back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Im gjysh: Mustafa Merlika – Kruja… nga Eugjen Merlika

Gazeta

Mustafa Merlika - Kruja (1887-1958)
Mustafa Merlika – Kruja (1887-1958)

Im gjysh: Mustafa Merlika – Kruja…

nga Eugjen Merlika

Kryeministri shqiptar i viteve 1942-1943,
Mustafa Merlika – Kruja sipas të nipit, Eugjen Merlika.
Marrdhëniet me miqtë e ngushtë, me elitën e kohës,
“armiqësia” me Mbretin Zog dhe së fundi vdekja në mërgim e tij.

E quaj të udhës të them dhe unë pak fjalë mbi gjyshin tim, Mustafa Merlika – Krujën, për kremtimin e 50 vjetorit të vdekjes të të cilit, lumturisht jemi mbledhur këtu, në këtë sallë. Emri i tij, për të cilin e kam ndjerë veten krenar, si ai i njerit prej njerëzve të shquar të Atdheut tim e, akoma më tepër, si ai i njeriut që u mundua më shumë se kushdo për t’i shmangur atij fatkeqësinë më të madhe, komunizmin, më ka shoqëruar në çdo hap të jetës sime, me pasojat që secili prej jush mund t’i marrë me mend.

Autori Eugjen Merlika 2008
Autori Eugjen Merlika 2008

Por sot, s’është rasti të kujtojmë kalvarin e gjatë të familjes sime, por të përkujtojmë së bashku të parin e fisit tonë që qe njëkohësisht, siç doli edhe nga kumtesat e mbajtura deri tani, një nga figurat kryesore të kulturës e të jetës politike të vendit. Kjo përkujtimore zbehet pak nga mungesa tërësore e pranisë së Shtetit dhe institucioneve. Megjithatë le t’ia lemë kohës, gjykatësit më të paanshëm, vlerësimin e qëndrimit të këtyre të fundit.
E sotmja për familjarët nuk është festë, mbetet gjithmonë një ditë dhimbjeje, por atmosfera në të cilën lëndohet plaga është diçka e veçantë e na mbush me gëzim sepse, për herë të parë që nga dita që Mustafa Kruja u nda nga kjo botë, sot përkujtohet solemnisht jo vetëm nga njerëzit e dashur dhe miqtë.
Në një farë mënyre kjo mund të quhet një rilindje për gjyshin tim, portreti i të cilit stolis qoftë edhe për pak orë këtë sallë, ai portret që përfaqësonte Shqipërinë në një sallë të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Veç falënderimit Zotit të gjithësisë, i vetmi i aftë për të tilla mrekulli, duhet t’u falënderoj ju të gjithëve për praninë tuaj bujare e kryesisht, profesor Ardian Ndrecën, si nismëtar i këtij aktiviteti, gjithashtu studjuesit e shquar, autorë të kumtesave shkencore për ndihmesën tepër të çmuar në shpalosjen e anëve të ndryshme të personalitetit poliedrik të Mustafa Merlika-Krujës.
Në familjen Merlika, tek shtëpia dykatëshe në rrugën “Vllazën Huta”, ishin shumë të qeta bisedat rreth ikjes së mundshme në Europën Perëndimore, ende në luftë n’atë fund vere të 1944-ës, për t’i shpëtuar një regjimi të tipit bolshevik që çdo ditë e më tepër mundësohej si real në Shqipërinë e pasluftës.

