back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Marrveshja Abazoviç-Porfirije – Një krim ndaj Identitetit Kombëtar të Shqiptarëve – jo vetëm në Mal të Zi – nga Frank Shkreli

Gazeta

Kryetari i Kishës Ortodokse serbe, Peshkopi Porfirije dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç
Kryetari i Kishës Ortodokse serbe, Peshkopi Porfirije dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç*

Marrveshja Abazoviç-Porfirije – Një krim

ndaj Identitetit Kombëtar të Shqiptarëve – jo vetëm n’Mal të Zi

nga Frank Shkreli

Javën që kaloi qeveria e Malit të Zi njoftoi se Kryeministri i vendit (me origjinë shqiptare) Dritan Abazoviç nënshkroi me Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse të Serbisë atë, që ata quajnë “Marrëveshje Bazë” për rregullimin e marrëdhënieve midis dy palëve. “Marrëveshja Bazë”, më duket se është më shumë një marrveshje e sherreve. Mediat vendase dhe ndërkombëtare njoftojnë se marrveshja midis dy palëve u nënshkrua nën masa të forta sigurie dhe pa praninë e medias. Madje nënshkrimi as nuk ishte njoftuar, paraprakisht, siç nuk ishte njoftuar as arritja e patriarkut serb në Mal të Zi, për këtë qëllim. Krye-kleriku serb erdhi si hajni natën, nënshkroi marrveshjen për plaçkitje “legjitime” të identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në trojet e veta nën Malin e Zi dhe u këthye në Beograd me “prenë”, të cilës kjo kishë ia kishte “venë” syrin, si skifteri zogut, shumë, shumë kohë më parë.
Gjatë viteve, jam munduar të tërheq vëmendjen e publikut dhe të institucioneve përkatëse shqiptare në Mal të Zi, por edhe në Tiranë dhe në Prishtinë, ndaj sjelljeve armiqësore të Kishës Ortodokse serbe me qëllim përvetësimit të objekteve historike, sidomos, monumenteve të vjetra fetare të krishtëra (katolike shqiptare), siç janë Kishat e Shasit, me pretendimin se, historikisht, ato kanë qenë kisha serbe.
Frank Shkreli: Kryeprifti Serb msyn tokat shqiptare në Shas të Ulqinit | Gazeta Telegraf –

Kisha prej teneqe në maje të Malit të Rumisë
Kisha prej teneqe në maje të Malit të Rumisë**

