back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Llamburitje Llahtare… nga Shaip Beqiri (Nekrologji për Bekim Fehmiun 2010)

Gazeta

Bekim Fehmiu - Krujë 1972
Bekim Fehmiu – Krujë 1972

Llamburitje Llahtare… nga Shaip Beqiri

Nekrologji për Bekim Fehmiun (1 qershor 1936-15 qershor 2010)
në përvjetorin e Ditës së Lindjes së Tij

Hinorja me mbetjet e Bekim Fehmiut ndoshta mbrëmë do të jetë nisur në udhën e vet të mbramë drejt visoreve që ai kishte lënë prapa krahëve para më se një gjysmë shekulli, atëherë kur kishte marrë botën në sy duke çarë stuhitë e ashpra drejt Veriut. Atëherë kishte marrë me vete sall një trastë të grisur ëndrrash dhe etjen përvëluese të jetës e të artit, kurse tash në një kuti të vogël është futur tërë qenia e tij fizike me iu kthye përjetësisht pafundësive të kohës ndër brigjet që i vënë sinor shtrirjes së rrënjëve të tij stërgjyshore.
Përhumbjen pas një meditimi kaq të ndejshëm ma prish zhurma që është ngritur gjithandej për të mveshur fytyrën e artistit të rrallë me gjithçka që u vjen ndoresh zhurmaxhinjve bjerrakohës të harbutërisë sonë publike. Pothuaj secili e kushdo thotë çfarë t’i vijë te goja, midis dhjetë rrenash me bisht mezi mund të dëgjosh një gjysmë fjale të vërtetë. Po ta kishte lënë i zoti i tërë kësaj burbuje kufomën mbi dhe, s’është çudi që këta plangprishës edhe do të bërlykeshin duke shkumëzuar sipër saj! O Zot! Pëlcitjua sytë e çakërdisur këtyre kreatyrave të shkreta e të neveritshme, që nxjerrin surratin nga të çarat e kulisave me ndryshk e pluhur të injorancës e mjerimit!
Ndërmjet këtyre dy pamjeve, larg në dhè të huaj, prapa perdesh që s’më shqiten dot nga të soditurit me qetësi të shtirur, më shpërfaqet fytyra e mikut tim thadruar në një vargan të pakëputur kujtimesh të shtrenjtë. Ylli i artit të tij që në lindje të vet ishte veçuar nga gjithë të tjerët me përmasat, me lartësinë dhe sidomos me rrëzëllimën që shpërndante gjithandej me një fuqi të jashtëzakonshme. Ai ishte Bekim Fehmiu, artisti që po pushtonte me shpejtësi uragani zgavrat e pafund të mungesave tona të humnershme, duke u bërë përnjëherë heroi ynë i shumëpritur, tek i cili do të mbështetet gjakimi i një rinie të tërë të zhuritur me dëftue identitetin e vet kulturor e kombëtar me një figurë përmasash të tilla kulmore. Magjia e fuqisë së tij njerëzore e krijuese e ruajti gjithmonë me mençuri e fisnikëri të rrallë këtë lidhje që e mbante të fortë e të frymëzuar edhe vetë atë.