Mustafa Merlika-Kruja dhe Caje Merlika
Mustafa Merlika-Kruja dhe Caje Merlika

Caja, e zonja e shtëpisë, mbas pesëmbëdhjetë vitesh mërgimi e, më së fundi me një shtëpi të sajën, nuk donte të dëgjonte për largim jashtë shtetit. I shoqi, Mustafa Kruja, ish Kryeministri i shkëputur nga politika aktive, kishte vendosur të qëndronte, i vetëdijshëm se kishte punuar me ndërgjegje për të mirën e Atdheut të tij e i gatshëm për t’u përgjigjur para çdo lloj trupi gjykues për veprimtarinë e tij.
Si njohës i mirë i përvojës që frymëzonte ata që, me shumë gjasë, do të merrnin pushtetin në Shqipëri, ai e kuptonte rrezikun drejt të cilit shkonte, por skrupujt që mbizotëronin në karakterin e tij, i diktonin atë qëndrim. Në përvojën e qeverisjes së Vendit nën pushtim kishin qënë përkrah tij mjaft prej kushërinjve e rrethit miqësor. Emrat e Sulës, të Sejfullait, të Talibit, të Reshitit, të Ymerit, të Osmanit, të Hysenit, të Hamitit do të shënonin faqe lavdie, deri në sakrificën skajore, në qëndresën antikomuniste të Krujës.
Pjesëmarrja e rrethit familjar në jetën e tij politike ishte një barrë e rëndë në ndërgjegjen e tij. Pasojat e përndjekjes komuniste që do të binin vetëm mbi ta, duke ruajtur familjarët e tij nëpërmjet një largimi eventual nga Shqipëria, ishin të papranueshme, madje të pakonceptueshme për Mustafa Krujën.
Që në rini të tij, ai kishte dhënë prova të përkushtimit ndaj familjes e farefisit. Kishte qenë ai nisjatori i pajtimit të t’atit me xhaxhanë, Xhiun e Fajës, të zemruar për një çështje pronësie, siç ndodh rëndom ndër njerëzit. Megjithëse arsyeja ishte n’anën e atit, ai pranoi më mirë pajtimin se sa të drejtën, sepse gjaku nuk bëhet ujë për sende materiale të çfarëdo vlere qofshin.
Ky ishte mësimi i parë i madh që djaloshi student i përcillte familjarëve të tij dhe gjithë farefisit. Harmonia në familje, dashuria për njeri tjetrin, ishin vlera të padiskutueshme për te. Këto binjakëzoheshin me të tjera vlera siç ishte ndershmëria e ruajtja e faqes së bardhë dhe emrit të mirë të fisit.

Kruja e Vjetër
Kruja e Vjetër

Shumë vite më vonë, kur ai drejtonte Qeverinë, dikush i tha se një kushëri i tij po pasurohej duke përdorur emrin e tij për marrëveshje fitimprurëse me firma tregtare italiane. E vërtetoi faktin, mblodhi fisin dhe me një vendim, sa të rrallë aq dhe të prerë, i hoqi kushëririt të drejtën e mbajtjes së mbiemrit.
Horizonti i hapur, zemërgjerësia, njohja e thellë e natyrës njerzore e dukurive të saj, mirkuptimi pa paragjykime i problemeve të të tjerëve, gjykimi i drejtë e i matur i tyre, ishin tipare karakteri që djaloshi Mustafa kishte shfaqur herët në formimin e tij. Në këtë kontekst vlen të përmendet fakti që ai ngulmoi shumë pranë babait të tij, për të krijuar një tjetër familje mbas vdekjes së parakohshme të nënës së tij.
Shkëputja kulturore nga ambjenti në të cilin lindi, lartësia në të cilin e ngriti jeta shoqërore nuk përbënë kurrë për të një hendek që e ndante nga familjarët, farefisi, shokët e miqtë e qytetit të lindjes. Ai mbeti gjithmonë pranë tyre me mendimet dhe ndjenjat, e ndonse jeta e vërtiti më së shumti larg Atdheut, e qytetit të lindjes, këta mbetën gjithmonë foletë e përjetshme ku prehej shpirti i trazuar e i përmalluar.
N’atë gjendje, kur e gjithë familja i ishte nënshtruar idesë së qëndrimit në vend para ngjarjeve të pritme, një thirrje telefoni nga Vjena e Austrisë ndryshoi planet. Besimi, xhaxhai i vogël, i shtruar në një spital të atij qyteti ishte keqësuar dhe mjekët e quanin të domosdoshme praninë e familjes, sidomos të babait. Lajmi nuk linte shteg për mëdyshje e vendimi ishte i menjëhershëm.
Gjyshi u nis me ngut. N’oborr para se të dilte më mori në krahë për herë të fundit e tha: “Të mijtë nuk i rrita dot. As këtë nuk do të mundem ta rris!” Ato fjalë ishin një sintezë e jetës së një njeriu “qi për tridhet e kusur vjet rrjesht ka qênë përpjekun me ia vû ndonji gur themelit të ksaj Shqipnije, me bukë e pa bukë, me pendë e me pushkë, tue lânë në mëshirë të tjetër kuj e ndër kâmbë anmiqsh nânë, babë, grue e fëmij.” Ato fjalë ishin e shkuara dhe e ardhmja e jetës së tij.

