Meshari i Buzukut –
nën transliterimi i Namik Resulit – Alfred Beka
Ma në fund, pa disa vitesh ai mbrrijtëm qëllimit që të botojmë “Mesharin” e Namik Resulit dhe besoj se “porosia” e Namik Resulit shkoi në vend, edhe pse me pak vonesë. Namik Resuli ishte i mishnum me Buzukun dhe Mesharin, por për fat t’keq, Shqipnia e Kosova nuk e njohën dhe nuk ja dhanë meritat që i përkasin Namikut, me ribotimit e Mesharit të Resulit, asht nji lloj njohje për punën e tij të palodhshme qa ka ba për kulturën shqiptare. Po i shkpus disa fjalë nga ajo që asht shkru n’parathanje dhe n’kopertinën (faqja e fudit) për këtë botim dhe Namik Resulin.
Meshari i Resulit u botu nga Albanisches Institut St. Gallen & The Centre for Albanians Studies – Londër (2013)
Një cak kohor i mirëseardhur për t’iu rikthyer trashëgimisë kulturore të përftuar në mërgim: Me këto pak fjalë mund të kufizojmë thukët në kohë rrjedhën e zhvillimit të vrullshëm që po përjeton sot kultura shqiptare, e cila mban hapur prej dy dekadash siparet e saj, duke përthithur natyrshëm gjithë ato prurje e pasuri kulturore-botuese që trashëgojmë prej mërgatës intelektuale shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Dhe është fakt i mirënjohur që lexues të sotëm – sidomos syresh në hapësirën kompakte shqipfolëse në Ballkan – po marrin në mënyrë të përshpejtuar kontakt me këtë trashëgimi të vyer të kulturës shqiptare, falë punës ngulmuese që po bëhet për ribotimin e plotë dhe shpërndarjen e saj kudo ku flitet shqip. Lejohemi të përmendim këtu si shembuj sa të veçantë aq edhe domethënës përkthimin dhe ribotimin e punës farëmirë të Patër Zef Valentinit, nestorit të mërgatës intelektuale shqiptare në Perëndim dhe autor i veprës madhore Acta Albaniae Veneta, apo aktivitetin intelektual dhe letrar të Ernest Koliqit, Martin Camajt, Arshi Pipës etj., opusi i të cilëve po i rikthehet në plotësinë e vet atdheut të tyre të munguar.
Largimi i natyrshëm në kohë nga ky botim si edhe mundësitë e dikurshme të kufizuara të përhapjes së tij në gjithë arealin kulturor shqipfolës, kanë shkaktuar boshllëqe të theksuara jo vetëm në bibliotekat e studiuesve të historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar, por edhe në formimin e përgjithshëm të studentëve të shkencave shoqërore-albanologjike si edhe të lexuesve të thjeshtë e të shumtë, që i mbeten dashamirë kësaj kulture. Andaj ky ribotim anastatik i botimit të parë shkencor filologjik të “Mesharit” të Gjon Buzukut, për të cilin janë kujdesur me përkushtim Albert Ramaj (Albanisches Institut – St. Gallen) dhe Bejtullah Destani (The Centre for Albanians Studies – Londër) i vjen lexuesit bash në kohën e duhur.
Ky botim është njëherësh një akt mirënjohjeje dhe nderimi ndaj botuesit të tij, e nëpërmjet tij një homazh i gjithhershëm ndaj kulturës së shkrimit shqip në mërgim që zuri fill me basin e saj Gjonin, birin e Bdekës dhe kumtin e tij: “tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gjā të endigluom en së Shkruomit Shenjtë, en së dashunit së botësë sanë, desha me u fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne qi të endiglonjënë.” (Bardhyl Demiraj)
…Sidomos për ndjenjën gjuhësore e bile edhe për shijen letrare të neve të sotëmve, mënyra buzukjane e të shkruarit shqip, përveç avantazheve të jashtëm siç është p.sh. paraqitja hijerëndë e një gjendjeje historike relativisht të largët, ka edhe bukuritë e brendshme siç janë p.sh. thjeshtësia natyrore e si të thuash kumbimi krenar i një gegërishtje së folur këtu e katërqind vjet më parë në malësitë e veriut e të verilindjes, të vendit tonë. (Selman Riza)
…Ribotimi i parë i plotë i Mesharit, me një fotokopje dhe transliterim, u krye në vitin 1958 – dhjetë vjet para Eqrem Çabejt – nga studiuesi Namik Resuli, një arritje e madhe shkencore që u injorua për një kohë të gjatë në Shqipëri. (Robert Elsie)
(Marre http://botimetshqip.blogspot.it)
Nelson Qirjaku: Na vjen shumë mirë kur dëgjojmë lajme të tilla dhe sidomos për dijetarë të shquar si Namik Resuli, që gjithë jetën e vet ia kushtoi studimeve shqiptare. Pas vdekjes së këtij albanologu, regjimi komunist nëpermjet ambasadës shqiptare në Rome, u përpoq të shtinte në dorë bibliotekën shumë të pasur të prof. Resulit, por nuk ia arriti dot. Biblioteka u zhduk menjëherë nga njerëz të diasporës të asaj kohë, saqë sot nuk dihet se ç’është bërë ajo. Me 1997, rastisi që një ditë u ndodha në Romë për drekë në shtëpinë e një miku. Gjatë bisedës i zura në gojë me keqardhje zhdukjen e bibliotekës së profesorit të nderuar. Miku im m’u pergjigj me buzeqeshje: “E keni bibliotekën shumë pranë, ajo është 2 metra prapa kurrizit tënd!”. Unë u ktheva i habitur dhe vura re se pas shpinës sime, me të vërtetë ndodhej dera e mbyllur e një dhome. Miku im shtoi: “Aty ndodhet biblioteka! Për ju sa herë që do të keni nevojë për të, ajo derë do të jetë gjithmonë e hapur!”.
Kastriot Marku: Ma në fund tash do të kemi në dorë një transliterim të dytë të “Mesharit” të Buzukut. Filologjia shqiptare (kryesisht në Shqipni e Kosovë), do të ketë të ribotuem këtë punë që përkundrejt punës shumë të mirë të Eqrem Çabejt, nuk u përfill aq sa duhet. Uroj ta kem sa ma parë në dorë këtë vepër, ndërkohë që besoj se nuk do te jetë e largët dita që këtij botimi do t’i shtohet një botimi tretë kritik i Buzukut, i pari studim filologjik jo vetëm për Buzukun, por në krejt studimet albanologjike, ai i kryem prej Emzot Pal Skiroit, i cili ma në fund asht gjetun e po përgatitet nga Prof. Matteo Mandalà. Urime të përzemërta kujdestarëve të botimit të Resulit dhe Buzukut njëkohesisht! Mars 2013
Isak Ahmeti: Ribotimi i “Mesharit” të Gjon Buzukut, transliteruar nga studiuesi Namik Resuli, është një eveniment në botën e kulturës shqiptare. Eshtë një homazh i bukur dhe i veçantë edhe për Gjon Buzukun që, siç e ka thënë me të drejtë edhe Prof. Selman Riza, gjuhën e folur shqipe e bëri gjuhë letrare… Një meritë e veçantë për ketë eveniment i shkon Albert Ramajt dhe Bejtullah Destanit!