back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

“Senza patria”, (Pa atdhe) – libri më i ri i Irma Kurtit

Gazeta

Poetja Irma Kurti
Poetja Irma Kurti

“Senza patria” (Pa atdhe) –

libri më i ri i Irma Kurtit

Poetja dhe shkrimtarja e njohur shqiptare
Irma Kurti, që prej vitesh jeton në Bergamo,
prezantohet përpara lexuesve italianë
me librin e radhës të titulluar: ”Senza patria” (Pa atdhe).

Vëllimi ndahet në dy pjesë. “Kujtimet në vargje”, ku përfshihen 37 poezi që përqendrohen tek udhëtimi, forca dhe magjia e kujtimeve, ritmi frenetik i ditëve. Pjesa e dytë, “Kjo dashuri”, përmban 23 poezi që i këndojnë dashurisë, në veçanti lidhjes së përjetshme mes prindërve dhe fëmijëve të cilën as vdekja dhe rrethanat më tragjike të jetës nuk mund ta prekin.
“Me një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një univers ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit mbi temat intime dhe ekzistenciale. Irma Kurti shkon drejt e në zemër të lexuesit, duke rrëzuar si gjithnjë idenë se poezia është mjet vetëm për disa të përzgjedhur, sepse format e të treguarit të mbushura me ornamente të tepërta dhe truket letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj” shkruan gazetarja Grazia Pia Licheri në parathënien e librit.
“Senza patria”, i teti i Irma Kurtit në gjuhën italiane, është libri i dytë i botuar gjatë këtij viti, pas përmbledhjes poetike “Sulla soglia di un dolore” (Në pragun e një dhimbjeje), vëllim që pak ditë më parë, u vlerësua me çmimin “Libri më i mirë” në konkursin Poem Accademy Awards 2016, të organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli.

Irma Kurti - "Senza patria"
Irma Kurti – “Senza patria”

Shqiptari i Italisë: Senza patria – Pa atdhe. Pse zgjodhët këtë titull? Libri ka për titull atë të njërës prej poezive që bën pjesë në përmbledhje. Sapo e përfundova së shkruari, mendova se mund të ishte një titull i mundshëm për krejt vëllimin. Më pëlqen që ai të shprehë sadopak frymën e përgjithshme të poezive.
Në rastin konkret, shumë poezi reflektojnë atë gjendje shpirtërore që shumë nga emigrantët e kanë provuar në çaste apo në situata të caktuara, pra të qenurit “pa atdhe”. Shkojmë në vendin tonë dhe ndihemi të huaj. Jetojmë të përditshmen në Itali dhe jo rrallë ndiejmë se nuk i përkasim as këtij vendi, pra, jemi të huaj edhe këtu.
Sa kohë ju është dashur të punoni për të nxjerrë në dritë këtë vëllim me poezi? Nuk mund ta them me saktësi sepse zakonisht punoj në mënyrë paralele me dy projekte; shpesh lë mënjanë njërin për t’iu kthyer sërish në një kohë tjetër.
Jeni një nga shkrimtaret shqiptare që keni botuar më shumë libra në italisht. Ky është libri juaj i tetë. Të shkruarit në gjuhë të huaj ishte për ju një dëshirë, nevojë, domosdoshmëri? Vite më parë, kur shkela në Itali nuk e mendoja kurrësesi se do të shkruaja në një gjuhë tjetër që s’ishte gjuha amtare. Nuk dua të ndalem në vitet e para kur isha tepër e pasigurt dhe ku çdo ditë ishte një luftë për mbijetesë e për të kapërcyer vështirësitë. Dua të përqëndrohem në periudhën më pas, kur dalëngadalë jeta njeh një lloj normaliteti. Atëherë, mua më mungonte diçka e rëndësishme, ndihesha përgjysëm, pa atë pjesën tjetër që lidhej me krijimtarinë.
Pra, të shkruarit në gjuhë të huaj erdhi më tepër si nevojë e brendshme, gati gati një domosdoshmëri për të ndarë eksperiencat, emocionet, përjetimet e mia dhe me lexuesin italian.
Ka qenë e vështirë në fillim të shkruani e më pas edhe të botoni në italisht? Nuk është aspak e lehtë, aq më tepër për t’u afirmuar, sepse ata që shkruajnë dhe aspirojnë të bëhen shkrimtarë janë me mijëra. Shtëpitë e mëdha botuese nuk t’i hapin dyert, gjithashtu ka plot vështirësi të tjera praktike që kanë të bëjnë me botimin, shpërndarjen apo shitjen e librit. Megjithatë, unë mundohem të shoh pozitiven, strehohem në botën magjike të të shkruarit çdo ditë dhe kënaqësitë që kjo më fal janë të pafundme.
Jeni vlerësuar deri tani me rreth 30 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e në Zvicër. Ç’përfaqësojnë për ju këto vlerësime? Janë shtysë e inkurajim që më shtojnë besimin tek vetja dhe tek ajo çfarë shkruaj. Janë shpërblim i punës sime shumëvjeçare në fushën e letërsisë. Natyrisht, kur vlerësimet merren në një vend të huaj, ku nuk ka miqësira, klane apo ndërhyrje, kënaqësia është edhe më e madhe. Sidoqoftë, unë mendoj se çmimi më i rëndësishëm është ai që të jep lexuesi.
http://www.shqiptariiitalise.com/kulture/new/kulture

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Robert Martiko
    Të gjithë shkrimtarët “nuk duhet të kenë Atdhe”, nëse bëhet fjalë për të zbuluar themelet e fuqishme të Civilizimit Perëndimor. Sepse aty pikërisht qëndron sekreti i përparimit: të dyshosh vetveten, prejardhjen tënde, për të ndryshuar, për t’u bërë më i mirë dhe më i vlefshëm për shoqërinë në përgjithësi. Dhe Atdheun tënd. Këtë bëri edhe Nënë Tereza, nga një grua e thjeshtë u kthye në Hyjni. Por janë fare të paktë janë ata që e kuptojnë këtë.
    Poetesha e mësipërme thotë se ka vënë titullim Pa Atdhe, mbasi: “Shumë poezi reflektojnë atë gjendje shpirtërore që shumë nga emigrantët e kanë provuar në çaste apo në situata të caktuara, pra të qenurit “pa atdhe”. Shkojmë në vendin tonë dhe ndihemi të huaj. Jetojmë të përditshmen në Itali dhe jo rrallë ndiejmë se nuk i përkasim as këtij vendi, pra, jemi të huaj edhe këtu.”
    Shkrimtari apo poeti i vetmuar lind, deri sa vdes. Veç është mjaft i privilegjuar brenda vetmisë së tij, përderisa i jepet mundësia t’i kundërvihet të keqes me fuqinë e botës së tij shpirtërore.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.