment nga fjalimi i drejtorit të shkollës se Ulqinit, Jahja Domnori, njohim pikëpamjet e tyre për të ardhmen e brezit të ri.
“Shkolla jonë, vegon me formue qenie të plotësueme, d.m.th. burra e gra me trup të shëndoshë, me zemër trime, me vullnet të fortë, me nji shpirt të drejtë, por edhe njerës që të jenë të zotët me mprojtë të drejtat e veta. Prandaj, djelmve dhe varzave te cilëve do t’u jepet edukata, do të jenë fëmijtë tuej, fëmi shqiptarësh të shekullit XX” (Ulqin, 1942).
.
*Titulli redaksional: radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.