Bekim Fehmiu me plis
Bekim Fehmiu me plis

Djaloshi truplidhur, symprehtë e zëbuçitës kishte sall këto tri shenja dalluese talenti prej aktori, të cilat ia kishte falur zoti, në shoqëri me të cilat qe nisur një ditë drejt kryekasabasë sonë, ku fare pak banorë të saj dinin ç’është teatri. Ai vinte nga skena amatore e Prizrenit në kohën kur po zinte fill me vrull e entuziazëm mbudhja e një teatri profesionist në Prishtinë. Ky djalosh aty e mësoi së pari herë kumbimin e fjalës në skenë dhe e bëri vetë ecjen nëpër dërrasat që jetë janë. Kështu u bë pjesëtar i një ansambli artistik të cilin nuk e harroi kurrë. Aty ai bëri rolet e parë dhe doli në skenë para një publiku që poashtu për të parën herë po provonte një art me emrin që s’i mbahej lehtë në mend! Pas sprovave të para në skenën e atëhershme të Prishtinës, aktori ynë i ri diktoi te vetja mundësinë dhe ndjeu thellë nevojën e përsosjes me dije të mëtejme në udhën e madhe të artit. Djaloshin aktor udha e shpuri në Beograd, aty ku kishte zënë të krijohej bërthama e lavdishme e gjithë inteligjencies shqiptare të Kosovës. Pikërisht në qytetin ku ishte vrarë pabesisht kushedi sa herë ëndrra e lirisë së shqiptarëve, djaloshi shqiptar do të shqiptojë theksueshëm emrin e vet, të cilin nuk do të lejojë kurrë t’i preket as një shkronjë e vetme: Bekim Fehmiu. Edhe shkrimi i parë për të këtë titull kuptimplotë kishte: Mbajeni mend këtë emër! Dhe nuk vonoi shpërthimi me vrull të papërsëritshëm i shkëlqimit të këtij emri kumbues. Ishte puna me përkushtim titanik ajo që ia çeli atij horizontin e parë të një pafundësie që s’pushtohet dot kurrë deri në fund.
Në moshën tridhjetëvjeçe, me rolin e ciganit Boro te “Mbledhësit e puplave”, Bekim Fehmiu kapi me dorë zenitin që nuk ishte lehtë as sall të përfytyrohej. Dy vjet më vonë, me rolin e Uliksit te seria “Odisea”, ai vulosi dëshminë e madhe krijuese në udhën e vështirë të artit, dëshminë se asgjë nuk kishte qenë e rastit në synimin e tij drejt majave të artit të shtatë. Kështu mushkëritë e artit të tij u mishëruan natyrshëm me ajrin e pastër e të ashpër të majave më të larta, sa atij rrallë i ra të zbriste ndër rrëzat e dergjura nën fasha mjegulle e tymi të amatorizmit të përjetshëm provincial! Gjithë udha krijuese e Bekim Fehmiut, qoftë në teatër apo në film, synim kishte ngjitjen e përhershme. Arritja ndër këso majash në moshë të re e me energji krijuese të pashterrshme, atij kurrë s’ia turbulloi mendjen e as nuk e luhati në përcaktimin parimor të qytetarisë e të krijimtarisë së vet. Janë tepër të paktë ata krijues me një reputacion kaq të lartë artistik që kanë mundur me konsekuencë sipërane t’i mbajnë përherë të pandashme këto dy veçori me shumë vlerë, siç bëri Bekim Fehmiu në gjithë jetën e tij.
Duke e dashur personalitetin e tij të artistit dhe sidomos duke e çmuar gjithnjë vlerën e lartë të veprave të tij, nuk di të ketë pasur ndonjë personalitet tjetër me të cilin me aq dëshirë kam pritur çastin e takimit, njohjen… Dhe pa vonuar shumë, diku në fund të vjetëve ’70, kam kapërcyer përnjëherë papritur këto dy shkallare të afrimit me të. Ishte miqësia pak më e hershme me të vëllain e tij të madh, arkitektin e shquar dhe të paharrueshëm Bashkim Fehmiun dhe ajo me mikun e tij më të afërt ndër krijuesit tanë, shkrimtarin Musa Ramadani, që njohjen dhe miqësinë me Bekim Fehmiun ma bënë të menjëhershme e të përhershme…
Unë jam ndër ata që kanë ndenjur jo pak me Bekim Fehmiun në një kohë të gjatë dhe kam bërë me të një dialog të vazhdueshëm shumë dinamik, por vetëm një pjesë të vogël të tij e kam botuar në trajtë bisedash e intervistash, që sigurisht përbën pjesën më të çmuar të punës sime pothuaj gjatë gjithë vjetëve ’80, mirëpo prapseprap s’më hiqet dot meraku pse s’kam bërë më shumë. Natyrisht që dialogët dhe ndenjat me të nuk i përmend për ndonjë vetëmburrje në këtë çast përjetimi të thellë të humbjes së një miku shumë të dashur dhe një artisti gjenial, aq më pak sa për të kundërshtuar me forcë një palë opinionesh që mbrujnë në vete të pavërteta, hamendësime e përbuzje çnjerëzore.
Bekim Fehmiu majat e suksesit në kinematografinë botërore i ka arritur vetëm në saje të punës së vet dhe mundësisë së pashtershme krijuese që ka pasur. Ky sukses ka pasur një pikënisje, që lidhet me skenat e Prizrenit e të Prishtinës; ka pasur një vazhdimësi, që lidhet me Beogradin dhe qytete të tjerë të ish-Jugosllavisë; duke shkuar tutje në ngritje të përhershme, që lidhet me Parisin, Romën, Holivudin dhe pothuaj me çdo cep të globit. Dhe, përkrye të gjitha arritjeve, ka ardhur çasti që mjeshtri i madh ka vënë pikën. Me zulmën e vet të papërsëritshme për një gjysmë shekulli të shkëlqimit më të madh të artit të tij në hapësirën që përfshin pothuaj tërë globin, ai në emër të dinjitetit njerëzor dhe të krenarisë kombëtare vuri pikën e madhe në fund të veprës së vet me jehonë të pashoqe. Tërë shkëlqimi llamburitës i asaj vepre kolosale përnjëherë iu shndërrua në një llahtari trishtuese. Kështu vetvetiu m’u mpleks edhe titulli i librit të tij autobiografik, i cili do të mund të motërzohej me vargun e famshëm të Lasgush Poradecit: Bukuri! tmerrisht e dashur, llaftari! tmerrisht e bukur… Duke qenë gjithnjë një njeri plotësisht i lirë, ai edhe heshtjes së vet të gjatë i dha ngjyrim të tillë. Më në fund, edhe me aktin e mbramë të dramës së madhe jetësore ai e dëshmoi dashurinë ndaj pafundësisë dhe ndaj udhës së përjetësisë: Mes-për-mes nër Shqipëri. Janë të paktë ata njerëz që kanë pasur aq shumë liri dhe guxim brenda qenies së vet si Bekim Fehmiu!
Më ka rënë ta takoj dhe të bisedoj gjatë e shtruar me Bekim Fehmiun edhe pas kohës që kishte vënë pikën e madhe. Për hir të miqësisë që kishim, e theu heshtjen dhe m’i tha të gjitha që i vlonin përbrenda. Përsëri pothuaj askush s’e kuptoi. Dialogu me të doli në trajtën që ai do ta përsëritë gjithnjë: Në vete e me vetveten… Njësoj më kishte folur edhe më parë për ndërskëmbcat hileqare që e kishin detyruar të largohej nga projekti “Kur pranvera vonohet”, edhe nga “Hamleti”, edhe nga “Njeriu prej dheu”… Mirëpo më e dhembshmja për të mbeti gjithnjë përbuzja çnjerëzore që iu bë dorës së tij të shtrirë bujarisht më 1982, me çelur një klasë studentësh të aktrimit në kuadër të Universitetit të Prishtinës, për të cilën e dha premtimin në pranverë dhe u kthye të niste punën saktësisht pas tre muajsh, ashtu siç kishte premtuar. Nuk kërkoi asgjë: as rrogë, as studio e as ndonjë gjë tjetër. Tha thjesht: sall të më mundësohet të bëj vetë zgjedhjen e të interesuarve për një klasë aktorësh që do udhëheq deri në diplomë… Atij i mbeti pengu në zemër, kurse mua s’m’u hoq nga qafa shpotitja e rrugaçërisë së amatorizmit të përjetshëm artistik të atdhetarëve të mejhaneve të Prishtinës.