Mustafa Kruja - Merlika në Kosovë
Mustafa Kruja – Merlika në Kosovë

Gjyshi im ishte një bashkëshort shëmbullor e një prind i rrallë. Ishte një shqiptar i lashtë në drejtim të moralit e, njëkohësisht, një europian modern e i kulturuar përsa i përket tolerancës. Familja për të, nuk ishte thjesht një bashkim njerëzish që kishte për mision lindjen e fëmijëve dhe nënshtrimin ndaj vullnetit të të parit, por një institucion i përbashkët, në të cilin ekzistonte respekti e dashuria e ndërsjelltë e ku kryetari nuk ishte një autoritet që bënte të detyrueshëm mendimin e tij, por një prind që shqetësohej njësoj për mbarëvajtjen e përparimin e gjithë pjestarëve të saj.
Shkollimi i bijve, vëllezërve e motrave ishte një sakrificë e madhe materiale për të, por i jepte kënaqsinë t’i shihte të realizuar si njerëz e si qytetarë, t’aftë të jepnin ndihmesën e tyre në dobi të një Atdheu që, më shumë se për çdo gjë, kishte nevojë për njerëz të kulturuar.
Kështu biri dhe vëllai që u diplomuan në Francë e n’Itali u kthyen menjëherë në Shqipëri, sepse ky ishte vullneti i Lalës. Nga Bolonja në Peqin, ky qe itinerari që përshkoi Asllani, vëllai i vogël, për të filluar ushtrimin e profesionit si mjek. Secili mund të marrë me mënd se sa atdhedashuri kishte në një vendim të këtillë, po të mbahet parasysh se bëhet fjalë për 12 shtatorin e vitit 1936. I biri, Petriti, babai im, nuk do të pranonte një kontratë të mirë pune me një nga termocentralet më të mëdha të Francës jugore, por do të vinte të fillonte një aktivitet privat në Tiranë me dy kolegë e shokë të ngushtë.
Gjyshi im ishte një personalitet shumëplanesh. Gjasme historia, që na serviri regjimi për më shumë se gjysmë shekulli, na e paraqiti vetëm në një drejtim, n’atë të politikanit, madje të reduktuar në vetëm 13 muaj veprimtari dhe ajo me ngjyrat më të errëta. Është një paraqitje tejet e shtrembëruar e figurës së tij.
Pasioni i tij fillestar ishte mësimdhënia, prirja e tij kryesore ishin shkencat ekzakte, matematika, fusha në të cilën përqëndrohej e prodhonte ishte studimi, kryesisht i gjuhës e i historisë, misioni që kishte marrë përsipër ishte ai i rilindësve, ndriçimi dhe lartësimi i Kombit shqiptar.

