back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Marsi Poetik i Mimozës – Cikël poetik i Mimoza Ahmetit

Gazeta

 Mimoza Ahmeti
Mimoza Ahmeti

Marsi Poetik i Mimozës

Cikël poetik i Mimoza Ahmetit

Burrat kthehen

Burrat i pranojne dashuritë shumë vonë…
Kanë frikë të jenë në një ndjenje të shfaqur
Dhe kur thonë Jo-në pasi të kanë dashur, 
është si të kenë vrarë veten…
 
Mbeten gjallë nëse ti prap u thua se i do…
Është një gjallëri e vdekur edhe kjo… e lëvrirë
jo nga dyshime, sa nga pengime…
 
Dhe kur kthehen – nuk ka burrë që nuk kthehet 
të një grua që një herë e desh’…
thonë se gjithmonë të kanë dashur…
Je ti që ke kafshuar keq
në shegën e zemrës…
 
Burrat kthehen…
 
Një që nuk u kthye
Kërkon të jetë burri i Jetës
Do vijë me ardhjen e Mbylljes se Madhe –
ku fillojnë e shqetësohen Perënditë:
duan pjesë në afsh
duke krijuar ngjarje…
 
Burrat janë perla
në qafën e një demi të tërbuar
Është për të ardhur keq!
Bien si rruaza…
 
Por burrat kthehen…
 
 
Të kam lexuar dhe përcjellë gjithherë me të njejtën dashuri… Poezia vetë do të ishte e varfër pa ty… Mendo dashuria… Kjo poezi ka magjinë që dhemb… 
.

Medium

Bërthamore, manjetike
Me qendër nuhatjen…
Parabol, përdredhje, pushtim
Thonj… gjah
Gjithçka që tërheq vemendjen
që mbron dhe ha…
Zbuluese
me zgjim, topitur, 
e gatshme
për të pritur
gjithçka të papritur…
 
Më do – vetëm po të jem 
tërësisht shkëputur nga bota
nga vetja…
Nuk më do të përqëndruar
me cel në duar
Me do të çliruar
të dorëzuar
në një këputje, pa
fije…
 
Lëmsh ngrohtësie bie
mbi trupin tim
e tëra kulaç mbi mua
Ku dobësia është më e thellë
këndell
Shërim… 
 
Universi në instinkt –
O mediumi im!
 
 
E lexova disa herë. Dhe m’u dukën si dy gjysma që nuk e bëjnë të plotën, por plotësojnë njëra tjetrën… Një gjendje dhe një pretendim, diçka midis së vërtetës dhe iluzionit… Pra, të ndjeva në një gjendje pezull dhe vetëm ideja se është e shkruar prej teje ma fashiti ëmbëlsisht at gjendje pezull… 
Poezi që të merr peng…
.

Të dish 

Të dish është të rrish në mes të Universit
të thithësh rrahjen e tij me mushkërimin e pavetëdijes
aq pranë natyrës, qiellit dhe kujtesave pa formë.
 
Të dish është të fitosh barkun e mëmës në Gjithësi
Pa fabrikën e gjuhës, 
Pa porten e organit që të shtyp kryet 
të lindesh…
 
Të dish është të jesh brenda…
Ai që flet nga jashtë, të ngatërron.
 
Sepse të dish është t’i lesh të gjithë përjashta…
të shkosh me gëzim brenda…
pa e ditur ku…
 
Dhe ta gjesh…
Vetë.
 .

O engjëll

O engjëll që rri lart në qiell
më thuaj, përse kujdesesh për mua,
përse të duhem…?
I shquar për lehtësi të pakapshmes
Për çfarë të duhet një i rëndesës së formës?
Të pyes, dhe jo pse vetëm jam i habitur
Po ndihem edhe i afinuar!
Gjithë mbrëmjen bashkë sonte,
përqafuar…
Kështu edhe natën…
Askush nuk na sheh,
as unë nuk të shoh
Se ndjenja do verbëri
domosdo…
 
Se ndjenja do…
 
O engjëll!
Më thuaj çfarë?
 