Kisha Ortodokse Serbe – për arsye të rolit shkatërrues që ka luajtur në luftërat dhe terrorin serb në Ballkanin e 1990-ave, përfshir spastrimin etnik dhe krimet serbe në Kosovë – është konsideruar, botërisht, si një organizatë kleriko-fashiste, më afër ideve në mbështetje të gjenocidit e shfarojses së popujve jo-serbë, se sa për mësimet e Jezu-Krishtit, për të dashur të afërmin si vetveten, që si kishë e krishterë do duhej të predikonte.
Duke parë gjatë viteve lëvizjet e klerikëve serbë në ato anë, nga vij edhe unë, kam paralajmëruar disa herë se Kisha Ortodokse serbe – për realizimin e objektivave të saj djallëzore që nuk i realizoi me luftë – do përpiqej t’i arrinte në paqë. Se, herët o vonë, ajo do të rrëmbente, me hajdutllëkun e saj siç e kanë zakon e traditë serbët, për të vjedhur identitetin dhe historinë e shqiptarëve në trojet e tyre shekullore – sidomos, Kishat e Shasit dhe të përvetësojë historinë e tyre të lashtë iliro-arbërore-shqiptare.
Fatkeqësisht, parashikimet e mia të para disa viteve u realizuan javën që kaloi me të ashtuquajturën “Marrëveshje bazë”, nënshkruar nga Kryeministri malazez, me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç dhe Kreu i Kishës famëkeqe Ortodokse Serbe. Kjo marrëveshje, për fat të keq, shkon përtej çdo imagjinate. Marrëveshja Abazoviç-Porfirije është aq e favorshme për Kishën Ortodokse serbe në territorin e Malit të Zi, sa që as në Serbi kjo kishë nuk gëzon privilegje të tilla. Marrëveshja e javës së kaluar i jep të drejtë Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi – ndër të tjera, privilegje me rëndësi – që të gëzojë juridiksion të plotë mbi pronat dhe kishat që ajo pretendon se janë të saj, anë e mbanë Malit të Zi, duke shkuar 6 shekuj pas në histori. Kjo është edhe arsyeja që Kisha Ortodokse Serbe, me vizita të përfaqsuesve të saj atje ka zhvilluar ceremoni fetare – për disa vite tani – duke pretenduar si prona të saja edhe Kishat e Shasit – nënkuptohet edhe territorin rreth e përqark tyre. Shkreli: Grabitqarët anti-shqiptarë përsëri u turren trojeve arbërore – Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia (ulqini-online.com)
Por Kisha serbe nuk është ndalur këtu. Ajo pretendon si të sajat edhe të tjera monumente të vjetra kishtare në trojet shqiptare, si në Plav-Guci e të tjera. Madje edhe atje ku nuk ka pasur kurrë ndonjë prezencë kishtare serbe – siç është Kraja, në rrethin e Ulqinit. Edhe atje kisha serbe ka pretendime, bazuar në genjeshtra dhe trillime të historisë në ato anë. A u kujtohet “kisha teneqe” serbe që është vendosur me helikopter në maje të malit të Rumisë, 10-15 vjet më parë? Planet e Kishës serbe në Mal të Zi kanë qenë afatgjata dhe mirë të planifikuara dhe të bashkenduara me politikanë vendas dhe të huaj, përfshir rusët. Pasi humbën luftën, Beogradi zyrtar dhe Kisha ortodokse serbe kanë vazhduar planet me mjete të tjera për arritjen e qëllimeve të tyre në Ballkan. Të durueshëm, duke i peshuar mirë punët dhe afat-gjatë në planet e tyre, kanë pritur momentin e volitshëm për të bërë lëvizjen e duhur, duke shfrytëzuar rolin e një kryeministri të vendit me origjinë shqiptare. Të gjithë pyesnin në atë kohë, si mund të bëhet kryeministër dikush që nuk ka më shumë se katër deputet në parlament?
Pikërisht, me durim, në pritje të kësaj dite për një marrveshje të tillë nga Kisha serbe për të pretenduar se trojet shqiptare nën Malin e Zi janë historikisht, serbe me identitet, kulturë e fe. Sipas logjikës së tyre edhe “kisha teneqe”, në maje të malit të Rumisë “provon” një gjë të tillë. Marrëveshja e Dritan Abazoviçit me Kishën Ortodokse serbe pro-ruse, javën që kaloi, legjitimon tani një pretendim të tillë, jo vetëm ndaj një objekti teneqe, të vendosur në Rumi, vite më parë, por për të gjitha objektet historike kishtare shqiptare, duke shkuar 6 shekuj mbrapa në historinë e atyre trojeve. Kjo marrëveshje i jep Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi jurisdikcion për të gjitha pretendimet e saja mbi të gjitha objektet fetare, në çfarëdo gjendje qofshin, përfshir gërmadhat. Qëllimi është për të uzurpuar historinë e atyre trojeve dhe për të zhdukur identitetin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në atë rajon. Atë që Beogradi zyrtar dhe Kisha ortodokse serbe nuk e benë dot me forcë në luftërat 1990-ave në Ballkan, fatkeqsisht, po realizojnë objektivat e tyre me dredhi dhe duke përdorur shqiptarët si mashë. Mos mendoni për asnjë minutë se ideja e “Ballkanit të hapur”, nuk është pjesë e kësaj politike!
Besoj se askush që di diçka për atë vend, nuk pret që një kryeministër me origjinë shqiptare siç është Dritan Abazoviçi në Mal të Zi, të punojë në interes të shqiptarëve ose në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe të drejtave të barbarta aktuale dhe historike të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. Por, ama në minimum, do prisnim prej një kryeministri që ka sadopak gjak shqiptari në venat e tij, që të mos përdori karrigën e tij me influencë, si numër një i qeverisë së atij vendi të jetë indiferent ndaj abuzimit zyrtar të identitetit kombëtar të shqiptarëve ose cilitdo grup etnik në vendin e tij në favor të një armiku shekullor që nuk ka pushuar kurrë së luftuari interesat dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në ato anë. Frank Shkreli/ Dritan Abazoviqi si përfaqsues i brezit të humbur të politikanëve shqiptarë dhe shpifja ndaj Heroit Kombëtar | Gazeta Telegraf