Locandina e Cagliostros  me figurën e Bekim Fehmiu
Locandina e Cagliostros me figurën e Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu ishte aktor me një karrierë që s’përsëritet dot kurrë, mirëpo në ndenjat me të zura mësimin e çmueshëm se dialogu i vërtetë krijues mund të bëhej me frymë mospajtuese edhe midis miqsh. Duke qenë një krijues kalibri të rrallë, natyrisht që edhe mëdyshjet e dilemat në fushë të krijimtarisë i kishte shungulluese. Në vijë të këtij formimi ai jo një herë ka shprehur gjakimin për një njohje më të thellë të shqipes, sado që fliste një shqipe bubulluese. Sigurisht që këso mëdyshjesh e dilemash ai do të ketë pasur edhe për ndonjë angazhim eventual në ndonjë film apo shfaqje teatrore në Kosovë apo në Shqipëri. Dhe kjo është ana më e ndritshme e një krijuesi siç ishte ai. Dilema e mëdyshje krijuese nuk kanë ekzistuar kurrë në lagjen e madhe të varfër të amatorëve të mplakur si artistë, të cilët ende pa e lexuar deri në fund tekstin duan të dalin në skenë!
Brenga jonë prej krijuesish të vërtetë dhe atdhetarësh të pastër, që duhet të na mundojë dhe të ndiejmë keqardhje për veten si njerëz të shkelur e të nëpërkëmbur që ishim jo bash krejt rastësisht, do të ishte tepër mizore po u përpoqëm të hedhim çfarëdo njolle në personalitetin e kulluar të një njeriu bujar dhe artisti zulmëmadh siç ishte Bekim Fehmiu. Këtu sigurisht që vend për brengosje e për kujë ka që ka, por ajo duhet të bjerë pikësëpari mbi zvarranikët që u prinë dhe vazhdojnë t’u prijnë edhe sot e gjithë ditën institucioneve tona kulturore-shkencore-artistike-letrare, të cilët me gjymtimin e vet profesional dhe me etjen e pashuar për t’u vënë në shërbim të çfarëdo pushteti krijuan një moçalishte që vështirë do ta kenë ta kapërcejnë edhe shumë breza të ardhshëm shqiptarësh. Tërë helmi i këtyre hienave të kulturës dhe të artit shqiptar tash shtiret se e ka gjetur rastin të hedhë baltë mbi një figurë që rrëzëllen vetëm bukuri e mirësi. Kurse këta rrjepacakë të mjerë janë thinjur në pritje që të shohin Bekim Fehmiun duke çarë batakun e artit të tyre që vdes para se të lindet! Në vend se të skuqeshin që s’ia dolën dot të krijonin ndonjë vepër që do të ishte e denjë të kishte Bekim Fehmiun brenda, këta batakçinj të shushatur zgërdheshen e jargaviten duke u vetëportretuar neveritshëm.
Ndërkaq artisti ynë i madh një kohë tepër të gjatë kishte mbetur një peng i pashpallur kundruall mizorisë së inferioritetit serb, në njërën anë dhe arrogancës së provincializmit shqiptar, në anën tjetër. Atij i kishte mbetur i vetmi shteg i kthimit atje prej nga ishte nisur – ndërmjet shkrumbëzimit të njërës dhe valëzimit të tjetrës anë…
Dhè i Huaj, 20 Qershor 2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.