back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Nuk e di nëse Shqipëria ka ndryshuar vërtet” – Filippo Lubrano bisedon me Ornela Vorpsi – Paris 2008

Gazeta

Ornela Vorpsi
Ornela Vorpsi

“Nuk e di nëse Shqipëria ka ndryshuar vërtet”

Filippo Lubrano bisedon me Ornela Vorpsin – Paris 2008

Paris. Jam ulur në një bar të Arts et Métiers.
Ornela Vorpsi është me vonesë. Ashtu siç i leverdis çdo gruaje,
aq më tepër që ajo është edhe shkrimtare. Më dërgon një sms:
“Do të kem një kapele të zezë”. Por mbërritja e saj nuk kalon pa u vënë re.
Ndërsa kalon mes tavolinave, vështrime të patakta e shoqërojnë.
Kërkon falje për vonesën: palestra e ka shkatërruar brenda e jashtë.
Kjo nuk mund të thuhet. Porosit një çaj të ngrohtë, pastaj nis të më pyesë.
Por mbi të gjitha, unë dua të di për të.

***
Jetoj në Paris prej dhjetë vjetësh e nuk lodhem kurrë. Në Itali kthehem vetëm për periudha të shkurtra, sa për një pushim. Kam njohur vetëm Romën dhe Milanon kur studioja në Belpaese, dhe dimensionet e tyre më duken shumë provinciale.

Po Shqipëria? Për mua është toka e kujtimeve të fëmijërisë, por edhe një vend armiqësor. Nëse u arratisa kjo nuk ishte për arsye ekonomike: familja ime ishte “nga ana e gabuar” dhe komunizmi i renditur krah stalinizmit në atë kohë nuk të linte rrugë tjetër.

Tashmë artiste dhe shkrimtare e afirmuar, do të ktheheshit në vendin e origjinës? Kurrë mos thuaj kurrë. Është e vërtetë që tani Shqipëria nuk është më ajo e para, por vetëm Zoti e di se sa e vështirë është të ndryshojë vërtet.

Ju pyesim pikërisht ju, që me romanet tuaja keni ndryshuar tashmë diçka në gjuhën italiane, duke e dashur me një vështrim të jashtëm, duke e veshur sipas mënyrës suaj? Edhe për mua ka qenë e vështirë të ndryshoj. Por Italia në një farë mënyre ishte një zgjedhje e detyrueshme: ishte Perëndimi më i afërt. Sigurisht, ishte edhe toka e kulturës, e Lucio Battistit dhe e Minës. Për më tepër, unë që e dua shumë 400-ën dhe pikturën e saj, isha aty ku doja të ndodhesha, në vendlindjen e Paolo Uçellos dhe Beato Angelicos

Kur ndodhej në Itali, Ornela ka studiuar në Akademinë e Breras, pastaj në moshën 28 vjeçe mbërrin libri i parë mbi Shqipërinë: (Vendi ku nuk vdiset kurrë, Einaudi, 2005), i cili doli fillimisht në Francë. Ndoshta për shkak të temave shumë të forta për katolicizmin e gadishullit tringjyrësh? Të flasësh për “kurvërinë”, aspektin në të cilin rrezikon të bjerë pothuajse çdo grua e bukur në Shqipëri, mund të ketë zgjuar ndjesi paksa fanatizmi? Ah, nuk e besoj. Çdo vit publikohen plot gjëra të tilla. “Kurvëria” për të cilën flas unë është një problem universal i qenies njerëzore, sepse bukuria trazon.

Po, por në disa vende më shumë se në të tjerat. Ornela ndoshta e ka përjetuar bukurinë e saj gjithmonë si një handikap, të paktën gjatë viteve në Shqipëri, ku komunizmi i donte të gjithë njerëzit njëlloj dhe ku bukuria ishte diçka që të nxirrte jashtë normales. Ekuacioni, grua e bukur e barabartë me prostitutë, shërbente për të ndrequr këtë radhë gjërash… Nuk e kam përjetuar vet, në fund të fundit nuk jam kaq e bukur, po nëna ime po”, shprehet teksa gënjen për herë të parë gjatë bisedës.

Ornela vazhdon të shkruajë në italisht, por mendon dhe flet në katër gjuhë. Ndoshta ky është kuptimi i gjuhës në Europën e sotme? Për mua është natyrale. Vazhdoj të flas shqip me nënën time çdo ditë në telefon, italisht me burrin tim dhe frëngjisht rrugës. Mendoj se gjuha e romaneve të mi është një sintezë e shumë kulturave, shumë gjuhë të përziera së bashku.

Atëherë mozaiku që rrjedh prej kësaj është diçka që i komunikon gjithkujt? Arti nuk ka nevojë për shpjegime. Artist si Matthew Barney ose Sophie Calle që janë të mbivlerësuar e përfaqësojnë kultin e individualitetit, nuk më transmetojnë asgjë. Kur vështroj një tablo të Beato Angelico hyj në kontakt me të edhe pse ka vdekur prej shekujsh. Nuk kam nevojë për dikë që të ma shpjegojë: kështu është arti.

Kujt ia vjedh Ornela penën për një ditë? Nuk kam modele të përcaktuara, kam hyrë në këtë botë pa pretendime. Fillimisht më interesonin artet plastike, skulptura dhe piktura, por në fund u afrova ndaj të shkruarit. Do të kisha dashur të shkruaja “I huaji” i Kamysë p.sh.

Është e pamundur të mos pyesësh një shqiptare për fatin e Kosovës… Shpresoj të fitojë Pavarësinë. Është një popull që ka vuajtur shumë. Por nuk e di se sa vlen ende koncepti i kombësisë në shekullin e XX: për mua ka kuptim të shpëtosh origjinën dhe kulturën tënde, por e vetmja gjë që ia vlen është takimi me dimensionin human.

marre nga “Gazeta Shqiptare” 2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.