Një klerik i Kishës ortodokse serbe në “vizitave pastorale” në grup
Një klerik i Kishës ortodokse serbe në “vizitave pastorale” në grup***

Kryeministri Abazoviç kërkoi ndjesë se kjo marrveshje nuk ishte nënshkruar më heret, duke shtuar se me nënshkrimin e saj tani, “dërgohet një mesazh i paqës dhe tolerancës” dhe se ky është një fillim i ri, sipas tij. Ndoshta Kryeministri Abazoviç di diçka më shumë se bota tjetër për “paqën dhe tolerancën” e Kishës ortodokse serbe. Mbetet për t’u parë se çfarë fillimi të ri ka ndër mend Kryeministri i Malit të Zi në marrëdhëniet e tija me Kishën Ortodokse serbe në atë vend dhe pasojat katastrofike për Malin e Zi dhe për rajonin.
Shpresojmë që “fillimi i ri”, sipas Abazoviçit, të mos jetë në kurriz të drejtave të shqiptarëve dhe identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore, përfshir Kishat e Shasit – me 365 kishë që ka pasur dikur e që përkon me numrin e ditëve të një viti, sipas disa të dhënave të historianëve vendas dhe të huaj. Atij Shasi të pushtuar nga Stefan Nemanja rreth vitit 1183. Shasit të shkatërrruar terësisht rreth 1242, nga Mongolët. Shasit të rindërtuar nga Mbretëresha Helena Anzhuine. Shasit, krejtësisht të shkretuar nga pushtimi Osman në vitin 1571, dhe Shasit të vendlindjes time, pranë gërmadhave të të cilit kalonim çdo ditë për të shkuar në shkollën fillore në Katërkollë, pa ditur asgjë për rëndësinë historike të atyre gërmadhave. Sepse e vërteta e tyre historike ishte e ndaluar të mësohej në shkolla, nga një regjim tjetër – komunizmi i asaj kohe – që predikonte “paqë, tolerancë” e madje edhe “bashkim-vëllazërim” e solidaritet midis popujve të ish-Jugosllavisë. Ai Shasi, historikisht, pjesë e identitetit tonë kombëtar si shqiptarë, që sot pretendohet nga Kisha Ortodokse serbe në Mal të Zi si pronë e saj e që siç duket marrëveshja legjitimon pretendimet serbe. Sido që ta shikosh, kjo marrëveshje e Dritan Abazoviçit me Kishën Ortodokse serbe është një marrëveshje me aleatët më të ngushtë të Vladimir Putinit në Ballkanin Perëndimor dhe kundër interesave kombëtare e kulturoe shqiptare. Kjo në, vetëvete, i shpjegon të gjitha!

