back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Lovro Mihaçeviq (1856-1920) “Kujtimet e mia në Shqipërinë e 1883-1907″

Gazeta

Lovro Mihaçeviq (1856-1920)
Lovro Mihaçeviq (1856-1920)

Lovro Mihaçeviq (1856-1920)

“Kujtimet e mia në Shqipërinë e 1883-1907″

Ka jetuar për 14 vjet në Shqipëri,
ka vizituar vende të ndryshme
dhe për to ka shkruar në formë reportazhi.
At Lovro Mihaçeviq, në 1883,
u emërua si mësimdhënës në Kuvendin e Troshanit,
ku punoi për dhjetë vjet.

Pas tre vjetësh, emërohet provincial në provincën françeskane në Shkodër, të porsathemeluar. Gjatë këtyre viteve, udhëtimet e tij kanë qenë jo vetëm në zonat veriore, por pothuajse në gjithë qytetet e Shqipërisë.
Të gjitha mbresat nga këto udhëtime të viteve 1883-1907 nëpër Shqipëri, At Lovro Mihaçeviq i ka përmbledhur të gjitha në një botim, i cili këto ditë është botuar edhe në shqip nga “Gjergj Fishta”. E titullon fare thjesht “Nëpër Shqipëri” dhe shkrimin e nis në mënyrë kronologjike, nga viti 1883 e deri ditën kur u largua prej këtej. Por gjatë viteve 1886 deri në 1896 Mihaçeviq ka çuar në Bosnjë për të kryer rishtarinë dhe studimet gjashtë kandidatë, ndër të cilëve edhe kolosët e letrave shqipe, At Gjergj Fishta, si dhe At Shtjefën Gjeçovin. Në vitin 1883, më dërgoi biletën e udhëtimit eprori suprem i françeskanëve në Romë, që me lejen e eprorëve të mi në Bosnjë, po edhe sipas dëshirës sime, të shkoja në Shqipëri, në kuvendin e Troshanit si mësimdhënës i rinisë rregullatore. Atje kam qëndruar dhjetë vjet të plota, duke kryer edhe shërbime të tjera, derisa u desht të kthehesha në Bosnjë. Mirëpo në muajin korrik të vitit 1906, më erdh nga Roma dekreti, me të cilin më emëruan provincial të parë të provincës së re françeskane të porsathemeluar në Shqipëri, me seli në Shkodër. Pasi rregullova punët e famullisë sime në Novi Sheher, pranë Zhepçës, nxitova të bëja një vizitë në vendlindjen time Kreshevë, të përshëndetesha me miqtë e kushërinjtë e mi, e t’u thosha lamtumirën dhe prej aty nëpër Kiselak, Visoko, Sarajevo, Mostar, Dubrovnik, Kotorr dhe Cetinje mbërrita në Shkodër në breg të Bunës. Vitin e ardhshëm 1907, u detyrova të vizitoja tërë tokën e Shqipërisë me Epir e Maqedoni, kah shtrihej provinca françeskane që më ishte besuar e që përfshinte shtatë ipeshkvi, gjegjësisht arqipeshkvitë e Shkodrës, Durrësit dhe Shkupit dhe ipeshkvijtë e Lezhës, Sapës, Pultit dhe Abacinë e Mirditës.

Fra Lovro Mihacevic - Po Albaniji - Zagreb-1911
Fra Lovro Mihacevic – Po Albaniji – Zagreb-1911

* * *
E dija se gjatë këtij udhëtimi të vështirë 4-mujor do të ndeshja e do të shihja shumë gjëra interesante dhe të vlershme, për këtë fillova t’i shënoja mbresat e mia, që të më mbeteshin ato si kujtime të bukura nga dheu kreshnik i Shqipërisë. Nuk kam kursyer as mundin, as shpenzimet, që të vëzhgoj e të vështroj sa më mirë këtë tokë, të shqiponjave trime e krenare. E tani, në këtë kohë, kur populli shqiptar në sy të Evropës po lufton për lirinë e vet, më shkoi mendja e u kujtova se do të ishte mirë që këto shënimet e mia, që bëra si udhëshkrim, t’i nxjerr në dritë, duke i botuar në mënyrë që edhe populli kroat të mësojë diçka për Shqipërinë edhe unë sadopak t’ua kthej me njetin tim të mirë mirësinë shqiptarëve për pritjen e ngrohtë, bujarinë dhe nderimin e madh fisnikërues, me të cilin më kanë pritur e pranuar, shoqëruar e përcjellë për katërmbëdhjetë vite me radhë sa qëndrova në mesin e tyre.