Mustafa Kruja - Merlika: Botim
Mustafa Kruja – Merlika: Botim

Pra, politika për të qe një mision, një domosdoshmëri e diktuar nga kushtet e Shqipërisë, nuk qe pasioni i tij i jetës. Kaq është e vërtetë, saqë asnjë nga bijtë apo vëllezërit e tij nuk i drejtoi n’atë fushë, të cilën e braktisi përfundimisht që më 13 janar 1943, në moshën 56-vjeçare.
Faktor për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë, në mendësinë e Mustafa Krujës, miqësia me të gjitha atributet që i jepnin asaj ligjet e lashta të jetës shqiptare, përbënte një vlerë të cilën e çmoi dhe respektoi gjatë gjithë jetës.
Miqësia me njerëz si Luigj Gurakuqi, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, Xhevat Korça, At Gjergj Fishta, Gjovalin Kamsi, Abaz Kupi, Sotir Gjika, Sali Nivica, Shuk Gurakuqi, Ahmet Dakli, Dan Hasani, Hajdar Kika, Beso Gega, Kostandin Kote, Ernest Koliqi, Don Lazër Shantoja, Tahir Kolgjini, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi e shumë të tjerë, ka shënuar e mbushur shumë faqe të jetës së tij vetjake e shoqërore, në vite të qeta apo të stuhishme. Gjyshja ime e ndjerë ishte një minierë episodesh të ndryshme që lidheshin me këta persona dhe historinë e Shqipërisë.
Dua të ndalem më gjatë në marrëdhëniet e gjyshit tim me Ahmet Zogun, Mbretin e Shqiptarëve, marrëdhënie kontradiktore, por edhe të pasura në vlera e parime. U njohën herët në Stamboll, në moshë fare të re. Më pas u miqësuan në vitet mbas pavarësisë e, në kohë të turbullta, kur rebelizma zotëronte Shqipërinë e Mesme, luftuan së bashku kundër saj e Mustafai strehohej në Burgajet, në sarajet e Xhemal Pashë Zogollit, si mik i të birit.
Kjo deri sa ai iu dorëzua vullnetarisht Esad Pashës, që e dënoi me vdekje e më pas me burg n’Itali. Vitet rrodhën e dy miqtë ishin larg njëri-tjetrit, por në prag të Kongresit të Lushnjës, Ahmet Beu i çoi fjalë dy herë të shkonin bashkë n’atë kuvend. Mustafai nuk pranoi për një arsye ndërgjegjeje që kishte të bënte me kolegët e tij të Qeverisë së Durrësit. Lushnja shënoi një krisje në marrëdhëniet që, në vitet e mëpasme, edhe për mendime të ndryshme politike, u kthye në një armiqësi të hapur për rreth njëzet vite, t’ashpër e pa doreza.
Më 1939, si pasojë e pushtimit italian, Mbreti Zogu u largua nga Shqipëria, kurse Mustafai u kthye. Mbas katër vitesh dhe përvojës 13 muajshe të përgjegjësisë qeveritare, në kaosin e ngjarjeve shqiptare nën kërcënimin e një fitoreje të komunistëve, gjyshi im krijoi bindjen se i vetmi njeri që mund ta shpëtonte Shqipërinë ishte Mbreti Zog. Atëhere, nga shtëpia e Kapidan Gjonit në Shkodër, nëpërmjet Sali Myftisë i çoi fjalë “armikut” të tij të madh mëse njëzetvjeçar:

Mbreti Zog dhe Shtatmadhoria e Tij
Mbreti Zog dhe Shtatmadhoria e Tij

“Nëqoftëse ke mundësi ose, po pate rast ndonjë ditë me u takue me Mbretin Zog, i thuej se, si mue dhe Kapidanin e Mirditës do t’na keshë bashkëpuntorë dhe përkrahës.” (Marrë nga kujtimet e z. Fuat Myftija). Ishte kjo dëshmia e mendësisë së hapur e pa paragjykime të Mustafa Krujës, treguese e një personaliteti që drejtohej nga arsyeja e shëndoshë e jo nga dogmat, tabutë apo interesat vetjake.
E kishte treguar këtë mendësi në sferën familjare, kur kishte pranuar e zgjedhur vajza italiane e katolike si bashkëshorte për vëllanë apo djalin, duke respektuar ndjenjat e tyre, në një kohë kur liberalizmi ishte një nocion që lakohej nga fare pak njerëz në Shqipëri.
E kishte treguar edhe në jetën politike kur, më 1936, karshi ardhjes në fuqi të Qeverisë liberale të Mehdi Frashërit në Tiranë, i kishte shkruar një letër shokëve të tij të mërgimit, për të rishikuar qëndrimin politik ndaj Mbretërisë, po ashtu sikurse më 1943, me mesazhin e drejtpërdrejtë që i dërgonte Mbretit në mërgim.
Këto nuk ishin lojëra interesi vetjak, por strategji që i shërbenin vetëm një qëllimi, të prira nga një ideal i vetëm: interesi madhor i Shqipërisë e i popullit të saj. Mustafa Kruja hyri i varfër në jetën politike e mbeti i tillë gjatë gjithë kohës. Në mërgimin e fundit n’Itali, Egjypt, Francë apo SHBA jetoi në mënyrë tepër të përkorë, në kufijtë e varfërisë.
E provojnë fletët e letrës në të cilat shkruante veprat e tij, letërkëmbimet me miq e dashamirë, thjeshtësia skajore e jetesës, bujaria e shpirtmadhësia e Mbretit Zogu që, kur u informua nga miku e bashkëqytetari Abaz Kupi mbi gjëndjen, e ftoi të shkonte për të jetuar pranë tij n’Aleksandri t’Egjyptit.
Në gjithë peripecitë e jetës Mustafa Kruja qe gjithmonë koherent me veten dhe parimet e tij morale. Kjo qëndrueshmëri karakteri u vlerësua nga miqtë e kundërshtarët. Është trashëgimia më e madhe morale që na mbeti ne si fis e familje, për të cilën i jemi mirënjohës në jetë të jetëve. “Mendoj se ka qenë burrë e shqiptar i mirë!” shprehej kryetari i Legalitetit në SHBA, Fuat Myftija. “Në të vërtetë ishte po ai burrë që kisha njohur atëhere. Një burrë!” E përfundonte shkrimin e tij dekani i gazetarëve italianë, Indro Montanelli në maj 1942.

Indro Montanelli - Albania Una e Mille
Indro Montanelli – Albania Una e Mille

Por për të plotësuar kuadrin më duket me vend të paraqes një fakt shumë pak të njohur nga opinioni publik shqiptar. Në korrik 1942 u martua babai im me Elena Gjikën, bijën e mikut të sinqertë, gazetarit Sotir Gjika.
Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni, nëpërmjet gruas së tij, Dona Maja çoi në shtëpi një dhuratë, një tabaka argjendi dhe një qeskë me monedha ari. Kur gjyshi u kthye në shtëpi për drekë, gjyshja i tregoi dhuratën. Atëhere ai e pyeti të shoqen nëse e kishte hapur qeskën e kur mori sigurinë për këtë gjë i tha.
“Merr shoqëruesin e shko tek Dona Maja, falënderoje për dhuratën, ktheji qeskën me flori e i thuaj se mjafton tabakaja, mbasi shqiptarët nuk e kanë zakon të çojnë para për peshqeshe!” Gjyshja e zbatoi urdhërin megjithë zhgënjimin e dhurueses. Besoj se ky fakt nuk ka nevojë për koment e secili mund ta vlerësojë ose jo edhe në raport me kohën tonë e zakonet e saj.
Me pak penelata u mundova të jap një portret, sado të zbehtë, të gjyshit tim, i parë më shumë nga brendësia e familjes. Studjuesit e shquar para meje folën për veprimtarinë e tij në fusha të ndryshme të jetës kulturore e politike të Vendit tonë. Dita e sotme mendoj se është një ndihmesë e domosdoshme për të bërë të njohur personazhin që, pa dyshim, ka përmasa kombëtare.
Më lejoni të mbyll fjalën time me një pasazh nga një shkrim i profesorit të nderuar të shqipes, Karl Gurakuqit në lidhje me gjyshin tim: “Mundte njeriu mos me pranue përftimet ase metodhat e tija politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo vetëm me mohue, por edhe vetëm me dyshue se pasjoni suprem i tij, mun i vetmi pasjon rreth të cilit bashkërendoheshin ase rradhiteshin të gjitha tjerat (pasjone) e të gjitha veprimtarit, ishte dashunija për Shqipnin”.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Mustafa Merlika – Krujës!
(marrë nga gazeta Shekulli 30.12.2008)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.