Gërmadhat e kishave mesjetare të Shasit
Gërmadhat e kishave mesjetare të Shasit

Sot, Kombi shqiptar nuk dëshiron as nuk ka dëshiruar kurrë në historinë e tij, territorin e të tjerëve, as uzurpimin e pronave dhe as monumentet historiko-fetare, legjitime të fqinjëve, por as “bashkim-vëllazërimin” e imponuar sllavo-aziatik komunist të shekullit të kaluar, as “Ballkan të Hapur”, sot. Shqiptarët duan vetëm të vërtetën mbi historinë dhe mbrojtjen e identitetit të tij, bazuar në këtë histori. Mbi të gjitha Kombi shqiptar dëshiron të jetojë i lirë dhe i pavarur në shtëpinë e vet, në paqë dhe siguri me të gjithë në rajon, përfshir sllavët e jugut!
Kishat e Shasit nuk janë një çështje e izoluar që i përket vetëm shqiptarëve nën Malin e Zi, por është një çështje ku nevojitet vullnetin dhe aftësinë e gjithë shqiptarëve kudo për ta parë çeshtjen e mbrojtjes së identitetit kombëtar e kulturor në trojet shqiptare, në terësi dhe si diçka të pacenueshme – si një çështje e sigurimit kombëtar. Ndërkaq, entet zyrtare shqiptare në Mal të Zi, si dhe Tirana e Prishtina zyrtare heshtin përball kërcënimeve dhe moskujdesjes ndaj objekteve historike të identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, jo vetëm në Mal të Zi por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Për fat të keq, influenca majtiste ateiste, sllavo-komuniste, bolshevike në radhët e elitës politike shqiptare, sidomos në Shqipëri por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, po shkatërron identitetin, traditën dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve – në favor të një fryme të re globaliste, anti-kombëtare. Nëqoftse Perëndimi i mbyll derën “Ballkanit të Hapur”, atëherë prite se po hynë për penxhere me mënyra të tjera, siç është marrëveshja e kryeministrit malazez me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç me Kishën ortodokse serbe- aleatën më të ngushtë të Rusisë së Putinit në Ballkan – nënshkruar javën që kaloi. Si rrjedhim dhe për fat të keq, ky brez i politikanëve shqiptarë nuk po bëjnë shtetin për të mbrojtur kombin dhe as nuk po zhvillojnë shoqërinë civile që të mbrojë shtetin, historinë dhe identitetin kombëtar nga pretendimet dhe përvetësimi ilegjitim i identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve, nga fqinjët dashakeqës. Në fund të fundit, siç thotë populli, livadhi është i deleve që e kullosin.

Shpjegimi më i gjerë i fotove
*Kryetari i Kishës Ortodokse serbe, Peshkopi Porfirije dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç duke nënshkruar të ashtuquajturën “Marrveshje Bazë”, mbi të drejtat dhe privilegjet e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi. (Foton ga portali i qeverisë malazeze)

***Një klerik i Kishës ortodokse serbe në një prej “vizitave pastorale” të tij me një grup – në përpjekje për të legjitimuar pretendimet serbe se Kishat e Shasit – të pa mbrojtura nga askush — i përkasin Kishës Ortodokse të Serbisë.

**Kisha prej teneqe e vendosur vite më parë në maje të Malit të Rumisë me helikopter nga Kisha Ortodokse serbe, një vend ku nuk ka pasur kurrë më parë kishë ortodokse serbe atje – mbikqyr Liqenin e Shkodrës dhe qytetin Shkodër, por që tani, sipas marrveshjes së re Abazoviç-Porfirije, Kisha serbe mund të pretendojë se ajo kishë me rrethinë është pronë e saja, sot e 6 shekuj më parë.

***Pamje nga gërmadhat e kishave mesjetare të Shasit për të cilat nuk kujdeset askush. Në këtë mungesë interesimi, aty midis gërmadhave e ferrave futen priftërinjtë e Kishës Ortodokse serbe dhe zhvillojnë liturgjinë e tyre me qëllim përvetësimi të këtyre objekteve mesjetare. Marrëveshja e javës së kaluar e Kryeministrit Abazoviç me Kishën Ortodokse serbe ia bën të mundur kishës serbe, përvetësimin e këtyre objekteve, me nënshkrimin e Kryeministrit Abazoviç.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.