* * *
Në punën time zyrtare më është dashur ta përshkoj tërë tokën shqiptare, kështu që në këtë udhëtim u nisa më datë 5 qershor të vitit 1907, unë me shoqin tim At Severin Lushaj dhe rrogëtari Kolë Pali, bashkë me përcjellësin Shan Cungeli. Kaluam lumin Kir, i cili pikërisht ato ditë ishte fryrë nga shirat e mëdha, hymë në rrafshinën e Muselimit, në fshatin Bardhanjoll, kaluam përroin Todri, pastaj dolën në rrafshin Ndërfusha, prej ku mësymë të ngjiteshim në mal. Nga mali mund të shikosh mrekullueshëm si në pëllëmbë të dorës qytetin e Shkodrës me rrethinë, mirëpo neve na shpejtohej e nguteshim të zbrisnin në fshatin Vukjakaj. Pas dy orëve mbërritëm në fshatin me famullinë e Mazrekut, ku na priti me zemër në dorë, me bukë, kripë e zemër, me atë pritje të mrekullueshme e larg të dëgjuar shqiptare, me plot nderime, famullitari i vendit, Loro Spathari, tek i cili edhe bujtëm atë natë. Jo larg këtij vendi ka qenë dikur qyteti venedikas Komani, nga xeherorja e të cilit me të madhe është nxjerrë ari e argjendi, ku edhe sot shihen zgafellet e mbetura të xeherores, e gjithashtu aty shihen edhe gërmadha të kishave, shtëpive e të tjera çfarë kishte motivuar që edhe famullitari i vendit të merrej me këto vjetërsira.

* * *
Durrësi, dikur Epidamus grek e Dyrrhachium romak, për të cilin flet Straboini dhe Plini, sot nuk është tjetër veç një qytet i thjeshtë turk me kështjellën nga kohërat e Venedikut. Nuk ka më aty pallate të bukura, kisha të mrekullueshme, mësonjëtore, kuvend, as pishina e shëtitore, as teatër e arena. Në Durrës ka dëshmi e gjurmë, kur kanë gërmuar punëtorët të hapnin themelin për një shtëpi të re, në anën lindore të qytetit përgjatë bregdetit në tri metra thellësi, kanë hasur në varreza, ku kanë gjetur monedha të vjetra me shkrim: monunius. Durrësi ka 4.500 banorë, shumica janë myslimanë, pak ka katolikë e ortodoksë edhe më pak dhe sa judenjë. Katolikët kanë famullinë e vet. Murgeshat e rendit Paulin kanë kuvendin e tyre, me shkollën dhe spitalin. Austria e mban shkollën fillore. Ortodoksët kanë famullinë e tyre dhe shkollën. Këtu është edhe medresa, po ashtu edhe konsullati i Austrisë, Italisë dhe Greqisë. Ky rajon nuk është i shëndetshëm, është vend ethesh e moçalik.

* * *
Kruja, vjen si duket nga fjala shqipe krue ose kroni dhe me të vërtetë vendi ku është vendosur qyteti dhe kështjella, është i pasur me burime të ftohta uji. Krujën kreshnike, përveç kësaj edhe për nga natyra vend i pamposhtur e i papushtueshëm, heroikisht dhe me një trimëri të rrallë e ka mbrojtur nga sulmet e shpeshta turke, Gjergj Kastrioti për bëmat e të cilit Kaçiq në “Pismarica” të tij, aq bukur ka kënduar. Sot kështjella është e shkretuar, hi e pluhur, pasi Reshid pashai më 1832, kishte urdhëruar ta rrënonin, ta shembnin e ta rrafshonin me tokë dhe kështu të shkatërrojë e ç’rrënjosë nga zemrat edhe përmendoren e fundit të fuqisë dhe qëndresës, të forcës këmbëngulëse shqiptare për identitet e mbijetesë.

* * *
Për origjinën e qytetit të Tiranës, edhe sot legjenda e gjallë thotë kështu: “Ishte këtu njëherë një bej i varfër, i cili nuk kishte askënd, përveç një shërbëtori të urtë dhe besnik. Duke parë beu, se nuk po mundohej t’ia paguajë shërbëtorit mundin e tij, një ditë e thërret para tij dhe i thotë: Bir i dashur, ja si po e sheh, unë po jetoj aq i varfër, saqë ty nuk mund të bëjë të lumtur ashtu si desha vetë, por ti shko lirisht, merr dheun në sy e kërkoje fatin tënd!”. Shërbëtori e dëgjoj beun dhe niset nëpër botë. Sylejmani, ashtu e kishte emrin beu, nuk kishte marrë lajm e nuk kishe dëgjuar një kohë të gjatë për të dhe çuditet shumë kur mori nga Kostandinopoja prej Vezirit të madh thirrjen të shkonte atje. Edhe më shumë habitet kur shikon Vezirin e madh, shërbëtorin e tij të dikurshëm. Veziri, që ta bëjë të lumtur beun e tij e bën vezir në Ohër, e ky beu, vezir tani, kthehet më vonë në vendlindjen e tij në Tiranën dhe fshatin e tij prej pesëmbëdhjetë shtëpive e pasuron dhe e zbukuron me shtëpi të bukura, shkolla e ndërtesa të tjera duke e shndërruar në qytet”.
Marrë nga http://www.zemrashqiptare.net/news

“Nëpër Shqipëri” i Lovro Mihaçeviq
“Nëpër Shqipëri” i Lovro Mihaçeviq

Feja ndër Shqiptarë – nga  Lovro Mihaçeviq

(marrë nga libri “Nëpër Shqipëri”)

Shqiptarët muslimanë
prej ata katolike përpara 100 vjetesh,
kur prifti kroat At Lavro Mihaçeviq
vizitoi trojet shqiptare, dhe bâni krahasimet me sot!