Më thuaj ku shkojnë ndjenjat e mia…
i ke parë?
Mbërrijne ato diku? 
Apo vazhdojnë në përjetësi…
Reverberimi i tyre mban Shpirtin
në unësi?
 
O engjëll që rri në qiell!
O Verbër Reverberi –
Shkëlqe nëpër unësi!
Enë gjej, enë gjej…
Engjëj!
.

Bohemia

Të jesh dashnor i marrë
ta mbushësh jetën me dështime
t’i bësh më parë të tjerët të të shajnë
Dhe më në fund të të duan –
të të ngjajnë…
 
Të jesht një egoist i ndëkryer
t’i braktisësh mënyrat për një rrugë pa krye
e një dashnor i përkorë si unë
Pi nga mushti eterik i yjeve…
 
Dhe të besosh se ka tej njeriut
Dashuri dhe shtëpi 
për një shpirt
si ti…
 
Prap të falenderosh gjithçka që të la
në indiferencë, harrim dhe mbulim me dashje
Ndryshe nuk ka dashuri mrekulli –
Horizonte –
Edhe pse lamat janë manushaqe…
 
Paskam qenë një dashnor dragor
hizdrat ku shkelja çmbinin…
Dhe kur vrapoja, qiejt rrotulloja
Malet bëheshin flutura, gurët lëndinin…
 
Vazhdoj të jem ky dashnor i krisur…
Besimet janë grisur
Frymimet agonisur…
 
Vazhdoj të dua si ditën e parë
Të dashurisë së parë
Me shikim të parë
 
Me një të panjohur
Që kurrë s’e kam parë…
 
Do mbes me barrë…
 
Sa joshëse të vjen ajo rrjedhë e kapërthyer mendimi dhe ndjesish dhe ajo mbyllje ku shfaqet e pabesueshmja… Ti të detyron me forcë të të duash… 
.

Ështësia

Një unë nuk mund të prodhohet nga me shumë…
Janë thjesht njerëz të mëparshëm që të bëjnë të mendosh
rreth kohës unë…
Ndihet se ështësia e tij
është e përhershme…
Një unë është më shumë se tërë njerëzia..
kur ështësi’e tij ka pjesë të Perëndia…
 
E ështmja krijon atë që nuk është…
Por ështesia është vetëm e ështme
bashkë me atë që nuk është… tek e ështmja..
 
Uni është 
për-herë…
 
Hera e unit është fuqia e tij,
Por jo në pjesë të Fuqisë.
 
Vepra kryhet…
Perëndisë…
 
Prej një neologjizmi të lindur si një nevojë shpirtërore i jepet frymë krejt një gjithësie të vogël!

Plot

Okupuar vetë,
nuk i dilte kohë për asgjë
nuk mbetej vetëm asnjëherë me veten…
 
Ikte, vraponte tjerësh,
mbetej shumë vetëm mes tjerësh, 
mes gjuhës që e shpërdoronte dhe e largonte me parol 
zakoni…
 
Zemra e saj qe një sallon pa mure, 
një horizont dendi që shkrihej me qiej e vranësira
dhe mbrëmja e saj një këmbanë e madhe ngrohtësie, 
e qenies –
më e mira…
me krahë, shpatulla, trup të naivshëm –
priste një dashuri pa detaj organi-
të një vullkani fizik me ndërgjegje force
dhe një shpërthimi që, duke shkatërruar,
ve rend në gjithçka…
 
Mbetej, megjithatë, e një miriadë qetie…
 
Engjëj të padukshëm kuronin këtë jetësi
Engjëj që i puthte nëpër avuj të pranshëm, arrinte t’i ceptonte –
pa i figuruar…
ashtu e kunguar…
në sfumë të bekuar…
.

Përqasja

Do të jetë magji ajo ditë
kur ti të gjesh atë përqasje
të fluidshme, që thotë, pa përmendur:
E gjitha, në poli e endur…
 
Dhe do kuptosh se nuk ka tjetër dashuri…
 
Ky do të jetë një udhëtim i ri
i vetmi nëpër mrekulli…
 
I përqasjes me poli.
I përqasjes me poli…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.