Disa i gjykojnë shqiptarët si popull  fepakët dhe të luhatshëm, i cili la fenë e të parëve të vet dhe përqafoi islamin si fe të pushtuesit. Ky gjykim nuk është plotësisht i drejtë, arsyeshëm dhe me vend po qe se marrim parasysh faktet historike nga të cilat mësojmë se me sa zemër e trimëri shqiptarët ne kohën e Gjergj Kastriotit dhe pas tij luftuan dhe vdiqën për Atdhe dhe Fe të vet, dhe më në fund, nën shtypjen dhe robërinë e një fuqie aq të madhe, siç ishte Perandoria Turke, pësuan ata bashkë me fenë e tyre.
Dalja nga feja e të parëve, në fillim ishte shumë e rrallë deri në shekullin XVI, kur Turqia nxorri ligjin me të cilin parashikonte lirinë e pronës vetëm për ato familje katolike, të cilat nga një djalë të vetin e kalonin me fenë e Muhamedit. Kështu për të mbrojtur edhe atë grimë tokë që kishin, filluan të turqizoheshin.
Hoxha, kur vinte për të vizituar fëmijën që duhej të kalonte në besimin islam, e kishte shumë të lehtë të vepronte duke ndikuar edhe te antarët e tjerë të familjes që edhe ata të turqizoheshin. Kështu dhe këtu filloi procesi kalimit në islam, së pari kaluan të varfrit pastaj edhe të pasurit. Mirëpo edhe këta që kalonin kështu, bëheshin myslimanë pa mësuar asgjë për fenë e re, pa e njohur atë dhe dogmën e saj, pa një bindje të thellë,  për këtë shqiptarët edhe sot,  në pikpamje të fesë, janë shumë tolerantë. Ata, edhe sot e kësaj dite, marrin e japin ndër të krishterë, pa ndonjë pyetje rezervë të madhe apo dyshim; marrin e japin motrën ose vajzën për të krishterin, dhe si të japin, si të marrin, të dyja palët  punën e fesë e lënë në lirinë e vetë femrave. Shqiptarët, më së pari e para së gjithash, krenohet më shumë me atë se është shqiptar, sesa me fenë e vet që ka. Shqiptari mysliman din shumë mirë për prejardhjen e vetë të krishterë, e për këtë, muslimanët, gjithkund me të krishterët jetojnë në harmoni e dashuri. Bashkë me ta festojnë festat, si bie fjala: Shën Gjonin, Zonjën, Shën Mëhllin, Shën Nikollin, Shna Ndoun, etj. Ka sa e sa famulli në të cilat vijnë në meshë e marrin pjesë edhe muslimanët.
Kur prifti katolik shkon për të bekuar shtëpitë, doemos duhet të kthehet edhe në shtëpitë e myslimanëve, t’i bekojë  edhe ato me ujë të bekuar, dhe shtëpiaket i japin hakun edhe dhuratat njëjtë porsi katolikët, e po të mos kthejë për t’i bekuar edhe shtëpitë e tyre, atëherë ata kishin për t’u prekur rëndë në sedër duke e ndjerë veten të fyer, dhe kish për t’u ardhur aq keq sa nuk bëhet.
Në kohën e verës, famullitari shkon, bekon dhe çon meshë në varreza ku vijnë edhe myslimanët e marrin pjesë në ceremonialin e bekimit pasi aty janë të varrosur edhe të parët e tyre që janë të përbashkët. Ditën e Bekimit, vjen edhe muslimani në qelë te prifti, paguan meshën, merr në krahë strajcat me tesha të meshës dhe i çon tek varrezat,  kurse i vëllau i tij bjen prej shtëpisë së tij dërrasat e tavolinës, “altarin lëvizës” të cilin e ka ruajtur me kujdes në shtëpinë e vet. Pasi të mbarojë mesha, muslimanët dhe katolikët ftojnë për drekë miqtë e tyre katolikë dhe myslimanë. Mbushën shtëpinë me miq, pijnë bashkë raki, lavdërohet Krishti dhe Muhamedi atë ditë në shtëpinë e katolikëve dhe muslimanëve.
Edhe emrat e përvetshëm që i mbajnë i kanë të përzier, bjen fjala, Gjon Mehmeti ose Selim Gjoni. Nëse u sëmuret ndonjë antar i familjes, shkojnë te prifti të thojë ai një meshë për shërim, ndezin qirinj në altarin e Shën Kollit e Shna Ndout. Kur bëjnë be, betimin e bëjnë “Pasha fenë e Krishtit”, ndërsa në Krujë  benë e bëjnë  edhe në “katër Ungjinjt e Shenjtë”
(Marrë nga libri “Nëpër Shqipëri” i Lovro Mihaçeviq fq. 110-111)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.